Pajtim Bello
Gjithë preokupimi i partive opozitare, mbi “prishjen” e konsensusit dhe “shkeljen” e Marrëveshjes së 5 Qershorit arritur mes partive politike, është se po vështirësohet apo deri edhe ndalohet bërja e koalicioneve ndërpartiake parazgjedhore. Nuk rezulton tërësisht kështu, por qëllimi i shkrimit nuk është të sqarojë këtë moment për të cilin është folur shumë; veçanërisht muajt e fundit.
Si edhe për shumë nocione apo aksione politike të tjera edhe me nocionin “koalicion” është abuzuar politikisht dhe ligjërisht, aq sa koalicionet janë shpërfytyruar dhe nuk kanë identitet, integritet parimesh apo morali (për atë çfarë pretendojnë se janë krijuar), nuk kanë sjellë stabilitet qeverisës dhe kanë rezultuar shumë problematik!..
Subjektet politike/partitë më së pari dallohen nga spektri ideologjik dhe nga historia politike e tyre që përgjithësisht në çështje specifike është kthyer edhe në një traditë thelbësisht dalluese të njërës apo tjetrës parti, deri në një vijë të kuqe papajtueshmërie me partitë e tjera. Spektri ideologjik apo kjo traditë është fillesa mbi të cilin projektohen koalicione të përkohshëm apo afatgjatë, pra do ti kërkosh aleatët para zgjedhor në linjën e ngjashmërisë së “qimes”.
Tek ne historikisht, por sidomos aktualisht, shohim se ky kriter apo parim nuk merret fare në konsideratë. Koalicioni i pretenduar për zgjedhjet e 25 prillit 2021, koalicion që deri tani ka operuar në aksione politike të përbashkëta të opozitës, është një miksturë e pa zakontë; aq sa i parë nga interesat e spektrit ideologjik ngjan me një fole grenzash që vështirë se do të bashkëjetojnë. Konkretisht brenda Koalicionit të madh “celebrohet” bashkëjetesa mes Partisë apo partive mbretërore si legaliste etj.. me Partinë Republikane, çka vë në pikëpyetje seriozitetin dhe ekzistencën e vetë këtyre formacioneve politike; “celebrohet” bashkëjetesa mes PBDNJ dhe PDIU që kanë objektiva tërësisht të papajtueshme dhe interesa përjetësisht konfliktuale, çka nxjerr në pah falsitetin e propagandës të këtyre formacioneve politike; kemi një aglomerim të PD si parti e djathtë me LSI si parti e majtë, çka shuan spektrin politik të tyre që për një vend në tranzicion është domosdoshmëri etj.. raste pa ndonjë rëndësi përshkruese brenda koalicionit!..
Përmenda këto çifte për të nxjerrë në pah se një koalicion parazgjedhor kurrë nuk mund të bëhet kur dallimet dhe kundërshtitë janë të thella dhe të pa kapërcyeshme; edhe një herë e theksoj të pa kapërcyeshme për një koalicion parazgjedhor!… Përpara zgjedhësve do të shkosh me fytyrë politike që ke, ndryshe përse ata zgjedhës do të quhen “të tutë”! Pra që në nisje të garës shuhen bastionet e djathta apo të majta, bastionet legaliste apo republikane; pa lere më kur flasim për ngjyrimet e PDIU dhe PBDNJ ku “celebrimi” në koalicion është skenë ilariteti. Spektri politik imponon rrugët e zhvillimit, taktikat dhe strategjinë që do të materializohen në Programin Qeverisës. Por si mund ti harmonizosh interesat e çifteve për të cilët sapo folëm?! Ky lloj koalicioni është e destinuar të prishet ose do të funksionojë përmes zorit, do të zvarritet mes skandaleve e dështimeve qeverisëse; natyrisht me një kosto që, si gjithnjë, do ta paguajnë shqiptarët.
Koalicionet bëhen për të sjellë risi të reja pozitive dhe progres në qeverisjen e vendit. Ky është rregulli numër një që në rastet e koalicioneve në Shqipëri pothuajse është neglizhuar tërësisht. Deri tani koalicionet janë bërë vetëm e vetëm për të marrë, ndarë e mbajtur pushtetin nëpërmjet maksimizimit të votave përmes artificeve llogaritëse tipike shqiptare, duke shkelur edhe parimet kushtetuese. Kjo ka bërë që qeveritë pas zgjedhjeve të degjenerojnë në çaire partiake dhe aktiviteti i tyre të mos jetë as i mirë orientuar, as i rakorduar dhe as i hartuar e udhëhequr sipas parimit unik. Siç theksuam më sipër, qeverisja realizohet përmes ngërçeve organizative e politike, përmes mbulimit të skandaleve qeverisëse e politike dhe dështimeve; natyrisht kjo për hir të mbajtjes në këmbë të qeverisë. Në këtë moment, kur shfaqet kjo simptomë, politikanët mendojnë si të mbyllin të çarat që krijohen dhe mos t’iu bjerë qeveria (të mos iu mbytet anija); kurse interesat e vendit dhe qytetarëve janë hedhur në kosh!..
Tek ne kjo ka ndodhur jo rrallë dhe mjerisht me pasoja të rënda në shumë plane!… Bërja e koalicioneve të tilla, vetëm e vetëm për të përfituar statusin e forcave qeverisëse, është mungesë serioziteti dhe përgjegjshmërie shumë e theksuar!.. Vini re se ende pa u ravijëzuar ky koalicion opozita shprehet se bashkimi ynë është rrëzimi i Edi Ramës; pra nuk na qenkan interesat e vendit dhe të qytetarëve!.. Pra të maksimizojmë votat dhe të rrëzojmë Edi Ramën dhe jo të bashkojmë idetë, të kemi nja program konkurues dhe të sjellim progresin!..
Kemi edhe koalicione që realizohen duke kapërcyer ylberin (neglizhuar dallimet e thella) apo ato lehtësisht të dallueshme dhe kjo kur në horizont shfaqen interesa kombëtare apo çështje social ekonomike me peshë. Këto lloj koalicionesh si rregull realizohen mbasi kanë përfunduar zgjedhjet dhe shtrohet domosdoshmëria e bërjes së një qeverie të qëndrueshme. Arritja e këtyre koalicioneve paszgjedhore në përgjithësi është e vështirë. Çështjet debatohen e latohen thellësisht duke u materializuar në një Program Qeverisës që miratohet në Parlament. Në Shqipëri deri tani përgjithësisht janë formuar koalicione parazgjedhore dhe në kujtesën e shqiptarëve janë të freskëta skandalet qeverisëse spektakolare, dështimet në përmbushjen e objektivave historike etj..
Mund të themi pa frikë se edhe tranzicioni e tejzgjatur është produkt i këtyre koalicioneve që ngjanë si martesa për prikë!.. Reforma zgjedhore duhet të debatonte dhe zgjidhte çështje të tilla që ndikojnë seriozisht në zhvillimin social ekonomik të vendit dhe në arritjen e objektivave madhore si integrimi euroatlantik etj.. Zhurma për reformën do të ishte e besueshme apo do të ngjante si një shqetësim real i forcave poliitke nëse do të vinte në binarë/shina edhe çështjen e koalicioneve. Përse koalicionet parazgjedhore të mos jene subjekt i rregjistrimit në gjykatë? Përse koalicionet parazgjedhore të mos kenë një Program Elektoral të përbashkët te deklaruar? Përse koalicionet parazgjedhore të mos dalin me një listë deputetësh të përbashkët? Ligji/Kodi elektoral duhet të pasqyronte edhe këto risi, bile edhe duke i theksuar fort e qartë. Pra si të thuash përfshirja në një subjekt zgjedhor nënkupton që kemi edhe një subjekt politik miks në këtë raund zgjedhor; pra të pranohet se gjithkush ka humbur diçka pa spektrin dallues i vet dhe kjo jo thjesht për tu bërë pjesë e çairit qeverisës por për hir të një apo disa objektivave madhore që materializohen në Programin Elektoral të përbashkët.
Në të kundërt gjithçka është fasadë, janë deklarime false që kanë sjellë produkt të pa dobishëm e të pa pëlqyeshëm. Kjo është verifikuar sa e sa herë. E thënë kështu zhurma nëse do të ketë apo jo koalicione nuk ka pse të jetë shqetësim i qytetarëve por i partive politike dhe kjo.. (Asgjë më shumë dhe asgjë më pak!)..thjesht për të marrë pushtetin.
