Qëndrimi, gatishmëria, trimëria, vendosmëria e organizimi i vullnetarëve të Malësisë së Madhe, Shkodrës e vullnetarëve nga krahina të tjera, u bënë barrikadë për të mos lejuar ushtrinë jugosllave të arrinte qëllimin e vet për pushtimin e Shkodrës.
Shaqir Vukaj
(Vijon nga numri i kaluar)
Më 30 korrik në qytet u dha kushtrimi, “Një pushkë për shtëpi” dhe brenda ditës u nis drejt frontit formacioni i parë me 500 vullnetarë. Shtabi drejtues u vendos, fillimisht në Vrakë, ku forcave vullnetare, të qytetit ju bashkuan vullnetarët e Malësisë së Mbishkodrës. Në përplasjen me pararojën e ushtrisë jugosllave, ajo u tërhoq, duke krijua mundësi që Shtabi të vendosej në Çezme të Koplikut. Në Shtab bënin pjesë njerëz me emër në Shkodër, Syçbo beg Bushati, Rexhep Shala, Muharrem Kazazi, Shuk Gurakuqi, Oso beg Koliku, Can Mema, Malo beg Bushati etj. ndërmjet të cilëve disa oficerë. Nga Qeveria vinin herë pas here përfaqësues për koordinimin e veprimeve etj.
Fillimisht forcat vullnetare, tashmë qytetarë e malësorë nga të gjitha krahinat e Malësisë së Madhe, nga Dukagjini e deri nga Kosova, fillimisht përbeheshin nga rreth 2200 vetë, të organizuar dhe të ndarë në tri kolona, me detyra të caktuara qartë. Bën përshtypje një dokument i kohës, sipas të cilit jepen me hollësi numri i vullnetarëve nga çdo fshat i Malësisë së Madhe (që përbente numrin më të madh), përfshijë dhe nga trojet shqiptare që ndodheshin jashtë kufirit, si dhe nga çdo lagje e qytetit, apo nga fshatrat rreth Shkodrës. Në Shkodër u krijuan grupe e njësi ndihmëse, si komisioni Përkujdestar i Ushtrive Vullnetare, grupi i korrierëve, grupi i çiklistëve, u themelua shoqata “Hylli i Kuq”, Komiteti bamirës “Grueja Shqiptare” etj.
Tashmë kemi një organizim pak a shumë ushtarak, që drejtohej nga një Shtab, por që, sipas traditave e zakoneve, vullnetarët e çdo krahine kishin prijësit e tyre. Në qoftë se e ditët e para numëroheshin 2200 vullnetarë, mbas pak kohësh numri i tyre arriti në rreth 3000 vetë, nga të cilët rreth 400 nga Kosova, rreth 300 vullnetarë nga Kruja, Ishmi dhe Shijaku etj.
Në këtë periudhë, krahas luftimeve, Qeveria Shqiptare, përpiqej në planin diplomatik të gjente zgjidhje për ndalimin e luftës. Në këtë kuadër ajo mori disa herë iniciativa, madje përfaqësuesi i saj u takua në Rieka me komandantin e ushtrive jugosllave në Mal të Zi, gjeneralin Mihajlloviç, por pa asnjë rezultat dhe ushtria e tyre vazhdonte luftën në Malësi e Koplik.
Shkodranët e malësorët nuk ishin dakord me këtë politikë të Qeverisë, madje u përpoqën ti bënin presion. Ata vazhdonin ofensivën dhe arritën të merrnin një pikë strategjike në Koplik, që bëri të mundur të bashkonte frontin dhe të vazhdonin ofensivën në shumë drejtime, aq sa më 21 gusht ata arritën të çlironin pothuajse të gjitha zonat e pushtuara. Kishte mbetur vetëm mali i Taraboshit.

***
Qeveria vazhdonte përpjekjet për armëpushim, gjë që bëri të ndalej ofensiva e shqiptarëve. Për këtë arsye, më 21 gusht përfaqësuesi i Qeverisë u takua në Shkodër me delegatin jugosllav Vukatiç. Pa kaluar pak orë, duke shfrytëzuar armëpushimin gjoja për të arritur një marrëveshje, serbo-malazezët ndërmorën një ofensivë të madhe nga shumë drejtime në Malësinë e Madhe me të gjitha armatimet e kohës dhe arritën të pushtojnë Kelmendin, Kastratin deri në afërsi të Koplikut.
Në situatën e krijuar për luftëtarët shqiptarë, problemi kryesor mbetej mbrojtja e pozicioneve, në mënyrë që mos të lejonin në asnjë mënyrë avancimin e jugosllavëve drejt Shkodrës, duke krijuar një front që shtrihej nga Kastrati, Shkreli e deri në breg të Liqenit të Shkodrës. Theksojmë se në ndihmë të vëllezërve të tyre kishin ardhur vullnetarë nga Kruja (200 vetë), Mati (200 vetë) Tirana, Shijaku e Kavaja (400 vetë) etj.
Ndërkohë ‘Çështja Shqiptare” kish tërhequr vëmendjen e Fuqive të Mëdha, veçanërisht të qeverisë së SHBA, që nëpërmjet një note dorëzuar Ministrisë së Jashtme të Anglisë ku thuhej se ajo “Dëshiron që të arrihet sa më parë në zgjidhjen e problemeve të shumta që kanë lindur në lidhje me Shqipërinë”, madje paralajmëroi se “nuk do të njihte asnjë rregullim për të cilin ky departament nuk do të ketë dhënë qysh më parë pëlqimin e vet”.
Ndërsa në notën e 6 marsit 1020 thuhet se “Presidenti detyrohet të deklarojë edhe një herë se nuk do të miratonte asnjë plan që i jep Jugosllavisë një kompensim territorial në pjesën veriore të Shqipërisë”
Situata në frontin e luftës sipas buletineve ditore të Ministrisë së Luftës, “në përgjithësi është e qetë, nuk ka luftime të mirëfillta”, por gjithsesi jugosllavët qëllojnë me artileri pozicionet e shqiptarëve në të disa pika të frontit… Shqiptarët duke njohur mirë pabesinë e dredhitë e serbo-malazezëve qëndronin në gatishmëri, madje numri i luftëtarëve shqiptarë në front ishte rritur dhe kishte shkuar në 3050 vetë. Duhet vënë në dukje se ata nuk pranuan të zbatonin as urdhrin e Qeverisë së Tiranës për të ulur numrin e vullnetarëve në front…
Në muajin tetor ushtria jugosllave kishte mbetur në ato pozicione që kishin arritur më 22 gusht, pa mundur të bënte asnjë hap përpara. Ata vazhdonin të mbanin të pushtuara zona të caktuara në Hot, Kastrat e Shkrel. Megjithëse po bëheshin përpjekje që konflikti të zhvendosej në fushën diplomatike (në këtë periudhë kemi shkëmbim të robërve nga të dy palët), jugosllavët vazhdonin provokacionet, ndërmerrnin here pas here aksione të shkëputura për të parë e provuar gatishmërinë e vullnetarëve shqiptarë, që u kundërpërgjigjeshin në çdo rast ( madje në kundërshtim me urdhrin e Qeverisë për të mos ju kundërpërgjigjur…).
Qëndrimi, gatishmëria, trimëria, vendosmëria e organizimi i vullnetarëve të Malësisë së Madhe, Shkodrës e vullnetarëve nga krahina të tjera, u bënë barrikadë për të mos lejuar ushtrinë jugosllave të arrinte qëllimin e vet për pushtimin e Shkodrës. Njëlloj qëndronin vullnetarët shkodranë e vullnetarët nga krahina të tjera, në gatishmëri për të përballuar çdo sulm që mund të vinte nga krahu i Bunës dhe bregu i Liqenit të Shkodrës. Strategjia e zgjedhur, që vazhdoi edhe gjatë muajve nëntor-shkurt ishte rruga më e mirë për tu krijuar mundësi rrugëve diplomatike që Qeveria Shqiptare kishte ndërmarrë me Fuqitë e Mëdha e SHBA.

Qeveria Shqiptare, më 12 tetor kishte bërë kërkesën për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve dhe, pavarësisht nga kundërshtimet e Beogradit, Athinës dhe të Parisit, më 17 dhjetor Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve, çka ishte një sukses i jashtëzakonshëm, e që do të kishte rolin e vet edhe për ti dhënë fund Luftës së Koplikut.
Më në fund, Beogradi i detyruar nga shumë faktorë, në radhë të parë në saj të qëndresës së shqiptarëve, si dhe ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar, u detyrua të tërhiqej përfundimisht nga territoret e pushtuara, duke u kthyer në kufijtë e vitit 1913, duke shuar një herë e mirë ëndrrën për pushtimin e Shkodrës.
Luftëtarët shqiptarë treguan akte heroizmi të rralla në këtë luftë të pabarabartë, përballë një ushtrie të përgatitur e të pajisur më armët moderne të kohës. Të pa stërvitur, pa furnizimet e domosdoshme, madje as pa gjërat më elementare për të përballuar një armik të tillë, vullnetarët shqiptarë në saj të mobilizimit dhe ndihmës të gjithë banorëve të Malësisë së Madhe e të qytetit të Shkodrës, arritën që brenda një kohë të shkurtër të ktheheshin në një lloj ushtrie popullore të rregullt e të disiplinuar, që zhvilloi luftëra e aksione luftarake në shumë fshatra e pika strategjike të Malësisë së Madhe.
Lufta e Koplikut do të kishte Heronjtë e Dëshmorët e vet, që me trimërinë e heroizmin e treguar u bënë shembull për shokët e tyre e për brezat e ardhshëm e që me gjakun e tyre vulosën themelet e kësaj Shqipërie që kemi sot.
Sipas shumë dokumenteve e të dhënave, në këtë luftë u vranë 79 luftëtarë, dhe së bashku me 74 të vrarët në Hot, numri i tyre shkon në 153 vetë, pa folur për qindra të plagosur. Dua të kujtoj se një pjesë e tyre janë shpallur Dëshmorë para viteve 90-të, dhe sipas dokumentacionit të përgatitur nga Bashkia e Koplikut, presim që së shpejti edhe të tjerët të shpallen së shpejti Dëshmorë të Atdheut.
***
Lufta e Koplikut, sikurse dhe Lufta e Vlorës, ishte luftë kombëtare, ku morën pjesë vullnetarë nga shumë krahina të Shqipërisë, e organizuar dhe drejtuar politiko-ushtarakisht nga Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës. Megjithëse shumica dërmuese e luftëtarëve ishin vullnetarë që vinin kryesisht nga Malësia e Madhe apo krahina që historikisht ishin mësuar te luftonin nën drejtimin e bajraktarëve apo prijësve të krahinave, ajo u zhvillua dhe u drejtua nga një Shtab që komandonte e drejtonte të gjitha veprimet luftarake.
Ajo u zhvillua në kushte të komplikuara ndërkombëtare, kur Fuqitë e Mëdha të Europës, Britania e Madhe, Franca dhe Italia kishin planifikuar dhe rënë dakord për copëtimin e Shqipërisë, ku Veriu, e në këtë kuadër, Shkodra, Malësia e Madhe, Ana e Malit etj. do i jepeshin Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene.
Lufta e Koplikut, në ndryshim me shumë luftëra të tjera nuk u zhvillua në një vijë fronti. Ajo u zhvillua në shumë vende dhe përfshiu pjesën më të madhe të Malësisë së Madhe, në Kelmend, Hot, Shkrel, Kastrat, Katund të Kastratit, Koplik, etj.
E veçantë e kësaj lufte është se për herë të parë morën pjesë vullnetarë nga e gjithë Malësia e Madhe, pa përjashtim nga të gjitha zonat e fshatrat dhe përbënin numrin më të madh të të gjithë vullnetarëve. Duhet vënë në dukje se në të morën pjesë shumë vullnetarë nga trojet shqiptare të lëna jashtë kufijve nga Konferenca e Londrës e v. 1913, nga Kosova, Hoti, Gruda, Plava, Gucia si dhe nga zonat e tjera të rrethit Shkodër. Një ndihmë të madhe dhanë vullnetarët e ardhur nga Mati, Tirana, Kavaja, Shijaku etj.
Shkodra e kishte treguar veten edhe në raste të tjera, veçanërisht gjatë Luftës për Shkodrën , rrethimit e 6 mujor, por qëndrimi e mobilizimi i qytetarëve të Shkodrës, pa dallim feje, këtë herë ka qenë shembullor, ku në krye qëndronin intelektualë e patriotë të njohur shkodranë.
Ishte kjo luftë (krahas asaj të Dibrës) që e ktheu Veriun e Shqipërisë në kufijtë e vitit 1913, duke i dhënë fund një herë e mirë ëndrrës e pretendimeve shekullore sllave për të pushtuar Shkodrën, dhe unë do të shtoja se përkufizimi që ka bërë Pr. Paskal Milo për Luftën e Vlorës se ajo “Përmbylli ne vija të përgjithshme procesin e rivendosjes së pavarësisë dhe sovranitetit të Shqipërisë” duhet thënë edhe për Luftën e Koplikut.
Është e pafalshme që për 100 vjetorin e kësaj lufte nuk u organizua asgjë nga Qeveria apo institucionet tona studimore. Presim të realizohet premtimi i Bashkisë Koplik për të organizuar disa aktivitete në fund të vitit, si dhe vendosjen e monumentit kushtuar kësaj lufte. Ishte pozitive iniciativa e një shoqate kulturore që kishte marrë iniciativë për përkujtimin e saj, por ishte e pafalshme që edhe në këtë rast u fut politika e mbrapshtë e ditës dhe nuk pamë bashkë qeveritarë e politikanë të partive të ndryshme. Data përkujtimore të tilla duhet të shërbejnë si shembull mirëkuptimi e bashkëpunimi midis shqiptarëve e jo të shfrytëzohen për përçarje…

Së fundi dua të theksoj se Lufta e Koplikut nuk është studiuar ashtu si e meriton. Historiografia jonë ia ka borxh, prandaj është detyrë e institucioneve përkatëse dhe historianëve tanë seriozë që ta çojnë me tej punën e bërë nga historianët Xhevat Repishti (“Lufta për mbrojtjen e Shkodrës në vitet 1919-1920”) (Shkodër1998) e Ndue Bacaj në (“Lufta e Koplikut 1920 dhe ngjarjet që i paraprijnë”) (Shkodër 2020) dhe disa autorëve të tjerë që me raste të ndryshme kanë shkruar apo mbajtur kumtesa e referate. Ekzistojnë shumë dokumente e materiale të pashfrytëzuara, që po të merren në dorë nga studiues seriozë, do të mësonim shumë më tepër për këtë luftë, për planet e veprimtarinë armiqësore të Beogradit e të disa Fuqive të Mëdha Europiane kundër Shqipërisë, për heroizmin e njerëzve të thjeshtë që dolën vullnetarë e luftuan deri në fund për mbrojtjen e trojeve shqiptare si dhe për veprimtarinë e disa patriotëve e intelektualëve shkodranë që me penë e pushkë u vunë në krye të kësaj lufte, dhe që me të drejtë radhitet ndër luftërat më të lavdishme të popullit tonë.


Bravo!Eshte shkruar shume dhe me te drejte per Luften e Vlores,por eshte lene ne harrese keto 80 vjet Lufta e Koplikut qe ka te njejten rendesi.
Shume gjak ka derdhur popilli yne per te mbrojtur kete pellembe toke qe kemi sot. Falenderoj Zotin Shaqir Vuka per keto shkrime qe sjellin ne faqet e shtypit te perditeshem heroizmin e njerezve te thjeshte ne mbrotjen e vendit. Falenderoj edhe gazeten Dita per publikimet positive qe kultivojne kujtesen historike e heroike te kombit tone…
Respekt per patriotet qe ne cdo moment i dolen ne krah kombit nga ter trojet Shqiptare, dihet pun qe ti nxjerrim ne drit me ulerima se si nje komb i padrejtuar i paarmatosur arriti te mbijetoj kundrejt fqinjeve te miroganizum dhe me mbeshtetje aleatesh te medhenj.E paimagjinushme perpjekjet tona, dhe keto histori patriotismi, ba japin shpres per nje te ardhme me then qe ne ishim, jemi, dhe do te jemi ne koto troje, dhe ndishta nje dit do te jemi nje, edhe ose kemi antikombetar qe po na drejtojn keto 30 vite me axhenda te qarta antishqiptare me ndalu energjin e ketij kombi vital.Kujtoni ndyresira se lumin mund ta spostoni perkohesisht, por ai do te kthehet ne shtratin e tij.
Ting
Gazeta DITA vazhdon traditen e thurjes se hymneve komuniste me lahute e cifteli, se populli shqiptar, prej 100 vjetresh i copetuar ne 5 shtete, “E ka care rrugen e historise me shpate ne dore!?”
E verteta shkencore e Luftes se Koplikut dhe Kryengritjes se Dibres ne vjeshyen e vitit 1920 eshte se te dyja keto ngjarje jetike per popullin shqiptar u tradhtun nga agjentura serbe, qe kishte depertuar deri ne Keshillin e Ministrave te Qeverise Delvina. Panorama e pushtimit te territorit shqiptar nga trupat serbo-malazeze u ekspozua nga delegati i Shqiperise ne Lidhjen e Kombeve, Fan Noli, me 25 maj 1921:
“Si përfundim, trupat ushtarake jugosllave pushtuan rreth 1/6 e sipërfaqes së përgjithshme të Shqipërisë (afërsisht 4880 km2), ku jetonte 1/5 e popullsisë së saj (rreth 150 mijë banorë).”
( AQSH. Fondi 251, viti 1921, dosja 149, fl. 2: nga fjala e delegatit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, Fan S. Noli, më 25.05.1921)
“
Faleminderit ju seleksionuesit e gazetes dhe per mua gjush qe ju kam si *TRINITRINE.*. Guri Naimit D.