Zbardhin vitet përmbi thinja,
Nëpër mjekër, nëpër flokë,
Po me jetën dot s’u nginja,
Që kur eca përmbi tokë.
Rrodhën vitet si ujëvara,
Uji, -turbulluar krejt,
Si shkëmbit më bënë të qara,
Saqë s’eci dot më drejt.
Shumë e shumë në jetë më deshën,
Thanë se isha goxha burrë,
Shumë të tjerë më përqeshën
Dhe më qëlluan me gurë.
Po unë e kurseva lotin.
Të mërzitësh? Ç’marrëzi!…
Ka kaq shumë që s’duan Zotin,
Ç’pyet për mua, për tu?!…
Pa panik e pa potere,
Do pres fundin dhe gjyqin,
Tonat janë fllade vere,
Gjersa Krishti duroi kryqin.
1 shkurt 2009
Nëse jeta ime
Nëse jeta ime ka një qiell,
Ti, natyrisht, je dielli i saj,
Çdo regëtimë e zemrës sime,
Të përket ty, mua pastaj.
Nëse jeta ime është një det,
Ti je anija që lundron,
Unë ndiej si çahet valë e jetës
Edhe kur ti më siluron.
Nëse jeta është një stinë,
Krejt e bleruar, që nga fillimi,
Nuk është sekreti, që s’e dimë,
Ti je aroma dhe blerimi.
Nëse jeta ime është një pasqyrë,
Që ndrin e ndrin me kaq shkëlqim,
Ti je rrezja që ndrin mbi të,
Që unë të shoh portretin tim.
Nëse jeta ime është një zjarr,
Ndezur në mbrëmje e në mëngjes,
Ashtu si sot edhe më parë,
Ti je shkëndija që e ndez.
Nëse jeta ime do ish një vdekje,
Ti do të ishe arkivoli im i florinjtë,
Arkivoli im i përsosur,
Ku nuk do hynin kurrë gjarpërinjtë.
Ç’ta zgjasim më me metafora,
Me metafora, krahasime;
Të miat kam vetëm mushkëritë,
Se ti je frym’ e jetës sime.
7 shkurt 2009

Perfekte!