Grupet e gjakut B dhe AB, vitaminat e mineralet që forcojnë kujtesën e largojnë depresionin

anazapta

Ndryshe nga sa ndodh me grupet e gjakut A dhe 0, personat që i përkasin grupit B dhe AB janë më me fat, pasi nëpërmjet ushqimit pothuajse arrijnë të marrin të gjitha kripërat dhe vitaminat që i duhen organizmit për t’u mbrojtur nga komplikacionet e sëmundjeve të shumta. Shtesat në vitamina që duhet të marrin këto dy grupe gjaku janë më të pakta. Në vijim të shkrimit gjeni të botuar konkretisht se cilat janë shtesat që duhet të sigurohen për secilin nga këto dy grupe. Duke u ndalur konkretisht tek grupi AB mund të themi se personat me këtë grup gjaku duhet paraqesin një pamje të përzierë sa i takon plotësimeve me vitamina dhe kripëra minerale që nevojiten për të luftuar sëmundjet e shumta që na rrethojnë. Ndonëse ky grup shfaq të njëjtin sistem jo të fortë imunitar dhe të njëjtat mundësi sëmundjesh si dhe grupi A, dieta e grupit AB ka një shumëllojshmëri elementësh që e ndihmojnë që të luftojë shumë sëmundje.

Për shembull njerëzit që kanë këtë grup gjaku nëpërmjet ushqimit të dedikuar atyre, marrin me shumicë vitaminë A, B12, niasin dhe vitaminë E, elementë të cilët sigurohen natyralisht nëpërmjet ushqimit dhe ndihmojnë organizmin nga kanceri dhe sëmundjet e zemrës. Rekomandimet në plotësime vitaminash për këtë grup rekomandohen vetëm nëse ndonjë njeri për ndonjë arsye apo për ndonjë tjetër nuk ndjek dietën që i është rekomanduar grupit të tij të gjakut. Edhe hekuri që mungon në dietën vegjetariane të grupit A, gjendet me shumicë në ushqimet që janë të përcaktuara për grupin AB. Megjithatë ky grup ka nevojë për një sërë plotësimesh për të qenë më i mbrojtur. “Grupi i gjakut AB nuk ka antitrupa. Kjo do të thotë se grupi AB është marrësi universal dhe mund të marrë gjak nga të gjithë grupet e tjera. Gjithashtu duhet të dini se pavarësisht faktit që grupi AB mund të marrë gjak nga çdo grup, por nuk mund t’i japë askujt, përvese njerëzve që kanë po të njëjtin grup AB”, citon në studimin e tij, “Të ushqehemi drejt sipas grupeve të gjakut”, Peter Dadamo.

 

Vitamina C, mbron zemrën dhe lufton kancerin 

Njerëzit që shfaqin përqindjet më të larta të kancerit të stomakut, për shkak të niveleve të ulëta të acideve që ka stomaku, kanë dobi nëse në dietën e tyre shtojnë sasinë e vitaminës C. Konkretisht kripërat nitrite që gjenden në mishrat e tymosura dhe të thara mund të krijojnë probleme për grupin AB, sepse cilësitë e tyre kanceroze, fuqizohen në njerëzit me nivel të ulët të aciditetit të stomakut. Vitamina C, njihet ndryshe si antikanceroze, pasi e bllokon këtë veprim, edhe pse e këshillueshme është që duhet ndalur konsumi i ushqimit që kanë në përmbajtje të tyre ushqime të tilla. Por, pavarësisht këtij fakti, ju nuk duhet të abuzoni me marrjen e sasisë së vitaminës C. Nëse e teproni duke marrë më shumë se sa 1000 mg në ditë, atëherë do të viheni përballë problemeve të shumta me stomakun. Ushqimet më të pasura me këtë vitaminë dhe që bëjnë mirë për njerëzit që kanë këtë grup gjaku janë lulelakra, qershia, greipfrut, limoni, ananasi etj.

 

Zinku nuk duhet të mungojë gjatë rritjes së fëmijës

Gjithashtu është konstatuar se edhe zinku nëse merret në doza të vogla rreth 3 mg në ditë, shpesh ndihmon shumë fëmijët, pasi e forcon organizmin e tyre duke e bërë më të mbrojtur nga infeksionet e veshit. Por, duhet të dini se nëse e teproni me marrjen e sasive më të tepërta të zinkut nga ajo që u përmendën, po ashtu edhe për një kohë të gjatë, në vend që të ndihmojë largimin e infeksioneve do të viheni përballë problemeve më të rënda shëndetësore. Kjo pasi sasia e tepërt e zinkut, pengon përvetësimin e kripërave të tjera nga organizmi duke lënë një sërë boshllëqesh. Zinku merret edhe nëpërmjet ushqimeve që kanë të bëjnë me mishrat e rekomanduara si mishi i errët i pulës së detit, veza, dhe bishtajat.

 

Shtesat e vitaminave e kripërave për grupin B

Grupi B është një rast i veçantë dhe një ndër grupet më me fat sepse nuk ka nevojë për shumë shtesa duke qenë se pjesën më të madhe të vlerave ushqyese i merr nëpërmjet ushqimit duke përballuar me sukses sëmundjet e ndryshme. Dieta e këtij grupi është shumë e pasur me vitamina A, B dhe C, ndaj nuk ka shumë nevojë për shtesa. Ndërkohë që në përmbajtje ka edhe sasinë e duhur të kripërave minerale, kalçiumit, si dhe hekurit.

 

Bimët mjekësore të përshtatura

Këto lloje bimësh ndihmojnë në përqendrimin dhe kujtesën, për të cilat shpesh njerëzit e grupit B kanë probleme. Bimët më të mira në këtë rast janë xhinsengu siberian, dhe gingko biloba. Që të dyja këto bimë mund të gjenden në dyqanet e prodhimeve organike. Gingko biloba është bima mjekësore me përdorimin më të madh në Gjermani, ku çdo ditë e marrin rreth 5 milion njerëz. Përdorimi i shpeshtë i saj ndodh për shkak të vlerës që ka në rritjen e qarkullimit të gjakut në tru, duke forcuar shumë kujtesën sidomos tek të moshuarit, por njëherësh mban larg edhe shumë probleme të tjera shëndetësore që mund të rëndojnë sistemin nervor.

 

Shtesat me magnez të domosdoshme për kujtesë të fortë  

Nëse grupet e tjera rrezikojnë nga mungesa e kalçiumit, grupi B rrezikon nga mungesa e magnezit. Kjo ndodh sepse grupi B e përvetëson në mënyrë kaq efektive kalciumin, sa mund të krijohet një disekuilibër ndërmjet magnezit dhe kalciumit. Nëse ndodh kjo atëherë personat që kanë këtë grup gjaku mund të vuajnë nga lodhja, depresioni e ndoshta edhe çrregullimet mendore. Në të tilla raste mendoni që të përdorni një plotësim me magnez, deri në 500 mg, por sipas rekomandimeve që u jepen edhe nga mjeku. Gjithashtu, shumë fëmijë vuajnë nga ekzema, ndaj një shtesë me magnez i ndihmon jashtë mase. Nëse merrni magnez vazhdoni të merrni edhe prodhime qumështi, që të mos keni nivele të tepërta të magnezit ndaj kalciumit. Çelësi është ekuilibri. Nëpërmjet ushqimit magnezi kryesisht sigurohet nga konsumi i të gjitha perimeve, si dhe drithërave e bishtajave.

 

Glikoriza

Glikoriza është një bimë që përdoret shumë nga biologët në të gjithë botën. Ka të paktën katër efekte në organizmin e njeriut, për shërimin e ulcerës së stomakut, për të luftuar virusin herpes, për sindromën e lodhjes, dhe për të luftuar hipogliceminë. Glikoriza është një bimë që kërkon vëmendje. Në doza të mëdha, tek njerëzit që nuk kanë nevojë për të, mund të shkaktojë ruajtjen e natriumit, dhe rritjen e presionit. Kush vuan nga hipoglicemia, një gjendje në të cilën sheqeri bie pas një vakti, duhet të pijë dy filxhanë me glikorizë pas ngrënies. Megjithatë nëse glikoriza kur jepet në doza të mëdha si plotësim mund të jetë toksike.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *