Seksologët nuk kanë dyshime se vallëzimi është një terapi me një efekt shumë më pozitiv se viagra për të rritur kënaqësinë në intimitet. Një anketë e zhvilluar në 700 çifte tregon se sa i rëndësishëm është vallëzimi midis partnerëve, madje e cilësojnë edhe si aktivitetin më stimulues në dashuri
Vallëzimi është një shprehje e rafinuar dhe intime e joshjes, një art i lashtë sa vetë bota dhe me një ndikim të fuqishëm eksitues mbi çiftet që e praktikojnë. Fuqinë erotike të vallëzimit e zbulon një studim i udhëhequr nga një grup seksologësh të shoqatës “Gratë dhe cilësia e jetës”, e drejtuar nga psikologia dhe psikoterapistja Serenella Salomoni.
Duke hetuar në aspektet më të fshehta të jetës në më shumë se 700 çifte, të moshave 30-70 vjeç, studiuesit kanë zbuluar se çiftet ‘kërcimtare’ kanë raporte seksuale më të shpeshta dhe shijojnë një cilësi më të mirë të marrëdhënieve intime se të tjerët. Vallëzimi krijon mundësinë që të dyja gjinitë të ndërveprojnë në një formë të veçantë dhe të pakrahasueshme komunikimi. Është esenca që nxit alkiminë në çift.
‘Loja’ që zhvillohet përmes lëvizjeve sensuale dhe shikimeve kuptimplota, e ndërthurur me atmosferën ndjellëse të muzikës, është pikënisja më e mirë e një nate që premton.
Sa më shumë sintoni të tregohet nga partnerët gjatë vallëzimit, aq më intensive dhe e këndshme do të jetë edhe ndjesia ‘poshtë çarçafëve’. 32% e të gjitha çifteve të anketuara pohojnë se vallëzimi është aktiviteti më stimulues në dashuri. Në këtë kuptim ai dominon mbi një sërë aktivitetesh të tjera të cilësuara prej kohësh si rigjallëruese në marrëdhëniet brenda çiftit. I tillë është për shembull, të gatuarit së bashku. 25% e të anketuarve mendojnë se ky është aktiviteti më stimulues që rrit bashkëpunimin në çift. 18 % mendojnë se janë udhëtimet, frekuentimi i palestrës preferohet nga 15% e çifteve, ndërsa 10% zgjedhin kinemanë.
Vallëzimi ka fuqinë ‘magjike’ që të ‘ndezë gjakrat’ në kapërthimin e trupave me lëvizje ritmike në melodinë nxitëse, duke shkaktuar fantazi dhe përjetime që përveçse në shtrat, është vështirë të gjenden diku tjetër. Në anketë, 26% e të pyeturve mendonin se vallëzimi përmirëson ndjesitë seksuale për faktin e thjeshtë se mundësitë për kontakt fizik janë më të shumta, 23% mendonin se lëvizjet gjatë vallëzimit stimulojnë fantazinë, 17% e çifteve mendonin se vallëzimi të çlodh dhe të shtendos, ndërsa 13% thanë se është një formë origjinale dhe eklektike e joshjes dhe rizgjimit të pasioneve.
Kështu që për të rizgjuar ‘pasionet e fjetura’ apo për të ‘ndezur flakë të reja’, mjafton një hap pas tjetrit nën tingujt e një melodie. Por jo të gjitha gjinitë e muzikës janë mike të mira të Kupidit të dashurisë. Muzika latine me të gjitha nënllojet e saj është e para sa i takon melodive sensuale. Është e pamundur t’i rezistosh, mjafton të sillni ndërmend sekuenca të balerinëve që kërcejnë nën ritmet e ‘tangos’, ‘rumbas’, ‘çaçaçasë’ etj. Megjithatë, një pjesë e mirë e çifteve preferojnë rrymën“rock n’ roll”, që prej kohësh konservon karakterin antikonformist e që duket se nuk ka shumë të përbashkëta me impulset seksuale, por në praktikë ndodh e kundërta.
“Vallëzimi është një ‘terapi’, që shpesh është nënvlerësuar, në përmirësimin e raportit seksual, në fakt, si një kurë për të forcuar lidhjen intime midis partnerëve në psikologji ajo aplikohet prej vitesh. Edhe unë ua këshilloj shpesh pacientëve të mi. Gjatë vallëzimit, prekjet stimulohen nga kontakti fizik, hunda tërhiqet nga miksimi i parfumeve dhe feromoneve që çlirohen duke shkuar drejt e në tru. Ky dërgon impulse tjera që i çojnë partnerët nga salla e vallëzimit në dhomën e gjumit”, shpjegon dr. Serenela Salomoni./Dorina Gjuzi
