Bill Klinton për Kosovën

Ornela
Former US President Bill Clinton (C, front) gestures as he greets Kosovo citizens during his visit in Pristina on November 1, 2009. Kosovo Albanians, who admire Clinton because of his role in the 1999 NATO bombings of then Yugoslavian President Slobodan Milosevic, honoured him by erecting a three-metre (10-feet) tall monument on a Pristina boulevard already named after him. AFP PHOTO/ARMEND NIMANI (Photo credit should read Armend Nimani/AFP/Getty Images)

Nesip Kaçi*

Presidenti Bill Klinton udhëhoqi aksionin e komunitetit të shteteve demokratike, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj kundër barbarisë së makinës ushtarake serbe në Kosovë.

Lexuesi shqiptar ka mbi 20 vjet që ka në dorë librin “NE LUFTËN, JU PAQEN”, mesazhe, artikuj, konferenca  shtypi, intervista dhe fjalime për Kosovën të presidentit amerikan Bill Klinton, të  cilat i përgatiti për botim gazetari i mirënjohur Lutfi Dervishi. Kanë kaluar vite dhe ky libër tingëllon aktual dhe është në qendër të vëmëndjes së mediave të shkruara dhe elektronike. Nga ky libër me 195 faqe janë marrë vetëm pjesët më interesante, më të goditura, më të forta, më të bukura, më thelbësore dhe më të qënësishme të tij.

12 tetor 1998.

Deklarata e Presidentit Klinton

(Nga zyra  e shtypit e Shtëpisë së Bardhë.)  Këto javët e fundit, të përballur me një krizë të rrezikshme në Kosovë, që sa vjen e thellohet, Shtetet e Bashkuara kanë punuar për të ndaluar dhunën dhe represionin dhe për ta vënë popullin e Kosovës në rrugën e paqes.

Muajin e kaluar, nëpërmjet rezolutës Nr.1199, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara kërkoi që presidenti Millosheviç  të zbatonte ndalimin e zjarrit, të tërhiqte forcat e dërguara kohët e fundit në Kosovë dhe pjesën tjetër ta fuste në kazerma, të lejonte refugjatët të ktheheshin në fshatrat e tyre, t’u jepte mundësi hyrjeje të menjëhershme agjensive të ndihmave  humanitare të emergjencës si dhe të binte dakord për një grafik kohor për negociatat mbi autonominë me shqiptarët e Kosovës.

Presidenti Millosheviç  ende nuk ka vepruar në përputhje me kërkesat e Bashkësisë Ndërkombëtare.    Duke pasur parasysh kokëfortësinë e tij, të 16 anëtarët e NATO-s sapo kanë votuar për t’u dhënë komandantëve tanë ushtarakë kompetencën për të kryer goditje ajrore kundër Serbisë.

Bashkësia Ndërkombëtare tani është përgatitur për të vepruar. Ne parapëlqejmë ta zgjidhim krizën paqësisht dhe jo nëpërmjet veprimeve ushtarake. Kjo është arsyeja  pse unë dërgova Ambasadorin Riçard Hollbruk me mision për  t’ia bërë të qartë presidentit Millosheviç  se çfarë veprimesh prêt bota prej tij, në mënyrë që të shmangen goditjet ajrore të NATO-s. Por më lejoni të shprehem edhe më qartë: zotimet janë tjetër gjë nga përmbushja. Varrezat e Ballkanit janë mbushur plot me premtimet e shkelura të presidentit Millosheviç. Sëbashku me partnerët tanë të NATO-s ne do të çmojmë në se presidenti Millosheviç i pason fjalët me vepra. Dhe nëqoftë se këtë herë z. Millosheviç nuk do t’i kthejë zotimet në realitet, ne do të mbetemi në gatishmëri për të marrë aksione ushtarake. Amerika ka një interes të drejtpërdrejtë për ta ruajtur paqen në Europë, përpara se aktet e izoluara të dhunës të kthehen në luftra në shkallë të gjerë.

13shkurt 1999.

Pse paqja në Kosovë ka rëndësi për Amerikën.

(Presidenti Klinton në fjalimin e së shtunës në radio.) Amerika nuk mund të ishte kurrë e sigurtë në qoftë se e ardhmja e Europes do të ishte e dyshimtë. Në këtë dekadë, konfliktet e dhunshme etnike në  ish-Jugosllavi kanë kërcënuar stabilitetin dhe të ardhmen e Europës. Gjatë katër vjetëve, Bosnja u bë epiqendra e luftës më të përgjakshme gjatë këtij gjysmëshekulli në Europë. Por Bosnja na dha një mësim: po nuk e mposhtëm dhunën në këtë rajon të brishtë, ajo do të çojë në një dhunë edhe më të madhe, të cilën do të na duhet ta mposhtim me një kosto më të madhe. Këtë mësim duhet ta kemi parasysh edhe për Kosovën. Në vitin 1989 , Serbia i hoqi Kosovës autonominë. Një vit më parë, forcat serbe ndërmorën një shtypje të egër kundër shqiptarëve etnikë të Kosovës. Luftimet dhe mizoritë erdhën duke u intensifikuar dhe qindra-mijëra njerëz u shpërngulën nga shtëpitë e tyre. Në qoftë se konflikti vazhdon, ka shumë të ngjarë të shkaktohen humbje të jashtëzakonshme në jetë njerëzish, por edhe dyndje masive të refugjatëve në qendër të Europës. Ekziston një rrezik serioz që armiqësitë të shpërndahen në demokracitë e reja fqinje, në Shqipëri dhe Maqedoni, si dhe të rindizet konflikti në Bosnjë. Ai mund të përfshijë madje edhe aleatët tanë të NATO-s, Greqinë dhe Turqinë. Koha për ta ndaluar luftën është pikërisht tani.

24 mars 1999.

Ne do t’i japim fund tragjedisë.

(Fjalim i Presidentit Klinton, drejtuar kombit amerikan, për goditjet ajrore të NATO-.)

Sot Forcat tona të Armatosura, së bashku me aleatët tanë të NATO-s morën pjesë në goditjet ajrore kundër forcave serbe, të cilat janë përgjegjëse për brutalitetin e ushtruar në Kosovë. Ne po i ndërmarrim këto veprime për të mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm në Kosovë nga një ofensivë ushtarake në rritje. Ne po i marrim këto veprime për të asgjësuar një fuçi baruti në zemër të Europës, e cila më parë ka shpërthyer dy herë gjatë këtij shekulli, me pasoja katastrofike. Sonte do flas për tragjedinë në Kosovë, por edhe se pse është e rëndësishme për Amerikën që ne të punojmë së bashku me aleatët tanë për t’i dhënë fund tragjedisë. Kosova është një krahinë në mes të Evropës Juglindore, 160 milje në lindje të Italisë. Popullsia e saj përbëhet kryesisht nga shqiptarë etnikë, shumica myslimanë.Në vitin 1989, udhëheqësi i Serbisë, Sllobodan Millosheviç , po ai udhëheqës që, në dekadën e fundit, filloi luftrat në Bosnjë e Kroaci, të cilat shkaktuan një ç erek milioni të vrarë dhe më shumë se 2 milion refugjatë dhe ndërmori veprime edhe kundër Sllovenisë, i hoqi Kosovës autonominë kushtetuese, që gëzonte populli i saj, duke i mohuar kështu të drejtën për të folur gjuhën e tij, për të pasur shkollat e tij, për të drejtuar jetën e tij të përditshme.Për vite me radhë , kosovarët kanë luftuar paqësisht për t’i rifituar të drejtat e tyre.Kur Presidenti Millosheviç dërgoi trupat dhe policinë për ta shtypur atë popull, lufta mori përmasa të dhunshme. Javën e kaluar udhëheqësit kosovarë e nënshkruan marrëëveshjen e Rambujesë. Edhe pse ajo nuk u jep atyre gjithçka që ata duan, edhe pse populli i tyre vazhdonte të masakrohej, ata e kuptuan se një paqe e drejtë është më e mirë se një luftë e gjatë dhe e pamundur për t’u fituar. Kurse udhëheqësit serbë nuk pranuan as të diskutonin disa elementë kyçe të marëveshjes. Ndërsa që kosovarët i thanë “po” marrëveshjes së paqes, Serbia vendosi 40 000 trupa dhe 300 tanke në Kosovë e përqark Kosovës, në përgatitje për një ofensivë më të madhe, në kundërshtim të hapur me zotimet që kishte bërë. Tani serbët kanë filluar të lëvizin nga një fshat në tjetrin, duke bombarduar civilët e duke u vënë zjarrin shtëpive në Kosovë. Ne kemi parë sesi ata marrin njerëz të pafajshëm nga shtëpitë e tyre duke i detyruar të ulen në gjunjë për tokë e duke i grirë me plumba, burra kosovarë që i marrin zvarrë duke i ndarë nga familjet, duke i vënë baballarët e djemtë në një radhë e duke i pushkatuar me gjakftohtësi. Kjo nuk është luftë në kuptimin tradicional. Ato janë sulme me tanke e artileri kundër njerëzve të pambrojtur, udhëheqsit e të cilëve tashmë e kanë dhënë miratimin e tyre për paqen. Dhënia fund e kësaj tragjedie është një imperativ moral.Ne duhet të veprojmë që, ajo që ndodhi në Bosnjë, të mos ndodhë edhe në Kosovë.

Gjatë muajve të fundit ne bëmë gjithçka që mund të bëhej për ta zgjidhur këtë problem paqësisht. Sekretarja Ollbrajt ka punuar pa u lodhur për arritjen e një marrëveshjeje me bisedime. Por zoti Millosheviç nuk pranoi. Të dielën, unë dërgova ambasadorin Hollbruk në Serbi për t’ia bërë edhe një herë të qartë në emër të Shteteve të Bashkuara dhe të aleatëve tanë të NATO-s, se ai duhet t’i respektojë angazhimet e veta dhe ta ndalojë represionin, përndryshe do të ndodhet përballë aksioneve ushtarake. Por ai përsëri nuk pranoi. Sot së bashku me 18 aleatët tanë të NATO-s, ramë dakord të bënim atë që kishim thënë, atë që duhet bërë për të rikthyer paqen.Të frenojmë një ofensivë edhe më të përgjakshme kundër civilëve të pafajshëm në Kosovë dhe nëse është e nevojshme të dëmtojmë  seriozisht aftësinë ushtarake të Serbisë, për të pamundësuar dëmtimin e njerëzve në Kosovë. Në këto çaste, vendosmëria jonë është e vetmja shpresë për njerzit e Kosovës, që ata të mund të jetojnë në vendin e tyre pa pasur frikë për jetën e tyre. Të mos harojmë : u kërkuam atyre  që ta pranonin paqen dhe ata e bënë, u kërkuam të na premtonin se do t’i  ulnin armët dhe ata ranë dakord. Kështu që tani nuk mund t’i lëmë të zhgënjyer. Tashmë forcat serbe kanë kryer inkursione plaçkitëse në Shqipëri, prej nga kosovarët kanë marrë mbështetje.

28 mars 1999.

Do të ndalojmë barbarinë.

(Fjala e Presidentit Klinton përpara nisjes për në Camp David.) Të gjithë amerikanët duhet të jenë shumë krenarë  për aftësinë dhe guximin e ushtarakëve amerikanë, që morën pjesë në operacionin e shpëtimit dje në Kosovë në misionin e NATO-s. Unë e mbështes fuqimisht vendimin e djeshëm të Sekretarit të Përgjithshëm, Solana, për të kaluar në një fazë të re të fushatës sonë të planifikuar ajrore. Gjatë 24 orëve të fundit, unë kam qënë në kontakt të ngushtë me aleatët kryesorë të NATO-s, përfshirë Kryeministrin Bler, Presidentin Shirak, Kancelarin Shrëder dhe Kryeministrin D’Alema. Të gjithë ata ndajnë vendosmërinë që kemi edhe ne për t’iu përgjigjur fuqimisht fushatës së vazhduar të barbarisë e të dhunës nga ana e zotit Millosheviç  kundër popullit shqiptar të Kosovës.

31 mars 1999.

50 milion USD shtesë për refugjatët kosovarë.

( Njoftim i Shtëpisë së Bardhë.) Presidenti Klinton ka autorizuar një shtesë prej  50 milion USD për të ndihmuar refugjatët e konfliktit  të Kosovës, bëri të ditur Sekretari i Shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Xhou Lokhard, në njoftimin për gazetarët. Paratë do të përdoren për furnizimin me çadra, ilaçe, mjete transporti e strehë për refugjatët, tha ai. Përveç kësaj, Agjensia e SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar po dërgon në Shqipëri një ekip të ndihmës emergjente për raste fatkeqësish dhe nevojat në rritje të refugjatëve në këtë rajon. Në një fjalim të mbajtur në një darkë më 30 mars në Vashington, përpara një grupi të industrisë elektronike, Klintoni foli për situatën në Kosovë. Ky brutalitet i tmershëm që po ndodh në Kosovë nga forcat e Millosheviçit kundër shqiptarëve është përsëritje e asaj që ndodhi jo shumë kohë më parë në Bosnjë. Është vërtet një realitet i trishtuar që në prag të mijëvjeçarit të ri ka ende njerëz që çrrënjosin masivisht civilë të pafajshëm nga vatrat dhe shtëpitë e tyre dhe i vrasin në masë, tha Klinton.

5 prill 1999.  Të vazhdojnë goditjet ajrore të pamëshirshme.

(Fragmente nga transkripti i Shtëpisë së Bardhë.)Dua të flas sot për disa momente mbi situatën në Kosovë.Fushata ajrore po vazhdon. Ne jemi duke goditur fuqishëm makinerinë serbe të dhunës, ndërkohë që po bëjmë përpjekje të kujdesshme që të minimizojmë dëmet tek njerzit e pafajshëm. Forcat serbe , në anën tjetër, vazhdojnë sulmet e tyre të vetëdijshme dhe sistematike kundër civilëve në Kosovë , të cilët nuk janë për asgjë tjetër fajtorë përveç se që janë shqiptarë. NATO-ja do ta vazhdojë fushatën ajrore. Ajo do të jetë e plotë, e vazhdueshme dhe e pamëshirshme. NATO-ja duhet të jetë e vendosur për t’i prerë naftën Millosheviçit. Ajo do t’i shkaktojë dëme të atilla, që ai të ndryshojë llogaritë e tij, Nato-ja do ti zvogëlojë aftësitë e tij për të mbajtur dhe imponuar kontrollin e tij mbi Kosovë. Sa i përket sulmeve ajrore ne jemi të përgatitur për rrugë të gjatë.Plani ynë është që të ngulim këmbë derisa të dalim fitues. Para se të fillonte ofensiva serbe, ne ndamë 36 500 tonë ushqime në rajon, e mjaftueshme që të ushqehen një gjysëm milioni njerëz për tre muaj.Ne jemi zotuar për 50 milionë dollare të tjerë, mbi 100 milionë dollare që ne i kemi siguruar para krizës aktuale. Gjithashtu, me urgjencën tonë, NATO-ja ka vënë në punë 11 000 trupa në Maqedoni për tu marrë me krizën humanitare. NATO është duke planifikuar që të vendosë disa mijra trupa në Shqipëri, jo vetëm për të siguruar ushqim, por edhe për të ofruar siguri për operacionet e ndihmave. Ne kemi filluar të dërgojmë 500 000 racione ditore për refugjatët në Shqipëri, i pari nga të  cilët ka arritur në Tiranë dje. Qëllimi ynë imediat është që t’u sigurojmë ndihmë. Qëllimi ynë afatgjatë është t’u japim atyre të drejtën për t’u kthyer në shtëpitë e tyre.

15 prill 1999.

Në Kosovë vendoset e ardhmja e shekullit të ri.

(Fragmente nga komentet e Presidentit Bill Klinton drejtuar Shoqërisë Amerikane të Reporterëve të Gazetave lidhur me situatën në Kosovë.)

Sot në Beograd gazetarët e pavarur persekutohen. Këtë javë u vra një redaktor i guximshëm.Ndërkohë shtypi i drejtuar nga qeveria i thotë popullit serb se ushtarët serbë nuk kryejnë  mizori në Kosovë. Tragjedia në Kosovë është pasojë e një sulmi të parapërgatitur me kujdes dhe të menduar gjatë kundër një populli të tërë, thjesht për arsye të përkatësisë etnike e fetare të tij. Pikërisht këtë ka bërë Millosheviçi që kur filloi shpërbërja e Jugosllavisë në vitin 1989. Gjatë një dekade, ai është përpjekur të ndërtojë një Serbi të Madhe, duke përdorur forcën ushtarake. Këtë ka bërë  ai në Kroaç i, e në mënyrë të tmerrshme edhe në Bosnjë, dhe këtë po bën edhe tani në Kosovë. Vitin e kaluar ai dëboi qindra-mijëra njerëz nga shtëpitë e tyre në Kosovë, duke i detyruar të qëndronin nëpër male në kushtet e ngricës, tani është i vendosur ta kthejë Kosovën në një shkretëtirë pa jetë. Por është e rëndësishme të kujtojmë se ne nuk kemi asgjë me popullin serb, ai ishte aleati ynë në Luftën e Dytë Botërore, ai ka qënë shpesh aleati ynë. Në një kuptim, edhe  ai është viktimë e tragjedisë. Ne, së bashku me aleatët tanë të NATO-s ndodhemi sot në Kosovë sepse duam të ndalojmë masakrën dhe spastrimin etnik, sepse duam të ndërtojmë një Europë të qëndrueshme, të bashkuar, të begatë, që të përfshijë Ballkanin dhe fqinjët e tij, pa urrejtje etnike, racore e fetare. Ne nuk mund të rrijmë e të bëjmë sehir se si qindra-mijëra njerëz trajtohen barbarisht, vriten, përdhunohen, dëbohen me forcë nga shtëpitë e tyre, se si shuhen historitë e familjeve të tyre në emër të krenarisë e të pastërtisë etnike. Sikur të kishim qëndruar mënjanë, barbaritë në Kosovë do të vazhdonin, shqiptarët kosovarë do të ktheheshin në një popull pa atdhe, në një barrë për vendet mikpritëse dhe një terren për luftra të pa fundme në Ballkan. Nato-ja, po se po, do të diskretitohej që bëri premtime që nuk i mbajti, vlerat dhe vizioni i saj për Evropën do të dëmtoheshin rëndë. Strategjia e z. Millosheviç  është ndërtuar mbi synimin për të përfunduar spastrimin etnik e pastaj për të përçarë unitetin e NATO-s. Jemi të vendosur t’i vazhdojmë e t’i forcojmë sulmet derisa forcat e z.Millosheviç  të largohen nga Kosova dhe refugjatët të kthehen nën mbrojtjen e një force ndërkombëtare ose derisa ushtria e tij të dobësohet deri në atë pikë sa ai të mos jetë në gjendje ta mbajë Kosovën si në darë. Ndërkohë veprimet e z. Millosheviç  nuk e kanë shkatëruar qëndresën e armatosur të kosovarëve. Madje, numri dhe vendosmëria e tyre po rritet.

Ç’është e vërteta për pjesën më të madhe të historisë sonë, ne e kemi mbajtur në gjoks parimin e mosndërhyrjes si një emblemë nderi, duke u nisur nga paralajmërimi i Xhorxh Uashingtonit kundër  „aleancave të kokolepsura‘‘. Shekulli  XX  na e ndryshoi plotësisht këtë qëndrim. Angazhimi ynë  gjithnjë në rritje me pjesën tjetër të botës jo për përfitime territoiale, por për paqen, lirinë e sigurinë, përbën një fakt të historisë së kohëve të fundit. Tani, në fund te shekullit XX , ne po përballemi me një betejë të madhe midis forcave të integrimit dhe forcave të dizintegrimit, forcave të globalizmit kundër forcave të shpirtit fisnor, forcave të shtypjes kundër lirisë së veprimit. Shpërthimi fenomenal i teknologjisë, përfshirë dhe atë të armatimit modern, mund të jetë shërbëtor i secilës anë , ose i të dyjave. Ironia e ditëve tona, siç  më duket mua, është kjo: Shumica prej nesh kanë një vizion për botën e shekullit XXI si bota e triumfit të paqes, e begatisë dhe e lirisë vetjake, e respektit për integritetin e pakicave etnike, ra- core e fetare brenda një kuadri të vlerave të përbashkëta, pushteti të përbashkë dhe bollëku të përbashkët, duke formuar një kauzë të përbashkët kundër sëmundjeve dhe keqësimit mjedisor, kundër tmerrit, krimit të organizuar dhe armëve të shkatërimit në masë. Ky vizion madhor, për ironi, kërcë- nohet nga demoni më i vjetër i shoqërisë njerëzore – pambrojtshmëria jonë nga urrejtja e tjetrit, e atyre që nuk janë si ne. Përballë kësaj ne nuk mund të rrimë indiferentë qoftë brenda vendit tonë, qoftë jashtë tij. Kjo është arsyeja përse ndodhemi në Kosovë. Ne ndodhemi në Kosovë sepse kujdesemi për të shpëtuar jetët e njerëzve, kujdesemi për natyrën  e botës multietnike pas Luftës së Ftohtë. Kush do ta mbrojë të ardhmen e kësaj pjese të botës ? Kush do ta ofrojë modelin se si njerëzit që kanë dalë nga komunizmi të mund t’i zgjidhin problemet e tyre legjitime? Do të jetë ky Millosheviçi, me makinën e tij propagandistike dhe me gangsterët e tij paraushtarakë, që u thonë njerëzve të largohen nga vendi i tyre, nga historia dhe toka e tyre ose përndryshe do të vdesin.

28 prill 1999.    Do ta ndalim tërbimin e Millosheviçit.

(Komentet e Presidentit Klintonit mbi bisedimet për Kosovën me një delegacion të Kapitol Hillit, Shtëpia e Bardhë, Zyra e Sekretarit për Shtyp.) Sapo bëra një takim të këndshëm me një delegacion të madh dypartiak nga të dyja dhomat e Kongresit lidhur me Kosovën. Ishte takimi ynë i katërt që nga fillimi i goditjeve ajrore. Folëm për samitin e NATO-s, për unitetin e saj dhe për vendosmërinë për arritjen e objektivave tanë në Kosovë, për përparimin e fushatës sonë ushtarake dhe për intensifikimin e sanksioneve tona ekonomike, për sfidën humanitare që kemi përballë e për punën që po bëjmë së bashku me aleatët për ta përballuar. Koordinatori ynë për punën humanitare, Brajën Atud, i cili sapo është kthyer nga rajoni i Ballkanit na trgoi për një grua të moshuar shqiptare, të cilën e kishte takuar në një kamp jashtë Tiranës. Ajo kishte parë se si autoritetet serbe kishin mbledhur tok meshkujt e familjes së saj, së bashku me shumicën e burrave të fshatit, si i kishin lidhur, si u kishin hedhur vajguri e si u kishin vënë zjarrin përpara syve të familjeve të tyre. Kjo politikë e Milosheviçit duhet asgjësuar dhe do të asgjësohet. Ky ishte edhe  mesazh i qartë i samitit të NATO-s. Çdo ditë fushata jonë ushtarake po i shkakton humbje të rënda makinerisë represive të Serbisë.

(Vijon)

Share This Article
2 Comments
  • Presidenti CLINTON èshtè personalitet i jashtzakonshèm, misionar i paqes, si askush tjetèr pas Luftès II Botèrore bèri mè tè mirèn e tijè nè lidhje me Paqen nè Europè. Mbrojts i flaktè i tè Drejtave tè Njeriut dhe mbi tè gjitha i pari qè as nuk mbahet mènd qè nga koha e Skènderbeut qè ju gjend shqipètarève nè ditèt mè tè vèshtira kurrè mè parè. Qoftè Lèvdue B:CLINTON!

  • Pa Bill Klinton, askush nuk mund te thote me siguri se ne cfare homnere do te kishte perfunduar fati I kombit shqiptar. Kjo eshte aksiome!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *