Nga Pëllumb Vreka
Shërbimet Sekrete të Zbulimit e kundërzbulimit të vendeve të Lindjes shpesh akuzohen si shërbime të diktaturave komuniste, në fakt këto shërbime janë si dy pika uji të ngjashme me ato të Perëndimit.
Të dyja i shërbenin dhe i shërbejnë një qëllimi të vetëm legjitim: Ruajtjen e sovranitetit të vendit që përfaqësojnë nga ndërhyrjet e huaja, qofshin ato ushtarake, grusht shteti, kibernetike, terroriste etj.
Pas botimit në DITA të historisë së agjentit Isuf Mullai, dikush shkruante se ai ishte “një agjent i dështuar i cili vërdallosej kot nëpër Europë…..”
Sa i cekët dhe qesharak kalemxhiu.
E para, Sigurimi i Shtetit shqiptar, as që bëhej fjalë të hidhte në erë miliona dollarë, për 10 vjet kot. E dyta, detyra speciale e Isufit, nuk ishte të hante e të pinte me mërgatarët e mërzitur. Ai kishte një detyrë shumë specifike të vështirë, të cilën do e tjerrim më poshtë.
Në vitin 1975, në rrethana specifike, unë pata mundësi të hyja në rrethin familjar të Isuf Mullait, Cufes si e thërrisnin të gjithë. Babai im punonte në M.P.B në Drejtorinë e Kufirit dhe unë ato kohë isha me punë në Degën Operative të Divizionit të parë.
Bisedën e parë të gjatë me Cufen e kam bërë në shtëpinë tij në Durrës, tek N.I.SH Goma- Durrës. Ishte një burrë i qetë, i ngadaltë në të folur, binte në sy për paraqitjen fizike, kish një trup të fortë e të lidhur nga ata që ne u themi: “kockë e trashë”. Herë pas here luante qafën majtas e djathtas, kujtim nga torturat në burgjet greke.
Kohë pas njohjeve të para familjare, Cufja më bëri një ftesë për të kaluar disa ditë në Durrës bashkë me një mikun tonë të përbashkët. Në atë kohë ai ishte Drejtor i Hotel Adriatikut vetëm për të huajt. Fjetëm në Hotel Vollga, por ditën e kalonim bashkë tek “Adriatiku”.
Në atë kohë në Hotel “Vollga” ishin akomoduar disa qindra “marinarë” kinezë të cilët kishin ardhur në vendin tonë me vaporin kinez “Vampo”. Ky vapor iu dorëzua flotës shqiptare duke i ndërruar vetëm emrin. Këta “marinarë” ishin të gjithë inxhinierë e teknikë, që punonin në Pashaliman.
Me Cufen flisja shpesh për romanin e Nasho Jorgaqit për mërgatën dhe unë e shtyja të më tregonte duke e pyetur kinse nëse romani i Nashos ishte real apo kishte shumë material artistiko- letrar.
Kjo më poshtë është historia e Isuf Mullait sipas shënimeve të mia bazuar tek ato që ai më ka treguar në takimet tona:
“Unë isha i veshur në flotën luftarake në Durrës, një ditë vjen punëtori operativ i portit dhe më thotë: “Shoku Isuf nesër në ora 9:00 të jesh te Stacioni i Trenit, do ikim bashkë në M.P.B. Fillimisht u tremba, por pasi e mblodha veten konkludova se nuk e kisha shkelur askund ligjin.
U nisëm me tren. Kur arritëm në Tiranë i them shoqëruesit: “Po ti di ndonjë gjë përse më thërasin atje ?!”
-“As që ia kam idenë, më thanë veç sille në orën 12 : 00 tek M.P.B”
U paraqitëm te oficeri i rojes, – Ti i tha një polici, mere shokun Isuf dhe çoje atje për ku ke marrë detyrën. Kurse ti i tha shoqëruesit tim nga Durrësi, prit atje te kafja shokun Isuf.
Polici më çoi tek paradhoma e Ministrit të Brendshëm asokohe Kadri Hazbiu, dhe u largua.
U hap dera e u shfaq ministri. Erdhi shoku Isuf, – A ti qënke?! Paske ardhur, futu brenda.
U ulëm, nuk kishte tjetër njeri në zyrë. Do pimë nga një kafe tha e do hyjmë drejt e në temën përse të kemi thirrur.
Partia – tha ministri – dhe atdheu, kanë nevojë, për një shërbim të veçantë e special jashtë atdheut.
Të them të drejtën Pëllumb, më dridhej dora kur pija kafen, nuk ishte e thjeshtë të kishe përballë ministrin Hazbiu.
Kështu që, tha ai – kemi studiuar disa kandidatura, por kushtet dhe sidomos biografia jote e plotësojnë më së miri.
-Si thua?! Më tha…
– Ç’të them shoku ministër, meqënëse ju e keni përcaktuar, (e mblodha veten mirë me atë kafenë) as që diskutohet (pasi shpreha falenderimet për besimin që më dha Partia e Atdheu) jam gati për të marrë detyrën.
Ministri i kënaqur më shpjegoi detyrën speciale me detaje, mbajta pak shënime, specifika ishte se shërbimi ishte paafat deri sa të realizohej objektivi si i thonë: “Nisja dihet, kthimi nuk dihet”.
Dola, takova punëtorin operativ, që kishim ardhur nga Durrësi dhe u nisëm të hanim drekë, pasi treni nisej shumë vonë.
Të nesërmen më pyetën kolegët, u thashë kisha një kushëri të shtruar tek Urgjenca pas një aksidenti me makinë.
Do të thuash ti, cilat ishin kushtet që unë i plotësoja më mirë nga kandidatët e tjerë për këtë shërbim:
E para babai kur u martua Mbreti Zog, (një korigjim për të nderuarin H. Luçi) i çoi si dhuratë, (jo dy deshë të lyer me bojë të kuqe), shtatë deshët më të mëdhenjtë e kopesë qindra kokëshe që kishim ne.
Kur i thanë mbretit për dhuratën e babait, ai është shperhur: “Kjo është një dhuratë, tejet e veçantë, kur nuk do më shkonte mendja për diçka të tillë.”
E dyta, babai im gjatë luftës ka qenë në grupin e sejmenëve të Abaz Kupit, por që fatmirësisht nuk kishte shkrehur asnjë pushkë. Abazi e donte, se ishte i sinqrtë dhe i papërtuar për shërbimet në çdo kohë.
E treta, unë kam qenë i regjistruar në shkollën e oficerëve të mbretërisë dhe isha shok me Abaz Fejzon.
E katërta, isha poliglot, studioja shumë dhe memorien e kam pasur dhe e kam shumë të fortë.
Pas një jave, më thërret në zyrë komandanti i bazës. Në zyre ndodheshin edhe nja katër a pesë të tjerë. Dy prej tyre nuk i kisha parë në bazën tonë. Komandanti më tha: – “Shoku Isuf, në biografinë tënde përse nuk ke shkruar që yt atë ka qenë ballist ?! Po që ke qenë në shkollën e mbretit përse nuk e ke shkruar?!”
Kuptohet, unë bëra të paditurin dhe u justifikova se babai vërtet kish qenë sejmeni i Abaz Kupit, por nuk kish hedhur asnjë pushkë, kurse për shkollën -I thashë,- nuk ja vlente ta përmendja…
“Dorëzo pistoletën, – tha ai – merrja ti ju drejtua një kapteri, dorëzohe edhe kapelen. Me urdhër nga lartë je i ç’mobilizuar.
Ditën e shtunë, (pas nja tre ditësh) do të vijë Zisi tju marrë me kuç e me maç. Përjashta!
U largova, shumë i mërzitur (gjithmonë sipas planit), dhe shkova te dollapi në fjetore, hoqa rrobat ushtarake, vesha civilet dhe pa i folur asnjërit, ika në shtëpi të merrja masat për transferimin.
Pas tre ditësh u nisëm për në fshat, ku pasi u sistemova në shtëpinë e babait, fillova të merresha me bujqësi, prashisja e vadisja, fshatarëve nuk u flisja fare demek pushteti popullor më kish rënë më qaf kot dhe padrejtësisht.
Pas katër muajve, në datën dhe orën e programuar u hap kufiri, dmth në këtë interval prej gjashtë orësh patrulla kufitare nuk do qarkullonte në atë sektor.
U nisa drejt kufirit me një çantë ushtarake Ruse, ku kisha futur: bukë , djathë, një bidon me dhallë, ndërresa etj … doja të theksoja se është momenti, që kur jam nisur, nga farefisi e familja nuk kishin djeni se përse po arratisesha me përjashtim të një personi, gruas.
Asaj i shpegoja se po nisesha me shërbim pa afat, se ajo nuk duhej të martohej, pasi unë do kthehesha patjetër dhe se, nuk duhej t’i thoshte kurrkujt, pasi në të kundërt unë isha i vdekur. Grua besnike, Pëllumb. Dhjetë vjet e mbajti përbrenda amanetin tim.
Pasi kalova kufirin, u paraqita në postën greke, të cilët menjëherë më vunë hekurat, pranga gjermane me vidë, greku u habit kur pa kyçet e duarve të mija….
Më çuan në një dhomë ku ndodheshin gjashtë apo shtatë shqiptarë të tjerë. Pasi plotësuan formalitetet, bashkë me tre të tjerë, në mëngjes na hipën në një xhip ushtarak, e na dërguan në një si burg në periferi të Athinës. Ishim të këputur, pa gjumë e pa ngrënë dhe rruga e gjatë që s’mbaronte kurrë!
Pas dy ditësh qëndrim, më morën në pyetje për rrethanat që më detyruan të arratisesha nga Shqipëria. U shpjegova që më ç’mobilizuan pa arsye dhe më dërguan në fshat, nuk mund ta duroja poshtërimin që më bëri qeveria komuniste, e shumë dëngla të tjera justifikuese.
Nuk më besuan, kishte një arsye pse. Aty ishte edhe një bashkëfshatari im që u tha grekëve, që ne ishim në gjendje të mirë ekonomike dhe unë nuk kisha arsye të arratisesha.
Nga kjo siç duket grekët ngulmuan dhe më futën në tortura fizike e psikologjike. Janë të tepërta përshkrimet e llojeve të torturave. Më e veçanta ishte elektroshoku në vesh. Mi dëmtuan shumë daullet e veshit, aq sa sot siç e shikon jam me një aparat special për të dëgjuar dhe faktikisht dëgjoj shumë mirë. Kjo fal shtetit që më pajisi me të sapo mbërrita ne Belgjikë.
Një herë në muaj grekët pasi bënin seleksionimin midis shqiptarëve, sidomos duke i ndarë veçmas ata që kishin luftuar kundër Nacional Çlirimtares apo bashkëpunëtorëve të pushtuesve, i imbarkonin në anije dhe i dërgonin në Itali, në kampin gjigand të Livornos.
Më të parët për tu larguar, ishin ata që firmosnin edhe deklaratën e bashkë-punimit, të cilën unë premtova ta firmosja pasi të pyesnin për mua Abaz Kupin. Me sa kuptova më vonë nga ndryshimi i trajtimit, Abaz Kupi kish kërkuar që menjëherë të më jepnin mbështetje të veçantë për transferim në Livorno.
Pas ndoshta një muaji me porosi te Abaz Kupit më morën dhe më dërguan nga Livorno në Belgjikë.
Për mua posaçërisht ishte e angazhuar një agjente. Ajo më strehoi fillimisht në një tip pensioni, tepër modest dhe më sistemoi në punë në një minierë. Ajo kishte të dhëna të sakta për çdo kampist, detyra e saj ishte të siguronte bashkëpunëtorët dhe ti niste në Gjermani, në Divizionin – 4000.
Aty të arratisurit përgatiteshin me kurse të veçanta dhe në fund pasi kompletoheshin në grupe, desantoheshin në Shqipëri, për të kryer sabotime dhe propagandë.
(Vijon nesër)

Nuk eshte i plote rrefimi, ke harruar torturat me gjarprinj ne burgun e Janines..
Ne Degen Operative te Divizionit te Pare,me kuadrin sheme te pregatitur…
Ti paske punuar ne hale,o hale!
Kujdes se po na tromax me Degen Operative te Divizionit te pare!
Cuille Mullai para se te arratisej ka punuar ne stacionin Meterollogjik te Gjirokastres,poshte ne xhade tek stacioni autobuzeve.
Kulaket ne Fushe Bardhe,Kardhiq,Zhulat,kane qene nomenklature e Braim Mios dhe Sevo Tarifes.
Dersa e dinte Braim Mio dhe Sevo Tarifa,e dinte gjithe Fushe Bardha qe Culle Mullai kishte shkuar me mision jashte shtetit.
Sa mund te mburret Sali Berisha qe ja hodhi enver hoxhes se dergonte shurren e enver hoxhes ne Paris,aq mund te mburret edhe Culle Mullai me shurren e Zogut.
Cfare zbuloi Cul;le Mullai?Cfare aksioni ndermori Zogu,qe e parandaloi Culle Mullai?
Zogu ishte nje pensionist qe shtynte ditet neper Evrope,vegjetonte si te gjithe mbreterit e arratisur,pa ndonje Aktivitet.
Ti Demo qenke nje kokeloqe po ndoshta dhe aq nuk je se loqja e ben nje pune te pakten. Po tere ata diversante qe tentuan te hynin ne Shqiperi dhe kapeshin qe ne ajer pa shkelur mire token apo benin magji oficeret e sigurimit kur do zbarkonin ata. Po informacioni eshte pushtet o njeri. Po kape informacionin ben si te duash pastaj. Kete bente dhe Cufja, mblidhte informacion, se bomben atomike e shpiku Amerika nuk ja lane Cufes ta shpikte.