“Masakroni Servet Pëllumbin”, libri i deputetit Spartak Braho, analiza e tij politike për 30 vitet e fundit

Ornela

Nga Xhevdet Shehu

 

Politikani dhe juristi, deputeti Spartak Braho, del para lexuesve me një libër që e ka titulluar “Masakroni Servet Pëllumbin”, i cili fare mirë mund të kishte titullin “Lufta e pashmangshme”. Një titull intrigues që të shtyn menjëherë për të kapur thelbin e domethënies së tij, pasi e dimë që ne shqiptarët e kemi qejf luftën dhe historirat që lidhen me të. E pra këtu kemi të bëjmë me histori lufte, dëshmi autentike përleshjesh, strategjish dhe taktikash…

Si në çdo luftë edhe në faqet e këtij libri gjëmojnë krisma, ka të rënë në beteja si dhe shumë viktima, ka heronj dhe tradhtarë. Pavarësisht se “Lufta…” e Spartakut është më shumë virtuale se sa reale.

Në fokusin e intervistave, shkrimeve, analizave dhe polemikave të tij të përfshira në këtë libër, të përzgjedhura prej tij janë kryesisht Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe ngjarjet tragjike të vitit 1997. Në të vërtetë këto janë dy tema të mprehta që ngjallin jo vetëm interes, por edhe bëhen shumë shpesh objekt diskutimesh e debatesh të zjarrta, pasi janë jo vetëm pika kthesash të mëdha, por edhe se janë shoqëruar me shumë dëshmorë dhe viktima për të cilët drejtësia dhe historia nuk e kanë thënë përfundimisht fjalën e tyre.

Gjatë më shumë se dy viteve të fundit deputeti Braho u vu me apo pa dashje në epiqendër të një debati publik që herë fashitet e herë rindizet furishëm. Për këtë arsye ai ka patur dhe vijon të ketë një bashkëpunim të ngushtë me gazetën DITA, ku ai ka folur vazhdimisht për këto dy luftëra:

Në rastin e parë në mbrojtje të Luftës Antifashiste dhe dëshmorëve të saj, pasi jo krejt papritur ajo luftë u sulmua dhe anatemua egërsisht në prag dhe gjatë 75-vjetorit të çlirimit të Atdheut nga pinjollë të ish-bashkëpunëtorëve të pushtuesve nazi-fashistë gjatë Luftës së Dytë Botërore si dhe nga forca politike që vazhdojnë traditën e Ballit Kombëtar dhe Legalitetit të rreth tetë dekadave më parë.

“Lufta” e deputetit Braho në këtë rast konsiston se ai e radhiti veten si rrallëkush politikan tjetër aktiv, kundër atyre që sulmojnë luftën dhe dëshmorët e saj. Pavarësisht se shumica e deputetëve, sidomos ata të majtë heshtën duke bërë një kompromis lehtësisht të kuptueshëm për shkak të karrigeve dhe posteve të rëndësishme që mbanin dhe mbajnë, kjo nuk e stepi aspak deputetin Braho ta vazhdonte me heroizëm betejën e tij me apologjetët e Ballit dhe pinjollët e tyre.

Duke parë heshtjen e kolegëve të tij, Spartakut i shkon për shtat titulli i një libri të famshëm të shumë viteve më parë: “Dhe i vetëm trim në luftë…”.

Mirëpo ai nuk qe krejt i vetëm në këtë luftë. DITA ishte në krah të tij dhe i la hapësirat e nevojshme për vazhdimin e betejës së tij. Por në krah të Spartakut u vunë edhe plot figura të njohura të jetës publike, historianë, shkrimtarë dhe intelektualë të fushave të ndryshme. Ndër ta përmendim Pëllumb Xhufin, Presidentin Alfred Moisiu, Dr. Sabit Brokajn, Paskal Milon, Xhelal Gjeçovin, Shaqir Vukajn, Arben Dukën, Fatos Tarifën, Moikom Zeqon, Ksenofon Krisafin, Marenglen Kasmin e të tjerë. Kishte dhe ka në krah Organizatën Kombëtare të Veteranëve të LANÇ-it dhe Organizatën e Dëshmorëve të Atdheut që i kanë dhënë Spartakut titullin më të lartë, atë të Nderit të këtyre Organizatave të shquara.

Në rastin e dytë, Spartaku denoncon autorët ende të pandëshkuar të gjëmës së vitit 1997. Sa më shumë vite kalojnë aq më shumë nxin gjëma e atij viti, që me të drejtë është quajtur një vit i i zi, i mbrapshtë si ai 1913. Ai i tregon me gisht autorët dhe shkaktarët e tragjedisë me emër dhe mbiemër, sado influentë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në politikën shqiptare.

Dhe në gjithë diskursin e tij, ku pleksen sa juristi aq edhe deputeti e publicisti, kërkon drejtësi në emër të atyre mijëra viktimave që u vranë nga një politikë e mbrapshtë që e çoi vendin në pragun e një lufte civile në fundin e shekullit XX. Ndërkaq ai shpreh indinjatën për mosndëshkimin e autorëve të asaj tragjedie dhe për më tepër amnistimin e tyre për shkak të një kompromisi të turpshëm politik që u dha atyre shansin që jo vetëm të mbeten në politikë, por edhe të rikthehen në pushtet për të shkaktuar gjëma të tjera mbi këtë popull, sikurse kanë qenë tragjedia e Gërdecit dhe vrasjet në bulevardin para kryeministrisë më 21 janar 2011.

Të akuzuarit kryesorë si shkaktarë të tragjedisë së vitit 1997, të nxitjes së luftës vëllavrasëse të veriut kundër jugut, të përdorimit të lëndëve kimike dhe të shfarosjes në masë, morën poste ministrore deri dhe atë të kryeministrit. Dhe tashmë na hiqen jo vetëm si të pafajshëm, por duan të luajnë rolin e shpëtimtarit. Një absurditet sa politik, aq dhe moral! I turpshëm dhe i pafalshëm!

Në këtë libër Spartak Braho shfaq disa cilësi dhe tipare shumë të nevojshme për kohën që jetojmë. Ai shfaq një qëndrim të qartë dhe pa ekuivok jo si partiak, por si një atdhetar kur vjen fjala për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, një nga faqet më të ndritura të historisë sonë kombëtare.

Falë asaj lufte dhe gjakut të dëshmorëve të saj kemi këtë Shqipëri që kemi. Përndryshe do të ishim copëtuar dhe nuk do të ekzistonim si komb në hartat e botës. Jo thjesht për origjinën e tij familjare ku të parët e tij kanë qenë të lidhur ngushtësisht me këtë luftë ku kanë derdhur gjakun si dëshmorë disa të afërm të tij, por Spartaku e ndjen këtë si një shtysë të brendshme të çdo qytetari, për më tepër të politikanëve që kanë fatin të jenë në krye të punëve të vendit, në organet ligjbërëse dhe ekzekutive. E për ta bërë këtë i duhet sa kurajo, aq dhe mençuri.

Në intervistat dhe shkrimet e tij, ai i manifeston të dyja. Sepse ai flet jo thjeshtë dhe vetëm si qytetar, por edhe si përfaqësues i popullit.
Tregon kurajo sepse ai nuk pranon të jetë një numër anonim brenda partisë së tij. Po ju tregoj vetëm një rast: Kur kryetari i partisë së tij, njëherësh dhe kryeministër rehabilitoi ish-kryetarin e Ballit Kombëtar, Mit’hat Frashërin në nëntor 2018, Spartaku e shprehu haptas qëndrimin e tij kundër këtij akti. Sepse është antihistorik dhe i pamoralshëm ky akt, prandaj jam kundër, më thoshte Spartaku ato ditë.

Ndërsa më shpjegonte: Këtë akt e bëri Kryeministri që është njëherësh edhe kryetar i Partisë Socialiste. Partia Socialiste e ka në programin e saj mbrojtjen e luftës dhe të vlerave që krijoi ajo luftë, mbrojtjen e gjakut të dëshmorëve. Është një veprim absurd që pas 75 vjetësh kjo parti të dekorojë kryetarin e partisë kundërshtare, një kolaboracionist të devotshëm të pushtuesve nazi-fashistë.

Pavarësisht se nuk e shprehin hapur, në Partinë Socialiste shumica nuk janë aspak dakord me këtë akt të kryetarit. Pa le të dëgjosh veteranët e asaj lufte dhe pasardhësit e tyre, familjet e dëshmorëve. Kjo do të thotë ndryshe t’i vësh këmbën luftës dhe gjakut të dëshmorëve. Atë ditë, ndërsa ngrinte në qiell bëmat e Mit’hatit, kryetari i socialistëve u tha ish-partizanëve veteranë të asaj lufte antifashiste të ulnin kokat përpara kryetarit të Ballit.

Turfulluan nga zemërimi veteranët dhe folën hapur kundër këtij akti. Kryetari i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ-it, Rustem Peçi iu drejtua kështu kryeministrit: Edi, mos ua fërko kokën ballistëve se atyre u ngrihen shpejt veshët…

Po një reagim i tillë do të ndodhte edhe në palën tjetër të ballistëve, por edhe të pinjollëve të ballistëve dhe edhe të demokratëve po deshe, po të ndodhte fjala vjen që kryetari i tyre (gjë që nuk ka për të ndodhur kurrë) të ngrinte një memorial dhe të nderonte apo dekoronte Enver Hoxhën, udhëheqësin e komunistëve dhe Komandantin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Me siguri që ballistët do të tërboheshin, bashkë me sivëllezërit e tyre demokratë. Sepse demokratët tanë janë vëllezër me ballistët. Dhe unë mendoj se po të ndodhte një akt i tillë, ballistët dhe sivëllezërit e tyre do të tërboheshin nga zemërimi dhe do të bënin atë që nuk e bënë dot në kohën e luftës: do të rrëmbenin armët!

Por kjo nuk do të ndodhë sepse ballistët janë shumë të vendosur në bindjet e tyre prej kolaboracionistësh dhe as nuk mund t’u shkojë ndërmend të dekorojnë Enver Hoxhën. Aq më pak të rrëmbejnë armët!

Baba Taku, siç i thërresin ndryshe në intimitet të afërmit, por edhe miqtë e shokët e tij, nuk rrëmbehet e nuk bërtet, por argumenton dhe jep pambarim fakte dhe dëshmi të pakontestueshme. Ai flet ngadalë dhe qartë, me një qetësi olimpike që të imponohet. Duket sikur nuk nxehet kurrë, por në të vërtetë ato që thotë apo shkruan u ngjajnë shkrepëtimave të rrufeve që kur është natë të verbojnë, kur është ditë të shurdhojnë.

Ky është stili i Spartakut, edhe si njeri, edhe si politikan, edhe si publicist. Po po, edhe si publicist. Gazetari ka qenë i fshehur brenda këtij njeriu krejt natyrshëm dhe manifestohet në jetën e tij në mënyra të ndryshme. Sepse gazetaria ka qenë një nga pasionet e hershme të tij. Dhe ky pasion i hershëm i tij shpërtheu vrullshëm vitet e fundit, në intervista dhe analiza, në shkrime e replika. Aty ai shfaqi stilin e tij të veçantë dhe lehtësisht të dallueshëm, për mënyrën e trajtimit të problemeve, me nerv, pa eufemizma, befasues, por edhe me kolorit dhe humor herë-herë.

Ai nuk torolliset në filozofime pa vlerë, ai është konkret dhe i drejtpërdrejtë, duke e ditur fare mirë se kështu e kuptojnë lexuesit, por edhe se “ashtu i do mushka drutë”, duke nënkuptuar ata që ai akuzon dhe denoncon si përgjegjës tragjedish, si falsifikatorë të historisë apo si nxitës së përçarjes kombëtare dhe projektues të tragjedive të shkuara dhe të ardhshme.

Ndaj dhe është i besueshëm në ato që ka thënë dhe vazhdon të thotë. Profesori im i Stilistikës në degën e Gazetarisë, Xhevat Lloshi, kur na jepte me pasionin e tij karakteristik këtë lëndë të mrekullueshme dhe bazë për formimin e gazetarëve të ardhshëm, na thoshte se stili është një veçanti e autorit ose shmangie nga gjuha e zakonshme, krejt e dallueshme nga të tjerët. Por në mënyrën më të saktë e më të qartë përcaktimin mbi stilin e ka dhënë enciklopedisti i shquar francez i shekullit XVIII, Xhorxh Luis de Byfon, i cili thoshte: “Idetë e veprës janë jashtë njeriut, stili është vetë njeriu”.

Po sjell dy shembuj nga bashkëpunimi i gjatë me zotin Braho. E pyeta gjatë një interviste në nëntor të 2019-s, lidhur me vendosjen e portreteve të heronjve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në kuadrin e 75-vjetorit të çlirimit të Atdheut.

Duke parë irritimin dhe egërsimin e atyre që janë vendosmërisht kundër Luftës Antifashiste dhe që i quajtën heronjtë dhe dëshmorët tanë kriminelë, e pyeta Spartakun: A nuk do të ishte më mirë që në kushtet e pluralizmit, në Bulevard të vendoseshin edhe portretet e heronjve dhe dëshmorëve ballistë?

Përgjigjja që mora ishte vërtetë befasuese. U mendua ndoshta më pak se herët e tjera dhe ma ktheu: “Po, mirë do të ishte. Jam plotësisht dakord që të vendosen edhe ata. Po më përpara duhet të gjejmë heronjtë e Ballit, betejat që kanë bërë dhe ku kanë rënë, si dhe këngët që u ka kënduar populli për trimëritë e tyre. Se në fakt kështu ka ndodhur me dëshmorët përtizanë. Populli ua ka ngritur këngët që në momentin që ranë, por edhe më pas. E pra le të na bindin për heroizmin e tyre ballistët dhe pastaj dakord, hajde t’i ngjisim në panteon…”

Rasti i dytë. Në ditët e para të shfaqjes së koronavirusit, ende pa u vendosur regjimi i karantinës, u takova me Spartakun si zakonisht dhe bëmë një bisedë shumë interesante, e cila u kthye në një intervistë krejt ndryshe, që dukej sikur ishte jashtë realitetit. Ndërsa qeveria kishte shpallur gjendjen e emergjencës dhe koronavirusi ishte kthyer në pandemi, Spartaku foli qetësisht duke përshëndetur edhe masat për mbrojtjen nga sëmundja që kishte mbërthyer planetin, por tha se nuk ka vend për panik, si të thoshte se do të kalojë edhe kjo si plot epidemi të tjera. Por… Në Shqipëri është dikush më i rrezikshëm se koronavirusi! – tha ai.

Kjo ishte krejt e papritur për mua si gazetar i përfshirë nga shqetësimi i epidemisë. Qetësisht dhe pa asnjë mëdyshje, Spartaku tha se më i rrezikshëm se koronavirusi është ai që shkaktoi vitin 1997 me mijëra viktima, ai që ngriti veriun kundër jugut, ai që përdori armët kimike kundër jugut, ai që hapi zjarr pa asnjë arsye dhe vrau katër qytetarë të pafajshëm më 21 janar, ai që bëri Gërdecin dhe që i ka sjellë gjëma të pallogaritshme këtij vendi dhe është ende i pandëshkuar… Besoj se e merrni me mend se për kë e kishte fjalën…

Intervista u botua të nesërmen në DITA dhe përfshihet në pjesën e dytë të këtij libri.

Ja, i tillë është Spartaku! I qartë dhe i drejtpërdrejtë. I pamëshirshëm dhe konsekuent në mbrojtje të së vërtetës dhe, mbi të gjitha, i vendosur për të vënë drejtësinë e munguar në vend. Për këto dy çështje kardinale ai nuk bëri dhe nuk bën dot kompromis as me partinë e tij që e ka zgjedhur deputet.

Mua nuk më befason aspak botimi i këtij libri nga Spartaku. E kundërta, heshtja e tij, do të më bënte të ngrija disa pikëpyetje jo vetëm unë, por edhe lexuesit. Sepse ai tashmë është një politikan veteran, ndër më të vjetrit e parlamentit shqiptar. Ka patur në krah dikur në parlament Dritëro Agollin dhe sa e sa personalitete të tjera të shquara të politikës shqiptare. Ai ishte i vetmi që, në kulmin e debatit për Luftën tonë Antifashiste Nacionalçlirimtare arriti të bëjë një intervistë të rrallë, të vetmen në shtypin shqiptar, me heroin e rezistencës greke Manolis Glezosin, të cilin e kishte takuar në Athinë në mesin e viteve ’90 të shekullit të kaluar…

Si i tillë, ai i njeh me dhëmbë e dhëmballë kolegët e tij, u njeh huqet, të bërat dhe të pabërat, njeh në thellësi politikën që është bërë dhe bëhet prej tridhjetë vjetësh në këtë vend. Prandaj dhe them se e pashpjegueshme dhe enigmatike do të ishte heshtja dhe jo prononcimi i tij publik.

Autori i këtij libri mban emrin e një heroi të famshëm të lashtësisë. Spartaku i mitologjisë ka qenë një gladiator thrakas nja 100 vjet para Krishtit që u vu në krye të skllevërve për t’i shpëtuar thundrës së robërisë.
Spartaku ynë deputet dhe politikan, përveç emrit, nuk ka asnjë lidhje as gjaku dhe as gjenealogjike me Spartakun e lashtësisë.

E vetmja gjë që i bashkon këta dy persona me emrin Spartak, është lufta. Spartaku i lashtësisë luftonte për të çliruar skllevërit nga prangat e tiranisë së Romës para më shumë se 20 shekujve. Spartaku ynë modern, shqiptar, skraparli dhe një atdhetar i shquar lufton me të tjera armë dhe për motive krejt të tjera nga ato të emnakut të tij të lashtësisë.

Spartak Braho nuk ka nevojë për mitet dhe mitologjinë. Brenda historisë moderne shqiptare dhe kufijve amtare ai ka shkruar emrin e tij me disa qëndrime që do t’ia kishin zili të gjithë politikanët tanë të pas vitit 1990 dhe burrështetasit e kësaj periudhe.

***

E kam njohur Spartakun kur ishim në moshën e rinisë dhe ai ishte një nga veprimtarët e shquar të saj në Durrës. Si sekretar i rinisë së Durrësit ai shkruante shpesh shkrime për gazetën “Zëri i rinisë” ku unë isha gazetar dhe redaktor i saj. Po të mos kishte vazhduar studimet dhe të ndiqte karrierën në fushën e jurisprudencës, ai me siguri do të ishte bërë një gazetar shumë i mirë.

Ndaj dhe them me bindje se qëndrimet që ai pasqyron në këtë libër, në intervistat dhe analizat janë krejt të natyrshme dhe mbartin përgjegjësinë që ai ndjen si njeri, si qytetar i këtij vendi, si intelektual dhe si deputet e politikan. Shumë të paktë janë ata që e kanë bërë këtë nga të zgjedhurit tanë në parlament në vite. Shumica ka zgjedhur heshtjen dhe rolin e sehirxhiut.

Disa e bëjnë nga padituria, nga paaftësia, të tjerët për kompromise e privilegje, nuk duan ta prishin me kryetarin e partisë që ka hyqmin t’i vërë ose jo në listën për deputet në zgjedhjet e radhës. Është një fakt i pakontestueshëm, por edhe i trishtueshëm se kemi shumë deputetë në parlament që nuk ua dimë as emrin, as formimin, që hyjnë e dalin nga ajo sallë e nderuar pa thënë asnjë fjalë dhe ditën që u mbaron mandati zhyten në anonimat sikur të mos kenë ekzistuar kurrë si përfaqësues të popullit.

Kështu shpjegohet heshtja e deputetëve socialistë kur kryetari i tyre Edi Rama ngjiti në piedestalin e atdhetarit kolaboracionistin Mit’hat Frashëri. Ndër të rrallët, sikurse e thashë pak më sipër, që nuk u pajtua me këtë gjest të kryetarit ishte deputeti Spartak Braho. Prandaj dhe them se Spartak Braho nuk është nga ata anonimët që nuk kanë lënë asnjë gjurmë në jetën e tyre, pa le më në politikë.

Kështu u formësua ky libër. Duke dalë me këtë libër para lexuesve, Spartak Braho duket se thyen gati një tabu. Sikurse e thashë pak më sipër, autori i këtij libri është ndër shumë të rrallët midis kolegëve të tij deputetë dhe politikanë aktivë që shkruan dhe boton pikëpamjet dhe qëndrimet e tij në një libër të veçantë, të cilat kanë pasur ndikim tek lexuesit shumë herë më tepër se kujtimet që shkruhen nga disa pasi janë tërhequr nga politika apo kanë dalë në pension.

Prandaj dhe jam i bindur se ky libër-dëshmi do të përshëndetet dhe mirëpritet nga masa e lexuesve.

Share This Article
2 Comments
  • Gjate e gjate i ke rene z.Xhevdet dhe shume mire ke bere , por enigmen e titullit te librit serisht lexuesve ua le enigme ! Ne se do te mundesh , mbushe edhe kete boshllek , se lexuesit nuk jane te nje niveli , qe t`i kuptojne edhe keto te pa thena …”Masakroni Servet Pellumbin” ! , per te cilin ju nuk thoni ketu as edhe nje fjale te vetme !

  • Pas ketij libri ,qe pervec titullit ska azgje te re, Braho po shkruan librin me titullin.Mushka e Berishes polli miun demokrat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *