Pranvera Kola
Sikundër ndodh me shumë sëmundje të tjera, edhe për kancerin e gjirit, diagnostikimi i hershëm është vendimtar në reduktimin e rrezikut për jetën. Fatkeqësisht në vendin tonë shumë femra përballen më pasoja të rënda të kësaj sëmundjeje, e kjo sipas ekspertëve të shëndetit ndodh për shkak të diagnostikimit të sëmundjes në stade tepër të avancuara, kohë në të cilën kanë nsiur të shfaqen edhe simptomat e dukshme.
Në të gjithë botën tetori është muaji i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Për të ndihmuar në diagnostikimin shpejtë të kësaj sëmundjeje, përgjatë gjithë këtij muaji kabinetet e mamografisë nëpër spitale dhe qendra mjekësore do të punojnë me orar të zgjatur, duke ofruar ekzaminimin e mamografisë edhe në orët e pasdites. “Përgjatë gjithë muajit tetor, në kabinetet e mamografisë, shërbimi do të ofrohet me orar të zgjatur nga dita e hënë në të premte, ora 8:00-18:00, si dhe të shtunën, nga ora 9:00-14:00”, bëjnë me dije ekspertët e dikasterit të Shëndetësisë.
Kanceri i gjirit është një sëmundje ku qelizat e gjirit rriten jashtë kontrollit. Kanceri i gjirit mund të fillojë në pjesë të ndryshme të gjirit dhe mund të përhapet jashtë tij nëpërmjet enëve të gjakut dhe enëve limfatike, pra duke dhënë metastaza. Të dy sekset, si gratë ashtu edhe burrat mund të preken nga kanceri i gjirit, edhe pse ky kancer është shumë më i zakonshëm te gratë. Disa gra janë në rrezik më të lartë për kancerin e gjirit sesa disa të tjera për shkak të historisë së tyre mjekësore, personale, familjare, ose për shkak të ndryshimeve të caktuara gjenetike.
Kanceri i gjirit prek të gjitha gratë, por rreziku shtohet me rritjen e moshës. Specialistët e shëndetit publik theksojnë se përgjithësisht preken moshat mbi 50 vjeç, por kanceri i gjirit mund të shfaqet edhe në mosha fare më të reja. Studimet kanë treguar se rreziku për kancerin e gjirit është rezultat i një kombinimi faktorësh që kanë të bëjnë jo vetëm me ndikimin gjenetik, por edhe me stilin e jetesës. Në vijim të shkrimit gjeni disa nga shenjat që mund t’ju ndihmojnë të kuptoni nëse jeni të rrezikuar nga kjo sëmundje.
Mamografia, ja çfarë duhet të dini!
Mamografia kap kancerin e gjirit në faza shumë të hershme. Mamografia mund të kryhet në çdo kohë, por do të ishte më e përshtatshme që të zgjidhej momenti kur gjinjtë nuk janë të fryrë apo të dhimbshëm si përshembull 3-4 ditë mbas menstruacioneve. Nuk duhet ndonjë parapërgatitje e veçantë për të bërë mamografinë. Kur gratë shkojnë për mamografi, është mirë të veshin bluza me fund ose pantallon, në mënyrë që të lehtësojnë procedurat e ekzaminimit të gjirit.
Rezultati i mamografisë zakonisht merret mbas disa javësh. Për gratë që kanë kryer mamografi më parë, këshillohet të kenë filmat e tyre me vete për t’i lejuar mjekut të bëjë krahasimin. Nëse mamografia është normale, duhet vazhduar bërja e saj sipas intervaleve kohore të rekomanduara për çdo grupmoshë. Kanceri i gjirit mund të shfaqet në çdo kohë, madje edhe nga një mamografi tek tjetra, prandaj mamografia duhet bërë në mënyrë të vazhdueshme dhe jo vetëm një herë.
Nëse mamografia është e parregullt nuk do të thotë gjithmonë se ka kancer. Për këtë duhet të bëhen teste shtesë dhe kontrolli nga një specialist i gjirit apo një kirurg. Kjo nuk do të thotë që ju keni kancer ose keni nevojë për kirurgji. Bisedoni me mjekun për të mësuar se cila metodë kontrolli është më e drejtë për ju, dhe kur duhet ta bëni atë.
Fatmirësisht, kanceri i gjirit është ndër llojet e kancerit pothuajse tërësisht i trajtueshëm. Ekspertët sqarojnë se kanceri i gjirit trajtohet në disa mënyra, si: ndërhyrjet kirurgjike, kimioterapia, terapia hormonale, terapia me rrezatim. Mënyra e trajtimit varet nga lloji i kancerit të gjirit dhe se sa është i përhapur ai. Njerëzve me kancer të gjirit shpesh u duhet të marrin më shumë se një lloj të trajtimi. Fatmirësisht, pothuajse të gjitha mënyrat e trajtimit bashkëkohor ofrohen edhe në Shqipëri. Së fundi kanë hyrë edhe preparate të cilat rrisin jetëgjatësinë për pacientët në faza të avancuara. Trajtimet e reja vonojnë progresin e sëmundjes shumë më mirë se preparatet e deritanishme, duke ofruar një mundësi të re për pacientët.
Kujdes paliativ është trajtimi gjithëpërfshirës për personat të cilët vuajnë nga sëmundje që janë kërcënuese për jetën (si kanceri i gjirit në këtë rast). Kujdesi paliativ trajton vuajtjen fizike nga sëmundja, si dhe çështjet që lidhen me të drejtën njerëzore për të patur një fund sa më cilësor të jetës në të gjitha aspektet si fizike, sociale, psikologjike e shpirtërore. Ky shërbim nuk kufizohet vetëm në kujdesin ndaj të sëmurit, por edhe në nevojat e familjarëve. Në Shqipëri ekzistojnë shërbime të kujdesit paliativ publik dhe jopublik që u shërbejnë të sëmurëve në shtëpi në faza të avancuara me kancer gjiri. Këto shërbime janë të pajisura me staf multidisiplinar të trajnuar për të ofruar shërbim cilësor.
Disa shenja që mund të jenë tregues të kancerit të gjirit janë:
- Një gjëndër apo një kokërr në gji ose nën sqetull. Shumë faktorë mund të shkaktojnë gjëndra në gjoks duke përfshirë edhe kancerin, por jo çdo gjëndër në gji është kancer. Ndaj dhe duhet bërë ekzaminimi i tyre.
- Trashje ose ënjtje e një pjese të gjirit.
- Ndryshime të lëkurës së gjirit-skuqje, plagë apo dëmtime të tjera të lëkurës së gjirit.
- Skuqje, çarje apo trashje e lëkurës përreth thithit të gjirit, gropëzim i thithit të gjirit.
- Rrjedhje nga gjiri përveç qumështit të gjirit, duke përfshirë edhe gjakun.
- Çdo ndryshim në madhësinë apo formën e gjirit.
- Dhimbje në gji.
- Fryrje apo ënjtje e krahut nga njëra anë-disa herë kanceri i gjirit mund të përhapet edhe në gjëndrat limfatike nën krah dhe të shkaktojë fryrje apo ënjtje të tij. Prandaj, gjëndrat limfatike të ënjtura duhen konsideruar një shenjë e mundshme e kancerit të gjirit.
- Çdo ndryshim tjetër i pazakontë në gji.
- Ndryshimet në gji jo detyrimisht do të thonë se një femër ka kancer gjiri. Megjithatë, nëse një femër ka simptomat e mësipërme duhet të shkojë menjëherë te mjeku të kontrollohet.
Ekzistojnë disa mënyra kontrolli për gjirin si:
- Vetëkontrolli mujor i gjirit
- Ekzaminimi klinik i gjirit nga një personel shëndetësor
- Mamografia
- Eko e gjirit
Kanceri i gjirit parandalohet nëse:
- Kryeni vizita mjekësore sa herë keni shqetësime, por edhe kur ndiheni mirë.
- Bëni jetë të shëndetshme.
- Minimizoni stresin.
- Bëni aktivitet seksual të rregullt.
- Niqni një dietë të caktuar, konsumoni ushqime të pasura me vitaminë A, E dhe C, si karota, spinaq, kajsi dhe agrume.
- Mos harroni që lindja e fëmijës dhe ushqimi me gji janë shumë të rëndësishme për shëndetin e gjirit tuaj.
