Pajtim Bello
Fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare te 25 prillit 2021 duket se i ka ndezur motorët shumë para kohe. Përplasjet mes tyre kanë intensitet të lartë dhe karakter të ashpër duke krijuar një vorbull thithëse, por le ta quajmë se kjo është detyra funksionale e tyre!… Ndërkohë partitë politike tentojnë që, në shtjellat e vorbullës zgjedhore, të mbysin institucione që janë produkt i reformës në drejtësi; institucione këto që janë shpresa e shqiptarëve jo vetëm për ngritjen e kështjellës së drejtësisë së re, por edhe për instalimin e shtetit ligjor dhe të demokracisë së vërtetë.
T’i referohemi një fenomeni të spikatur për të argumentuar sa folëm. Partitë politike nga foltoret e veta lëshojnë akuza ndaj njëra tjetrës që sipas tyre përbejnë bazë për “akuza” që duhet të hetohen nga SPAK!.. Për t’iu veshur akuzave këmishën e vërtetësisë lëshojnë piskamën : “SPAK të hetojë, Ku është SPAK, SPAK të mos flejë gjumë”!.. etj, etj… Partitë le t’i nxjerrin sytë njëra tjetrës sipas mënyrës së tyre dhe me mjetet e tyre që nuk iu mungojnë. Duke dashur të hedhin baltë ndaj njëra tjetrës, duke dashur të marrin kurorën e dafinës si kalorës antikorrupsion; partitë politike i përcjellin opinionit një mesazh shumë të gabuar dhe thellësisht të dëmshëm për drejtësinë e pritshme. Institucionet e drejtësisë së re nuk kanë të bëjnë fare me partitë politike dhe aq më pak me fushatën elektorale të tyre. Qëllim kryesor i reformës në drejtësi ka qenë dhe mbetet Pavarësia e institucioneve të drejtësisë së re nga partitë politike. Pa dyshim që partitë e dinë një gjë të tillë sepse të paktën e kanë mësuar kur votuan kuadrin ligjor për Reformën në drejtësi. Nëse kanë diçka për të denoncuar, mos ta bëjnë atë nga foltoret por t’i drejtohen institucionit të SPAK ashtu si e parashikojnë procedurat respektive për subjekte gjithfarë lloji apo individë (zyrtarë, politikanë dhe thjesht qytetarë). Po atëherë çfarë kanë që nuk lenë rast pa iu drejtuar institucioneve të drejtësisë së re dhe veçanërisht SPAK?!.. Mos vallë që deklarimet politike të tyre të marrin më shumë theks para opinionit, apo për të mbajtur median të lidhur mbas vetes? Edhe këto mund të jenë anekse larg qëllimit, por mesazhi për opinion është tjetër.
Më së pari partitë politike duan t’i thonë opinionit se drejtësia, si gjithnjë deri sot, do të vihet në lëvizje vetëm prej tyre dhe në kursin që përcaktojnë ato. Pra çdo gjë është në duart e tyre dhe se nuk ka patur e nuk do të ketë Drejtësi të Pavarur!..
Së dyti as më shumë e as më pak partitë politike duan t’iu thonë institucioneve të drejtësisë: “Jemi ne pa jini Ju!”; parakalimi do të jetë vdekje prurës për Juve!
Së treti ndërkohë duke u krekosur nga foltoret e tyre partitë politike kërkojnë që ta futin drejtësinë e re nën presionin e bidonit të tyre, ta asfiksojnë atë që në lindje. Kjo ndodh me të gjitha institucionet e drejtësisë së pas reformës, por më së shumti me SPAK. Opinioni e ka parë se përzgjedhja e prokurorëve te SPAK është bërë përmes filtrave te profesionalizmit dhe integritetit moral të tyre dhe e beson se goditjet apo miklimet e politikës do të thyhen, do të bëjnë rikoshet e të kthehen tek porositësit.
Janë Partitë politike ato duhet të kuptojnë së “dielli” kur politika tërhiqte zvarrë drejtësinë, dhe jo vetëm atë, ka ka perënduar e me shpresë nuk do të lindi më. Partitë duhet të lenë të qetë institucionet e drejtësisë së re që ato të bëjnë punën e tyre. Këto institucione kanë aftësitë e duhura, dita ditës po kompaktësohen, kanë mbështetjen e opinionit publik dhe të ndërkombëtarëve; të cilët janë investuar seriozisht në realizimin e reformës në drejtësi. Meraku djallëzor i partive politike vetëm se vë shkopinj nën rrota dhe vështirëson përmbushjen e misionit të tyre.
Ekziston një mendim se “nëse do që një çështje ta denatyrosh apo ta dështosh që në embrion, politizoje atë” dhe ia ke arritur qëllimit!.. Kur politika fut hundën në punët e institucioneve të tjera ajo vetëm se prish punë dhe kjo jo vetëm në drejtësi. Politika dhe politikanët duhet të mësohen të sillen si në kohën e re, ti mbajnë duart larg institucioneve të drejtësisë që po formësohet duke iu ikur kurtheve të politikës së shëmtuar. Politika të gjejë kurajon e të komunikojë me respekt institucional, në rrugë ligjore e proceduriale dhe të mos iu drejtohet atyre me “O hej, heeej ore! Ku jini Juve!.”. Mjaft më zotërinj të politikës, civilizohuni dhe çfaquni si qytetarë të kulturuar e të denjë për vendin tuaj. Lëreni SPAK të punojë e të përmbushi misionin e vet. Kuptoni dhe mësohuni se SPAK, si gjithë institucionet e drejtësisë së re, nuk është shërbëtori i juaj. SPAK është institucion shërbëtor i Republikës së Shqipërisë, i ligjit, i qytetarëve dhe i sistemit të drejtësisë së re. Nëse doni te fitoni zgjedhjet reformohuni edhe Juve, ecni në korsinë që sistemi demokratik iu ka përcaktuar qartë e prerë. Mos u përpiqni të xhongloni në korsitë e institucioneve të tjerë sepse do të thyeni qafën. Tashmë loja luhet me rregullat e reja ku edhe Juve do të jini vetëm lojtarë. Harrojeni të bëni edhe arbitrin, siç kini bërë deri sot!.. Kontributi juaj do të vlerësohet i dobishëm vetëm kur jepet nga korsia juaj, atje ku jini të rëndësishëm e të pazëvendësueshëm.
