Vendimi për mësimin në universitete: Seminaret do ndiqen në auditore, ndërsa leksionet online

J L

Pranvera Kola

 

Kur kanë mbetur edhe vetëm pak dit nga nisja e vitit të ri akademik 2020-2021, institucionet e arsimit të lartë kanë marrë tashmë vendimet në lidhje me organizimin e procesit mësimor në përputhje edhe me kushtet e diktuara nga gjendja aktuale e pandemisë së Covid-19. Pjesa dërrmuese e strukturave universitare kanë konfirmuar organizimin e procesit mësimor të alternuar nëpërmjet platformës online dhe pjesëmarrjes në auditore. Konkretisht, leksionet parashikohet të zhvillohen në shumë prej universiteteve në platformat online, ndësra seminaret nëpër auditore, duke respektuar në mënyrë strikte rregullat e higjienës, distancës fizike, si dhe kujdesit për mbajtjen e maskës.

“Nisur nga situata e pandemisë shkaktuar nga Covid-19, Universiteti Bujqësor i Tiranës ka ndërmarrë masat e nevojshme për zhvillimin e një procesi mësimor sa më të efektshëm dhe në mbrojtje të shëndet të studentëve, stafit akademik dhe administrativ. Si rrjedhojë, procesi mësimor do të organizohet në dy forma: Leksionet do të zhvillohen online nëpërmjet platformës Zoom, ndërsa seminaret do të zhvillohen në sallat e ambienteve të fakultetit respektiv sipas orarit të mirëpërcaktuar prej tyre për çdo grup studnetësh”, ka konfirmuar Rektorati i Universitetit Bujqësor përgjatë ditës së djeshme. Ndërkohë që studentëve u është kërkuar që gjatë prezencës në ambientet e fakulteteve të zbatojnë me përpikmëri  protokollin e masave Anti-covid (mbajtja e maskës dhe distancë mbi 1.5m, dezinfektimi i duarve, matja e temperaturës, etj.

Kjo formë e organizimit të procesit mësimor është konfirmuar edhe nga kreu i Universitetit të Tiranës, Rektori Artan Hoxha, sipas të cilit në varësi të gjendjes që do të raportohet mbi ecurinë e Covid-19, do të veprohet edhe me alternimin e procesit mësimor online dhe në auditore.

“Sa i përket fillimit të vitit të ri akademik, një nga diskutimet në konferencë ishte se si do e përballonim situatën. Në dijeninë time të gjitha institucionet po angazhohen që të kenë platforma ndryshe nga ato që kemi punuar me herët. Ajo që po ndodh në të gjitha universitet e vendit, është krijimi i një platforme, që garanton që procesi të zhvillohet normalisht. Ajo që po ndodh këto ditë është se po trajnohen në përdorimin e sistemit, pedagogët, administratorët dhe studentët që fillimi akademik të na gjejë të përgatitur”, ka deklaruar Hoxha.

Hoxha ka theksuar se është diskutuar edhe për tarifat e studimit. Sa i takon kërkesës së studentëve të ciklit të dytë për përgjysmimin e tarifave të studimit, Rektori Hoxha ka theksuar se nuk do të ketë përgjysmim të tyre, teksa ka bërë me dije se është ulur tarifa e regjistrimit për pranimet në master. Tashmë tarifa e regjistrimit për ciklin e dytë të studimit, do të jetë 2,000 lekë dhe jo 2,500 lekë sikundër ka qenë më parë.

Aktualisht në universitete po vijojnë procedurat e regjistrimeve për fituesit që do të ndjekin për herë të parë studimet e larta në ciklin 3-vjeçar “Bachelor”, ku përgjatë ditës së sotme nis faza e dytë e regjistrimeve për fituesit e raundit të tretë. Ndërsa në ciklin e dytë aplikimet kanë përfunduar, ku pritet shpallja e listave me fituesit e rinj të këtij viti.

Programet e ciklit të parë të studimit organizohen me jo më pak se 180 kredite evropiane (ECTS) dhe kohëzgjatja normale e tyre është tri vite akademike. Studentët në programet e ciklit të parë të studimeve diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Ndërsa programet e studimeve “Master profesional” i pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara, profesionale në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen me 60 ose 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është një vit ose dy vite akademike. Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin e arsimit të lartë, programet e studimit “Master i shkencave” i pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara teorike, si edhe me aftësi për kërkim shkencor në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen në: programe që realizohen me jo më pak se 120 kredite formimi në vijim të ciklit të parë dhe me kohëzgjatje normale dy vite akademike.

Share This Article
1 Comment
  • Akoma vazhdohet me keto metoda te shekullit te kaluar, leksione seminare? Cfare keni mesuar nga sistemi arsimor boteror. ne Shqiperi aplikohen ose ” vidhen ” nga jashte meodat e deshtuara si psh 3 + 2 .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *