Ndonëse i vonuar në kohë si pasojë e gjendjes së shkaktuar në vend nga pandemia e Covid-19, sezoni i parë i testimeve për licencat e reja në shëndetësi për këtë vit nis përgjatë javës së ardhëshme. Të parët që do të kalojnë në provimin e shtetit per të siguruar lejen e ushtrimit të profesionit janë të diplomuarit në pesë profilet e Shkencave Mjekësore Teknike.
“Për të gjithë kandidatët aplikantë për provimin e shtetit në sesionin e parë 2020, për profesionin e rregulluar të Infermierit, Mamisë, Fizioterapistit, Logopedistit, Teknikut të Imazherisë dhe Teknikut të Laboratorit, ju bëjmë me dije se provimet do të zhvillohen duke nisur nga data 9 nëntor dhe do të vijojnë deri në datën 3 dhjetor. Në lidhje me orarin e pjesëmarrjes në provim, bëjmë me dije se oraret do të jenë të përcaktuara për çdo kandidat dhe nuk do të ketë ndryshime orari përtej planifikimit të publikuar”, sqarojnë ekspertët e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit.
Për shkak të moszhvillimit të sezonit të testimeve që në fillim të vitit, numri i kandidatëve që do të kalojnë në provim shteti të këtij sezoni për licencën është i lartë, veçanërisht në profilin e infermierisë. Për këtë profil testimet do të zhvillohen për dy javë me rradhë, ku çdo ditë kandidatët do të paraqiten me tre turne në QSHA për të zhvilluar testin e informatizuar. Në vijim të shkrimit gjeni të plotë kalendarin e detajuar të datave të provimit për secilin nga pesë profilet e shkencave mjekësore teknike. Autoritetet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit bëjnë me dije se do të shpallin përgjatë ditëve në vijim edhe listën konkrete të kandidatëve që plotësojnë kushtet për të garuar për licencën në të gjitha këto profile, ku për sceilin prej tyre do të përcaktojë edhe datën dhe orën konkrete se kur duhet të paraqiten për të zhvilluar testin e informatizuar.
Në kuadër të situatës së krijuar nga pandemia Covid-19 dhe në vijim të masave parandaluese të përhapjes së tij, nëpërmjet urdhrave të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe MbrojtjesSociale, provimet do të zhvillohen duke zbatuar me përpikmëri rregullat e rekomanduara që kanë të bëjnë me mbajtjen e distancës fizike, kujdesin për higjienën, si dhe mbajtjen e detyrueshme të maskave mbrojtëse.
Po sipas rregullave të përcaktuara, kandidati duhet të paraqitet pranë Qendrës së Shërbimeve të Arsimit 30 minuta përpara orarit të nisjes së provimet, teksa duhet të jetë i pajisur me Kartë ID ose Pasaportë (dokumenti origjinal) dhe kopje të tyre, faturën origjinale me vulën përkatëse, të pagesës së tarifës së provimit, të kryer në një bankë të nivelit të dytë bazuar në herën e pjesëmarrjes. Kandidatët, të cilët nuk paraqesin këto dokumente, nuk mund të marrin pjesë në provimin e shtetit.
“Duhet të bëni kujdes, pasi mungesa e një prej këtyre dokumenteve ju penalizon duke ju lënë jashtë testimit, çka do të thotë se duhet të prisni sezonet e vitit të ardhshëm për të hyrë sërish në testin e licencës, duke humbur kështu shanset për të aplikuar përgjatë kësaj periudhe për vendet e lira të punës në spitalet dhe qendrat mjekësore publike dhe private në vend”, bëjnë me dije specialistët e QSHA-së. Për të qenë kalues në këtë provim duhet të siguroni mbi 50 pikë me përgjigjet e dhëna.
Gjatë paraqitjes për pjesëmarrje në provim, kandidati gjithashtu duhet të ketë parasysh që të jetë i pajisur edhe me mjetet mbrojtëse, maskë dhe doreza plastike, të zbatojë ruajtjen e distancës fizike 1,5-2 metër nga kandidatët e tjerë, të ketë me vete stilolaps për nënshkrimin e deklaratës dhe rezultatit të provimit, si dhe të mos ketë me vete celularë, çantë dhe sende të tjera personale të panevojshme për zhvillimin e provimit.
Për t’u ardhur në ndihmë kandidatëve, Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka detajuar edhe fondin e mijëra pyetjeve nga të cilat do të përzgjidhen edhe pyetjet që do të jenë pjesë e tezës së provimit të licencës. Kështu, çdo kandidat mund të orientohet rreth përmbajtjes që do të ketë testi i licencës, duke u njohur me fondin e detajuar të pyetjeve që gjendet në faqen online të Qendrës së Shërbimeve të Arsimit.
Personi, që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar, duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit, si dhe kualifikimet profesionale në atë profesion, të cilat duhet të vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara nga institucionet përgjegjëse brenda ose jashtë vendit dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për profesionet e rregulluara.
Në ditën e provimit çdo kandidat duhet:
- Të paraqitet pranë Qendrës së Shërbimeve të Arsimit 30 minuta para nisjes së testimit, u dhe duhet të jetë i pajisur me mjetet mbrojtëse, maskë dhe doreza plastike.
- Të zbatojë ruajtjen e distancës fizike 1,5-2 metër me kandidatët e tjerë.
- Të ketë me vete vetëm dokumentet e kërkuara sa i takon identifikimit të tyre, si dhe faturën e pagesës së hyrjes në testim.
- Të ketë me vete stilolaps për nënshkrimin e deklaratës dhe rezultatit të testimit.
- Të mos ketë me vete celularë, çanta dhe sende të tjera personale, të panevojshme në zhvillimin e testimit.

