Nisma “Shqipëria Dhuron”, Veliaj: Më shumë solidaritet për shtresat në nevojë

redaktor

Në prag të festave të fundvitit, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Shërbimi Social Shtetëror nismuan sot fushatën “Shqipëria Dhuron” në të gjithë vendin. Kjo nismë synon të ndërgjegjësojë të gjithë ata qytetarë që e ndjejnë se mund të ndihmojnë njerëzit në nevojë duke dhuruar. Nisma u bë publike sot nga Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, gjatë një aktiviteti në Qendrën e Zhvillimit Rezidencial në Durrës me fëmijë me aftësi të kufizuara, mbështetur nga Banka Botërore, ku u shpërndanë dhurata për festat e fundvitit.

Veliaj apeloi për më shumë solidaritet këtë fundvit dhe bëri thirrje që gjithkush të dhurojë gjithçka që mundet për të ndihmuar më të varfrit. “Askush nuk është varfëruar duke dhuruar. Secili nga ne mund të bëjë diçka minimale për njerëzit në nevojë. Mund të dhurojmë një vakt, lodra për fëmijët apo veshjet që nuk i përdorim më. Kështu do të Kemi një Shqipëri më solidare”, deklaroi Veliaj.

Ministri Veliaj tha se ai vetë do të dhurojë rrogën e tij për Shtëpinë e të Moshuarve të kryeqytetit. “Ashtu siç qeveria po bën të gjitha përpjekjet për të mbështetur shtresat në nevojë, njerëzit që drejtojnë duhet të japin shembullin e tyre të solidaritetit”, shtoi ai.

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë njofton se fushata “Shqipëria Dhuron” do të vazhdojë deri në fund të vitit dhe do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë. Nëse dikush kërkon të dhurojë, por nuk di se ku mund të drejtohet, mjafton të paraqitet pranë Shërbimit Social Rajonal të qytetit ku jeton për të dhënë ndihmën e tij.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *