Nga Prof Nasho Jorgaqi
Kur janë shfaqur për herë të parë emrat e krijueseve femra në analet e letërsisë shqipe? Një pyetje kjo që më ka lindur e më ka ngacmuar prej vitesh. Në fillim u shtyva larg, u hodha në kohën e Rilindjes. I kërkova në letërsinë arbëreshe, si një letërsi e kultivuar më herët, por nuk i ndesha. Edhe një emër gruaje që hasa, siç ishte ajo e Kristina Xhentile Mandalas (1856-1919), më rezultoi mbledhëse e botuese përrallash arbëreshe. Por një veprimtari e kësaj natyre bëhej në fshehtësi jo vetëm për shkak të fanatizmit e analfabetizmit, por dhe të prapambetjes sociale. Në këto vite mund të flasim vetëm për një letërsi gojore anonime. Gruaja shqiptare, e njohur dhe e çmuar botërisht në rastet më të mira për bukurinë fizike dhe botën shpirtërore, për karakterin dhe personalitetin e veçantë, s’kishte si të mos krijonte brenda mjedisit të saj të ngushtë, të thurte vargje në moshën e dashurisë, të këndonte këngë djepi si nënë, të vajtonte me ligje, të rrëfente përralla si gjyshe. Një realitet ky i mbyllur në vetvete, por që do të mëkonte e përcillte brezat në formimin e tyre.
Kjo letërsi që do të kthehej në objekt gjurmimi, mbledhjeje dhe studimi nga folkloristë dhe antropologë, do të ishte thjesht gojore dhe anonime dhe as që bëhej fjalë për individualitete letrare, për një letërsi të kultivuar që do të shihte dritën e shtypit. Shoqëria shqiptare, sidomos në dy dekadat e para të mëkëmbjes së shtetit shqiptar, me prapambetjen, padijen dhe varfërinë, nuk tregonte asnjë lloj interesi për botën kreative të femrës shqiptare, sidomos të letërsisë. Por nga kërkimet e bëra rishtazi në qarqet letrare të diasporës arbëreshe na rezulton se në Kalabri është botuar në vitin 1917 një përmbledhje modeste me vjersha arbërisht nën titullin “Canti” me autore Maria Antonia Braile. Një vepër që s’pati përhapje e as jehonë jo vetëm në atdheun e të parëve, por as në mjediset arbëreshe. Ajo ka mbetur kryesisht si një libër me vlerë dokumentare. Kurse në Shqipëri duhej të pritej mesi i viteve 30 të shekullit XX, kur shkolla shqiptare po arsimonte dhe edukonte brezat e rinj, ku përfshiheshin natyrisht dhe vajzat. Ishte koha kur në qytetet kryesore po ndjehej një lloj emancipimi dhe veçanërisht kur në vendin tonë po lindte lëvizja feministe dhe gruaja po përpiqej brenda mundësive të saj të kufizuara për të drejtat e veta. Tamam në këto vite do të kemi dhe manifestimin publik të zërave të parë femërorë në letërsinë shqipe. Është shumë e rëndësishme të themi që kjo dukuri qe shprehje e vetvetishme e vetë vajzave shqiptare, një nevojë e brendshme për të shprehur publikisht mendimet e tyre. Në këtë ndërmarrje të guximshme do të ndikonin elementët revolucionarë dhe demokratë, si dhe shtypi progresist, që i nxiti dhe i mirëpriti shkrimet e para të atyre pak talenteve që morën kurajën të ballafaqohen me lexuesin. Rrugën e tyre për te letërsia do ta hapte dhe sheshonte edhe publicistika që lëvronin disa gra të cilat militonin në përpjekjet emancipuese të femrës shqiptare me artikujt e tyre, siç qenë Ollga Plumbi, Milla Vangjeli etj.
Kështu, në faqet e gazetës “Populli” të 28 nëntorit 1935, 80 vjet më parë, u botua vjersha “Vala gënjeshtare”, që nënshkruhej jo me emër të vërtetë, por me pseudonimin Kolombja. Publikimi i kësaj vjershe femërore u kthye menjëherë në ngjarje. Jo vetëm tërhoqi vëmendjen dhe u pëlqye, por ngjalli dhe habi, bile dhe skepticizëm. Nuk besohej se e kishte shkruar një vajzë, përkundrazi, mendohej se pas saj fshihej një lojë mashkulli. Por dolën menjëherë intelektualë që e morën në mbrojtje dhe e përshëndetën. Poeti Gjergj Bubani, në vjershën që shkruan me këtë rast, e quan “lule e vetme që sjell pranverë në shtypin tonë” dhe i bën thirrje: “Dil në shesh, moj motër. Dhe shpallu fare fora të të shohim.” Kurse gazetari Fiqiri Llagami do t’i drejtohej opinionit se “Kjo vajzë është flamurtarja e evolucionit tonë, që me punën e vet don me rrëxue nji shkamb, që ka tabelën e veseve të këqija shqiptare.”
Dhe nuk vonoi e u mor vesh se prapa Kolombes fshihej një vajzë 17 vjeçare nga Gjirokastra me emrin Selfixhe Ciu (1918-2003). Pas botimit të vjershës së parë, ajo do të ishte autore e një vargu vjershash e skicash letrare që publiku do të lexonte në organet e kohës, si “Shtypi”, “Java”, “Diana”, “Drita” e veçanërisht revista “Bota e re”. Kolombja do të bëhej zëdhënësja e gruas shqiptare, do të kërkonte të drejtat e saj, do të shprehte revoltën e saj, do të përcillte ëndrrat e saj. “Kjo kënga ime/ – këndonte ajo – /Do të këndojë hove lirije/Do të derdhet plot buçimë/Nëpër brenga njerëzie.”
Vetë titujt e vjershave dhe skicave të saj flasin për tematikën e mprehtë sociale që trajton, si “Shqetësim”, “Shpresa e zhdukur”, “Vajzëria”, “Mërgimtari”, “Ditë pazari”, “Vetmitari”, “Gabimi i të riut” etj. Në faqet e revistës “Bota e re” ajo do të shpallë me guxim kushtin që gruaja shqiptare i vë shoqërisë me fjalët: “Asgjë nga femra mos prisni, pa i falur lirinë e saj të plotë.”
Zërit poetik të vajzës gjirokastrite do t’i bashkohej ndërkaq zëri i vajzës shkodrane Luçie Sereqi (1910-1993), që nënshkruan vjershat e saj me pseudonimin Lux Secreta. Ajo bashkëpunon me revistat “Cirka”, “Shkëndija” e përgjithësisht me shtypin shkodran, si një zë vetmitar poetik ne mes korit të poezisë mashkullore të kryeqendrës së Veriut. Vargjet e saj pasqyrojnë botën shpirtërore të vashave shqiptare, aspiratat liridashëse, ëndrrat për një jetë të denjë, të dhëna këto nëpërmjet një fryme lirike dhe vargjesh delikate.
Një firmë tjetër femërore u shfaq në botën letrare shqiptare në vitet 30-40 të shekullit të kaluar. Ishte emri i Jolanda Kodrës (1912-1963), një vajzë italiane, që e bëri Shqipërinë atdheun e saj të dytë. Ajo do të shkruante poezi jo vetëm në gjuhën e Dantes, por dhe në gjuhën shqipe. Vargje me nivel, lirika me motive filozofike dhe të natyrës, por dhe poezi patriotike, siç janë vjershat “Shqipërisë” dhe “28 nëndori”. Veç poezisë, ajo u çmua dhe si kritike letrare, duke dhënë mendime me vlerë kryesisht për autorë e vepra të letërsisë shqipe, disa nga të cilat do t’i përkthente në gjuhën italiane. Poezitë dhe artikujt e saj letrarë i botoi në shtypin e kohës, si revistat “Njeriu”, “Shkëndija”, “Kultura islame”, “Hylli i dritës”, “Fryma” etj.
Por talenti letrar nga bota femërore shqiptare, që spikati përmbi të gjitha simotrat e saj dhe bëri emër në letërsinë shqipe, ishte ai i Musine Kokalarit (1917-1983). Një vajzë intelektuale e ditur dhe e zgjuar, me dhunti dhe interesa të gjera, nga të paktat që kreu studimet universitare. Edhe ajo debutoi në letërsi me vjersha dhe skica letrare të botuara në gazeta dhe revista, si “Shtypi”, “Diana”, “Java”, “Tomori i vogël” etj. Por ajo nuk u mjaftua me kaq, mbasi qe e vetmja nga shoqet që do të dilte para publikut shqiptar me libra. Kështu, brenda pak viteve, do të botonte veprat “Siç më thotë nënua plakë” (1939), “Sa u tunt bota” (1944) dhe “Rreth vatrës” (1944). Ishin këto vepra në prozë, me një vokacion krejt të veçantë, të frymëzuara e të ngritura me lëndë jetësore nga qyteti i vendlindjes. Qenë rrëfime folklorike mbi jetën dhe zakonet gjirokastrite, me psikologjinë dhe mendësinë e saj, me pasurinë gojore, shkruar me të folmen plot kolorit të qytetit të gurtë. Ky realitet është dhënë brenda kornizës familjare, ku në qendër vihet figura e gruas, me individualitetin e saj, sa e virtytshme aq dhe dinjitoze, sa e mençur aq dhe punëtore, një familjare e shkëlqyer. Të gjitha këto autorja i ka shkruar me dashuri e njohje të thellë, me vërtetësi që zgjojnë jo vetëm emocione, por përbëjnë shembullin e një proze folklorike dhe etnografike. Janë këto arsyet që veprat e Kokalarit u mirëpritën nga lexuesit dhe u vlerësuan nga autoritetet letrare si L. Poradeci e M. Kuteli.
Musine Kokalari lëvroi gjithashtu me sukses edhe poezinë, disa prej të cilave i botoi në shtypin e kohës. La në dorëshkrim përmbledhjen poetike “Kolla e vdekjes” që, siç e tregon dhe titulli, trajton kryesisht temën sociale të lidhur ngushtë me jetën dhe pozitën e rëndë të gruas në shoqërinë shqiptare. Me gjithë frymën pesimiste, ajo ka një gamë të gjerë motivesh që denoncojnë padrejtësinë dhe mjerimin, që shprehin revoltën dhe bëjnë thirrje për qëndresë, duke e kthyer poezinë e saj në një akuzë kundër shoqërisë fanatike e të prapambetur.
Musine Kokalari është e vetmja nga katër zërat e parë femërorë që u dëgjua gjerësisht në letrat shqipe dhe që hyri dhe mbeti në historinë e saj. Një emër që mori vlera e fitoi respekt jo vetëm për veprat e çmuara që na la, por dhe për martirizimin që pësoi gjatë regjimit komunist.
Për fat të keq, krijimtaria e saj dhe e tre shoqeve në vitet e pasluftës u ndërpre. Ajo kohë s’ishte e tyre, por ato kanë meritën që i çelën së pari rrugën vajzave dhe grave shqiptare për në botën e bukur të artit të fjalës.
Duhet të kalonte më se një dekadë, që të dilte në dritë libri i parë me emrin e një gruaje. Dhe ky qe vëllimi me tregime “Zemër e dëlirë” e Arsinoi Binos, botuar në vitin 1961. Dy vjet më vonë erdhi përmbledhja poetike “Ëndrra vashërie” e Adelina Mamaqit (1963), për t’u pasuar nga përmbledhja tjetër “Mos e këndo atë këngë” e Lavdie Lekës (1965). Proza e gjatë dha provën e parë me novelën “Shuaje dritën Vera” të Elena Kadaresë (1966), për të vijuar me vëllimin poetik “Era e revolucionit” të Klara Kodrës (1968), me prozat “Tregime për ty” të Eglantina Mandisë (1969) dhe “Telashet e emancipimit” të Rozi Theoharit (1969).
Vitet 70 do të sillnin prurje të tjera letrare femërore, autore të talentuara dhe vepra me vlera të reja artistike, si Vllasova Musta me përmbledhjen poetike “Pa kopertinë” (1970), Natasha Lako me “Marsi brenda nesh” (1972), Beatriçe Balliçi me “Kush m’i fali manushaqet (1972), Shpresa Vreto me “Ajo ishte këngë për mua” (1973), Feride Papleka me “Ëndrrat dhe fishekzjarrët” (1974), Vangjeli Çomora me “Balona” (1975), Vojsava Nelo me “Kur çelin ëndrrat” (1977), Dhurata Bozdo me romanin “Përballë dallgëve” (1979).
Në vitet 80 do të debutojnë të tjerë emra, si Diana Çuli me vëllimin “Jehonat e jetës” (1982), Elsa Ballauri me përmbledhjen poetike “Mëngjes” (1983), Mimoza Ahmeti me “Bëhu i bukur” (1986), Natasha Bega me “Lirika” (1988) etj.
Përmbysja social-politike e viteve 90 solli shpërthime talentesh të reja në fushën e letërsisë nga radhët e vajzave dhe grave shqiptare. Ato do të lëvronin në të gjitha gjinitë letrare, nga poezia te romani. Në botën tonë letrare hynë poetesha dhe prozatore që krijuan vepra në kushtet e fjalës dhe mendimit të lirë, me praktika dhe mjete shprehëse novatore, që përbëjnë një kontribut shumë të çmuar të talenteve femërore në etapën e re të letërsisë shqipe.
Kjo letërsi u përfaqësua me emra të rinj, si Lindita Arapi me vëllimin “Prelude poetike” (1990), Luljeta Lleshanaku me përmbledhjen poetike “Sytë e sonambulës” (1992), Mira Meksi me “Planetin e ngrirë” (1992), Flutura Açkaj me “Tre vjeshta larg” (1993), Mimoza Erebara me “Për të shoqëruar një shpresë” (1993), Rita Petro me “Vargje të përfolura” (1994), Luljeta Danaj me “Sipas flokëve të plakave” (1994), Brunilda Zllami me romanin “Dashuri apo urrejtje” (1996), Meri Lalaj me “Kapërcyell” (1996), Ledia Dushi me “Ana Maria bahet lot” (1997), Elvira Dones me romanin “Dashuria e huaj” (1997), Albana Mlyshi me “Kafe Shkodra e Nju Jorkut” (1998). Në këtë kohë do të botojnë librat e tyre të parë dhe Besa Myftiu e Ornela Vorpsi.
Ky është në përgjithësi bilanci i krijimtarisë letrare të vajzave e grave shqiptare, zhvilluar kryesisht në shekullin e njëzetë. U ndalëm në kufijtë kohorë të këtij shekulli, duke marrë shkas nga 80 vjetori i botimit të vjershës së parë të një vajze shqiptare. Një ngjarje kjo e shënuar në letërsinë dhe kulturën tonë kombëtare, që po e përkujtojmë me nderim në ditën tradicionale të festës së gruas.
Motrat Qiriazi, dallëndyshet e para, jo vetëm në arsim, por edhe në letërsi
Nga fundi i Rilindjes u dukën emrat e dy intelektualeve të para në jetën shqiptare. Këto qenë motrat Qiriazi, Sevasti Qiriazi-Dako (1871-1949) dhe Parashqevi Qiriazi (1880-1970) që ngritën shkolla shqipe, hartuan tekste shkollore, nxorën revistën “Ylli i mëngjezit” në SHBA. Prej tyre do të kemi vargjet e para , siç qe teksti i himnit të Kongresit të Manastirit, hartuar nga Parashqevi Qiriazi, apo tekstet e këngëve shkollore, të shkruara nga Sevasti Qiriazi. Ishin këto sprova premtuese, kryesisht shkrime me nota didaktike e frymë patriotike që i shërbyen shkollës shqipe në hapat e saj të para, por qenë dhe përpjekje fillestare për të shkruar letërsi modeste në vargje apo skica të thjeshta letrare. Një dukuri kjo aso kohe jo vetëm atdhetare, por dhe kulturore dhe sociale në qytetet kryesore si Korça, Shkodra, Elbasani, Gjirokastra, Vlora.
Buna dhe Drini, jo si tani, por në shtratet e vjetër
Në një nga hartat Vincenzo Maria Corornelli-t , e vitit 1688, tregon rrjedhën e lumenjve Bunë dhe Drin në Dalmaci. Kjo hartë ka vlera të jashtëzakonshme për studimet albanologjike, sepse jo vetëm se jep rrjedhën e lumenjve Bunë dhe Drin që sot kanë ndryshuar shtratin, por ka vlera shumë të mëdha edhe historike. Ajo na ofron gjithë toponiminë e këtij territori, domethënë qytete të ndryshme apo fshatra, le të përmendim këtu qytete si Shkodra, Ulqini, Tivari, etj.
Për herët të parë ndeshet Terana (Tirana)
Në hartat e Corornellit për herë të parë ndeshet toponomia Terana (Tirana). Si dhe në hartën e veriut të Shqipërisë dhe të Dalmacisë, edhe në këtë hartë jepen të dhëna statistikore, demografike si p.sh sa shtëpi janë të besimit mysliman, sa të tjera që i përkasin të besimit katolik, apo ortodoks, apo sa prej tyre janë shqiptarë, gjithashtu jepen edhe të dhëna që lidhen me lundrimin apo me tërmetet që kanë rënë.
Vicenzo Corornelli dhe Shqipëria mesjetare
Vincenzo Maria Corornelli, njihet ndryshe si Padër Vicenzo Maria Coronelli. Lindi më 1650 dhe vdiq më 1718. Ishte murg venecian, gjeograf, hartograf, shpikës, printer, i pari që krijoi maketin e globit tokësor dhe qiellor. Dy globe të tillë janë krijuar për Luigjin e XIV në pallatin e Versajës në Francë në vitin 1683. Coronelli vetë jetoi shumicën e jetës së tij në Venecia, në manastirin e Santa Maria dei Frari Gloriosa, ku ai themeloi Accademia degli Argonauti, që konsiderohet si një nga shoqëritë më të vjetra gjeografike në botë. Ai ishte edhe shkrimtar palodhur dhe botues. Në vitin 1690 botoi Coronelli Veneto Atlante, i cili konsiderohet atlasi parë gjeografik i prodhuar në Itali. Nga ai ka ngelur një koleksion prej 27 hartash dhe dy globe (qiellor dhe tokësor) si dhe një vepër e pa mbaruar mbi stilin modern të gjeografisë.
Harta të trojeve shqiptare
Është i njohur në përgatitjen e hartave regjionale. Hartat e tij, tipike për periudhën kur u përpiluan, janë të pajisura me piktura e vizatime dekorative në pjesët margjinale. Hartat në të cilat pasqyrohen edhe trojet shqiptare, veçanërisht ato të Veriut, janë botuar në veprën 12-vëllimëshe Atlante Veneto (1691-1696). Elementet gjeografike që përmbajnë hartat e Coronelli-t paraqiten me ngjyra të ndryshme, disa prej të cilave përdoren edhe në përmbajtjen e hartave të sotme. Nga autori janë shfrytëzuar të dhënat e nxjerra nga ekspeditat personale, si dhe ato të gjeografëve dhe hartografëve paraardhës. Janë të pajisura me shënime historike, topografike etj., për objekte sociale e kulti dhe elemente të tjerë me rëndësi për formimin e një tabloje të përafërt për objektet e kohës. Bregdeti verior i Shqipërisë pasqyrohet në harta të këtij botimi, për t’u ulur më në jug me Sazanin dhe Pargën. Edhe Kosova, me shtrirjen e saj territoriale dhe të dhënat e saj topografike, gjeografike dhe historike mbetet e pranishme në hartat e Coronelli-t. Në hartën e parë të përmasave të mëdha për Kosovën të titulluar Corso del Danubio da Vienna sino a Nikopoli, paesi adiacenti, ajo identifikohet me emrin Iliricum. Harta përafrohet me vitin 1688 dhe ndodhet në atlasin e përmendur. Kjo hartë paraqet përpjekjen më të hershme të autorit në hartografimin e brendësisë së Europës Juglindore. Më pas hartoi një hartë të së njëjtës shtrirje me një konceptim më real. Në fondin e botimeve albanologjike vepra të Coronelli-t janë edhe “Kujtime historike për Mbretërinë e Moresë së pushtuar nga ushtritë venedikase, për Mbretërinë e Negropontit dhe për vende të tjera…” (Venedik, 1687), botuar po atë vit edhe në gjermanisht dhe ribotuar me disa ndryshime një vit më pas, si dhe “Qytete, fortesa dhe vende të tjera të rëndësishme të Shqipërisë, të Epirit dhe të Livadisë, e veçanërisht ato nën zotërimin e Venedikut” (pa vit botimi), ku në hartën gjeografike “Golfo di Venezia” përfshihet Shqipëria e Veriut. Në vëllim gjejmë një përshkrim historiko-gjeografik të Korfuzit dhe bregdetit të Epirit, të qyteteve të Prevezës dhe Gumenicës, si edhe të kryepeshkopatës së Tivarit gjatë luftrave turko-venedikase.
Informacioni i pasur që sjellin hartat e gjeografit të madh venecian ka vlera për studimet e ndryshme gjuhësore dhe etnografike, gjuhësore për ne shqiptarët, pasi jepet topinimia e vjetër dhe si kanë evoluar sot emrat e lumenjve, të qyteteve, të maleve, fshatrave, etj.

Me *ENCUKLOPEDISTIN Nasho JORGAQi*-zgjahem!
Faleminderit i nderuar Pro. Nasho Joraqi, per kete material shkencor,te virgjer po e quaj, une,edhe pse nje jete mesues Gjeografie,(analfabet sa ju me sillni), sot prag 85 vjetorit lindies, (ne ate VATREN e *Dangellise Naimjane* me Zavalanin *Ballkon*,burim frymezimi per Bijte e mbedhenj te DANGELLISE;*Vellezerit Frasheri* e, *BIJTE e ZAVALANIT*-histori lene,-te njihem me te reja te rralla deri profesionale.
MIRENOHIE i nderuar PENE ARTE.!
Ju faleminderit,me hapet *DRITEN e DIELIT*mua 85 vjecarit,qe po e quaj *NASHO JORGAQI* ,mes TORONTOS se Kanadase. kufi ,Polin verior.
MENGJEZ PERALLOR, me Pr.Nasho Jorgaqin* po e quaj; teksa pi kafene e pare,me mendien; *CDO te SHKRUAJ sot!? dhe Ja,Pr,i nderuar,ma hapet *LIBRIN* tuaj te ralle,po e quaj *ENCIKLOPEDIA JOGAQI* .Faleminderit.
85 vjcari- *Pasues veterani*
Toronto 31-10-2020 Guri Naimit D. po e firmos..
Me fal Pr. deri gabime ortografike,kaloj,
Mendia MARRE me cpo perjetojme!
Zerat e NENAVE,sa zoti dhene frymen;
Sot vetem QAJNE e LOTOJNE…
Me to dhe si ato dhe une, gjysh sot,
Tej oqeanit me lotet e TYRE marre,
Sa ju lexuar e folur..me Ju !si ZOTIT;
Deri kur keshtu,VENDIN do ta LEME…!?
O bij e bija te KOMBIT ngado JENI,
Sakrifikoni gjithcka per TONIN Atdhe!
*85 vjecar jam jo Si Migjeni…
Bejuni *NENE TEREZA e*Shote Galica*!
Me VOTEN vendin SHPETONI!
Atdheu me keq se sot ska qene kurre,
Ndaj: THENIA * OSOT o KURRE* flet!
Mjaft me! degojme e shohim;te PA UDHE
Flasin percat,! si dikur ne PREFEKT…
Harrojne ;ckohe JETOME!
Ai*prefekti*se paku TELALIN nxjerre
Keta jane VETE KRYETELLALLE!
*O Perendi kuje,vetem Ty te KEMI…
Na shpeto,ani fajtore vete JEMI e THEMI:
Deri kur?! keshtu ME…
Prag *TRE NENDOREVE – Dhimbia e MADJE popull !
Ke spiunuar ndonje nga keto more Dragua? Po si nuk ju vjen turp, keni edhe fytyre te dilni ne publik. Kujtoni se do vazhdoni te mashtroni edhe shume kohe? Si jetoni me veten dhe si dilni para femijve tuaj? Apo dhe ata i keni si vetja?
Ua nuk e ke permendur shkrimtaren e madhe Reso nga fshati Worcester, qe e kishe mikeshe te ngushte dhe as te bijen, Rezarten qe u hodh perpjete dhe me ulurima e shpifje u perpoq aq shume te mbulonte mekatet e tua? Mbajeni fort njeri tjetrin, deri ne fund te jetes suaj te ulet dhe mashtruese, Dragoi Nasho!