Fuqia e besimit…

Ornela

Mos mendo që je i humbur,
dhe kur fati bëhet dreq,
se asgjë s’është e pamundur,
dhe në çastin më të keq!

Fatit kurrë nuk i dihet,
vetëm Zotin mbaj në mend,
se patjetër diku fshihet,
yll’ i artë i fatit tënd!

Mendimet që kob afrojnë,
krejt nga mendja t’i largosh,
se ato të errësojnë,
dhe asgjë s’mund të shikosh!

Se t’u mbyll ty sot një derë,
mos vër kujën, o njeri,
se një tjetër më me vlerë,
do të hapet përsëri!

Kot mos mërmërit në dhëmbë,
s’ka formula magjiplote,
si një lis të madh në këmbë,
do të ngrejë veç forca jote!

Veç besim jepi mendimit,
dhe do ndizesh porsi zjarri,
se fuqia e besimit,
ngre të vdekurin nga varri!

Mos shih ëndrra kot së koti,
me thesare krejt të ndritshme,
mjafton të të falë Zoti,
vetëm Bukën e Përditshme!

Largo mendimet e frikshme,
ndize shpresën fort në sy,
është Buka e Përditshme,
më e madhja siguri!

Kjo formulë që kur u tha,
lartësoi një të vërtetë,
të përditshmen kush e ka,
është nga mbretërit më i qetë!

Ndaj i mbajti njerëzia,
gjallë shpresën dhe besimin,
në të kundërt babëzia
jetës krejt ia prish kuptimin!

As prej varrit, as prej Ferrit,
s’mund të shohë njeriu dritë,
dhe në qofsh në fill të perit,
mos u dorëzo asnjë ditë!

Me mjegull mos e vish synë,
mendo djepin ku je tundur,
sa ke shpirt e sa merr frymë,
asnjë gjë s’është e pamundur!
Gjirokastër, 8.06.2013

Share This Article
2 Comments
  • Paraja dhe lumturia

    “Money doesn’t make you happy. I now have $50 million but I was just as happy when I had $48 million.” (Arnold Schwarzenegger)

    Në tokë s’ke ç’e do pasurinë,
    mjafton një lutje lart te Zoti,
    pastaj prit sa t’i bien bolet dashit,
    dhe bën terë kohës një jetë koti.

    Të gjithë të barabartë në varferi,
    mjafton një copë bukë e zemër mirë,
    se kështu është fiks lezeti i jetës,
    vdes pa plotesuar asnjë dëshirë.

    Me këtë përrallë gënjejnë botën,
    tallen e mbajnë popullin nën udut,
    rrojnë si pasha e madje si mbretër,
    populli po ha mender nje mut.

    Sidoqoftë justifikimi është gati,
    kur vdes në parajsë do vesh i pari,
    do kesh edhe krahë porsi ëngjëll,
    tashmë fluturon edhe gomari.

    Mjafton që partia të jetë e para,
    në vend të bukës, populli dhe bar ha,
    ç’i do paratë, ato s’i ha as qeni,
    me këtë klishe të bëjnë për budalla.

    Të bëjnë për idiot ata të fesë,
    politikanët a ndonjë vjershëtar,
    të shesin bukur sapunin për djath,
    por s’është kushdo si një gomar.

    Jeta s’është thjesht bukë e përditshme,
    njeriu është një qënie me nevoja,
    e vërteta do thënë ashtu sic është,
    jeta s’është lojë, nuk bëjmë dot gjoja.

    Më mirë mos na thoni më gënjeshtra,
    do jetojmë si duam kemi veç një jetë,
    me besim më mos na mashtroni,
    që shpresa të ketë vlerë vërtet.
    Nuk mendojmë që jemi të humbur,
    fatin tonë e kemi vetë në dorë,

    asgjë vërtet s’është e pamundur,
    lufto mos rri si dele me këmborë.

    Shënim: La libertà senza giustizia sociale é solo la libertà di morire di fame. (Sandro P.). Drejtësi sociale kemi kur gjithësecilit i jepet ajo që meriton. Mungesa e drejtësisë sociale bën që njerëzit mund të humbin sistemin e vlerave, dhe e vetmja vlerë drejt së cilës orientohen ngelet paraja. Kështu, ai që ka pushtetin e parasë në vend që të të shpërblejë me meritokraci (pra me drejtësi), në fakt të shpërblen me pabarazi, duke të të bërë “mbret” apo “skllav”, pra të hap apo të mbyll ato dyert sipas dëshirës apo interesit të vet. E si rrjedhim, e vetmja liri që të ngelet nëse nuk bindesh, është të jesh i lirë që të vdesësh urie. Por, prandaj do luftuar pa u dorëzuar, të marrim meritat, që pushteti mos të na çojë ku të dojë ai, dhe nëse ajo derë e merituar s’hapet (se të kanë vënë mur nga pas), atëherë të shëmbim pa frikë atë mur. Në këtë mënyrë, paraja nuk do jetë pronari apo Zoti, por shërbëtori ynë, që edhe nëse nuk na bën plotësisht të lumtur, të paktën do na plotësojë nevojat, të ndihemi të realizuar e të jetojmë me dinjitet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *