Nis aplikimi për bursat/ Kategoritë e studentëve që përfitojnë për vitin 2020-2021

Ornela

Ndonëse procesi mësimor po zhvillohet online, studentët e universiteteve publike do të vijojnë të përfitojnë bursë nga shteti për vijimin e studimeve të larta përgjatë vitit të ri akademik 2020-2021. Kur ka kaluar vetëm një javë nga nisja e mësimit, strukturat e arsimit të lartë kanë shpallur tashmë procedurat që duhet të ndjekin studentët që plotësojnë kushtet për të siguruar bursë, po ashtu edhe ata që kanë të drejtë të përjashtohen nga detyrimi i shlyerjes së tarifës vjetore të shkollimit.

Nëpërmjet rregulloreve të posaçme, universitetet kanë detajuar tashmë afatet e aplikimit, në të cilat duhet të bëhet dorëzimi i dokumenteve të përcaktuara për të gjitha kategoritë përfituese në radhët e studentëve. Përfitimi i bursës varet nga koha e dorëzimit të kërkesës së përfitimit.

Konkretisht në Universitetin Bujqësor të Tiranës saktësohet se aplikimi për bursat e studimit do të bëhet në tre faza, që përfshijnë aplikimet e muajit nëntor, dhjetor dhe ato të janarit të vitit të ardhëshëm e në vijim. “Afati i dorëzimit të dokumentacionit nga studentët sipas kritereve që përfitojnë bursë për vitin akademik 2020-2021, do të jetë: për muajin nëntor deri në datën 25 (faza e parë), për muajin dhjetor nga data 1 deri në 25 dhjetor (faza e dytë), si dhe nga janari 2021 e në vazhdim datat e dorëzimit të dokumentacionit nga studentët do të jenë brënda datës 25 të çdo muaji (faza e trëtë e etj), sqarojnë autoritetet e këtij institucioni të arsimit të lartë.

Për të mos vonuar marrjen e bursës duhet të aplikohet në afatet e përcaktuara. Ekspertët sqarojnë se bursa financiare paguhet nga data e regjistrimit në rastet e aplikimit në fillim të vitit akademik (faza e parë). Ndërsa për fazat e tjera, bursa financiare paguhet nga muaji pasardhës, kur studenti ka paraqitur kërkesën dhe përfitojnë vetëm ata student që plotësojnë kriteret e përcaktuara mbi kushtet përfituese për këtë vit akademik.

Sikundër ka ndodhur edhe në vitet e shkuara, aplikimi për bursën do të bëhet nëpërmjet dorëzimit të dosjes së dokumenteve të përcaktuara specifikisht për secilën kategori përfituese. Studentët e secilës kategori duhet të dorëzojnë formularin e aplikimit së bashku me dokumentet shoqëruese. Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e Covid-19, dorëzimi i dokumentacionit do të bëhet nëpërmjet shërbimit postar në adresat e secilit fakultete. Bashkë me dokumentet e kërkuara studentët duhet të dorëzojnë edhe numrin personal të llogarisë bankare. Në çdo rast, dokumentacioni duhet të jetë origjinal ose i noterizuar (përveç dokumentacionit të marrë nga e-albania).

Në lidhje me studentët e pranuar në vitin e parë akademik, në programet e studimeve profesionale, programet e ciklit të parë të studimeve dhe programet e integruara të studimeve në institucionet publike të arsimit të lartë, me notë mesatare vjetore nga 9 deri në 10 nga sistemi i arsimit të mesëm të lartë, që përllogaritet si mesatare e thjeshtë e treguesve, lista e të pranuarve në vitin e parë akademik dhe që plotësojnë kriterin e notës mesatare dërgohet nga Qëndra e Shërbimeve Arsimore. Këta studentë duhet të dërgojnë me shërbimin postar vetëm fotokopje të kartës së identitëtit dhe nr personal bankar.

Ndërsa për studentët e regjistruar në programet e studimeve profesionale, programet e ciklit të parë të studimeve, programet e integruara të studimeve në institucionet publike të arsimit të lartë, në vitet pas të parit, me notë mesatare vjetore të ponderuar nga 9 deri në 10 , të vitit paraardhës akademik të përllogaritur me kreditet dhe notat e atij viti akademik nga institucionet publike të arsimit të lartë duhet të kenë shlyer të gjitha detyrimet e vitit paraardhës akademik, për të cilin llogaritet nota mesatare vjetore e ponderuar. Lista e studentëve për këtë kategori studentësh vjen nga Zyrat e Studimit. Këta student duhet të dërgojnë me shërbimin postar vetëm fotokopje të kartës së identitëtit dhe numrin e llogarisë bankare.

Në udhëzimet e aplikimit saktësohet se nuk do të përfitojnë bursë për vitin e ri akademik studentët që janë duke ndjekur një program të dytë studimi për të cilin duhet të përballojnë vetë koston e plotë të studimeve. Nga ky rregull përjashtohen studentët e shkëlqyer. Ndërkohë që edhe studentëve përsëritës i ndërpritet mbështetja nga fondet publike me përjashtim të rasteve madhore. Kjo pasi këta studentë nuk e kanë përfunduar programin e studimit brenda kohëzgjatjes normale të përcaktuar në aktin e hapjes së programit përkatës të studimit.

 

DOKUMENTET QË DUHET TË DORËZONI PËR TË SIGURUAR BURSËN E STUDIMIT
Studentët, familjet e të cilëve trajtohen /përfitojnë Ndihmë Ekonomike
• Çertifikatë familjare nga sistemi e-albania e tre muajve të fundit.
• Fotokopje e kartës së identitetit të studentit.
• Vërtetim nga Organet e Qeverisjes Vendore në lidhje me përfitimin e ndihmës ekonomike që përfiton familja e studentit. Vërtetimi i ndihmës ekonomike duhet të jetë i protokolluar ku të ketë të shënuar numrin e dosjes dhe të regjistrit. Vërtetimi duhet të jetë me firmë dhe vulë origjinale.

Bashkëshortët, të cilët kanë fëmijë dhe janë të dy student
• Çertifikatë familjare nga sistemi e-albania e tre muajve të fundit.
• Fotokopje e kartës së identitetit të studentit.
• Vërtetim studenti për bashkëshorten apo bashkëshortin student, dokument original.

Studentët, persona me aftësi të kufizuara, të vërtetuar nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë, përfitues të pagesës së aftësisë së kufizuar
• Çertifikatë familjare nga sistemi e-albania e tre muajve të fundit.
• Fotokopje e kartës së identitetit të studentit.
• Vërtetim lëshuar nga KMCAP(dokument fotokopje e noterizuar).
• Vërtetim nga organet e Qeverisjes Vendore për përfitimin e pagesës së aftesisë së kufizuar- Dokument origjinal lëshuar nga institucionet përkatëse.

Studentët, të cilët i kanë të dy prindërit me aftësi të kufizuara, të vërtetuar me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, përfitues të pagesës së aftësisë së kufizuar
• Çertifikatë familjare nga sistemi e-albania e tre muajve të fundit.
• Fotokopje e kartës së identitetit të studentit.
• Vërtetim lëshuar nga KMCAP(dokument fotokopje e noterizuar), për të dy prindërit.
• Vërtetim nga Organet e Qeverisjes Vendore për përfitimin e pagesës së aftësisë së kufizuar për të dy prindërit, dokument origjinal lëshuar nga institucionet përkatëse.

Studentët, të cilët i kanë të dy prindërit pensionistë ose njërin prind pensionist dhe prindi tjetër nuk jeton
• Çertifikatë familjare nga sistemi e-albania e tre muajve të fundit.
• Fotokopje e kartës së identitetit të studentit.
• Vërtetim nga sigurimet shoqërore për pension pleqërie për prindërit, dokument origjinal lëshuar nga institucionet përkatëse.
• Çertifikatë vdekje(në rast se njëri nga prindërit nuk jeton).

Studentët, të cilët janë të tretët e lart në radhën e fëmijëve në familje me tre fëmijë a më shumë, nga të cilët dy të parët janë studentë në institucionet publike të arsimit të lartë:
• Çertifikatë familjare nga sistemi e-albania e tre muajve të fundit.
• Fotokopje e kartës së identitetit të studentit.
• Vërtetim studenti për dy fëmijët e lindur (vëllezërit dhe motrat) para studentit aplikues.

Studentët, të cilët kanë përfituar statusin e jetimit, deri në moshën 25 vjeç.
• Çertifikatë familjare nga sistemi e-albania e tre muajve të fundit.
• Fotokopje e kartës së identitetit të studentit.
• Fotokopje e noterizuar e dokumentit për statusin e jetimit.
• Çertifikatë vdekje për të dy prindërit.

Studentët, të cilët kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë, deri në moshën 25 vjeç;
• Çertifikatë familjare nga sistemi e-albania e tre muajve të fundit.
• Fotokopje e kartës së identitetit të studentit.
• Fotokopje e noterizuar e Vendimit të Gjykatës së formës së prerë.

Studentët, të cilët janë identifikuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë përfituar statusin ligjor për trajtim si viktima të trafikut të qenieve njerëzore, deri në moshën 25 vjeç;
• Çertifikatë familjare nga sistemi e-albania e tre muajve të fundit.
• Fotokopje e kartës së identitetit të studentit.
• Dokument vërtetues lëshuar nga organet përkatëse,për studentët që kanë përfituar statusin ligjor si viktima të trafikut, dokument origjinal /fotokopje e noterizuar.

Studentët, të cilët janë fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës
• Çertifikatë familjare nga sistemi e-albania e tre muajve të fundit.
• Fotokopje e kartës së identitetit të studentit.
• Çertifikatë vdekje për njërin prind.
• Vërtetim nga institucionet përkatëse i humbjes së jetës së prindit në krye të detyrës, dokument origjinal /fotokopje e noterizuar.

Studentët me mesatare të lartë
Studentët e regjistruar në programet e studimeve profesionale, programet e ciklit të parë të studimeve, programet e integruara të studimeve në institucionet publike të arsimit të lartë, me notë mesatare vjetore të ponderuar nga 9 deri në 10 të vitit paraardhës akademik të përllogaritur me kreditet dhe notat e atij viti akademik nga institucionet publike të arsimit të lartë. duhet të dërgojnë me shërbimin postar vetëm fotokopje të kartës së identitëtit dhe numrin e llogarisë bankare.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *