Një letër mikut tim…

anazapta

Si ka mundësi të merremi vesh ne o mik dhe shok i dashur? Si ka mundësi? Në diktaturë ishim “rehat”: Në atë kohë, vihej në krye të mendimit të shkruar ose të ligjëruar, citati i udhëheqësit të Partisë e Shtetit dhe “ishe në rregull” me ato që grije dhe shije më poshtë…

Në Demokraci na gjeti “belaja”: Citate të z.Sali, na qënkan fjalia dhe fjalimi, kokë e këmbë, kështu që kopjohen të gjitha po kokë e këmbë….

Ja… Po të përcjell një copëz fjalimi: “Rama që prej 13 vjetësh mohoi atësinë dhe kafshatën e gojës se djalit të tijë… Rama… puçist që rrethoi me zjarr, armë, gurë e hunj Kryeministrinë për 5 orë rresht… Kryepuçisti Edvin Kristaq Rama u kthye tek vendi i krimit. Ai që thirri, organizoi dhe realizoi dhunën ekstreme të 21 Janarit kundër rendit kushtetues, u kthye përsëri tek vendi i krimit më 18 Shkurt…”

Dua të pyes: – Të kujt janë këto ligjërata të këtij fjalimi???… Që janë të Saliut nuk diskutohet, por… kush i ka thënë në këtë rast? Nuk është as Agron Llaka, jo….

Është…. “fjalimi” i Luçiano Boçit. Po, po… Deputeti. Pedagogu. Intelektuali i shquar Elbasanas. Po, se mos vetëm ky. Pothuajse të gjithë ish-deputetët dhe deputetët e listëzuar këtë gjuhë kanë pasur dhe kanë… Mirë ata, se siç thotë populli: “Qeni ku ha leh”. Po ti?! Ç’është ky fenomen i çuditshëm me ty?!

Shpesh kam kënaqësinë e jashtëzakonshme të bisedoj me ty o miku dhe shoku im i dashur për tema të ndryshme, qoftë të profesioneve që kemi e qoftë jashtë tyre, mirëpo…

O Zot… Sapo gjuha rrëshqet tek rrëpirat e pushtetit, politikës, halleve e derteve që pushteti i ka pasur dhe i ka detyrë e detyrim, ti o mik dhe shok i dashur nuk je më ti… Përpara më del një farë ish-kryeministri jo me një gjuhë tënden por me një llapë Saliu… Si ka mundësi?

Si ka mundësi që tërë ajo kulturë, ai arsim, ai mendim, arsyetim e konkludim të bjerret në gjykimin e një farë Saliu, një psiko-manjaku të sëmurë për pushtet? Si ka mundësi që pa pikë turpi dhe pa pikë skuqje për personalitetin tënd të tjerrësh dhe të ç’tjerrësh kudo dhe me këdo marrëzitë e një Don Sali Kishoti?… Nuk e kuptoj… Nuk mund ta kuptoj…

Ti dhe shumë si ti mbani dhe si “dekorata” që i vetëtini vënd e pa vënd edhe persekutimet e vuajtjet nga diktatori i asaj diktature që kaluam… Si ka mundësi që ti (edhe të tjerë si ti) të mos më thoni mua (edhe të tjerëve si mua) që, simbas jush, paskam bërë “pallë ariu” gjatë asaj kohe:

– Të lutem, kam respekt për ty, por… Mos ma përmend Saliun, këtë ish-komunist e sekretar të asaj partie të diktaturës… Këtë diktator të ri në këtë neo-demo-katra-diktaturë e katrahurë të re që ka vjellur e që kërkon të vjelli…

Por, ndodh e kundërta: Jam unë, “qefliu” i asaj diktature që t’i them këto fjalë dhe ti në vënd që të më falenderosh me anatemon me fis e stërfis me nofkat e llapës së Saliut “komunist” e “enverist”, “spiun” e “puçist” dhe më keq akoma, “tradhëtar” e “armik”?

Si ka mundësi??… Ndoshta edhe gaboj, por… Ty diçka të mungon miku im i dashur. Ndoshta e ke humbur diku. Ndoshta të kanë detyruar ta braktisësh. Ndoshta ta kanë vjedhur, ndoshta… e ke… dhuruar… Të mungon diçka mik i dashur… Të mungon… Dhe Saliu dhe pushteti i tij atë që të ka munguar ta ka plotësuar. Ose më saktë: Ta ka mbuluar… S’ka si shpjegohet ndryshe… Nuk ka se si…

 

Astrit Çerma

Aktor, Kineast

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *