“Nëse më arrestojnë, do të ketë revolucion”

anazapta

Kavaljeri italian i intervistuar nga radioja franceze “Europe 1” ka folur me tone të ashpra : “Jam në fushatë elektorale dhe synoj zgjedhjet e 24 majit”.  Kur pyetet nëse do të kandidojë në zgjedhjet evropiane në ndonjë shtet tjetër të BE-së, thotë: “nuk largohem sepse e dua vendin tim”

“Revolucion”  -“Mund të më kontrollojnë telefonin, më kanë hequr pasaportën dhe mund të më arrestojnë kur të duan. Por nuk kam frikë, nëse do ta bëjnë do të ketë revolucion në Itali. Do të jetë e vështirë që të më dërgojnë  në burg, pasi do të kem me vete pjesën më të madhe të vendit në zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh lideri i Forza Italias, duke shtuar se nuk mund të dërgohet në burg dikush që po bën fushatë elektorale, për t’i ndaluar në këtë mënyrë që të bëjë politikë. Jam në një moment dobësie personale, por që më pas mund të dalë edhe si pikë force”.

“Katër grushte shteti” – “Në Itali nuk ka pasur vetëm një grusht shteti, por katër të tillë. Dhe këto ndodhin sa herë që një vend nuk mund të qeveriset nga njerëzit që zgjedh populli”.

“E dua Italinë, nuk do t’ia mbath” – “E dua vendin tim, nuk mund t’i jap fund aventurës sime njerëzore dhe si patriot duke ia mbathur nga Italia”, shpjegoi duke iu përgjigjur një pyetjeje mbi qëllimet e tij të mundshme për t’u larguar nga Italia dhe për të kandiduar në një vend tjetër të Bashkimit Evropian.

“Zgjedhjet e 24 majit” – “Jam në fushatë elektorale dhe po përpiqemi të bindim ata 24 milionë italianë që nuk kanë vendosur ende të votojnë për të majtën”. “Qeveria, – shtoi Berlusconi, – nuk zgjidhet më nga populli. Por, 24 maji është dita kur do të votohet për Evropën. Kërkojmë mundësinë që në të njëjtën ditë të zhvillohen edhe zgjedhjet në Itali”.

“Kam besim në rishqyrtimin e proceseve” – “Shpresoj të mund të jem pjesë e zgjedhjeve politike duke arritur miratimin e rishqyrtimit të proceseve të mia”, shpjegoi, duke theksuar se kishte “dy mundësi, rishqyrtimin në Itali dhe atë në Gjykatën e Luksemburgut”. Ai theksoi se është “absolutisht i sigurt” se do të lirohet nga të gjitha akuzat.

“As gabime e as teprime” – Berlusconi përsëriti edhe një herë pafajësinë e tij, duke shtuar se nuk ka vend për “autokritikë për ndonjë gabim” dhe se në jetën e tij private nuk ka pasur “asnjë teprim”. Sa për dëshmitë mbi mbrëmjet në vilën e tij në Arcore, përsëriti se është diçka e montuar nga drejtësia. “Për të më komanduar kanë nevojë të thonë këto gjëra. Mbrëmjet ishin absolutisht normale, nuk kam parë kurrë një gjest jo vetëm që të kishte lidhje me seksin, por edhe që të tregonte mungesë elegance në shtëpinë time. Por, nëse dikush thotë diçka kundër meje është i sinqertë, e nëse flet për pafajësinë time, gënjen”.

Ndërsa në lidhje me dënimin e gjykatës për evazion fiskal, Berlusconi tha se ishte “kontribuuesi i parë i shtetit” dhe se “asnjë italian nuk mund të mendojë se i jam shmangur taksave. Jam absolutisht i sigurt se në fund do të lirohem nga akuzat”.

“Nga Letta asnjë premtim i mbajtur” – “Qeveria e Enrico Letta-s nuk i ka mbajtur premtimet. Sa për paqendrueshmërinë e Italisë, e cila mund të sjellë rënien e qeverisë, Berlusconi shprehet: “Në 50 vitet e shkuara, qeveritë ndryshonin mesatarisht çdo 11 muaj. Unë isha italiani që ka qëndruar më gjatë në qeveri”.

“Putin? Një mik shumë i mirë” – “Po, e prita Putinin për darkë dy ditë para vendimit të Senatit” u shpreh ish-kryeministri në lidhje me vendimin për rrëzimin e tij nga posti i senatorit. Ai shtoi se “presidenti rus është një mik shumë i mirë. E njoh që nga viti 2001”.

Merkel mendon për interesat e saj” – Angela Merkel? “Sheh interesat e saj, kjo Evropë deshi një politikë që krijon depresion dhe jo zhvillim”, shprehet Berlusconi. Dhe kur pyetet se çfarë mendon për ish-presidentin francez Nicolas Sarkozy, përgjigjet me ironi: “Cila është pyetja tjetër?”./D. Gjuzi

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *