Bajern dhe Barcelona janë më të pakënaqurit nga kokat e serive në shortin e djeshëm në Champions League, ndërkohë që Manchester City e Arsenal me siguri mallkojnë veten që nuk bënë edhe një përpjekje ekstra në ndeshjen e fundit për të shmangur vendin e dytë në fazën e grupeve. Kampionët e Evropës, tani me një trajner të ri, do të kthehen në Londër më 19 shkurt për t’u ndeshur me “Topçinjtë”, në një përsëritje të takimit të vitit të kaluar. Të dyja skuadrat u ndeshën në 1/8 dhe bavarezët kaluan më tej pasi fituan 3-1 në Londër dhe humbën 0-2 në Munih. Që nga ajo humbje, Bajern njohu vetëm fitore në kompeticionin, të cilin e fitoi, deri sa u mund nga Manchester City në ndeshjen e fundit në grup.
Pikërisht City i ka rënë në short Barcelonës, duke ofruar përballjen midis Mesit e Agueros, ndër yjet e tjerë të shumtë që kanë të dyja skuadrat. Dy çiftet e mësipërm ofrojnë përballje fantastike që mund të shiheshin fare mirë në finalen e Lisbonës. Askush nuk është i kënaqur nga shorti midis këtyre katër skuadrave, sidomos Barcelona e Bajerni, që kishin mundësi për kundërshtarë më të lehtë, ndërsa për dy skuadrat angleze dihej që shorti do të ishte i fortë, edhe pse mund të shpresonin për dikë më pak të rrezikshëm se bavarezët e katalanasit. Veç këtyre dy çifteve, tërheqës është edhe ai midis Milanit e Atletiko Madrid. Italianët nuk janë në momentin e tyre më të mirë, por sigurisht që askush nuk do t’i donte për kundërshtarë, edhe pse në shortin e djeshëm të gjithë donin të shmangnin fillimisht City-n e Arsenalin. Midis shortit dhe kohës së ndeshjes janë më tepër se dy muaj, me merkaton e janarit përfshirë, kështu që gjithçka mund të ndodhë, ndonëse për momentin spanjollët janë favoritë.
Të gjithë të mëdhenjtë e tjerë kanë buzëqeshur pasi goglat kanë qenë vërtet dashamirëse. Real Madrid ka përherë kujtime të këqija nga udhëtimet në Gjermani, por këtë herë nuk do të ketë përballë as Bajern e as Borusia Dortmund. Vështirë se Shalke do t’i bëjë rezistencë superfuqisë së bardhë, ndërkohë që në Gjermani shkon edhe Paris SG, për t’u ndeshur me Bajer Leverkusen. Ky i fundit mban aktualisht vendin e dytë në kampionat, por parisienët janë qartësisht favoritë për të kaluar më tej. Manchester United ka peshkuar skuadrën më të dobët, në letër, Olimpiakos të Pireut. Fat të mirë ka pasur edhe skuadra tjetër angleze, Chelsea, që do të ndeshet me Gallatasarajin. Zhoze Murinjo kishte shprehur dëshirën pikërisht për këtë short, për t’i ofruar një rikthim emocional sulmuesit Didier Drogba. Buzëqesh më në fund edhe Borusia Dortmund, e cila do të luajë me Zenitin e San Peterburgut. Gjermanët e kaluan grupin vetëm në minutat e fundit, por në shkurt e mars do të kenë përsëri mes tyre të dëmtuarit që përfshijnë gjithë repartin e mbrojtjes, plus Ilkay Gundogan, motori i vërtetë i skuadrës. Ndeshjet e 1/8 shtrihen në një periudhë njëmujore, pasi katër çifte do të luajnë më 18/19 shkurt dhe kthimin më 11/12 mars, ndërsa të tjerat luajnë një javë më pas, më 25/26 shkurt, me kthimin më 18/19 mars.
Ndeshjet e 1/8
18/19 shkurt – 11/12 mars
Man. City – Barcelona (18)
Bayer Leverkusen – PSG (18)
Milan – Atletico Madrid (19)
Arsenal – Bayern Munchen (19)
25/26 shkurt – 18/19 mars
Olympiakos – Man. United (25)
Zenit – Borussia Dortmund (25)
Galatasaray – Chelsea (26)
Schalke 04 – Real Madrid (26)
Reagimet
Karlo Ançeloti: “Janë 1/8 e Champions League dhe gjithmonë është e vështirë. Shalke është ekip me përvojë. Nuk është short as i mirë, as i keq. Besoj se në shkurt do të jemi në formën e duhur”.
Gerardo Martino: “Me siguri që nuk janë të kënaqur që do të ndeshen me Barcelonën. City është skuadër e fortë me lojtarë shumë të mirë, por ne shkojmë atje për të fituar. E rëndësishme është që në atë kohë të jemi në formë e të luajmë mirë”.
Karl H. Rumenige: “Do ta respektojmë Arsenalin, pasi është një skuadër e fortë, me tre lojtarë të kombëtares gjermane. Do të jenë dy përballje të vështira ndaj tyre, por ne do të kërkojmë me çdo kusht kualifikimin”.
Manuel Pelegrini: “Mendoj se Barcelona është shumë e shqetësuar që do të ndeshet me ne. Nuk është më skuadra e dy viteve më parë. Fitorja me Bajernin na ka dhënë shumë besim dhe po përmirësohemi nga ndeshja në ndeshje”.
Adriano Galiani: “Duhen edhe dy muaj, nuk ka kuptim të komentojmë tani. Nuk e dimë se si do jemi ne dhe as se si do të jenë ata. Atletiko është në krye, bashkë me Barcelonën, para Realit. Po ecën shumë mirë”.
Jurgen Klop: “Nuk kam qenë kurrë në Rusi dhe po e pres me padurim ndeshjen me Zenitin. Çdo skuadër që i mbijeton fazës së grupeve ka cilësi, por më shumë se kaq nuk di për momentin, plus që nuk ka shumë kuptim të flasësh për një skuadër dy muaj para se të ndeshesh me të”.
Didier Drogba: “Jam njeriu më me fat në Champions League. Do t’i luaj të dy ndeshjet në shtëpi, si në Londër, ashtu dhe në Stamboll”.

O gazetarët më kot në botë, si na qënka Olimpiakosi ekipi më i lehtë. Shikoni ekipet e albanistanit dhe mos gjykoni ekipet e Champions Leage.