Shaqir Vukaj
Ne shqiptarëve historia na ka mësuar shumë, por edhe na ka dënuar si pak popuj në Europë. Me luftëra e beteja për mbrojtjen e trojeve tona për liri e pavarësi, kundër armiqve të jashtëm e jo rrallë të brendshëm, ka qenë e historia, jeta e jonë. Me fitore e humbje, me gëzime e hidhërime. Sidoqoftë qëndruam. Nuk u mposhtëm. Dhe me të drejtë kujtojmë ata Patriotë që me pendë e pushkë i dolën zot dhe na lanë Shqipërinë të pavarur, siç kujtojmë Dëshmorët, që me gjakun e tyre në themelet e kësaj Shqipërie, u bënë të pavdekshëm.
Viti që po mbyllim shënon 100 vjetorin e ngjarjeve vendimtare për fatet e Atdheut, që për nga rëndësia, sipas disa studiuesve mund të krahasohen me luftërat e Skënderbeut, Lidhjen e Prizrenit apo shpalljen e pavarësisë… e ku një vend të veçantë zë Lufta e Vlorës.
Por jo më pak e rëndësishme ishte mbrojtja e Shqipërisë Veriore dhe Veri Lindore, nga fqinjët sllavë, veçanërisht e Shkodrës e krahinave përreth dhe e Dibrës.
Fati e deshi të jemi fqinjë me sllavët, të cilët historikisht kanë pasur pretendime ndaj tokave shqiptare dhe, fatkeqësisht në shumë raste ja kanë arritur qëllimit të tyre. Atyre nuk u mjaftonte që kishin pushtuar Kosovën, Shqipërinë Lindore (Maqedonisë Perëndimore), Ulqinin, Tivarin, Hotin, Grudën, Plavën, Gucinë, por pretendonin shumë më tepër, ku një vend tepër të rëndësishëm zinte Shkodra. Ëndrra e tyre për Shkodrën është e vjetër, dhe ata nuk do të hiqnin dorë asnjëherë prej saj, pavarësisht se mbas pushtimit të saj në vitin 1913 (kujtojmë tradhtinë e agjentit të tyre, Esad Pash Toptani që u a dorëzoi Shkodrën mbas një qëndrese të radhë prej rreth 6 muaj), në saj të ndërhyrjes së ndërkombëtare u detyruan të tërhiqeshin, mbasi grabitën e dogjën ç’i doli para.
Megjithëse kohë lufte, ata vazhdonin të thurnin plane e madje të bënin hapa konkretë për të përgatitur terrenin për pushtimin e Shkodrës. Kështu në gusht të vitit 1914 ata sulmuan dhe dogjën Kelmendin, futën trupa në Hot e deri në Kastrat (jo larg Shkodrës).
***
Përfundimi i Luftës Parë Botërore e gjeti Shqipërinë nen pushtimin italian (pjesa më e madhe e Shqipërisë), francez ( Korça) ndërsa Shkodrën nen pushtimin e një fuqie ndërkombëtare (përberë nga trupa franceze, angleze e italiane) nen komandën e filoserbit, gjeneralit francez Bardi de Fortou.
Në Konferencën e Paqes në Paris që u hap më 18 janar 1919, fqinjët kërkonin ta shqyenin Shqipërinë. Italianet kërkonin Vlorën dhe protektoratin mbi “shtetin autonom shqiptar” që do të krijohej në Shqipërinë e Mesme, Athina kërkonte “Vorio Epirin”. Beogradi (tashmë Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene) me dredhi, nga njëra anë, për t’ju kundërvënë pretendimeve italiane, propozonte njohjen e kufijve të Shqipërisë londineze të v.1913, por me kusht që edhe të tjerët të vepronin njëlloj, por nga ana tjetër angazhohej me të gjitha mënyrat me shpresë se Konferenca do të plotësonte kërkesat e saj ndaj territoreve shqiptare përfshij Shkodrën, Malësinë e Madhe, Anën e Malit etj.
Pavarësisht nga qëndrimi në Paris, Beogradi tregohej tepër aktiv në terren, madje edhe brenda territoreve shqiptare të 1913. Gjithmonë me qëllim aneksimin e Shkodrës, ata grumbulluan në Podgoricë një grup tradhtarësh, përkrahës të Esat Pashës, si Alush Lohja, Lukë Luka, Lekë Mirashi etj, që u vunë në krye të bandave që po organizoheshin kundër vendit të tyre, që sipas të dhënave të Beogradit arrin në rreth 1200 vetë e që stërviteshin nga oficerë jugosllavë. Që në gusht 1918, Esat Pasha kishte paraqitur një projekt për “rregullimin” e Shqipërisë, sipas të cilit Greqisë duhej ti jepeshin 10500 km. katrorë nga Shqipëria e Jugut, Serbisë 6000 km. katrorë nga Shqipëria e Veriut, ndërsa në territoret brenda Vjosës e Drinit të krijohej një shtet mysliman, çka, i jepte Beogradit garanci e mundësi për të vepruar….
Kështu në vitin 1919 Beogradi ndërmori veprime konkrete për të zgjeruar zonën e pushtuar drejt Shkodrës, me qëllim që të krijonte një zonë homogjene pushtimi, që do të shtrihej në gjithë Shqipërinë e Veriut. Madje krijoi dhe një njësi të quajtur “Detashmenti i Kelmendit”, i cili, në shtator 1919, u fut pothuajse në gjithë krahinën e Kelmendit, për të detyruar parinë që të pranojnë “ombrellën jugosllave”. Njëkohësisht krijuan dhe një njësi ushtarake speciale për të operuar në Hot (pjesën brenda kufirit tonë) që u fut në verën e v.1919. Në fund të muajit dhjetor, kryeministri jugosllav, Davidoviç kërkoi që të pushtohej zona e Bogës dhe e Shkrelit, në mënyrë që të krijohej një pykëzim për dobësimin e mundësisht ndërprerjen e lidhjeve me Shkodrën. Në prag të Krishtlindjeve, me dredhi e mashtrim, ata bënë një masakër të pa dëgjuar në Hot, duke vrarë 74 vetë të pafajshëm si dhe duke arrestuar 200 të tjerë që i çuan në Podgoricë. Kështu u mbyll viti 1919.
Duhet theksuar angazhimi e përpjekjet e patriotëve shkodranë, të cilët në mbështetje të Lëvizjes Kombëtare, më 16 shkurt 1919 krijuan komisionin nismëtar “Vllaznia”, me 172 anëtarë, me kryetar patriotin Hil Mosi. Komisioni luajti rol tepër të rëndësishëm si në planin e brendshëm, si në atë ndërkombëtar. Ndërmjet tjerave duhet përmendë përkujtimi në mënyrë madhështore i 28 Nëntorit në Shkodër, Rezolucioni që ju dërgua Presidentit të SHBA, Ëilson, Llojd Xhorxhit dhe ministrit të Jashtëm të Italisë, ku kërkohej “Nji Shqipni indipendente, bashkimin e Vlorës dhe Shkodrës me shtetin shqiptar, si politikisht ashtu administrativisht”.
Ndërkohë në Konferencën e Paqes, mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene vazhdonte përpjekjet për copëtimin e Shqipërisë. Ajo kërkonte aneksimin e krahut të djathtë të Drinit të Zi, Kastratin dhe pjesën e Hotit mbetur brenda kufijve të Shqipërisë, Kelmendin, dhe krejt zonën në krahun e djathtë të lumit Buna, ku shtrihej mali i Taraboshit, duke marrë kështu edhe Liqenin e Shkodrës dhe, pasi të merrte këto krahina, Beogradi pranonte Shqipërinë e pavarur me një administratë autonome. Dhe “kurva” Europë (Anglia, Franca dhe Italia) arritën një kompromis, sipas të cilit Shqipëria copëtohej ndërmjet Italisë, Greqisë dhe Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene (ashtu siç ishte parashikuar në Traktatin e Fshehtë të Londrës të v.1915), projekt që nuk u realizua në saj të qëndresës së shqiptarëve dhe angazhimit e qëndrimit të SHBA.
***
Viti 1920 filloi me një ngjarje të jashtëzakonshme për fatet e Shqipërisë dhe organizimin e shtetit shqiptar. Më 21 janar u mblodh Kongresi i Lushnjës, me përfaqësues nga të gjitha krahinat. Kongresi krijoi një Qeveri Emergjence, Këshillin e Lartë si dhe një Këshill Kombëtar që do të kryente funksionet e parlamentit. Tashmë Shqipëria kishte një qeveri qendrore, që do i jepte fund qeverisjes nga të huajt, nga disa klane apo sipas krahinave. Detyrat e saj ishin të jashtëzakonshme, në planin e brendshëm për ruajtjen e tërësisë territoriale, për mbrojtjen e çlirimin e disa krahinave nga pushtuesit italianë, shovinistët grekë dhe serbo-malazezët si dhe në planin ndërkombëtar, për mbrojtjen e çështjes shqiptare, veçanërisht në Konferencën e Paqes në Paris.
Duke përfituar nga situata e pa stabilizuar dhe pengesat që i nxirreshin Qeverisë, në shkurt, jugosllavët ndërmorën një agresion të hapur, duke pushtuar malin strategjik të Taraboshit (Taraboshi historikisht ka qenë çelësi i Shkodrës. Thuhet se gjatë takimit të Krajl Nikollës së Malit të Zi me Sulltanin në vitin 1905, ai i kërkoi Sulltanit një copë shkëmb në Tarabosh, sa “një lëkurë bualli”, pikërisht për këtë qëllim, që të siguronte një pikë strategjike për realizimin e ëndrrës së tij për pushtimin e Shkodrës). Krahas Taraboshit ata pushtuan anën e majtë të liqenit të Shkodrës, si dhe krahun e djathtë të lumit Buna, duke u afruar deri tek ura e Bunës, në lagjen e jashtme e qytetit. Sipas disa studiuesve, të gjitha këto u arritën me aprovimin e gjeneralit Francez Bardi de Fortou.
Situata e jashtëzakonshme që u krijua alarmoi patriotët shkodranë, që u organizuan në Komitetin “Mbrojtja Kombëtare” që mori një seri masash mbrojtëse si dhe kërkuan ndihmën e Qeverisë së sapo krijuar. Komiteti i dha një rendësi të jashtëzakonshme bashkëpunimit dhe bashkëveprimet midis qytetarëve dhe malësorëve, nga radhët e të cilëve do të dilnin shumica e luftëtarëve. Problemi kryesor mbetej bashkimi administrativ i Shkodrës dhe Malësisë së Madhe me shtetin administrativ që po ngrinte Qeveria e re dhe që ishte shprehur qartë në mbledhjen e organizuar më 6 mars 1920 nga Komisioni i Shkodrës.
Mbasi dështuan në tentativën për të pushtuar Kelmendin e Shalën, jugosllavët gjithë vëmendjen ja kushtojnë qytetit të Shkodrës.
Ishte koha kur përgatitej largimi i trupave të huaja nga Shkodra dhe, sipas disa studiuesve, gjenerali francez që komandonte këto trupa, përgatitej që me largimin e tyre, vendin e tyre t’ja linte ushtrisë jugosllave, që ishte dislokuar jo vetëm në lagjen e jashtme të Shkodrës (matanë urës së Bunës), por në pozicione strategjike (Tarabosh, Anë të Malit, dhe përgjatë bregut të liqenit të Shkodrës).
Duket e pabesueshme, por gjenerali francez, i kërkoi Kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, që të përpilonte një peticion në emër përfaqësuesve e qytetit, ku të kërkohej prania e trupave serbo-malazeze në Shkodër, si “mbajtëse të rendit dhe qetësisë”, e jo si pushtuese, gjë që u hodh poshtë në mënyrë demonstrative nga patriotët shkodranë. Ndërkohë Qeveria, që nga njëra anë përpiqej nëpërmjet bisedimeve me gjeneralin francez të arrinte një marrëveshje për marrjen në dorëzim të qytetit nga shqiptarët, nga ana tjetër, punonte për tu përgatitur e për të marrë masa për mbrojtje. Më 10 mars në një mbledhje të Komisionit të Shkodrës, ku merrnin pjesë dhe përfaqësues të Qeverisë, u vendos që ti kërkohej komandantit të forcave ndërkombëtare që qyteti i Shkodrës ti dorëzohej “Komisionit të Shkodrës”.
Situata u acarua edhe më shumë dhe në Shkodër filloi armatosja e mobilizimi i vullnetarëve për mbrojtjen e qytetit me çdo kusht. Ndërkohë, në Bahçallëk, (në hyrje të Shkodrës) rreth 200 vullnetarë të armatosur qëndronin të gatshëm për çdo moment. Në këto kushte, megjithëse gjenerali francez nuk deshi ta dorëzonte qytetin shqiptarëve, përfaqësuesit e Qeverisë dhe të Komisionit të Shkodrës, e bënë fakt të kryer marrjen në dorëzim të qytetit. Mbasi francezi me trupat që komandonte u larguan, filloi menjëherë formimi i administratës lokale me dy prefektë (një mysliman dhe një katolik) si dhe u krijua një këshill administrativ.
***
Beogradi e priti në mënyrë armiqësore bashkimin e Shkodrës administrativisht me Qeverinë, madje shtoi përgatitjet ushtarake. Në këtë kuadër rriti numrin e ushtarëve dhe punimet fortifikuese në Tarabosh, si çelësi për Shkodrën. Sipas një raporti të Ministrisë Brendshme për Qeverinë, ata kishin përgatitur edhe një plan për rebelimin e esatistëve, që do të sulmonin Shkodrën nga tre drejtime. Sulmi mbi Shkodrën planifikohej të bëhej në të njëjtën kohë me rebelimin në Shqipërinë e Mesme….Në të njëjtën kohë ata përpiqeshin të shkaktonin turbullira ne Malësi të Madhe, nga njëra anë të fusnin ngatërresa midis malësorëve, dhe nga ana tjetër të fusnin banda të armatosura në këto zona.
Dukej qartë se Beogradi po përgatitej për një agresion ushtarak. Sigurisht për një ndërmarrje të tillë duhej gjetur preteksti. Siç shkruan enciklopedisti shkodran Hamdi Bushati (Sekretar pranë shtabit të Luftës së Koplikut) preteksti u gjet. Mbasi serbomalazezët vranë 74 malësorë nga Hoti e Gruda, një togë xhandarësh shqiptarë të gënjyer ndoqën armikun matanë Kufirit Shtetëror. Dhe preteksti u gjet. Sipas ndonjë studiuesi, (edhe sipas kujtimeve të Sejfi Vllamasit) ata shfrytëzuan togerin Zef Serreqi, i rekrutuar nga italianët që në krye të togës ndërmori këtë aventurë…
Qeveria e Tiranë i kërkonte Prefekturës së Shkodrës të tërhiqen menjëherë . Ajo urdhëronte në mënyrë kategorike nënprefekturën Malësisë së Madhe që trupat shqiptare të mos kalonin në asnjë mënyrë kufirin, sepse detyra e tyre ishte të ruanin me çdo kusht kufirin shqiptar, urdhër që ju dha edhe krerëve të Malësisë së Madhe që u mblodhën në Kastrat.
Më 27 korrik (që konsiderohet si fillimi i Luftës ë Koplikut) tre batalione të ushtrisë jugosllave, bashkë me mercenarë shqiptarë….ju drejtuan Kastratit, që mbas katër-pesë orë luftimesh arritën ta pushtojnë. Menjëherë u dha kushtrimi dhe qindra vullnetarë nga Shkodra e rrethinat u drejtuan në pikat grumbullimit. Më 29 korrik forcat jugosllave sulmuan Katundin e Kastratit. Duhet theksuar se ushtria e tyre ishte e pajisur me armët moderne të kohës, topa e mitraloza etj. kryesisht të prodhimit francez. Për këto suksese të ushtrisë jugosllave, Regjenti i mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, i konfirmonte Atasheut Ushtarak Anglez në Beograd, se “Forcat ushtarake kishin pushtuar vijën e lartësive në veri të Liqenit të Shkodrës, rreth 15 kilometra në lindje të kufirit të v.1913”.
Tashmë ata ishin përgatitur për të realizuar qëllimin e tyre, pushtimin e Shkodrës. Në këto kushte, më 29 korrik u organizua në Shkodër një takim i madh nen moton “Serbët ia behën në Koplik” me qëllim organizimin e popullit për mbrojtjen me çdo kusht të trojeve shqiptare. Siç shkruante revista Agimi (Nr.5 v.1920) “Burra të pjekun, djem të ri , myslimanë e të krishterë, si bijtë e thjeshtë të një race, vllazën të një gjaku, të nji fisi e të nji votre e të nji zjermi…lanë çdo punë e shërbim e menjëherë rrokën armët, tue pas zjermin në gji e uzdajën në zemër. Burra e djelm, o sot o kurrë”.
(Vijon)

Te lumte dora Shaqir Vukaj!
Historiografia komuniste ka heshtur per Luften e Koplikut,ashtu si ka heshtur edhe per mbrojtjen e Kelmendit,Vermkoshit,Shales nga malsoret vete.
Qofte i paharruar kujtimi i Preke Calit i vrare nga terroristi serbo-malazes Memet Shehu.
Klyshi i Talibanit Haxhiqamils baba shehu i Corrushit,
Vrasesi i Myzeqareve,
Vrasesi i Dukatit,Suloves,Dumrese,Kelmendit,Vermoshit.Mirdites.
kam respsekt per politikanin dhe diplomatin Shaqir Vukaj, por e verteta shkencore e Luftes se Koplikut gjendet ne librin e sapobotuar biografik “Rinia e Mbretit Zog”, i cili mori pjese ne organizimin e mbrojtjes se nderhyrjes se armatosur jugosllave ne Kastrat, Koplik e Vrake si minister i Puneve te Brendshme dhe prefekt i Shkodres.
Sa here jane vrare 74 shqiptare nga ushtria jugosllave? Autori shkruan:
“Në prag të Krishtlindjeve, me dredhi e mashtrim, ata bënë një masakër të pa dëgjuar në Hot, duke vrarë 74 vetë të pafajshëm si dhe duke arrestuar 200 të tjerë që i çuan në Podgoricë. Kështu u mbyll viti 1919.”
Me tej, duke folur per fillimin e intervencionit jugosllav ne korrik 1920, autori shkruan perseri:
“Mbasi serbomalazezët vranë 74 malësorë nga Hoti e Gruda, një togë xhandarësh shqiptarë të gënjyer ndoqën armikun matanë Kufirit Shtetëror. Dhe preteksti u gjet. Sipas ndonjë studiuesi, (edhe sipas kujtimeve të Sejfi Vllamasit) ata shfrytëzuan togerin Zef Serreqi, i rekrutuar nga italianët që në krye të togës ndërmori këtë aventurë…”
N ete vertete, sulmi i 150 malesoreve hotjane e grudas, si dhe 200 xhandareve shqiptare, te komanduar nga togeri patriot Zef Serreqi kunder rojeve kriminele jugosllave ne Hanin e Hotit, me 25 korrik 1920, qe nje shperthim zemerimi si pergjigje nga vrasja e 80 burrave shqiptare ne kufi. Sa per tezen se ne ate kohe toger Zef Serreqi ishte i rekrutuar nga agjentura italiane eshte nje shpifje komuniste. Ne kete kohe, Italia kishte filluar bisedimet per paqe me Qeverine Delvina, bisedime qe u finalizuan me 2 gusht 1920 ne Tirane.
Me pak fjale, per shkrime te karakterit shkencor historik do te ishte me mire qe gazeta e respektuar DITA t’u drejtohet historianeve te cilet nuk jane te pakte ne akademite dhe universitetet e Shqiperise; ose ne rastin konkret te keshilloheshin me ta….
.
shaqir vukaj eshte nje komunist i qelburi ardhun ne shkoder nga malesia e koplikut servire nga nje faqe gazete te vjeter e e e boton si studim personal plagjiature .ike nga skena e jetes shqiptare kriminel e bire krimineli nga dy prinderit-
Ju lumte z.Atdhetar Shaqir VUKAJ! Te EVOLLOSH historine prag festave te *NENDOREVE*(1444-1912 dhe kryenendort 1944), eshte dy here RRESPEKT per Te RENET,sa ato FTORE..
.I perjetshem KUJTIMI i TYRE.
Toronto 14 Nendor 2020 Guri Naimit D