Nga Llukë Gjidede*
Para disa ditësh më 30 tetor 2020, në moshën 86 vjeçare u nda nga jeta nga nje semundje kronike njeriu fisnik, model i humanizmit njerëzor, Dhionis Nikollari nga Himara.
Gjithë jetën e tij ja dedikoi shërbimit shëndetësor në trevat e Vlorës. Misionin e nd/mjekut me plot dinjitet njerëzor Dhionisi e filloi në Spitalin e Vlorës në vitet 1956. Aty punoi edhe si kryeinfermjer për shumë vite. Në këtë spital kanë punuar mjekë elitarë me nivel të lartë profesional e etikë mjekësore shembullore, të arsimuar në perëndim. Ishte nder e privilegj i lakmuar të punoje me Dr. Flloko, Dr. Kauri, Nr. Angjeli, Dr. Myzabeg, Dr. Pustina, Dr. Xhorxhi, etj., miniera ari të dijes.
Ne vitin 1968 Dhionisi transferohet në Spitalin e Himarës e pas dy vite në Repartet e Marinës Luftarake të pëlumbarëve ne Ishullin e Sazanit, detyrë kjo e vështirë e me përgjegjësi, të cilën ai e kreu me sukses. Në vitet 1980 kontribon në ndërtimin dhe organizimin e të parit Spital Ushtarak në Vlorë. Aty punoi derisa doli në pension.
Ata që e kanë njohur e shikojnë si pasuri të kësaj bote.
Falënderime të papërsëritëshme me mirënjohje pakufi.
Dhe vjen një çast …!
“Vdekja mund të jetë bekimi më i madhërishëm njerëzor” – thotë Sokrati.
Shpirtërat e të drejtëve janë të pavdekshëm e hyjnorë. Ata bëhen model që u shërbejnë të gjallëve për të mos u harruar. Një i tillë ishte edhe Dhionisi shpetimtar.
Me një akt Shpëtimtari shkroi një histori të rrallë.
***
Njeriu i rrallë, midis misionarëve, në historinë e mjekësisë vlonjate, bëri çudinë e paharruar – i dha jetë një pacienti i cili gati po quhej i vdekur!
Në shtëpi Dhionisi qendronte fare pak, jeta e tij ishte e lidhur organikisht me spitalin, me të sëmurët. Kishte raste që me ditë e netë qëndronte aty në shërbim të njerëzve me vuajtje të trupit e shpirtit, ushqimin s’e vinte në gojë, as gjumin në sy. Zbatonte me përkushtim porositë e mjekut të shoqëruar me dashuri njerëzore kaq të domosdoshme për të triumfuar mbi sëmundjen.
Me veprime të sakta, i qetë nga jashtë me plot përgjegjësi e dinjitet profesional nd/mjeku Dhionis aplikonte terapinë e përcaktuar.
Medikamentin, para se ta jepte, e verifikonte disa herë bashkë me infermierin e turnit, për të shmangur gabimet e mundshme njerëzore, fatale në mjekësi!
Të sëmurit i shpjegonte me durim e hollësi efektet e ilaçit, synonte që ta bindte edhe në veprimin sugjestionues të tyre. Të gjithë pacientët e shtruar i njihte me emër, moshë, nga ishin, dinte diagnozën, analizat, medikamentet që u jepeshin, ushqimin që duhej të hanin etj., etj., fliste i buzëqeshur..
Shumica e thërrisnin doktor, paçka se ishte nd/mjek, të tjerët “shpëtimtar”, dikush edhe “Nënë Tereza”. Ai me një buzëqeshje fisnike kërkonte mirëkuptim të ndërsjelltë.
Në Pavionin e parë, dhoma Nr.3, shtrati 25, ishte shtruar i sëmuri Hysni me diagnozë: Parainfarkt akut kardiak! Mbahej në terapi intensive të kohës. Hera – herës, i sëmuri pësonte kriza angiotike, me luhatje ekstreme të parametrave vitalë, drejt vibrilacionit. Kujdesi për të ishte maksimal.
Vonë natën, para se të largohej nga spitali, Dhionisi kontrolloi një gjëndjen e të sëmurëve në pavijon. Infermjeres së turnit të tretë i la porosi me gojë e shkrim për pacientin 3/25. U largua me kokën prapa …!
Nga përvoja e gjatë profesionale kishte vërejtur se mbas mesnate, te disa të sëmurë nga zemra, gjëndja e tyre përkeqësohej ndofta edhe për shkak të luhatjeve në shtratin vazal! Jo pak e brente meraku, se nga mbilodhja, infermierin e turnit të tretë mund ta kaplonte gjumi tinzar i mbas mesnatës.
Ra për të fjetur gjysmë i veshur e me dy jastëkë. Shtrati nuk po e qetësonte, gjumi iu arratis. Me vërtik u çua, u vesh dhe mori rrugën e spitalit. Atë natë, distanca nga shtëpia tek dhoma 3/25, ku vdekja trimërohej nga mungesa e tij, iu duk e gjatë … Shpejtoi hapat.
Binte një shi i imtë i shoqëruar me erë të ftohtë që frynte nga Qafa e Koçiut. Oborri i spitalit i ndriçuar, pa lëvizje njerëzish, në pamje gjithçka ishte e qetë. Pavioni ishte ne errësirë, me përjashtim të dhomës së infermieres së turnit, që ndriçohej. Për të mos prishur qetësinë e të sëmurëve, ecte në majë të gishtave. Kaloi nga mbrapa pavionit, aty ku ndodhej dhoma Nr.3.
Me kujdes hapi derën, ndezi llambën dhe me shikim të përqendruar vëren se fytyra e të sëmurit ishte e mbuluar me çarçaf! Iu afrua me delikatesë për të mos e trembur, i zbuloi fytyrën. U shtang, gjaku i kërceu në kokë, të rrahurat e zemrës iu shpejtuan, godisnin fort gati t’i çahej kraharori. I sëmuri ishte i zbetë, me sy të mbyllur, i foli, asnjë përgjigje, i vuri doren në ballë, ishte i ftohtë me djersë. – Mos … Fjalën e kobëshme nuk e nxori nga goja. Disa herë belbëzoi: gjallë – vdekur, vdekur – gjallë. Me palpacione të thella të arteries karotide, mundi të ndjente paksa pulsacione të dyshimta!? – Vdekje klinike?!
Me rrembim thirri infermjeren e turnit. Ajo ishte e lodhur, e zbetë, e pikëlluar, buzë plasur, e pa fjalë. – Ç’farë ka ndodhur me Hysniun? – e pyeti. Ajo i thotë se Hysniu, ndjesë pastë, ka vdekur para disa minutave, kostatuar nga mjeku i rojes. Janë lajmëruar edhe ata të morgut për ta marrë. Solli kartelën 3/25, ku sipër saj ishte shkruar me gërma të dukshme: Exitus letalis, ora 23.30.
Nishua, shtron batanien për tokë dhe urdhëron infermjeren ta ndihmojë për ta zbritur të sëmurin nga shtrati me sustë të vjetër. E ulën me fytyrë nga tavani. U ul në gjunjë dhe me gjithë forcën e muskujve e të mendimit gjithëpërfshirës, nisi të bënte masazhin kardiak të mbyllur, të shoqëruar me numërim me zë, nga një deri në 60, ndalonte për pak çaste dhe ja niste përsëri e përsëri numurimit 1 – 60. Sa vazhdoi me këtë manipulim ai nuk ishte në gjëndje ta thoshte. Kishte harruar vetvehten. Përgjatë gjithë kësaj kohe, infermjeria qëndronte si e ngrirë e shastisur. Ç’farë po ndodhte? Dhionisi përballej me vdekjen?!
Pas disa tentativash, Ai vëren se ngjyra e fytyrës së të sëmurit ndryshoi, nga e verdhë u bë e zbetë e paksa rozë? Preku karotiden e majtë me mollzat e tre gjishtrinjëve të dorës së djathtë të djersitur nga vuajtjet e lodhja. Ndjeu pulsacione të dobëta. Dyshoi se mos ishte pulsi i vet që rezononte. Palpoi më thellë, u bind. Arteria karotide pulsonte ritmikisht.
Gjishtat i drejton intelekti profesional. Zemra rinisi të pomponte gjak jetëdhënës. Pupilat e syve të të sëmurit nga midriazike iu bënë izokorike. Truri i përvuajtur gradualisht po furnizohej me gjak, ecerebrimi vrastar u shmang.
Dhionisi urdhëron infermjeren t’i vendoste Hysniut perfuzion me serum fiziologjik me një ampulë noradrenaline të hedhur brenda dhe të bënte gati lidokainë 1% 10/m1.
Vetë nisi të bënte frymëmarrjen artificiale gojë – gojë. Në këtë ndeshje prometeniane për jetë a vdekje, vendosi pëllëmbën e dorës para hundës së të sëmurit. Ndjeu freski ajri, kafazi i kraharorit nisi të bënte eskursione të ngadalta që prekeshin edhe me dorë. Rrëmbeu tubin e oksigjenit dhe ja futi thellë në hundë. Shpresa shpëtimtare, një stërmundim i pamatë i intuitës shkreptimë drite. Urdhëron infermjeren: -Vazhdo proçedurën, mos lëviz nga i sëmuri, erdha. Fluturimthi mbriti tek dhoma e mjekut, roje në shërbim. Me respekt, qetësi të kontrolluar e zgjoi nga gjumi i pafjetur i shërbimit të asaj nate tepër të vështirë e shumë të lodhshme. Ju lut që të vinte te i sëmuri 3/25. Mbas turbullires se fillimit, mjeku pyet:- Dhionis, të lutem, pa më sqaro edhe një herë, për cilin të sëmurë bëhet fjalë?
Dëgjoi me vëmëndje dhe me habi tha: – Ish i sëmuri 3/25 ka vdekur në orën 23:30 dhe duhet të jetë trasportuar në morg. – Jo doktor, Hysniu është gjallë në gjëndje të rëndë. Ju lutem, ejani, sekondat janë përcaktuese për jetën e tij. Të dy bashkë u drejtuan ne dhomën nr.3. Dr. Kauri nxitonte hapat duke mërmëritur nëpër dhëmbë. – Të ket ndodhur gabim i tille!? Hyri në dhomë, hodhi shikimin zhbirues mbi shtratin 25 … I sëmuri ishte aty, i shtrirë, i zbetë me sy të mbyllur. Doktori iu afrua e preku në ballë i foli në emër. Hysniu ktheu kokën, sytë e tyre u kryqëzuan!
Dr.Kauri i kthehet Dionisit: – Të jetë tjetër person ky? – Jo doktor, është Hysniu i gjallë midis të gjalleve, ju përgjigj Nishua. Mjeku i rojes i mrekulluar pyeti: – Në ç’drejtim është lindja? …? U kthya nga ja treguan e bëri kryq dhe me të madhe thirri! – Zot o Zot, shenjtëroje Dhionisin.
I sollën kartelën 3/25, me një barë përgjegjësie, duar që paksa i dridheshin, për herë të parë në jetën e tij profesionale nxorri penën dhe përsipër fjalëve exitus letalis bëri tri vija të forta gryrëse, si për ti varrosur përgjithmonë! Me gërma të mëdha firmosi – Të lumturohesh nga gabimi i pafalshëm!
Morgu i spitalit atë natë mbeti bosh, si varri në shkëmbin martir të Jeruzalemit nga ku Messia u ringjall dhe u ngjit në qiellin e pamatë, pranë Zotit! Mjekë e infermierë, por edhe shumë vlonjatë, për aqë kohë sa i sëmuri Hysni jetoi aty po edhe më vonë, sa herë që kalonin pranë pavijonit Nr.1 ndalonin hapat, gjykonin e mrekulloheshin nga çudindodhja njerëzore.
*Doktor i shkencave mjekësore

I ndrite shpirti per jete.I pa harruar qofte kujtimi i Dionisit te mire.
Ngushellime te afermve.
Do te kujtohet me Respekt.
Bravo Lluke Gjidede, nje pershkrim i ndjere: sa jetesor aq edhe artistik. E lexova me nje fryme dhe urova me gjithe shpirt: Te ndricofte shpirti atje ne parajse o Dionis Nikollari!