Bedri Islami
Emrin e gazetarit Adriatik Doçi e kam dëgjuar shumë vonë, ndoshta edhe nga që prej viteve jetoj larg. Në mediat e tanishme ka një vërshim të emrave të rinj, sa që harrohen ose lihen mënjanë edhe të vjetrit apo të njohurit.
Investigimi i tij lidhur me dhënien e nënshtetësisë shqiptare me procedurë të veçantë, sikur janë asete kombëtare, nga presidenti i vendit, Ilir Meta, duket se ka zgjuar kosheren e grethave, jo vetëm në presidencë, por edhe përtej saj, sa që tashmë përballja duket e afërt dhe jo e lehtë. Adriatik Doçi, pas përplasjes meskine me Yllin e mbërtheckave, Pangon e skandalit të njohur, që përmes reagimit të tij tregoi se çfarë niveli mizerabël paska pasur një ministër kulture, është në tehun e vëzhgimit presidencial dhe si duket vonë do të dalë nga vështrimi inator i një zyre që duhej të ishte interkulator për të sheshuar e zbutur gjërat, nëse ata do të kishin ndodhur diku tjetër.
Tanimë ai, Adriatik Doçi, është një personazh medial dhe këtë, më shumë se sa investigimi i tij, e bëri zyra presidenciale, që, në fare pak kohë ndezi kundër shkrimeve të tij aq shumë bateri sa që të duket sikur e keqja kishte qenë vetëm ai.
E drejta e gazetarit për të bërë një investigim të caktuar është e tij dhe vetëm e tij. Nëse gjen apo jo vend në gazetë, apo median ku punon, kjo pastaj është përtej tij, pasi jo rrallë herë varet edhe nga vështrimi social, politik, lidhjet, favoret, hatëret, miqësitë dhe konjukturat që ka mbi vete botuesi apo pronari i tij.
Nuk është thjeshtë problemi mes një institucioni, presidenca dhe titullari i saj dhe një gazetari të caktuar: gjithçka ka të bëjë me lirinë e medias dhe robërinë e saj, me nderin që i bëhet apo me poshtërimin që kërkohet, me të drejtën për të thënë të vërtetën apo luftën për ta mbytur atë, me paanësinë dhe respektin apo me poshtërimin dhe shpifjen.
Prej shumë kohësh ky raport në Shqipëri është përmbysur dhunshëm dhe si duket nuk do të ketë qasje tjetër deri në një kohë tjetër, që edhe ashtu duket e largët.
Qeveria prej shumë kohësh po shqyrton një lij për mediat që e ngushton lirinë e tyre, i penalizon edhe kur bëhet një gabim njerëzor dhe kufizon mundësinë e shpifjes, çka do të duhej të ishte bërë shumë kohë më parë. Por, nga ana tjetër, ajo i jep vetes dhe institucioneve apo figurave politike të sundojnë mbi mediat, t’i kenë ata në vasalitetin e tyre dhe të dërmojnë këdo që do të mund të bënte një përjashtim nga rregulli.
Është i njohur fakti se në emisionet TV shumë nga opinionistët, edhe të njohur, i jargaviten Berishës dhe përkulen me devocion para forcës dhe dhunës së tij. Disa prej tyre edhe kanë shkruar kundër qëndrimeve të Berishës në vite e kohë të ndryshme, por përsëri, në momentin e përballjes, papritur squllen, belbëzojnë dhe kujtojnë jo rastësisht forcën e tij për deformimin e fateve, të të dhënave dhe kundërshtitë edhe në aktet madhore, si të Gërdecit, të 21 janarit, familjes së Haklajve, vrasjes së Azem Hajdarit, qëndrimit ndaj luftës në Kosovë etj. Nëse ndonjëri prej tyre provon të kundërtën, si ndodhi me gazetarin A.Hoxha i gjithë mllefi i ish shefit të qeverisë është ashpërsisht kundër tij, duke kaluar në akuza të pamata, të cilat kurrë nuk përfundojnë në një zyrë prokurorie.
Edi Rama, po ashtu, herë pas here vendos tutelë ndaj shtypit dhe medias. Jam i një mendje me të që media e tashme përgjithësisht i ngjan një kazani, por, jo rastësisht mllefi i tij dhe cilësimi “kazan mdiatik” lindi pasi pikërisht kjo media, kundërshtare e tij dhe cilado mund të ketë në opozitë me qeverinë dhe bën mirë të jetë, zbuloi skandalin e rrugës së Astirit, që, edhe nëse i lan njërën dorë shefit të qeverisë, nuk ia lan dot dy duart ish ministrit Gjiknuri apo nuk i fsheh dot lidhjet enigmë mes qeverisë dhe biznesmenit Ulaj, i cili qëndronte pas gjithë kësaj afere.
Ilir Meta, i cili në përshfaqjen e tij është njeriu i mediave, mjafton vetëm një gërvishtje dhe bie cipa e asaj që ka qenë e mbuluar. Është e lehtë të bësh sprova për rolin e Alendes apo të Mic Sokolit, të hipësh mbi kodër dhe të mendosh se je mbi një tank si Vojo Kushi, apo, zbulimi përmes investigimit i një skandali për nënshtetësinë bëri tjetërsimin e tij dhe të stafit të tij. Nëse modeli që kërkon Meta t’i paraqesë publikut për një media normale është gjuha dhe cinizmi i zëdhënësit të tij atëherë ai asgjë nuk ka kuptuar nga e drejta e shprehjes së lirë pa cënuar dinjitetin e tjetrit. E aq më keq kur në vetë banesën e tij, ku qentë e macet kanë më shumë vend në banjot e tyre, se sa një apartament normal për njerëzit e zakonshëm, është edhe shefja e opozitës së vogël, Kryemadhi, që duke rendur nëpër studio TV harron se e drejta e saj për të akuzuar mbaron aty ku e vërteta shkelet dhe nëpërkëmbëet. Nuk mund të flasësh me tonin e tiranit për lirinë.
Përse ndodh kjo?
Liderët tanë, në të gjitha anët, edhe kur kanë qenë në pushtet, edhe jashtë tij, shpesh herë e kanë sunduar median përmes biznesit që kanë pasur pronarët e tyre. Ata u kanë hapur rubinetin, ua kanë mbyllur, ata i kanë bërë të pasur, ata i kanë bërë varfanjakë. Shumë prej pronarëve të TV të ndryshëm janë biznesmenë, sidomos ndërtues. Ata, si në shumë raste të njohur, kanë zaptuar troje e kanë bërë pallate, vila e resorse turistikë; kanë dhënë me qira në institucionet shtetërore me çmime shumë të larta godinat e tyre, kanë shitur e kanë blerë dhe njëkohësisht janë blerë lehtësisht.
Natyrisht, jo të gjithë. Nuk mund të njësohen, por faktet mbeten. Pronari i TV Klan është ndër njerëzit më të pasur në vend, jo nga fitimet e medias që zotëron, por kjo e fundit i ka shërbyer për çfarë ka dashur. Një gazetar i plagosur në dhunën shtetërore të 21 janarit mori arratinë, sapo mësoi se shefat e tij ishin kundër denoncimit që sapo kishte bërë, pasi ishte kundër vetë shefi i qeverisë. Shefi i Vizion Plus është në ndërtuesit më të mëdhenj, po ashtu edhe ai i Panorama dhe i TV 24 apo mediave të tjera. Ndroqi i TV Ora është gjithashtu ndërtues dhe njeri i biznesit dhe mund të jetë që një ditë të ketë edhe përcaktim tjetër. Askush nuk e di realisht nga cili kanal sigurohen burimet financiare të TV Syri, por e dinë se pas tij qëndrojnë dy familje të mëdha politike, Berisha dhe Meta, të cilat janë bërë të tilla në pluralizëm, pikërisht duke bërë mediat të shërbenin deri në fund dhe verbërisht. Dy mediat më të mëdha televizive, Top Channal dhe Klan po përplasen kaq fort për mbetjet, sapo mësuan se kjo punë e papastër nxjerr nga vetja pasuri të pastër dhe mund të pastrohen edhe papastërti të tjera. Një familje mafioze, e njohur si e tillë, nga burgu dërgonte gjobat e saj dhe asnjë gazetar nuk merrte guximin të shkruante dy rrjeshta; së pari, shefat nuk ia pranonin atë që edhe vetë dinin, së dyti, familja ishte e lidhur me politikën dhe urdhërat e politikës ishte që të heshtej. Askush nuk bëri investigim, nuk hetoi dhe nuk shkroi një fjalë.
Pushteti e do median nën vete dhe deri në fund. Në një emision TV tek “Opinion”, ku ishte i ftuar Edi Rama, shefi i qeverisë, gjithkush mund të ishte i vemendshëm dhe të ndjente se si përplasja qeveri-pushtet medial është një fantazëm që sillet mbi kokat e të gjithëve dhe ku përplasja është meskine, cinike dhe e padenjë për askënd.
Nuk ka asnjë shef partie, sidomos tek të mëdhatë, që nuk e kërkon median nën këmbët e tij. Nga kjo nuk shpëton dot as Basha, megjithëse ende pa pushtet dhe si duket do të jetë deri në fund jashtë pushtetit. Nëse ngritja e zërit apo akuzat e Berishës, Metës apo Ramës kanë në vete nota tragjike, klithmat e Bashës kthehen në nota komike dhe për komedianë asnjë media që ka mbi atë “dajallarët” e politikës, nuk pyet.
Adriatik Doçi është një emër i njohur tashmë, i kthyer në personazh medial, pikërisht sepse shefi i presidencës doli nga vetja.
Kur shefi i presidencës të jetë në vete, Adriatik Doçi do të jetë i njëjti gazetar që ka qenë.

B.Islami, ben nje analize te pergjithshme, duke perseritur gjera te njohura ne raportin media – qeverisje. Por zgjatet shume ne keto gjera dhe nuk e ve theksin ne rolin dhe qendrimin e vete medias brenda funksionit te saj, konretisht nevojes se veterregullimit, qe theksojne edhe BE apo organizme te tjere;ketu analiza ngec, sepse do te duhej te kritikonte ” kazanin mediatik”…dhe pas kesaj do i duhej te perballej me sulmet rrugacerore, sic eshte perballuir vete ne raste te tjera….