Ka nisur tashmë konkurimi për vendet e lira të punës për profilet psikolog dhe punonjës social në shkollat e arsimit parauniversitar në vend. Sikundër është deklaruar edhe më herët nëpërmjet udhëzimit të MASR, konkurimi do të zhvillohet me tre faza, që janë: aplikimi me dosje, testimi me shkrim, si dhe intervista e sturkturuar, ku për secilën prej tyre janë përcaktuar edhe afatet që duhen zbatuar. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar kushtet dhe afatet e konkurimit për secilën fazë.
Afatet e konkurimit për fazën e parë
Për të qenë pjesë e garës për vendet e lira të punës të raportuara në këto profile nga shkollat e arsimit parauniversitar, çdo kandidat duhet që të aplikojë duke dorëzuar dosjen e dokumenteve në afatet e përcaktuara. Autoritetet e arsimit bëjnë me dije se pranimi i dosjeve do të vijojë deri në datën 10 nëntor.
Dorëzimi i dokumentaciont të aplikimit duhet të bëhet nëpërmjet Shërbimit Postar, për çdo drejtori rajonale të arsimit në vend. Në aplikim duhet të bëni kujdes pasi mungesa e një prej dokumenteve të kërkuara në dosje ju skualifikon nga vijimi i garës për punësimet e reja në këto dy profile.
Konkretisht në dosje duhet të përfshini 13 dokumentet e përcaktuara, duke nisur me CV, ku duhet të bëni përshkrimin e edukimit dhe të karrierës profesionale sipas formatit të përcaktuar, kërkesën për konkurim në zyrën arsimore përkatëse, raportin mjeko-ligjor të tre muajve të fundit, kopjen e njësuar me origjinalin të diplomave për studimet e larta të kryera, listën e noterizuar të notave si për studimet “Bachelor”, ashtu edhe për ato “Master”, kopjen e noterizuar të lejes së ushtrimit të profesionit (licencën). Gjithashtu në dosje duhet të përfshini edhe deklaratën për vërtetësinë e dokumenteve, formularin e vetëdeklarimit të gjendjes gjyqësore, kopjen e njësuar me origjinalin të diplomës të arsimit shtesë dhe listës së notave, si dhe certifikatave për gjuhëve të huaja, apo kualifikimeve të ndryshme, kopjen e librezës së punës kur e dispononi një të tillë, kopjen e kartës së identitetit ose certifikatën personale të tre muajve të fundit, dëshmi penaliteti. Po ashtu bëhet e ditur se në rastet kur kandidati është i punësuar duhet që në dosje të dorëzojë edhe një vërtetim nga institucioni që nuk ka asnjë masë disiplinore në fuqi ndaj tij, ose vetdeklarim në rastin kur nuk është i punësuar. Të gjitha dokumentet duhet të jenë të noterizuara.
Komisionet e ekspertëve në çdo drejtori do të bëjnë vlerësimin e dosjes së çdo kandidati në datat 12 dhe 13 nëntor, teksa një ditë më pas do të shpallë edhe pikët e fituara nga dosja për secilin prej tyre. Ndërsa në datën 18 nëntor shpallet lista finale e personave që kalojnë fazën e parë të konkurimit, dhe secili prej tyre do të njoftohet më pas për vijimin e fazës së dytë që është testimi me shkrim.
Temat që duhet të përgatisni për testin me shkrim
Autoritetet e arsimit sqarojnë se testimi me shkrim për vlerësimin e njohurive të profesionit dhe për njohuritë mbi legjislacionin që lidhet me ushtrimin e profesionit për kandidatët që kanë kaluar vlerësimin me dosje do të zhvillohet në datën 20 nëntor. Për të qenë kalues në test duhet të merrni të paktën 50 për qind të pikëve të tij. Tre janë fushat ku duhet të ndaleni me përgatitjet për provimin me shkrim. Përmbajtja e testit do të jetë rreth njohurive për dokumentet zyrtare që kanë të bëjnë me veprimtarinë mësimore dhe edukative të mësuesve, vlerësimin e aspekteve të etikës dhe të komunikimit, si dhe përmbajtjen shkencore të profilit përkatës. Lidhur me tematikat konkrete të provimit, janë shpallur edhe dy programet orientuese me të cilat duhet të punoni për provimin me shkrim.
Faza e fundit e konkurimit
Ekspertët sqarojnë se në datën 25 nëntor do të shpallet lista e kandidatëve që do të vijojnë me fazën e tretë të konkurimit që është intervista e strukturuar. Në përfundim edhe të intervistës komisioni do të shpallë edhe listën e kandidatëve që kanë të drejtë të vijojnë me procedurat e lidhjes së kontratës së punës për vendet e lira të raportuara për ofrimin e shërbimit psiko-social në shkollat e arsimit parauniversitar.
Shërbimi psiko-social do të ofrojë mbështetje nëpërmjet psikologëve dhe punonjësve social për trajtimin e problematikave të ndryshme, vlerësimin e rasteve të fëmijëve me nevoja të veçanta psiko-sociale, si dhe hartimin e programeve parandaluese sipas nevojave të komunitetit shkollor. Ky shërbim do të vlerësojë gjendjen e nxënësve me probleme të të nxënit, ose të sjelljes dhe në bashkëpunim me mësuesin dhe drejtues të institucionit arsimor dhe prindërit do të planifikojë dhe të realizojë shërbime që ndihmojnë në zhvillimin arsimor, social dhe personal të nxënësit. Në shkollat private ky shërbim duhet të mbulohet nga vetë shkolla.
3 fushat e testimit përfshijnë:
- Njohjen e dokumenteve zyrtare që kanë të bëjnë me veprimtarinë mësimore dhe edukative të mësuesve. Në dokumentet ligjore përfshihen urdhëresat dhe udhëzimet e MASR-së që zbatohen në shkollë, duke u përqendruar veçanërisht në ato të viteve të fundit.
- Njohjen e aspekteve të etikës dhe të komunikimit që duhet të përdoren në ofrimin e shërbimit psiko-social.
- Përmbajtja shkencore sipas formimeve përkatëse të psikologut shkollor dhe punonjësit social.
Pikët për secilën fazë
- Nëpërmjet vlerësimit të dosjes ju do të mund të siguroni 25 pikë në total.
- Testimi me shkrim vlerësohet me 40 pikë.
- Intervista e strukturuar vlerësohet me 35 pikë.
