Enver Kushi
In memoriam Ibrahim D. Hoxha
Ditën e hënë, më 26 tetor 2020, u shua Ibrahim D. Hoxha, që unë do ta quaja antifashistin e fundit të Çamërisë. E them këtë, sepse në takimet dhe bisedat me të ndjerin, ai krenohej me kontributin që kishte dhënë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, duke marrë pjesë që i ri, në rradhët e formacioneve luftarake partizane, veçanërisht në Brigadën VI S. Kur binte fjala për Luftën Antifashiste, këndej dhe andej kufirit, pra edhe në Çamëri, Ibrahim Hoxha, mund të mbante me orë të tëra, duke rrëfyer ngjarje, beteja, të rënët heroikisht në këtë luftë. Ai nuk lejonte askënd ta prekte shënjtërinë e kësaj lufte, apo të trillonte, te tregonin të pavërteta lidhur me të. Më vjen keq, që nuk kam mbajtur shënime nga bisedat apo rrëfimet e tij për Antifashizmin Shqiptar dhe veçmas Antifashizmin Çam. Ai kishte njohur nga afër xhaxhanë, Selman Kushi, rënë në mars të vitit 1945 në Spatar, dhe fliste, jo vetëm me respekt për të, por edhe për kontriburtin e tij si kryetar i Këshillit Antifashist të Spatarit dhe anëtar i këtij këshilli për Filatin. Antifashizmi Çam kërkon studime të thelluara dhe të dokumentuara, sepse ai përbën një nga vlerat e mëdha të Krahinës së Çamërisë.
Historiani dhe kulturologu i kahershëm i Çamërisë, Ibrahim Daut Hoxha, ka lindur më 15 prill të vitit 1923. Rrënjët e fisit të tij janë në Dhrohomi, grupfshat rreth 10 km në jug të qytetit të lashtë të Paramithisë. Kur lexon përshkimin që Ibrahimi i bën Dhrohomisë, në librin kushtuar babait të tij, bindesh për lidhjen e natyrës me njeriun dhe ndikimin e saj mbi të. Ibrahim D. Hoxha shkruan për shtëpitë e ndërtuara në faqen e një mali veshur me pyje e kullota të pasura, për një gryke në perëndim, me diametër prej disa dhjetëra metrash, të quajtur Ambull, nga ku hidhen përpjetë disa qindra metra kub ujë në sekondë, i cili përbën burimin kryesor të lumit të Zi. Pastaj përshkruan edhe burimet e shumta të lagjeve të Dhrohomisë, ullinjtë, portokallet e limonat, kopetë me mijëra bagëti të imta, që mënzenin brigjeve me rrepe madhështorë të lumit, që i ka kënduar Homeri i madh. Në këtë mjedis, kanë parë diellin dhe janë rritur me mitologjinë aq të pasur çame, të parët e Ibrahim D. Hoxhës, mikpritës e fjalëmbël, punëtorë e të ndershëm, trima të sertë, tragjikë. Ibrahim D.Hoxha, në karakterin dhe personalitetin e tij, trashëgoi shumë nga Dhrohomia e rrënjëve të fisit të tij. Energjik, punëtor i palodhur, herë-herë i rrëmbyer e i vrullshëm si ujërat e Ambullit, lirik e i butë si burimet e Dhrohomisë, poet dhe këngëtar, kërcimtar levend i valleve epike çame, gjithmonë i drejpërdrejtë në biseda dhe mendime, meriton respekt, dashuri dhe mirënjohje. Ai me veprën e tij ka dhënë shumë për Çamërinë, për historinë dramatike të saj, shpirtin e patjetërsueshëm Çam, kulturën e lashtë dhe origjinale të Çamërisë. Me veprën e tij ai i bën nder jo vetëm Çamërisë, por gjithë kombit Shqiptar. Ibrahim D.Hoxha ishte luftëtar i lirisë, i lirisë së vërtetë. Ky antifashist i orëve të para, anëtar i shtabit të Brigadës VI Sulmuese, ndoshta nga më të rinjtë (ishte vetëm 18 vjeç), që besoi shumë në idealet për një botë të re, të barazisë e harmonisë, të zgjidhjes së çështjes kombëtare e veçmas asaj çame, shumë shpejt pësoi zhgënjime të mëdha. Ai u godit në vitin 1947, si antijugosllav dhe në korrik 1952, si antisovjetik e antiparti. E përjashtuan nga partia, e burgosën, i mohuan diplomën e kursit të lartë të shkollës së oficerëve dhe atë universitare si mësues për shkollat e mesme, ndaluan të botoheshin shkrimet në shtypin e kohës, e kërcënuan me britma e fjalë fyese si “irredentist, bir irredentisti”, “se duke bredhur poshtë e lartë nëpër Shqipëri, gjoja për të mbledhur folklor, përpiqesh të ngresh grupe çamërish kundër partisë” etj,etj. Por Ibrahim D.Hoxha mbijetoi. Mbijetoi falë karakterit të tij të fortë, mospajtimit me të keqen, kurajos dhe bindjeve të tij të palëkundura, punës dhe vetëm punës pasionante për historinë e Çamërisë. Ai është autor jo i dy ose tri librave, por dhjetëra të tilla, ku në qindra e qindra faqe vjen e gjallë Çamëria trime dhe bukuritë e saj të mrekullueshme, vjen (po të përfrazoja fjalët Dora D’Istrias), “pranvera e përjetshme e saj e ku në gjirin e pyjeve shekullorë, avullojnë mijëra parfume”
Do të përmendja libra të tillë të autorit si “Çamëria dhe Janina në vitet 1912-1922”, “Viset Kombëtare shqiptare në shtetin grek”, “Daut Hoxha”, “Enciklopedi Jug-Shqiptare” Vëllimi I, me 863 faqe e disa qindra zëra, “Turqit dhe Shqiptarët”, “Kështu luftuam ne”, “Këngë popullore Çame”, “Bilbila dhe thëllëza Çame”, “Shqipëri moj dritë Ylli”, “Vjershëtarë të hershëm çamë të hershëm” etj. etj. Më besoni: duke i rilexuar ato, më është dukur sikur autori i tyre më ka marrë prej dore si një fëmije, duke më çuar në Çamëri, në Spatarin tim, ku më ka njohur me Beqo Izet Kushin, patriotin e madh dhe kryetarin e parë të shoqërisë “Çamëria” në Amerikë, xhaxhain Selman dhe dajon e tyre, kapedan Muharrem Rushiti, Haxhi Murat Saqen, Abedin Shehun, Brahenjtë e Nurçenjtë. Pastaj me ka çuar në Paramithinë magjike, Sul, pastaj brigjeve të lumenjve mitikë Kalama e Aheron, në Filatin e klubeve shqiptare, Gumenicë, Janinë, Prevezë, Pargë e Artë. Sepse në librat e tij historia e Çamërisë është e prekshme, e gjallë. Ajo vjen nëpërmjet mijëra dëshmive arkivore dhe burimeve të tjera të shumta. Nga ana tjetër, në librat e Ibrahim D.Hoxhës, ka një shqetësim të brendshëm e shumë ankth. Duket se autori shpejton, nxiton që të njohë opinionin shqiptar e më gjerë, me Çamërinë, të vërtetat historike rreth saj, dramën e zhbërjes, të zbulojë krimin e përbindshëm dhe autorët që e realizuan atë. Vepra madhore e Ibrahim D.Hoxhës ka shumë informacion, bollëk materialesh, që me siguri studiuesit e Çamërisë, i referohen dhe do t’i referohen asaj. Vepra të tilla si “Viset kombëtare Shqiptare në shtetin Grek” dhe “Enciklopedi Jug-Shqiptare”, janë në kuptimin e plotë të fjalës, memoriale të kujtesës çame. I pari, siç shkruan autori, “nëpërmjet këtij punimi kam mundur të përmend një pjesë të gjëmave, mjerimeve, vuajtjeve dhe pësimeve të bashkatdhetarëve të mi bashkëkrahinorë, atdhedashurinë, burrërinë dhe lavdinë e tyre, që edhe pse në kushte e rrethana pa krahasim të tmerrshme, mbrojtën me vetmohim shembullor, përkatësinë e vet kombëtare, vatrat e veta amtare dhe trojet e tyre stërgjyshore”, mbyllet me një listë prej qindra emrash të rënë nëpër beteja apo të masakruar nga banda kriminale greke. Është një listë, ku me siguri, çdo familje çame, gjen të afërmit e tij të vrarë barbarisht. Është një listë që flet shumë, duke zgjuar të kaluarën tragjike e që troket fort, shumë fort në ndërgjegjen e trazuar të fqinjëve tanë të Jugut. Është një listë, që pikon gjak e që u flet qeveritarëve të sotëm grekë, opinionit të shëndoshë grek, stjudiuesve e intelektualëve të mençur të fqinjëve, se çështja çame jo vetëm ekziston, por ajo kërkon zgjidhje në emër të Europës së Bashkuar dhe Ballkanit europian si dhe në emër të viktimave të pafajshme çame.
Libri i dytë dhe të tjerë, disa prej tyre në dorëshkrim, janë një kontribut i autorit, një shumësi zërash për botën çame, që nga gjeografia, historia, kultura, personalitetet e fushave të ndryshme, e deri tek dialekti i pasur i çamërishtes.
Ibrahim D. Hoxha ishte njohës i shkëlqyer i kulturës popullore çame. Do të duhej një studim i veçantë, për kontributin e dhënë prej tij në këtë fushë. Ai ishte i pari që ka publikuar në vitin 1981 librin “Këngë popullore Çame”, ku permblidhem tekstet e këngëve të mbledhura prej tij. E veçantë në llojin e vet, është edhe përmbledhja “Bilbila dhe thëllëza çame” me 1049 këngë, 15 lojëra fëmijësh, 14 gjë a gjëza, etj. Ibrahim D. Hoxha si bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit të Kulturës Popullore ka dorëzuar në arkivin e tij 12 pllaka gramafoni, 93 këngë popullore, 13 përralla çame, 21 faqe me fjalë të urta çame etj. Dua të përmend edhe një fakt tjetër, që shumë pak e dinë: ai ka të regjistruara edhe 27 këngë historike dhe lirike, të kënduara prej tij dhe që janë shumë afër këngëve origjinale çame, ashtu siç përshkruajnë edhe vizitorët e huaj që nga Bajroni, Hobhaus etj. Dikur ai nuk ka përtuar të trokiste në dyert e Ansamblit Kombëtar të Këngëve e Valleve Popullore, e t’u demonstronte drejtuesve artistike të tij vallet origjinale çame. Ai në vite të befason me poezitë që ka shkruar dhe botuar nën titullin “Shqipëri, moj dritë ylli”, që për thjeshtësinë e vargjeve, sinqeritetin dhe pathosin patriotik, që i përshkon, më kujtojnë ato të atdhetarit të madh nga Spatari, Haxhi Murati.
… Në vitin 2007, kur u mora me platformën dhe realizimin e ekspozitës për Çamërinë, shkova disa herë në shtëpinë e Ibrahim D. Hoxhës, ku gjeta jo vetëm mikpritjen, por edhe kontributin dashamirës së tij. Atje, në apartamentin e thjeshtë parafabrikat, pashë nga afër dhjetëra dosje me dokumenta, qindra fotografi, shumë libra në dorëshkrim, harta, një mori kasetash dhe vidiokasetash, ku janë incizuar dhe filmuar emisione të Ibrahim D. Hoxhës për disa nga figurat e shquara të Çamërisë. Kjo është një pasuri e madhe, e rrallë, frut i një pune të jashtëzakonshme, një pjesë e së cilës pret të publikohet.
Tashmë, Ibrahim D.Hoxha nuk është më. Nuk është më antifashisti dhe luftëtari trim I rradhëve partizane… Nuk është më njeriu pasionant dhe punëtor i palodhur për historinë dhe kulturën e Çamërisë. Në kujtesën time dhe të atyre që e kanë njohur nga afër Ibrahim D.Hoxha, do të mbetet i gjallë portreti i tij, ecjet e shpejta, shkathtësia dhe mbi të gjitha puna e palodhur për historinë dhe kulturën e Çamërisë. Dua të shtoj në mbyllje edhe një fakt tjetër: marrëdhëniet e tij me bashkëshorten, Myneverin, një grua zonjë me origjinë nga Libohova, që ishte krahu i djathtë i Ibrahimit. Në shtëpinë e tyre kam ndjerë nga afër mirësinë dhe buzëqeshjen e përhershme të zonjës Mynever, që e meriton të quhet zonjë e vërtetë.
Tiranë – Paramithi, vjeshtë e dytë 2020

Edhe une e kam njohur z. Daut, eshte tamam cdo gje qe shkruhet mesper. Nderime.