Kush e vrau Ismail Qemalin?

Ornela

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Nderimi për babain e kombit, arkitektin e Pavarësisë, Ismail Qemalin për çdo shqiptar është më se i natyrshëm. Ai është hero dhe legjendë e pavdekshme shqiptare, diplomat model, atdhetar ideal, burrë atdhetar, pishtar mendjendritur, që jetën ja kushtoi atdhetarizmit, politikan i njehsuar me flamurin, krijues i strukturave të para të shtetit, në diplomaci, politikë, ekonomi, ushtri, polici, xhandarmëri, arsim, etj., personalitet “i vlerësuar dje “me kursim” dhe sot me “përtim”! Ismail Qemali (16.10.1844–24.1.1844) është i pari burrë që pas shekujsh robëri, pas Gjergj Kastriotit Skënderbeut, e LSHP ngjalli shpirtrat shqiptarë të sfilitur luftërave, shpalli pavarësinë më 28.11.1912 dhe ngriti qeverinë shqiptare më 4.12.1912.

Ismail Qemal Bej Vlora: “Më hëngër me të pabesë”!

Ismail Qemal Bej Vlora i mbylli sytë me shprehjen: “Më hëngër me të pabesë!”. Një vdekje e mbuluar me mister për babain e kombit shqiptar!. Ai jetoi vetëm pak minuta pasi kishte pirë “filxhanin e kafesë”, që ishte veç një filxhan helmi përpara se të nxirrte shkumë nga goja. Një vrasje e pastër me helmim, që nuk bënte zhurmë si krisma e kobures! Por efektin e kishte të sigurt. Pasi kishte shpallur Shqipërinë të pavarur nga dovleti dhe hykimeti osman, kishte drejtuar si Kryeministër 13 muaj e 18 ditë dhe me finesë diplomatike ja kishte dorëzuar detyrën KNK-së, për qeverisje europiane. Rikonfirmimi i pavarësisë së shtetit shqiptar në gjithë hapësirën ku flitej shqiptarçe Ismail Beu e shikonte si hapin e dytë të radhës duke shkuar në Konferencën e Paqes në Versajë. Ishte janari i 1919-ës dhe  krijuesi i shtetit shqiptar kërkonte “shtigje” për të qenë të paktën pranë faktorit diplomatik botëror në këtë konferencë. Udhëheqësit italianë i kishin premtuar deri tek kryeministri Vittorio Orlando, dhe diplomati i rregjur në këto punë po gjuante rastin e volitshëm për të shuar në Versajë për çështjen e Shqipërisë, në kryeqendrën franceze ku luhej karta e madhe dhe ku vendosej fati i popujve të vegjël. Ismail Qemal Bej Vlora pak ditë para se ta helmonin shkruante: “…sot është dita vendimtare e Shqipërisë, do të ngjallemi apo do të vdesim. Unë e dua Shqipërinë nën regjimin demokrat e federal për popullin shqiptar”.

Ai ishte stacionuar në hotel “Brufani” në Peruxhia të Italisë dhe priste lajm për takim me politikanët diplomatë italianë, por që vdekja i erdhi nga një dorë misterioze që babain e kombit, një nga njerëzit më të mençur dhe diplomatin e sprovuar nuk e donin “nëpër këmbë”. Prandaj i erdhi edhe vdekja që ishte shokuese për dy djemtë që nuk iu ndanë deri momentin e fundit të jetës, por dhe për gjithë shqiptarët kudo që ishin. Njoftimin për vdekjen e tij e njoftoi me një komunikatë të veçantë gazeta italiane “L‘Unione Liberale”, organ i Partisë Liberale të Italisë, e qendrës së djathtë, me 18 fjalë: “Dje në mbrëmje, në orën 23.30 pushoi së jetuari në hotel “Brufani” mysafiri i shquar i qytetit, Ismail Qemal Bej Vlora”. Tre djemtë e tij: Ethemi, Qazimi dhe Qamili, përfaqësues të Ministrisë së Jashtme italiane, më 8.2.1919, shoqëruan trupin e Ismail Qemalit me tren nga Peruxhia në Brindizi, nga ku, në bordin e torpedinieres “Alpino”, u shoqërua në Vlorë. Më 12.2.1919, ditën e mërkurë, i vendosur mbi shtratin e topit dhe i mbështjellë me Flamurin Kombëtar, u shoqërua në Kaninë, ku u varros në oborrin e Teqesë, në varrezat e familjes Vlora. “…Nëse masim madhështinë e një personaliteti politik me dashurinë e popullit të thjeshtë,- shkruante në “Kujtime familjare”, Safa Vlora,- duhet të pohojmë se asnjë nuk i afrohet Ismail Qemal Vlorës”. Kortezhi kishte dymbëdhjetë kurora që mbaheshin nga Djelmoshat e Vlorës, të shoqërisë me po këtë emër, gazeta Kuvendi, shoqëria djaloshare. Pastaj ecte banda ushtarake që luante marshin funebër, karroca me arkivolin e mbuluar me flamurin e kuq, nderuar dhe e ruajtur nga dy rreshta ushtarësh, hoxhallarët, tre djemtë e Ismail Qemalit, gjenerali Settimo Piacentini (komandant i trupave italiane në Shqipëri), kundëradmirali Lrubetti, autoritete ushtarake që i bënin “nderimet” që meritonte një diplomat i atij rangu, autoritetet civile të krahinës, paria e qytetit dhe e qarkut, qytetarët, nxënësit e shkollave dhe në fund ushtarët e kavalerisë. Fakt është se pronari i hotel “Brufani” pagoi të gjitha shpenzimet e sjelljes së trupit të Ismail Qemalit nga Peruxha në Vlorë duke marrë pjesë edhe vetë në ceremoninë e këtij varrimi në Kaninë. Jani Minga dhe Qazim Kokoshi mbajtën dy fjalime mbresëlënëse. Përpara varrimit flamurin e morën djemtë e Ismail Qemalit, të cilin flamur e përdorën përsëri në rivarrimin e tij në Sheshin e Flamurit më 28.11.1932, ku pas rivarrimit të dytë Ethem Bej Vlora e dhuroi flamurin për Muzeun Kombëtar. Safet bej Vlora, në dosjen “Ismail Qemali” në AQSH dokumentohet edhe varrimi i babait të kombit: “Nëse e matim madhështinë e një personazhi politik me dashurinë e popullit të thjeshtë, duhet të pohojmë se asnjë nuk i afrohet Ismail Qemal Vlorës. Gjatë ceremonisë së varrimit të tij, asnjë fshatar dhe asnjë qytetar nuk mbeti në shtëpi. Të gjitha faqet e maleve dhe të brigjeve gjatë rrugës së kortezhit funeral ishin plot me njerëz. Qe një apotezë madhështore e mbarë popullit, pa përjashtim, ndaj një tribuni që i shërbeu vendit të tij deri në frymën e fundit!”. Profesor Bardhosh Gaçe, historian dhe biograf i Ismail Qemalit, i cili ka bërë kërkime të detajuara në Itali, në Romë dhe në Peruxhia është plotësisht i bindur që Ismail Qemalin e helmuan. Por le të flasim me gjuhën e fakteve dhe përmes argumentave.

 

17 Argumente mbi vrasjen (helmimin) e Ismail Qemalit

Argumenti I: Dëshmia e Ethem Vlorës, djalit të Ismail Qemalit, që nuk u nda kurrë nga i ati, kur ja tregonte kryetarit të bashkisë së Vlorës, Ali Asllanit (20.12.1918-5.11.1920 dhe 1934-1939) është mjaft decizive: “Një ditë i përgatitën babait një konferencë për gazetarët. Pas buke ai hyri në sallon ku e prisnin korrespondentët e shtypit. Që në fjalitë e para të bisedës, i zverdhur e i lëkundur nisi të belbëzojë e të mos lidhte dot fjalët. Kërkoi ta çonin në banjë. Atje e mbyti shkuma dhe të vjellët”. (Karakteristikë kjo e dukshme e helmimit)

Argumenti II: Dëshmia e pronarit të hotelit që sjell Profesor Gaçe është unikale: “Pronari i hotelit pak momente përpara se të jepte shpirt i është drejtuar të bijës: “Po vdes me një peng, kryeministrin e Shqipërisë ma helmuan këtu në hotelin tim”.

Argumenti III: Dëshmia e shkrimtarit, historianit dhe filozofit Koli Xoxe (1923-2013), që në librin “Ismail Qemali, jeta dhe vepra”, që i referohet shërbëtores së Ismail Qemalit, znj. Fatushe Shedula, konfirmohet helmimi i Ismail Qemalit: “Plakun patriot e helmuam në kafene. Pasi kishte pirë kafe i kishin filluar dhimbjet e mëdha në stomak. Plaku kishte thirrur me gojën e tij më helmuan, e më pas vdiq”.

Argumenti IV: Referuar historianit Koli Xoxe, mbi bazën e të dhënave të Shedulës: “Në dy filxhanët e kafesë që kishin pirë Ismail Beu dhe i biri Ethemi në barin e hotelit “Brufani”, pak minuta para konferences bënë që Ismail Qemali të ndërronte jetë ndërsa i biri, Ethemi, e kaloi helmimin me shumë peripeci në spital me lavazhe të stomokut, me moshën e re dhe organizmin e fuqishëm prej ushtaraku të mirëstërvitur”.

Argumenti V: Të dhënat flasin për Fatushe Shedula, si një grua besnike që kishte shkruar në ditarin e saj faktin se “Ismail Qemali ishte helmuar”, që ishte deklarim i një prej enigmave më të mëdha të shekullit.

Argumenti VI: Faktet shtohen kur edhe vetë Fatushe Shedula u helmua në vitet ’30, kur erdhi me banim në Tiranë, një zhdukje fizike e saj bashkë me ditarin e saj. Kjo vërteton se një dorë e kujdesshme vrastare ka ndjekur nga pas edhe vetë dëshmitarët e kësaj ngjarjeje, edhe pse shkenca sot mundet ta zbulojë misterin e kësaj zhdukjeje që e ka kaluar tashmë shekullin.

Argumenti VII: “Ekipi mjekësor” italian shkoi me vonesë nuk i ofroi ndihmën e duhur. Mjekët bënë vetëm një “punë”, që u’a kërkonte jo misioni i mjekut, por procedura e këqyrjes së kufomës dhe ka shkruar një deklaratë me mjaft gabime. Në të shkruhet: “…Ismail Qemali ka vdekur më 26 janar 1919”, kur në fakt Ismail Qemalit i pushoi zemra më 24 janar 1919.

Argumenti VIII: Formalitetet e kqyrjes së kufomës i kanë bërë tre ditë pas vdekjes (një dorë i kishte përgatitur të gjitha rrethanat), pra më 27 janar, një fakt i pakundërshtueshëm manipulues. Dhe se fundi është shkruar që “varrosja duhet të bëhet pas 27 janarit 1919”! Përse vallë, ndërkohë që mjeku që ka kqyrur kufomën nuk ka vendosur as emrin e vet, për të humbur gjurmët. Ndërkohë, Formulari original, që vjen nga  Komuna e Peruggia: “Unë i nënshkruari sanitar deklaroj që kam vizituar trupin e Ismail Qemal Vlorës, i biri i Mahmudit dhe Hedijes, 75 vjeç, lindur në Vlorë, banues në hotel “Brufani”, që vdiq më 26 janar 1919(?), ora 23.50, nga hemorragjia cerebrale. Deklaroj se kjo kufomë mund të traspotohet brenda disa orësh dhe varrosur pas datës 27 janar 1919. Sanitari, firma”. (Ky deklarim është bazuar në dokumentin e mjekut ligjor të spitalit të Peruggia, Arkivi i Spitalit Shtetëror të Peruggia, 27.01.1919).

Argumenti IX: Zyra e gjendjes civile Peruggia, që i referohet raporti të Mjekësisë Ligjore thotë: Komuna e Peruggia-s/ Zyra e gjendjes civile/ Raporti nekroskopik: “Deklarata e sanitarit për hemorragjinë cerebrale si shkak i vdekjes së Ismail Qemalit është e paqartë. Zyrtari i gjendjes civile/Gabellini Era”. (Komuna e Peruggia, Zyra e gjendjes civile 27.1.1919, nr.52, pj, parë).

Argumenti X: Fakt është se pas formaliteteve të vdekjes në Itali u bë balsamosja e kufomës, që zgjati dy javë (një mister më vete) deri në sjelljen e trupit në Vlorë  dhe varrosjes në Kaninë, ku qëndroi në varrezat e Vlorajve deri më 28.11.1932, kur u rivarros për herë të dytë në Vlorë, ku gjendet edhe sot. Edhe 13 vjet pas varrosjes u krye kqyrja e kufomës gjatë zhvarrimit ku në raportin e kohës shkruhet: “Në trupin e kufomës së Ismail Qemal Vlorës nuk kishte asnjë shenjë balsami dhe kufoma është gjysmë e dekompozuar”, që vërtetojnë  se dekompozimi i balsamosjes të një kufome 13 vjeçare ishte një vrasje e dytë, një vrasje që nuk mundën ta bënin me plumb por e realizuan me helmimin e një personaliteti që nuk ka epokë që mund ta fshijë nga faqja e historisë së shqiptarëve.

Argumenti XI: Nermin Vlora Falaski ka qenë vajza e vajzës së Ismail Vlorës dhe Kleoniqit. Profesor Gaçe duke ju referuar Nermin Vlorës (Falaski), mbesë e Ismail Qemalit shkruan:“Ismail Qemali është vrarë, domethënë helmuar nga njerëz që nuk donin që ai të merrte pjesë në Konferencën e Paqes në Paris, sepse donin që këtë konferencë ta zotëronte Esad Pashë Toptani. Autorët janë njerëz të afërm të Esad Pashë Toptanit. Janë nipërit e tij, që janë autorë të kësaj vrasjeje. Unë me Nermin Vlorën, mbesën e Ismail Qemalit, kemi investiguar për këtë vdekje. Kemi kontaktuar edhe me policinë e Peruxhas dhe të gjitha gjurmët na çonin në një hotel përballë hotelit “Brufani” ku qëndronte Ismail Qemali, i cili ishte 35 metra larg tij”. (Vajza e madhe e Ismail Qemalit, Myvedet Vlora ka pasur dy vajza: Belkis dhe e dyta Sara Blloshmi. Belkiz është nëna e Nermin Vlora-Falaskit, që ka vdekur në Bogota të Kolumbisë, ku i shoqi i Nerminit, Renzo Falaschi ishte Ambasador i Italisë. Aktualisht janë shuar Nermini dhe Renzo dhe prehen në Kaninë).

Argumenti XII: Të dhënat familjare që janë dokumentuar në Akademinë “Iliria” në Romë provojnë për një fakt tjetër domethënës është se: “Katër shqiptarë kanë udhëtuar me tren drejt Periuxhias më 24.1.1919 dhe kanë bujtur në hotelin përballë hotelit “Burfanit”, kanë paguar kafexhiun e hotel “Brufanit”, i cili ka hedhur helmin në kafe”. Është fakt se katër shqiptarë kanë qëndruar për pesë orë në një hotel përballë hotel “Brufanit” në Peruxha ditën e vdekjes së Ismail Qemalit. Historiani Bardhosh Gaçe, por edhe familjarët e Ismail Qemalit që kanë mbështetur në kërkime Profesor Gacen janë të bindur se Ismail Qemalin e kanë helmuar. Por edhe një fakt tjetër që Ismail Qemali ishte një figurë e gjallë e diplomacisë shqiptare vërtëtohet sepse në vitin 1917, Partia Kombëtare Politike e shqiptarëve të SHBA-së, e kishte caktuar delegat të saj për në Konferencën e Paqes në Paris. Dokumentacioni thotë se, pak kohë para vdekjes, i bindur se historia do t’i jepte të drejtë kërkesave legjitime të shqiptarëve shkruante: “Paqja në Ballkan nuk do të mund të rivendoset duke sakrifikuar të drejtat e kombeve të tjera në interes të synimeve ekspansioniste. Pa iu shtuar Shqipërisë nga ana e veriut Kosova dhe nga ana e jugut Çamëria, nuk mund të shtrohet qetësia në Sinisinë e Ballkanit!”.

Argumenti XIII: Nga analiza e zhvillimeve shqiptare edhe pse është anakronike, armiq të rrezikshëm të Ismail Qemalit ishin dhe shpura e kushëririt të tij Syrja bej Vlora, kushëri i dytë i babait të Eqrem Vlorës, rivalë në pushtet dhe pasuri. Syrja Vlora ishte investuar edhe ai për pavarësinë e Shqipërisë por në fakt dëshmoi në “medaljen e meritës së Pavarsisë” dhe e realizoi Ismail Vlora dhe kjo ishte një arsye e madhe për të qenë kundërshtarë deri në armiqësi në marrëdhënie të çuditshme, që duket edhe në kujtimet e Eqrem bej Vlorës, që kushdo e kupton formatin “trimëror” në “mbrojtje” të Himarës dhe mungesën në momentin historik të shpalljes së Pavarsisë, por që argumenti nuk mund të shkojë deri tek pasja gisht në eleminim. E njejta gjë mund të thuhet edhe për kundërshtarin tjetër të Ismail Qemalit që ishte Faik Konica, që me shkrime ja dëshironte “vdekjen e tij”, por sërish nuk vërtetohet nga analiza dora e tij.

Argumenti XIV: Në vijim të analizës dhe tezave argumentuese për helmim të Ismail Qemalit, diplomati italian Renzo Fallaschi, bashkëshorti i Nermin Vlora Fallaschi-t, përjashton çdo “mundësi helmimi nga organet e sigurimit Italian”. Në jetëshkrimin që ai ka hartuar për Ismail Qemalin, si shtojcë në vëllimin e kujtimeve që ka diktuar vetë Plaku i Vlorës, ai pranon se, “shkaku i vdekjes së Ismail Qemalit ishte një hemorragji cerebrale e shkaktuar nga një vrull i furishëm zemërimi, i krijuar tek ai nga njohja e papritur e një lajmi, që ai kishte qenë viktimë e një mashtrimi të rëndë”,.. “…mbetet mister shkaku i emocionit që e shpërtheu zemërimin e tij e që sigurisht lidhet me thirrjen përbuzëse për “njerëzit e pabesë”. Rrethanat e përjashtojnë që Ismail Qemali t‘i drejtohej për pabesi Orlandos. Sipas tij, mosardhja e përgjigjes nga Orlandoja nuk mund të ishte arsyeja e zemërimit të Plakut të Vlorës, mbasi dihej se Kryeministri italian do të shkonte në Paris, pra nuk kishte kohë të takohej me të. Ai shton se edhe ministri i Jashtëm italian, Sonnino, nuk kishte mundësi t‘i përgjigjej, pasi edhe ai u nis për në Paris për përgatitjen e Konferencës së Paqes. Prandaj shkaku i zemërimit të thellë duhej kërkuar gjetkë, ndoshta në “një pabesi të re nga kundërshtarë të vjetër”. Renzo Fallaschi shkruan: “Ismail Qemali mund të ketë zbuluar një pabesi të re nga kundërshtarët e tij të vjetër, gjë që zemra e tij fisnike të mos e ketë përballuar dot”.

Argumenti XV: Një “dozë” helmi Ismail Qemali e kishte edhe nga politika italiane e kohës: “Ndalesa me urdhër qeveritar në Peruggia”, “refuzimi i takimit të tij me ministrin e Jashtëm Italian Sonino”, “shpërfillja që i bëri Kryeministri i Italisë Orlando, i cili nuk iu përgjigj kërkesës së Ismail Qemalit”, “udhëtimi i tyre për në Paris pa e njoftuar diplomatin shqiptar” dhe sedra e Ismail Qemalit “për besëprerët” si dhe vdekja e papritur, pa u ankuar për shqetësime shëndetësore. Doza e helmit nga një dorë e fshehtë para konferencës së shtypit, ku e prisnin mbi njëqind gazetarë e fotoreporterë, e sprapsi Ismail Qemalin nga misioni i tij për Shqipërinë”, sikurse shkruante Skënder Luarasi. Në mënyrë të çuditshme në kancelaritë diplomatike, pati një sensibilizim të veçantë, për jehonën e madhe që pati vdekja e Ismail Qemalit dhe pala italiane me justifikimin që ai kishte vdekur në vendin e tyre, “e nderoi”, e “balcamosi” dhe e mbajti plot dy javë trupin e pa jetë të Ismail Qemalit në Peruxha, ku ai ishte shuar në mënyrë tragjike.

Argumenti XVI: Helmimi me kafe ose ndonjë mister tjetër i humbjes së jetës së Atit të kombit mund të lidhet edhe me gjendjen emocionale të dërmuar të Ismail Qemalit, pasi sipas profesor Gaçes ndikohej fort edhe nga vdekja e gruas së Ismail Qemalit dhe sëmundja që përjetonte djali i tij i madh Mahmud Bej Vlora, i cili kishte ngelur në Stamboll dhe po përjetonte përvec sëmundjes së rëndë edhe torturat që i bënte sulltanati që përjetonte ditët e fundit të Osmanizmit.

Argumenti XVII: Ismail Qemalit armiqtë e tij “ja kishin bërë benë” dhe në jetën e tij ka pasur disa herë tentativa për ta eliminuar. Por ai në misionin e tij për Shqipërinë, për pavarsinë dhe më tej për rikonfirmimin e saj luftoi deri në frymën e fundit si burrë. Njësoj si ish-presidenti amerikan Abraham Lincoln, që përpara se ta vrisnin kishte thënë: “Nëse vritem, vdes një herë; por të jetosh nën tmerrin e vazhdueshëm të saj, është të vdesësh pa pushim”. Rasti i parë që u tentua për ta vrarë Ismail Qemali më 7.9.1901 kur sulltani kishte kërkuar kokën e tij si mik i Mithat Pashës, por u ndihmua nga ambasadori anglez në Stamboll, N.O.Konor, i cili e nxorri Ismail Qemalin familjarisht nga Stambolli. Herën e dytë Gani Toptani (truprojë dhe agjent i Sulltanit), që ishte i vëllai i Esad Toptanit, i përlyer në vrasje me porosi direkte, por miqtë e Ismail bej Vlorës e njoftuan në kohë për “misionin e Gani Toptanit për ta vrarë” dhe në fakt në vend që ta vriste e vranë vrasësin. Ismail Qemali është një nga 30 politikanët shqiptarë me emër që janë vrarë. Dhe ndërmjet tyre përmendim: Ismail Qemalin, Isa Boletinin, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Avdyl Ypi, Esad Toptani, Avni Rustemi, Jusuf Dibra (ish Ministër i Luftës), Qazim Koculi, Idhomen Kosturi, Kostaq Kotte, Xhelal Koprëncka, Preng Bibë Doda, Mark Gjon Markaj, Lefter Kosova, Nako Spiru, Mehmet Shehu, e deri tek Azem Hajdari dhe Fatmir Xhindi etj. Nuk është e rastit thënia profetike e At Zef Pllumi-t: “Nëse je politikan në Shqipëri, një këmbë e ke në varr dhe një këmbë e ke në burg”.

(Vijon)

 

 

Penat që dokumentuan vrasjen e Ismail Qemalit:“Pa u vra tradhtia s’bashkohet Shqipnia”

 

Janë të shumta shkrimet dhe hipotezat që pak a shumë zbulojnë edhe misterin që nuk u zbulua kurrë. Historianë e gazetarë si Koli Xoxe, Safet bej Vlorës, Renzo Falaski, Skënder Luarasi, Bardhosh Gaçe, Sherif Delvina, Roland Qafoku, Marin Mema, Alket Aliu, etj., janë përbashkuar në mendim se: “Ismail Qemal Bej Vlora pothuaj ka parashikuar vdekjen jo natyrale, por si një dëshmor i kombit të vet. Miku i tij i afërt, bashkëluftëtar e bashkëudhëtar Luigj Gurakuqi (edhe ky dëshmor) ka folur hapur për vdekjen e Ismail Qemalit, dhe gjashtë vjet më pas edhe vetë ka gjetur vdekjen nga plumbat e një shqiptar. Edhe Bajram Curri është vrarë disa ditë pas Luigj Gurakuqit. Hasan Prishtina mbajti fjalimin në varrimin e Luigj Gurakuqit dhe tetë vjet pas Luigjit është vrarë në Selanik. Preng Bibë Doda ka lënë “trashëgimi” një shprehje përtej enigmës, që ja ka thënë Vidit në vitin 1914: “…Shqipëria do të gjente qetësi kur të vdisnin Ismail Qemali, Esat Toptani dhe ai vetë”. Mos vallë vdekja ishte profeci e kohës? Por në fjalimin e famshëm që Ismail Qemali tha pas ngritjes së flamurit nën një vesë shiu, që “edhe koha lotonte”, në fund të fjalimit kur lindi shteti i ri shqiptar, themeluesi i tij nuk harroi të thoshte: “..I dërgoj një lutje të madhit Zot, që të pranoj që këtej e tutje të jem unë dëshmori i parë i Atdheut ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valvitet i lirë flamuri ynë në atdhenë tonë të lirë!”. Ta kishte parashikuar vallë themeluesi i shtetit se, pushteti të numëron ditët dhe të shkurton jetën, për atë veprim që nuk kish mundur kush që ta bënte as me pushkë, as me jataganë, as me ushtri, as me armatime e municione e jo më sikurse veproi mençuria diplomatike shqiptare e shekujve Ismail Qemali, që zbriti në tokën Amë pa kobure në brez në kohë pushtimi, por me idealin e madh të Atdheut dhe me bashkëluftëtarë e bashkështetarë të vendosur se “kishte ardhur ora e shqiptarisë”. Fakt është se në janar 1919 Ismail Qemalin e ftuan vetë italianët për ta dërguar në konferencën e Paqes në Paris, e izoluan dhe misteri ngeli në hotel “Brufani” në Peruxhia. Ftesa ishte nga disa personalitete italiane, mes të cilëve edhe nga kryeministri Vittorio Orlando. Por fundi tragjik janë fjalët e fundit kur jepte shpirt Ismail Qemali: “Më hëngrët me të pabesë”. Po pronari i hotelit, po kamarieri që i hodhi helmin në filxhanin e kafesë që ishte kamerieri italian, po e bija e pronarit që mësoi nga i ati i hotelit “Brufani” kur ky i fundit i ka thënë të bijës: “Iki nga kjo botë me pengun që ma helmuan në hotelin tim kryeministrin e Shqipërisë”, po karabineria italiane që ishte vetëm 35 metra larg hotel Brufan çfarë ka shkruar në raportin e ngjarjes, po autoritetet mjekësore?, po arkivat italiane çfarë fshihin të pazbuluar ende?. Autoritetet duhet të zbardhën të vërtetat e mistershme të helmimit të kryeministrit të parë dhe babat të pavarësinë. Versioni për vrasjen për të gjithë studiuesit, historianët e gazetarët që janë marrë me këtë figurë të madhe të kombit janë përbashkuar në mendim se: “Vrasësit shqiptarë kanë blerë kafexhiun e hotel “Brufani”, që përgatiti kafen për Ismail Qemal Bej Vlorën dhe djalin e tij Ethem beu, babë e bir që ishin vendosur në dhomën 212 të hotelit. Edhe sot në Hotel “Brufani” ka shumë dëshmi, objekte apo fotografi që tregojnë qëndrimin e personaliteteve të ndryshme që nga Mbretëresha e Anglisë, aktorë Hollivudi, por nga qëndrimi dhe vdekja e Ismail Qemalit nuk ka ngelur asnjë shenjë. Edhe një fotografi që ai kishte bërë me pronarin e hotelit, ishte hequr 10 vite më parë. Tentativat për të mësuar më tej nuk kanë munguar dhe veçanërisht në 100 vjetorin e vdekjes së Ismail Qemalit, Fate Velaj në një takim të zhvilluar me Andrea Romizi, kryetar i bashkisë në Perugia, kërkoi që të shikohet mundësia e vendosjes së një busti të atit të kombit shqiptar, në vendin që ai ndërroi jetë pranë hotel Brufani. Stefano Chiesa, drejtori aktual i Hotel Brufani, në hollin e të cilit, Ismail Qemali u helmua në një hapësirë të hotelit, do vendosë një pllakë në kujtim të Ismail Qemalit. E bija e pronarit ka treguar se i ati vdiq me një peng në zemër, sipas të cilës, “…ishte helmimi jo vdekja natyrale e Ismail Qemalit”, ka shkruar Profesor Gaçe. Pra “hemoragji cerebrale” ishte një mashtrim i madh, që është mbuluar me mister 101 vjeçar. E vërteta është në sheshin e flamurit në Vlorë dhe në fjalët e arta: “Pa u vra tradhëtija nuk bashkohet Shqiprija”.

 

A e meriton titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut” Babai i Pavarsisë shqiptare?

 

Ekzaminim në laboratorin e FBI të eshtrave të I. Qemalit, siç u veprua me eshtrat e  Napoleon Bonapartit!

 

Edhe bota akademike gjykon se ka ardhur koha që Ati i pavarsisë të shpallet me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut”. Dëshmor të Atdheut janë shpallur edhe bashkëpuntorët më të ngushtë të Ismail Qemalit si: Hasan Ahmet Prishtina (1873-1933) i vrarë 60 vjeç, -(shpallur dëshmor me Vendim nr.95 dt.14.11.1972, Kukës); Isa Adem Boletini (1864-23.1.1916) vrarë 52 vjeç, (shpallur dëshmorë me Vendim nr.153 dt.18.1.1983, Kukës); Luigj Gurakuqi (1879-2.3.1925) vrarë 46 vjeç, (shpallur dëshmorë me Vendim nr.129 dt.3.11.1969, Shkodër); Bajram Curri (1862-29.3.1925) vrarë 63 vjeç, (shpallur dëshmor me Vendim nr.2 dt.18.1.1983, Kukës); Elez Isufi (1861-26.12.1924) vrarë 63 vjeç, (shpallur dëshmor me Vendim nr.72 dt.23.5.1978, Dibër); Sali Vranishti (20.3.1880-24.1.1926) vdekur nga plagët e luftës së Vlorës  46 vjeç, (shpallur dëshmor me Vendim nr.28 dt.15.5.1970, Vlorë); Dedë Gjon Luli (1840-24.9.1915) vrarë 75 vjeç, (shpallur dëshmor me Vendim nr. 129 datë 3.11.1969, Shkodër); Çerçiz Topulli (1880–15.7.1915) vrarë nga malazezët 35 vjeç, (shpallur dëshmor me Vendim nr.3608 datë 26.11.1962); dhe më tej edhe Andon Zako Çajupi (1866-11.7.1930), që është shuar në shtrat 64 vjeç, por që është gjykuar që të jetë dëshmor i kulturës kombëtare shqiptare me Vendim nr.28 dt.15.5.1970, Gjirokastër). Pra është koha të mendohet, gjykohet dhe të arsyetohet edhe për Ismail Qemalin që rrugën e tij për në Konferencën e Versajës, për të bërë rikonfirmimin ndërkombëtar të Pavarsisë ja preu dora e pabesë e helmit. Mirëpo përse nuk është dëshmor i Atdheut Ismail Qemal Bej Vlora? Sipas Roland Qafokut, në librin “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar 1912-2017”: “Në Shqipëri ka një historik vrasjesh të personaliteteve sikurse janë, Hasan Riza Pasha vritet nga Esat Toptani nëpërmjet rojes së tij Osman Bali. Ministrin e Financave, Nexhati Libohovën, e vrau Osman Bali me urdhër të Esad Toptanit. Esad Pashë Toptanin e vrau Avni Rustemi. Avni Rustemin e vrau Isuf Keçi, një njeri i Esad Toptanit. Osman Balin e vrau Myslim Peza. Shumica e ekzekutimeve janë bërë për hakmarrje për një vrasje të kryer më parë. Zinxhirin e vrasjeve në shumë hallka e kryeson Esad Toptani, që siç thoshte nipi i tij, Eqrem bej Vlora, “Esat Pasha ecte mbi kufoma” e një ditë edhe vetë u shndërrua në kufomë”. Ndërkohë që për Atin e kombit shprehet se: Ismail Qemalin e helmuan njerëz të paguar të Esad Pashë Toptanit”. Pra jetën në mes nuk ja preu plumbi e shpata, por helmi i dorës tradhëtare shqiptare në Italinë fqinje. Por a mund të zbulohet kjo enigmë? –Sigurisht që po. Vetëm me një shembull të thjeshtë dhe të mundshëm. Para pak vitesh u krye ekzaminimi në laboratorët e FBI-së, në SHBA, të eshtrave të Napoleon Bonapartit (15.8.1769–5.5.1821). Rezultati ishte ekzakt, “vdekja e Bonopartit u shkaktua nga helmimi me arsenic, dhe nuk ka qenë fare e vërtetë konkluzini mashtrues i mjekëve “vdekje nga problemet me stomakun”, siç u shkrua zyrtarisht në dokumentet e kohës. Një ekzaminim i njëllojtë do të nxirrte në dritë të vërtetën. Edhe pse misteri i vdekjes së tij, është “varrosur” me dyshime se është helmuar nga qarqet greke, serbe, turke, italiane e shqiptare enigma është më se e sigurtë, se është një vrasje me helmim dhe Ismail Qemali meriton të shpallet dëshmor.

 

Për Ligjin e ri shqiptar “Për Dëshmorët”, Ismail Qemali duhet të shpallet “Dëshmor”

 

Ligjet “Për Dëshmorët” në një shekull kanë ndryshuar disa herë në raport me politikat e shtetit. Kështu ligji i parë që përmend fjalën “dëshmor” i takon vitit 1923, por askush nuk u kujtua 4 vjet pas vdekjes së Ismail Qemalit, edhe pse shteti shqiptar në këtë periudhë nuk krijoi asnjë status ligjor për dëshmorët e Atdheut, por vetëm ligjëroi pension për familjen e dëshmorit, si pjesë e ligjit për pensionet e ushtarakëve dhe dorëhekjeve. Pas çlirimit të Atdheut nga nazi-fashizmi, më 28.8.1945, kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, miratoi ligjin Nr. 109 “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare si dhe t’atdhetarëve ose familjeve të tyne, që i kanë sjellë shërbime të çmueshme Atdheut gjatë Rilindjes Kombëtare”, i miratuar nga Këshilli Antifashist Nacional Çlirimtar”, por edhe ky “ligj” nuk e preku babain e kombit Ismail Qemalin dhe as u vlerësua mënra se si e humbi jetën Ismail Qemali. Në vitin 1969, statusi i dëshmorit përpunohet më tej dhe zgjerohet, duke specifikuar termin”Dëshmor i Atdheut”, dhe duke i dhënë kuptimin e duhur në mbështetje ligjore. Në këtë ligj futen edhe 38 Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, të cilat u ndërtuan në 36 rrethet e vendit, ku u përqendruan varret e të gjithë dëshmorëve, me përjashtim të atyre të Pezës e të Kuçit të Vlorës, që megjithë këto të dyja Shqipëria ka 38 varreza dëshmorësh. Ka qenë përpjekja e parë për hartimin e një ligji integral për dëshmorët e Atdheut, u ndërtuan edhe Varrezat e Dëshmoreve të Atdheut në Tiranë me monumentin “Nënë Shqipëri”, ku është “Meka” shqiptare ku përkulen shqiptarët para dëshmorëve në mënyrë të përvitshme në datën symbol të 5 majit. Pra Dekreti nr. 4558 datë 18.10.1969, “Mbi Dëshmorët e Atdheut” i Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPSH, nuk kishte asnjë fjalë për babain e kombit dhe asnjë. Edhe Dekretit Nr.7199 dt.29.01.1988, për shpalljen Dëshmor i Atdheut, i Presidiumit të Kuvendit Popullor si dhe VKM-të nuk e trajtuan fare figurën e helmuar të Ismail Qemalit. As Ligji 7874 i datës 17.11.1994, as Ligji nr.8607 dt.27.04.2000 “Mbi statusin e Dëshmorit të Atdheut”, as VKM Nr.151, datë 25.4.2002 “Për Statusin Dëshmor i Atdheut” nuk e përfillën themeluesin e shtetit të vdekur në rrethana misterioze. Vetëm Ligji 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, hap dritën jeshile të plotë dhe të mirëpërcaktuar në kritere për shqiptarët e rënë ose që kanë humbur jetën (edhe të helmuar), në mbrojtje të vlerave kombëtare e patriotike të kombit shqiptar, sikurse ishte rasti i humbjes së jetës të Ismail Qemal Vlorës në Itali. Kështu Ligji 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, neni 5 “Kriteret për shpalljen e statusit “Dëshmor i Atdheut”, neni 5 “Kriteret për shpalljen ose njohjen e statusit “Dëshmor i Atdheut” pika “b)” shtetasit shqiptarë e të huaj, të cilët kanë rënë në luftë për mbrojtjen e integritetit territorial, të lirisë e pavarësisë së Shqipërisë, si dhe për arsye të kundërshtimit të pushtimit të trojeve shqiptare nga ushtritë e huaja dhe të qëllimeve shoviniste të tyre, nga data 28 nëntor 1912 deri më 7 prill 1939; si dhe pika “c)” “shtetasit shqiptarë, të cilët kanë humbur jetën në mbrojtje të vlerave kombëtare e patriotike të kombit shqiptar para datës 7 prill 1939”, çka përputhet plotësisht me kërkesat ligjore dhe aktet e tjera administrative në Shqipëri.

 

Që prej daljes së ligjit të 2018-tës shtetasit shqiptar Ismail Qemal Bej Vlora si i pari që bëri shtetin shqiptar, që luftoi për pavarësinë dhe integritetin territorial në të gjitha kancelaritë europiane për pavarësinë e Shqipërisë, që kundërshtoi gjithë të huajit për të njohur shtetin e ri shqiptar, që u nis për në Versajë (Paris) për rikonfirmimin e pavarsisë, si një prej korifenjve të shqiptarizmës që luftoi fort për vlerat kombëtare e patriotike të kombit shqiptar dhe që i përket periudhës “28.12.1912 deri më 7.4.1939 (aspekti juridik), por u vra jo nga plumbi por nga helmi, (që ka qenë në “modë” për kohën), gjykojmë se është plotësisht në të drejtën e autoriteteve për ta shpallur Atin e Pavarësisë me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut”. Propozuesi për këtë titull madhor për babain e Pavarësisë shqiptare do të ishte nder për çdo shtetar zyrtare të kombit shqiptar. Ndërkohë që në fund të jetës së tij Ismail Qemali bijëve të tij u kishte lënë vetëm një amanet: “Djemtë e mi, nuk bëra pasuri që t’ju lë trashëgimi. Po ju le një atdhe amanet”. Por ky amanet do fillonte me një incident mes djemve të Ismail Qemalit dhe autoriteteve në portin e Vlorës, kur do vendoste në mënyrë urgjente Këshilli bashkiak i Vlorës i cili nuk lejoi që flamuri italian të mbante të mbështjellë arkivolin ku ishte vendosur trupi i Ismail Qemalit, por kërkoi që ai të vishej me flamurin kuq e zi. Ishte flamuri që i kishte dhuruar duka i Monpasiesë në mars 1913, kur ai bëri një vizitë në Vlorë dhe që e mbante djali i madh i patriotit, Ethem Bej Vlora. Italianët e Piacentinit “shuan sherrin” duke u trembur nga ndonjë rebelim shqiptar në lidhje me përdorimin e flamurit shqiptar dhe karroca vijoi ritualin e tërhequr nga gjashtë kuaj dhe shoqërohej nga dy rreshta ushtarësh. Do të ishte në nderin e institucionit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të shtetit, që të ushtrohej plotësisht kompetenca e Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut” pranë Ministrisë së Mbrojtjes.

Share This Article
16 Comments
  • babai i kombit pa nje shesh me emrin dhe bustin e tij, ja kane rras bustin ne nje cep te trotuarit me ate pllaken e demtuar nga pas. Turp!

    • Shqiptaret llogjikojne si naive, si intelektualet edhe hajvanet.

      Por qe te gjykodh me drejtesi, duhet te mesosh nga Enver Hoxha

      Si thoshte Enveri ? -Enveri thoshte : Kur analizon per nje ngjarje apo situate,
      analizoje ne Parim, pastaj futu ne hollesi

      Dhe ja si eshte gjykimi ne Parim:

      Kush ishte armiku i Shqiperise ne parim ne ate kohe dhe qe nuk kishte interes
      qe Shqiperia te ishte shtet me vete ?,…..

      …. Dihet kush ishte : Italia dhe Greqia,
      sepse keto te dyja kishin nenshkruar nje Traktat te fshehte ,
      i cili ishte miratuar edhe nga Amerikanet, britaniket dhe Francezet

      Tani kush e rrezikonte kete Traktat te Fshehte Italo-Grek, qe te mos realizohej ?

      – Formimi i shtetit Shqiptar,

      Por kush ishte Njeriu kryesor, Numer 1 , i Shqiptareve per te krijuar Shtetin Shqiptar ?

      Ishte Ismail Qemali

      Ok, Atehere ky njeri duhet hequr qafe, sepse mundohet qe te hedhi poshte Traktatin e Fshehte te copetimit te Shqiperise
      Traktat per te cilin as Ismail Qemali dhe asnje Shqiptar nuk dinte azgje fare,
      derisa Lenini e demaskoi kete traktat

      Ne kete traktat i ishte premtuar Italise, te merte bregdetin Shqiptar,
      me kusht qe Italia te bashkohej me Forcat e Antantes qe ishin Britania, Amerika dhe Franca ,
      dhe te largohej nga aleanca qe Italia kishte me Austrine e Gjermanine

      Pra , ky Traktat qe copetonte Shqiperine ishte krijuar ne radhe te pare per te
      kenaqur epshet kriminale te Italise,, pastaj perfitonin edhe Greqia e Serbia

      Pra Italia ishte Aktori kryesor qe deshronte eliminimin e Ismail Qemalit,
      aq me teper qe Italia ne ate kohe mbante pushtuar Vloren,
      dhe Ismaili beri gafen qe shkoi ne strofken e ujkut, ne Itali
      U tregua i leshte, sic edhe ishte.

      Se nuk mund te shkosh tek nje vend qe te ka pushtuar vendin tend, nderkaq qe ti je ithtar i Pavarsise se Vendit tende,
      se i ben gropen vetes

      Dhe eshte pikerisht Italia ajo qe e eliminoi Ismail Qemalin,

      Nuk ka rendesi kush e hodhi helmin, ishte nje shqiptar, italian apo eskimez,
      Keto jane tymnaja per te genjyer shqiptaret naive dhe hajvane .

      Ata qe hodhen helmin ishin te paguar nga autoritetet italiane ,
      ne menyre qe Ismaili si njeri i afte dhe me prestigj , te mos shkonte e te fliste ne Europe, ne Angli, France e kudo, sepse
      do krijonte bazat qe ai traktati i copetimit te Shqiperise te prishej .

      Ndaj, politika italiane e hoqi qafe Ismailin,, jo Esati sic thone keta

      Esati vertet nuk e pelqente Ismailin dhe e urrente , por Esati nuk shkonte me Italianet fare, biles i ofendonte keq fare,
      ndaj nuk mund te kuturiste e te shkonte ne Itali per keto pune

      Dhe natyrisht sherbimi sekret italian e dinte kete fakt, dhe nuk mund ta lejonte Esatin

      Ose ndoshta Sherbimi Italian ka perdorur shqiptare qe ta helmojne Ismailin
      dhe ngjarja te dali sikur e kane helmuar Shqiptaret

      Por po te behet analiza tek FBI , e eshtrave te Ismailit do dali qe helmi do te jete ndonje helm tip modern, qe nuk e gjente dot Esati

      Pra, do thosha qe nuk diskutohet fare se jane Italianet ata qe e helmuan Ismail Qemalin sepse ata ishin me te afertit qe kishin Konflikt Interesi me Pavarsine e Shqiperise,
      sipas Traktatti te copetimit te Shqiperise dhe qe ishin ne ate kohe pushtues te Vlores dhe ishin tamam nje Shtet Armik i Shqiperise
      dhe Ismaili ju dha rastin ta heqin qafe

      Nqs Ismaili ne ate kohe do shkonte ne Greqi apo Sebri edhe ata do e hiqnin qafe,
      sepse kishin konflikt interesi me Pavarsine tone

  • Bravo Dita nje tematike interesante se spo kujtohet kush per Babain e Kombit te shqipove. Mire antishiptaret e vrane ne b/punim patjeter me fashistet e Beograd-Athinasit, por sot nuk ka shqiptare t’i japin hakun, te drejten e neperkembur. Ati yne eshte madheshtor por si i helmuar nga shqiptaro-serbo-athinasit, duhet te shpallet Deshmor. Nuk jeni duke i ba nder. E DREJTA HISTORIKE nuk duhet humbur

  • Ismail Qemali mund edhe te jete helmuar! Por argumentat e sjelle ne shkrim nuk e provojne kete:
    1. ky “argument” eshte nje fakt qe tregon se si po afrohej fundi i jetes, por nuk fakton helmimin; peshtymera ne forme spazmash, qe disave u duken si shkume, nxjerr dhe nje njeri qe s’esht helmuar.
    2.Fjalet e ketij pronari hoteli jane mbeshtetur tek ato fjale, qe jane perhapur asaj kohe, mbi mundesine e helemimit te I.Q, ketij bujtesi te vecante ne hotelin e tij. Pra, nuk provojne direkt helmimin, por shtojne dyshimet mbi kete helmim. Nese ai do te kishte prova dhe dyshime te forta per kete, do te vinte ne dijeni autoritetet perkatse!
    3.Edhe kjo deshmi e sherbetores se I.Q. na jep vetem fjalet e I.Q., qe besoi se e helmuan! Ka shume mundesi qe I.Q. te mos i kete thene keto fjale, pasi, sic u tha pak me lart, ai nuk po lidhte dot fjalet para gazetarve, ngaqe ndjehesh mjaft keq! M.gj.t., edhe ky “argument” vetem sa shton dyshimin per helmim. (Ne nje pike me poshte thuhet se ai nuk doli fare para gazetarve!)
    4. Ky fakt, nese esht i vertete, qe i biri gjithashtu pati komplikime nga kafeja, eshte nje prove helmimi. Vetem se ketu ka nje problem, nese helmimi eshte bere nga kafexhiu i paguar, sic thuhet me poshte, ngrihet dyshimi: perse kafexhiu do te helmonte te dy personat? Dhe e dyta: a nuk do te kuptohej kollaj helmimi, nese te dy do te vdisnin pas pirjes se kafese?
    5. Cilat jane keto te dhena qe flasin me kaq siguri per kete ditar, kur pak me poshte thuhet se ky ditar ka humbur? Zakonisht sherbyeset nuk para mbanin ditare. Ndersa sekretaret edhe mund te mbanin. A mund ta besojme kaq lehte kete te dhene?
    6. A ka shkruar shtypi i kohes per helmimin e Fatushe Shedules (sherbetores se I.Q.)? Pse thuhet vitet 30, dhe jo viti i sakte? Dhe pse do te helmohej nje ish-sherbyese kaq vone?
    7. Vajtja me vonese e ekipit mjeksor duhet te kete patur te bej me formalitetet e transportit te kufomes ne Shqiperi; pra nuk ka patur asnje arsye tjeter kjo vonese! Nese I.Q. eshte helmuar, c’lidhje kishte vonesa e mjekut? Nwse dyshohej per helmim, mjeku do te merrte pjese damari me gjak te mpiksur dhe do te bente edhe pas tre ditesh analizat, qe do te nxirrnin substancen helmuese!
    8. Qe nje sanitar, apo doktor ka hedhur vetem firmen dhe jo emrin e mbiemrin, sic eshte e zakonshme ne keto raste kudo ne bote, (nuk e di si ka qene ne Itali ne kete kohe), besoj kjo mund te kete patur te bej me vetedijen e ketij sanitari per vonesen e thirrjes se tij, si dhe se ky rast fshihte dicka jo te rregullt; por kjo nuk provon lidhjen e mjekut me helmimin. Gjithashtu lejimi i varrimit pas dt.27 ishte nje formalitet i zakonshem italian, te cilet nuk lejojne varrosjen e kufomave brenda tri ditesh pas vdekjes.
    9. Behet fjale per “e paqarte”, apo “e dyshimte”? Ky “argument” as verteton e as nuk verteton gje!
    10. Ketu eshte perdorur fjala “ballsamosje”, ngaqe nuk ka fjale tjeter shqipe qe te tregoje ate rit rutine italian dhe perendimor te pastrimit te kufomave nga lengjet, te cilat hiqen, dhe ne disa raste hiqen edhe zorret; pas heqjes se lengjeve te trupit, futet ne vena dhe ne trup nje (ose dy-tre) solucion(e), qe e mbajne trupin te fresket deri ne dy-tre jave.
    11.Ky dyshim i mbeses se I.Q., Nerminit, nuk eshte as argument e as prove per helmimin.
    12.Ardhja e kater shqiptarve ne hotelin perballe hotelit ku rrinte I.Q. jepet turbullt e pa detaje! Thuhet se ata erdhen diten e vdekjes se I.Q.! Po kur? Me pare, apo me mbrapa? Dhe, nese kane ardhur ate dite, si arriten ata ta komprometonin kaq shpejt kafexhiun e hotelit, ku rrinte I.Q.?!
    13.Por edhe E. Hoxhes ia deshironin vdekjen nje milion shqiptare! Por asnjeri nuk merrte aventuren e realizimit te kesaj deshire! Ndaj dhe ky argument bie me pare se ta hedhi poshte vete shkruesi i tij.
    14. Si nje “argument” me lart, edhe ketu nuk pretendohet te sillet nje i tille.
    15+16+17 nuk sjellin ndonje argument e as pretendojne per te tille!
    Si perfundim mund te themi, se vetem pika 4 mund te merret si nje prove helmimi, nwse kjo pike na thote te verteten!

    • Problemi me i madh i NE shqiptareve eshte se ndjenja kombetare eshte ngritur gjithmone ne momente te gabuara. Psh rasti i pare eshte me H.Qamilin kur organizoi rrebelimet kunder europes, rasti i dyte eshte me Luften e Vlores 1920, nderkohe qe Vlora po pesonte rritje te konsiderueshme ekonomike e kulturore. Po te shohesh sot Vloren nuk ka dallim me ndonje metropol italian,pra i bie qe jemi ne kohe vonese rreth 70 vjet. Rasti i trete eshte i Ahmet Zogut ku per interesa oersonake te pushtetit megjithese deri ne ate kohe aleat i Duces ne ditet e fundit te pushtetit propogandonte ndjenjen kombetare, rasti i katert eshte i e.hoxhes ky te shiste e te blinte per interesa e nderkohe hiqej si nacionalisti me i madh i kombit,nderkohe qe kishte vrare e prere intelektuale te shquar shqiptare pse ishin kunder BS,Jugosllavise apo Kines, e me pas te kunderten,vrau e preu intelektuale shqiptare si perkrahes te tyre. Sa per I.Qemalin, ai ne ate kohe ishte 76 vjeç, sulltanet vdisnin 60 e 70 vjeç,per ate kohe benin jete luksi. Pastaj çfar interesi kishte te vritej I.Qemali, pavaresine e sheiperise nuk e donte turqia, jo europa,e cila e kishte mbeshtetur fuqimisht, dihet se vendet europiane e njohen shqiperine disa muaj pasi ishte ngritur flamuri ne Vlore. Gjerat nuk duhet te manipulohen,por te thuhen ashtu sic jane pasi marrin vlere edhe me te madhe. Nese shtremberohen krijohet mosbesim i thelle dhe perplasje shoqerore. I.Qemali ka merite te jashtzakonshme ne bashkimin e intelektualeve shqiptare pa dallim feje e krahine ne rastin e shpalljes se pavaresise,por duhen thene edhe gjerat e dyshimta si nenpunes i larte i p.osmane perrreth 30 vjet dhe hjate kesaj periudhe nuk kishte asnje kontribut konkret per shqiperine.

  • Ahmet zogolli eshte vrasesi, dhe kjo vrasja me helmim te fatushe shedula né vitet 30 e verteton kete. Mos bre burre te barazosh azem hajdarin me patriotet e kombit qe per atdheun shiten pasurine eshte e tmershme.

  • Mbi vdekjen e Ismail Qemalit ,ka shume versione ,helmuar ose emoragji cerebrale e tj .Mos lodhemi kot .Kjo zgjidhet shume kollaj , po te kete predispozite nga pushtetaret e sotem shqiptare ,behet shume kollaj dhe eshte me harxhe shume te vogla .Dihet mjeksia e sotme ne perendim ka hecur jashtezakonisht ,desha tju them ,dhe seshte nevoja deri ne Amerike si analizat e Napolon Bonapartit ,por ja ku e kini ktu afer Gjermanine ose Austrine dhe ta ekzaminojne shume kollaj ,dhe meret vesh eshte helmuar apo jo ,bile e gjejne dhe me cfare helmi e kane helmuar ..Por kush do e beje ,ne skemi politikane ne kemi rugace me keqeardhje ,dhe faleminderit gazetes se nderuar DITA qe shkruan dhe kujdeset per kete baba te kombit .

    Bile doja tju thoja ,edhe per Kosta Trebicken dhe Sokol Olldashin ,po te kete predispozite ,keta komshinjte tane qe ju permena me larte , e gjejne sot ose neser shume kollaj ,jane te vrare apo kane vdekur per arsye aksidenti , shkenca ka hecur shume keto vitet e fundit dhe teknikisht eshte shume e thjeshte ,por kush ka interes ,nga politikanet as edhe nje , nga keta nuk ka predispozite , nuk ka interesa ,por faje kane pasur edhe njerezit e afert te ketyre viktimave ,qe i varrosen shpejt e shpejt ,ndoshta edhe prej frikes ? ,Dhe ishte shum turp po nga keta familjare te te ndjerit Kosta Trebicka qe pranuan ate policin Amerikan per te vene vulen e vdekjes .po te ishja une vellai i Trebickes ,do ta kishja perzene ate policin Amerikan ,jo me dhune ,por me logike .Do u bindete ,se edhe qe kurre eshte nisur nga Amerika deri ketu ne shqiperi ,ndergjegja e tij ka qene ,une qe smar vesh ,do luaj teater majmunash me familjaret e te ndjerit ,jam 10000% i bindur ..Ofendimi me i madh qe na eshte bere ,dihet policet ne te gjithe boten jane vetem ,per te vene shiritin dhe mos te lejoje te kaloje njeri aty ,dhe jane nje skuader specialistesh mjeke ,ustallare qe meren me kete pune ne te gjithe boten.Dhe keta specialiste ,nuk i korrupton dot ,nuk ndodh dhe nuk do te ndodhe . .Simbas kokes edhe kapelja ,me keqeardhje ,per familjaret e friksuar ,ose komplet te pa ditur ,te Trebickes dhe te Olldashit ..

  • Thanks DITA, qe je tu sjelle te dhena ekzakte te dokumentume: Hasan Ahmet Prishtina (1873-1933) i vrarë 60 vjeç, -(shpallur dëshmor me Vendim nr.95 dt.14.11.1972, Kukës); Isa Adem Boletini (1864-23.1.1916) vrarë 52 vjeç, (shpallur dëshmorë me Vendim nr.153 dt.18.1.1983, Kukës); Luigj Gurakuqi (1879-2.3.1925) vrarë 46 vjeç, (shpallur dëshmorë me Vendim nr.129 dt.3.11.1969, Shkodër); Bajram Curri (1862-29.3.1925) vrarë 63 vjeç, (shpallur dëshmor me Vendim nr.2 dt.18.1.1983, Kukës); Elez Isufi (1861-26.12.1924) vrarë 63 vjeç, (shpallur dëshmor me Vendim nr.72 dt.23.5.1978, Dibër); Sali Vranishti (20.3.1880-24.1.1926) vdekur nga plagët e luftës së Vlorës 46 vjeç, (shpallur dëshmor me Vendim nr.28 dt.15.5.1970, Vlorë); Dedë Gjon Luli (1840-24.9.1915) vrarë 75 vjeç, (shpallur dëshmor me Vendim nr. 129 datë 3.11.1969, Shkodër); Çerçiz Topulli (1880–15.7.1915) vrarë nga malazezët 35 vjeç, (shpallur dëshmor me Vendim nr.3608 datë 26.11.1962); dhe më tej edhe Andon Zako Çajupi (1866-11.7.1930), që është shuar në shtrat 64 vjeç, por që është gjykuar që të jetë dëshmor i kulturës kombëtare shqiptare me Vendim nr.28 dt.15.5.1970.. Asnihene ma pare si kisha pa.

  • Eshte bere e modes qe studiues sapo marrin ndonje grade shkencore vrapojne te botojne pjese nga punimet e tyre Keshtu ka bere edhe Zaho Golemi, i cili ne vend qe te vere vetulla, ka nxjerre edhe syte.

    1. Ai shprehet: “shpirtrat shqiptarë të sfilitur luftërave”. Ne cilet luftera u “sfiliten shqiptaret”, ne nje kohe qe trojet e tyre gjendejn pre nje shekulli ne pese shtete te Ballkanit Perendimor? Studiuesit tane vazhdojne me parrullat politike te Enver Hoxhes, se “populli shqiptar e ka care rrugen e historise me shpate ne dore”?

    2. Thuhet: “Ishte janari i 1919-ës dhe krijuesi i shtetit shqiptar kërkonte “shtigje” për të qenë të paktën pranë faktorit diplomatik botëror në këtë konferencë.” Konferenca e Paqes po mblidhej ne Paris, cfare kerkonte ismail Qemali ne Rome? Perkrah delegacionit te saj, Qeveria e Mbreterise se Italise kishte derguar ne Paris edhe delegacionin e Qeverise Shqiptare te Durresit, e dale nga Kongresi Kombetar i Durresit me 25-27 dhjetor 1919. Delegacioni i Qeverise se Durresit kryesohej nga Turhan Pashe Permeti, ish-kryeminister i dy qeverive jeteshkurtera te Princ Vidit.

    3. Eshte e vertete se Ismail Qemali shkoi ne vendin e gabuar ne kohen e gabuar, por dy djemte e tij qe e shoqeronin nuk kane lene asnje deshmi mbi vdekjen e te atit me helmim.

    4. Thuhet: “Ismail Qemali është vrarë, domethënë helmuar nga njerëz që nuk donin që ai të merrte pjesë në Konferencën e Paqes në Paris, sepse donin që këtë konferencë ta zotëronte Esad Pashë Toptani. Autorët janë njerëz të afërm të Esad Pashë Toptanit. Janë nipërit e tij, që janë autorë të kësaj vrasjeje.” Keto jane hamendje, pasi ne ate kohe, Esat Pasha ishte i lidhur me Serbine rivale te Italise ne Shqiperi dhe ndodhej ne Selanik ne krye te trupave te tij. Ai nuk k ashkelur ato dite ne Itali, por nga selaniku do te shkonte ne Paris me 1 Prill 1919.

    5. Autori i referohet shpesh njeriut te mire e punetor Bardhosh Gaces, duke e theksuar se ka titullin “Profesor” dhe ka te drejten e se vertetes. Por Gace ka mbaruar degen e Gjuhe-Letersise ne UT dhe eshte graduar Doktor -Profesor ne Etnologji eFolklor dhe jo ne fushen e Historins se Pavaresise se Shqiperise, apo te periudhes 1912-1920.

    6. Ne argumentin XIII si veprimtar i helmimit te Ismail Qemalit permendet Syrja Bej Vlora pa asnje dokument, thjesht permendet hamendja se se kane qene rivale politike, ne nje kohe qe Syrja Beu e dinte mire se nuk kishte kellqet e Ismail Qemalit per te qeverisur Shqiperine.

    7. Argumenti XIV: “Në vijim të analizës dhe tezave argumentuese për helmim të Ismail Qemalit, diplomati italian Renzo Fallaschi, bashkëshorti i Nermin Vlora Fallaschi-t, përjashton çdo “mundësi helmimi nga organet e sigurimit Italian”. Po cfare prisni te dahsur Profesore qe diplomati italian te fajesoje Italine?

    8. Ne fund te ketij shkrimi te hallakatur kerkohet qe Ismail Qemali te shpallet “Deshmor i Atdheut” mbi baze hamendjesh e dyshimesh …ne nje kohe kur nuk i shton asnje vlere Babit te Kombit Shqiptar pas Skenderbeut (!?)

    9. Eshte tjeter gje ngritja e permendores se Ismail Qemalit ne ate shesh qe quhet gabimisht “Nene Tereza” dhe heqja e shtatores se turpit te Ahmet Zogollevicit.

    • Ismail Qemali vdiq ne moshen 75-vjecare nga hemoragjia cerebrale. Deshmite e kohes japin te dhena si artikulimi jo I qarte I fjaleve (ne gjuhe mjekesore: afazia motore), mpirja dhe paraliza e anesive te djathta ( hemiplegia ), humbja e vetedijes (koma) dhe pas pak kohe ndarja nga jeta (vdekja). Te gjitha keto simptoma jane tregues klinike te sakte te nje hemoragjie masive brendatrunore. Te gjitha hamendesimet per helmim jane te pabazuara dhe nuk duhen marre ne konsiderate. Dr. Miltiadh Vevecka

  • Cdo debat doktorash me “argument” greko-serbo italian jane te tana kot. Jane antishqiptare! Shkrimi i Dites asht ne kohe! Ismain Beu eshte deshmor jo 100% por 1000% sepse te tane donin vdekjen e Plakut Ismail Buet! Shqiptaret qe jane shqiptare e duan Deshmorin e Atdheut Ismail Bej Vloren! Nje bravo maksimale per ket shkrim! Keni godit ne shenje. Argumentat jane fiks fare! Ligji asht Ok! Duhet me u shpall nji ore e me pare!!..

  • Mos me e harru Is Qemalin ashte per cdo shqiptar detyrim dhe mos me degju asnjenin komentues qe buken e han tek antishqiptaret. Un jam me e shpall sa me pare DESHMOR, edhe pse ai asht i madh boll por DESHMOR eshte njeshi i pari i qeverive shqiptare, qe bani shtein dhe provoi helmin e antishtetit. Keshtu me ba!

  • Mos me e harru Is Qemalin ashte per cdo shqiptar detyrim dhe mos me degju asnjenin komentues qe buken e han tek antishqiptaret. Un jam me e shpall sa me pare DESHMOR, edhe pse ai asht i madh boll por DESHMOR eshte njeshi i pari i qeverive shqiptare, qe bani shtein dhe provoi helmin e antishtetit.Keshtu me ba!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *