Nëpër faqet e librit “Pashko Vasa”, shkruar nga Vehbi Bala

Ornela

Nesip Kaçi

Pashko Vasa, i njohur ndryshe me emrin Vaso Pashë Shkodrani, ka lindur në Shkodër më 17 shtator 1825. Ai ishte i biri Mëhill (Hilë) Vasa, nëna e tij quhej Drande. Të parët e tij kishin ardhur në Shkodër nga Mirdita. Pashkoja lindi në një shtëpi që ishte pronë e babait të tij dhe që sot në Shkodër është kthyer në shtëpi muze.

Për shkollimin e tij nuk dihet gjë e saktë. Ka mundësi që të ketë mësuar në një nga shkollat e huaja fetare të Shkodrës, por kulturën e tij të gjerë duhet ta ketë përvetësuar më shumë si autodidakt. Aty nga viti 1842 Pashko Vasa filloi punë si sekretar i konsullatës britanike në Shkodër, ku punoi pesë vjet. Kur ishte 22 vjeç njihte pesë gjuhë të huaja: italisht, frengjisht, greqisht, turqisht, serbisht dhe pak anglisht, pra një kulturë e madhe për moshën që kishte. Më vonë mësoi edhe arabisht.

Më 1847 Pashko Vasa mori pjesë në Luftën e Pavarësisë së Italisë, ai u radhit përkrah forcave kryengritëse italiane për rimëkëmbien e vëndit, (Risorxhimento), i frymëzuar nga atdhetarët italianë si Gjuzepe Garibaldi e të tjerë. Mori pjesë në luftën që u zhvillua në Romë, ku i dhanë gradën e oficerit të Kalorësisë Qytetare. Mori pjesë në kryengritjen e Venetikut si republikan për „Çlirimin e tij nga tirania e monarkive dhe obskurantizmit klerikal“
Më 1848 kryengritja e popullsisë së Venetikut kundër sunduesve austriakë u kurorëzua me sukses dhe shpallën Republikën. Austriakët e rrethuan qytetin, e mbajtën në rrethim, por mbrojtësit e Venetikut vazhduan qëndresën. Pashko Vasa luftoi përkrah popullsisë liridashëse të Venedikut, ku kaloi rreziqe të shumta. Ngjarjet u ndërlikuan dhe më 28 gusht 1849 austriakët hynë në qytet dhe Pashko Vasa me disa shokë të tjerë u nis për në Ankona, nga ku austriakët e kapën dhe e detyruan si shqiptar, nënshtetas turk, të shkonte në Stanboll, ku mbeti pa punë, pa bukë, pa strehë, pa miq, dhe pa të afërm, shpesh u detyrua të flinte në varrezat e armenëve. Me sa duket në sajë të gjuhëve që dinte zuri një vend pune në shoqërinë e tramvajeve të qytetit, duke u ngjitur pastaj në shkallët e administrarës së saj. Që këtej u vendos në punë në Ministrinë e Jashtme te Turqisë. Porta e Lartë tërhiqte me përgjegjësi shtetërore njerëz të ditur të kombësive dhe feve të ndryshme të perandorisë.

Në Stanboll më 1864 Pashko Vasa bashkëpunon me Konstandin Kristoforidhin, Hasan Tahsinin, me Ismail Qemalin dhe të tjerë, për të siguruar fonde financiare për shkronjat e shkollat shqipe si dhe caktimin e një alfabeti të vetëm të gjuhës shqipe. Më 1867 atë e shohim në krye të përpjekjeve për themelimin e një shoqërie kulturore dhe të një alfabeti të përbashkët mbi bazën e alfabetit latin. Më 1869 merr pjesë në grupin nismëtar për krijimin e një shoqate shqiptare me karakter kulturor, arsimor dhe gjuhësor. Më 1871, bashkë me Jani Vreton dhe Sami Frashërin fillon punën për themelimin e një organizate atdhetare shqiptare. Siç shihet në fazën përgatitore, politiko-kulturore të Lidhjes Shqiptare, Pashko Vasa luan rolin e ideologut dhe organizatorit të saj. I pakënaqur nga qëndrimi i Portës së Lartë ndaj çështjes shqiptare, hoqi dorë për tre vjet nga të gjitha ofiqet që i ofroi Sulltani. Duke vazhduar veprimtarinë patriotike Pashko Vasa më 1877 bëhet anëtar i grupit që u formua në Stanboll dhe që u quajt “Komiteti Qendror për mbrojtjen e të Drejtave të Kombësive Shqiptare’’.

Ndërkohë ai kishte përgatitur veprën frëngjisht “Alfabeti latin i zbatuar në gjuhën shqipe” që e botoi në Stanboll më 1878. Kjo vepër ishte rezultat i studimit këmbëngulës për të vënë në përdorim një alphabet të përbashkët të shqipes që kishte filluar të lëvrohej me shkrim më dëndur se kurrë më parë. Në këtë broshurë prej 16 faqesh autori shtron idenë e shkrimit të shqipes mbi bazën e një alfabeti të përbashkët, ide kjo e përkrahur nga shumë atdhetarë të kohës. Atdhetarët e shquar shqiptarë konstatuan se të huajt synonin që nëpërmjet feve dhe gjuhëve të tyre, t’i bënin për vete shqiptarët dhe t’i asimilonin.

Sunduesit turq përpiqeshin të përhapnin jo vetëm islamizmin, por dhe gjuhën turke, kisha greke përpiqej të përhapte gjuhën greke, kisha sllave gjuhën sërbe dhe bullgare, kisha katolike gjuhën italiane, duke thelluar dasitë fetare e krahinore, duke penguar procesin e njësimit kombëtar shqiptar.

Në këto rrethana atdhetarët e shquar si Pashko Vasa, Hasan Tahsini, Daut Boriçi, Konstandin Kristoforidhi, Jani Vreto, Sami Frashëri e të tjerë, këmbëngulën të vihej në përdorim një alphabet i përbashkët i gjuhës shqipe. Disa menduan që mbi bazën e alfabetit të shqipes të vihej alfabeti turko-arab, të tjerë menduan që të vihet alfabeti grek ose latin.

Pashko Vasa, duke vazhduar traditën e shkrimtarëve të vjetër dhe të arbëreshëve të Italisë, iu përmbajt mendimit se shqipes i shkonte për shtat më shumë alfabeti latin por me disa modifikime të arsyeshme. Studjuesi Jup Kastrati ka shkruar : “Alfabeti që u pranua në Komisionin e Posaçëm të Kongresit të Manastirit, që u mbajt nga 14 deri 22 nëntor 1908, me përjashtim të gjashtë shkronjave, ishte krijuar që në vitin 1878 nga Vaso Pashë Shkodrani.

Vepra e Pashko Vasës pati rëndësi të dyfishtë: për krijimin e alfabetit të përbashkët të shqipes dhe për vetë shkrimin e shqipes letrare.” Viti 1878 shënon një aktivizim të madh të Pashko Vasës për çështjen shqiptare. Ai në atë kohë shërbente si këshilltar pranë valiut të Kosovës. Që në janar 1878 ai ishte takuar në Prishtinë me gjeneralin Klyzëre, një nga udhëheqësit e Komunës së Parisit. Ndërkaq ngjarjet politike përshpejtohen. Pashko Vasa forcon lidhjet me bashkëluftëtarët atdhetarë në Stanboll dhe në Kosovë. Në mes të vitit 1878 Pashko Vasa si anëtar i Komitetit të Stanbollit i paraqiti një Promemorje (Përkujtesë) në emër të popullit shqiptar ambasadës britanike në Stanboll, në kryeqytetin e Perandorisë Osmane, ku nënvizon faktin se “Po lind një çështje e re, çështja shqiptare, ne kërkojmë një administratë autonome, duke shkëputur të gjitha lidhjet me Turqinë. Shqiptarët kërkojnë të drejtën të hyjnë në gjirin e familjes së madhe evropjane, pjesë e së cilës, gjeografikisht, ne jemi”.

Kështu në kuadrin e krizës lindore, lindi çështja shqiptare dhe Komiteti i Stanbollit shtroi problemin e autonomisë shqiptare, problem që ishte ngritur prej kohësh nga patriotët shqiptarë me kërkesa për të drejtat kombëtare dhe tërësi tokësore të atdheut. Në krye të Komitetit Shqiptar të Stanbollit dolën figurat e shquara Abdyl Frashëri, Pashko Vasa, Sami Frashëri etj. Më 30 maj 1878 komiteti në fjalë shpalli në Stanboll një Proklamatë në të cilën deklaronte: “Ne dëshirojmë të rrojmë në paqe me të gjithë fqinjët: Malin e Zi, Greqinë, Serbinë dhe Bullgarinë,të vendosur të mbrojmë me këmbëngulje çdo gjë që është e jona.

T’u lihet shqiptarëve, pra, toka shqiptare”.Drejtuesit e Komitetit të Stanbollit më 20 qershor 1878 i drejtuan një Memorandum Ministrit të Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë kontit Andrash, me anë të të cilit kërkuan që të merreshin parasysh të drejtat e ligjshme të shqiptarëve. Ka të ngjarë që këtë Memorandum ta ketë shkruar Pashko Vasa në bashkëpunim me Sami Frashërin, në atë kohë bashkëpuntori më i ngushtë i tij. Memorandumi u botua më pas i fotokopjuar në të përkohshmen “Djalëria “.

Pashko Vasa si personalitet i njohur politik më 20 tetor 1878 i bëri një vizitë kontit Zihi, ambassador i Austro-Hungarrisë në Stanboll për t’i treguar gjerë e gjatë historinë e popullit shqiptar dhe gjëndjen e vërtetë të punëve. Konti i tha që gjithë sa i tregoi, Vasa t’ia shkruante në formën e një parashtrese dhe t’ia dorëzonte sa më parë. Vasa pa humbur kohë bëri një parashtresë të gjatë dhe ia dorëzoi kontit në fjalë. Më 22 tetor 1878, ambasadori Zihi, duke ia përçjellë Vienës këtë shkrim të Vases i raportonte ministrit të jashtëm të Austro-Hungarisë,kontit Andrash:”Ndër personalitetet me të cilët unë bisedoj më shpesh se me gjithë të tjerët çështjet shqiptare është Vasa efendiu, që sipas mendimit tim, është më i rëndësishmi dhe që e kam përmëndur edhe në raportet e tjera.

Pashko Vasa nuk i drejtohej të huajve me lutje dhe përgjërime, por me shpalljen e së drejtës së vetëvendosjes, me krismën e pushkëve dhe zërin kombëtar të Lidhjes Shqiptare. Çdo krahinë ka dërguar në Prizren përfaqësuesit e vet, që folën në emër të popullit dhe kjo çoi në marrëveshjen e vetvetishme dhe instiktive që u quajt “Lidhja e Prizrenit”. Pashko Vasa me një mençuri të hollë prej ideologu dhe patrioti i bën një interpretim të thellë Lidhjes Shqiptare, e cila sipas tij ka buruar nga faktori i brendshëm, nga atdhetarizmi popullor, nga vetëdija kombëtare e popullit shqiptar. Këto ide kaq të përparuara për atë kohë do të shtjellohen prej tij në vepra të plota, si në artikullin publiçistik dhe historik “Shqypnia dhe shqiptarët”, në poemën “Mori Shqypni e mjera Shqypni! dhe sidomos tek trajtesa ideologjike “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”. Këto krijime mbeten nga më të bukurat të realizuara prej tij, qoftë nga brendia ideore, qoftë edhe nga stili dhe kultura e tij e gjerë, endur me fraza të përpikta, të rrjedhshme, si dhe me bukuri të shprehjes artistike.

Lëvizja e gjerë kombëtare kishte përfshirë tashmë krahina të tëra të atdheut. Më 12 tetor 1879, në Stanboll u themelua ‘’Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip”, njeri nga themeluesit e saj ishte dhe Pashko Vasa. Përkrah tij bashkëpunonin Sami Frashëri dhe Jani Vretua. Kryetar i shoqërisë u zgjodh Sami Frashëri, që ishte 25 vjet më i ri se Pashko Vasa dhe 28 vjet më i ri se Jani Vreto. Bashkimi i këtyre tre figurave të shquara donte të thoshte se myslimani (Sami Frashëri, nga Frashëri) katoliku (Pashko Vasa, nga Shkodra) dhe ortodoksi (Jani Vreto, nga Postenani) para se të ishin të tillë, ishin shqiptarë. Kështu e kuptonin Lëvizjen Kombëtare Pashko Vasa, Sami Frashëri, Jani Vreto dhe të tjerë që u vunë në krye të kesaj shoqërie, e cila po atë vit nxorri organin e vet “Allfabetare”. Pashko Vasa botoi në të artikullin publiçistik-historik “Shqypnia dhe shqiptarët”. Ishte e para herë që lexuesit shqiptar ai po i jepte një shkrim në gjuhën amtare.

Pashko Vasa ndiqte me vemëndje të madhe botimet në shqip të poetëve dhe krijuesve shqiptarë të të gjitha gjinive dhe i përgëzonte ata duke i nxitur në punën e tyre. Ai figuronte në kryesinë e nderit të shoqërisë “Drita” të Bukureshtit. Kur mori në dorë dy veprat poetike të Naim Frashërit “Bagëti e Bujqësi” dhe “Lulet e Verës”, i entusiazmuar i shkroi poetit një letër shqip, ku ndër të tjera e përgëzonte me fjalët: “ Janë shkrue për të gjitha motet”.

“Mori Shqypni, e mjera Shqypni”, 1880

Pashko Vasa para se të shkruante këtë kryevepër, këtë manifest poetiko-patriotik pati mundësi të përfitonte nga tradita e pasur e lëvizjes kombëtare, veçanërisht nga kryengritjet kundër Tanzimatit si dhe luftës për autonomi dhe tërësi tokësore të të gjithë vendit, luftë e cila gjeti shprehjen e vetë të përqendruar në ngjarjen historike të Lidhjes Shqiptare të zhvilluar në Prizren më 1878. Ai fizikisht nuk mori pjesë në punimet e atij kuvendi të madh shqiptar në Prizren, por në pragun e tij ai ishte në Prishtinë, ku ndiqte nga afër Lidhjen e Prizrenit, për përgatitjen e së cilës ai punoi aq shumë si ideolog dhe organizator i saj. Vënia e çështjes së atdheut mbi çështjen fetare ishte një fitore e madhe e lëvizjes atdhetare, duke kapërcyer dasitë fetare të kohës.

“O moj Shqypni e mjera Shqypni!”, nis me një ton elegjiak dhe me një pyetje retorike që i drejtohet Atdheut të robëruar:
O moj Shqypni, e mjera Shqypni
Kush të ka qitun me kry në hi

Fill pas kësaj Pashko Vasa, evokon me krenari të kaluarën e Atdheut. Sipas Vasës, Shqipëria kishte qënë “Zonjë e randë” të cilën “Burrat e dheut e thirrshin nanë’’ dhe më pas poeti shpërthen në kushtrim:
“Para se të humbet kështu Shqypnia
Me pushkë në dorë le të desë trimnia”

Shkaktarë të plagëve të rënda të kombit shqiptar sipas Vasës ishin : vëllavrasja dhe dasia fetare, që sillnin përçarje politike në myslimanë (turq), ortodoksë(grekë), në sllavë(Shkje) dhe në katolikë (latinë) italianë,ja si shkruan poeti:
Ca thonë kam fe, ca thonë kam din
Njani jam turk, tjetri latin
Do thonë jemi grekë, shkje disa të tjerë
Për t’i prerë rrugën këtyre ndarjeve Pashko Vasa bën thirrje:
Çonju, shqyptarë prej gjumi çonju
Të gjithë si vllazën n’një besë shtrëngonju
E mos shikoni kisha e xhamia
Feja e shqyptarit asht shqyptaria.

Kjo e fundit është formulimi i parullës militante, që është aktuale edhe sot, dhe pse jo, edhe nesër.
Ka shumë të ngjarë që poeti ta ketë shkruar këtë poezi, apo këtë manifest poetiko-patriotik në prill të vitit 1880, kur ai shërbente në Edrene si këshilltar i vilajetit, ka të ngjarë ta ketë shpërndarë atë dorë më dorë, pa emërin e vetë si autor, përderisa shërbente në një detyrë jo të vogël të administratës otomane. Pastaj thuhet se poezia qarkulloi si fletë fluturuese duke e kënduar me një muzikë sa prekëse aq mobilizuese, kështu u bë vërtet popullore.

Pas botimit që i bëri kësaj poezie dijetari dhe albanologu Jan Urban Jarnik në veprën e vet “Zur Albanischen Sprachenkunde‘‘ (Leipzig 1881), të cilit ia kishte çuar shkodrani Mark Shantoja, e morën dhe e ribotuan disa organe shtypi të Rilindjes. Siç shihet kjo poezi u përkthye në gjermanisht, italisht, rumanisht etj. Në bibliotekën Qytetëse të Kozencës, në fondin ‘‘ Jeronim De Rada‘‘ është gjetur në shtator të vitit 1975 poezia e Pashko Vases, e shkruar me grafi të bukur korsive, shumë tërheqëse dhe në alfabetin latin të hartuar nga vetë autori bashkë me veprën e tij madhore ‘‘E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët‘‘, të konspektuar italisht nga poeti i shquar arbëresh. T’ia ketë dërguar De Radës vetë Vasa, apo ndonjë tjetër bashkatdhetar, fjala vjen Mitkua apo Samiu? Këtë nuk mund ta pohojmë. Rëndësi ka që poezia kishte shkuar dorazi deri në mjedisin arbërësh të Italisë. Ja si i shkruante Sami Frashëri Jeronim De Radës më 20 shkurt 1881: “ Të dërgoj edhe një këngë patriotike të vëllait tim Pashko Vasa, që është në Edrene ndihmës i Kuvernatorit të Thraqit “. Samiu e quan Vasën vëlla të vet të punës dhe të luftës.

Kjo poezi gjeti një mbështetje jashtëzakonisht të madhe në qarqet patriotike shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Ajo u ribotua nga shumë organe shtypi, antologji dhe tekste mësimore.Sot këtë poezi- manifest : „O moj Shqypni e mjera Shqypni“ e dinë përmendësh pjesa më e madhe e shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë,Maqedoni, Mal i Zi dhe në diasporë.

Qeveritar i Përgjithshëm i Libanit

Pashko Vasa shërbeu për një kohë të gjatë Qeveritar i Përgjithshëm i Libanit. Ai e filloi këtë detyrë më 18 qershor 1883 dhe e la më 29 qershor 1892, kur ndëroi jetë. Duhet thënë se ai e kreu këtë detyrë pa ndruar as fe, as kombësi, as dashurinë për atdheun, as parimet morale, as bindjet politike. Si rregull, Qeveritari i Përgjithshëm, emërohej drejtpërdrejt nga Sulltani dhe qëndronte pesë vjet në këtë detyrë. Vasa u zgjodh edhe pesë vjet të tjera, por në mandatin e dytë shërbeu vetëm katër vjet, pasi vdiq një vit më parë se të mbaronte mandatin e dytë.

Pashko Vasa hodhi bazat e administrarës së re të Libanit. Në kohën e qeverimit të tij u vu një ekuilibër mjaft i qëndrueshëm midis elementëve të besimeve dhe të pozitave të ndryshme politike. Në atë kohë me interesimin e tij të drejtpërdrejtë u bënë disa ndërtime të mëdha siç janë: Salla e Ministrave në Pallatin e Bejtedinit në Bejrut, Sarajet Qeveritare në Xhumijeh dhe ato të Zahlës, Spitali më i Madh i Bejrutit, themelet e Pallatit Presidencial në Baada, 117 ura në viset malore, duke i lidhur këto me pjesët më të qytetëruara të vendit, rrugët Bejrut –Zahle dhe Bejrut-Brumaba, ndërtime këto që e bënë Libanin të quhej “Venediku i thatë”. Pashko Vasa u vlerësua shumë edhe për ngritjen e shkollave, sidomos në zonat më të prapambetura malore të vendit.

Përfaqësuesit e opinionit publik të Libanit kanë shprehur mirënjohjen qytetare ndaj tij për këto veprime të dobishme që ai ka kryer.Edhe kundërshtarët politikë të tij kanë shprehur mendimin se “Vendi ishte i favorizuar nga kujdesi mirëdashës i Qeveritarit të Përgjithshëm, shqiptar. Është folur dhe shkruar mjaft edhe për karakterin e tij të fortë dhe për korrektësinë e tij në detyrë.Pashko Vasa tregonte interesim të veçantë për shëndetin e popullit, sidomos kur binin epidemi. Ai i dha rëndësi të madhe zhvillimit të kulturës kombëtare libaneze. Ai themeloi Shtypshkronjën dhe Fletoren e parë politike në gjuhën libaneze, ai bëri përpjekje të themelojë edhe Teatrin Kombëtar Libanez, duke shkruar edhe vetë disa pjesë me vlera që u shfaqën dhe u panë me shumë interes në Bejrut. Pashko Vasën e kujtojnë si burrë të pashëm, gojëembël dhe të ditur, ai dinte shtatë gjuhë.

Por Pashko Vasa në Liban pati edhe shumë kundërshtarë, që i shtuan sulmet sidomos vitet e fundit të qeverisjes së tij. Porta e Lartë e forcoi pushtetin e tij në Liban. Në fillim të janarit 1892 dërgoi Ismail Qemalin me detyrë Vali të vilajetit në Bejrut. Me të arritur në krye të detyrës, plaku i Vlorës u takua me Vaso Pashë Shkodranin, siç i thosh ai. Ata i lidhte një miqësi e vjetër. Që më 1864, siç e kemi treguar më sipër, u bashkuan në Stanboll dhe sëbashku me Konstandin Kristoforidhin e Hasan Tahsinin përpunuan planin për sigurimin e fondeve financiare në dobi të shkronjave dhe shkollave shqipe si dhe për caktimin e një alfabeti të vetëm të shqipes. Por qëndrimi i dy miqve bashkatdhetarë në Bejrut, njeri nga Shkodra dhe tjetri nga Vlora, burra shteti me përgjegjësi të lartë në administratën libaneze, të varur nga Stanbolli, qe fare i shkurtër, nga janari deri në qershor 1892, sepse Pashko
Vasa vuante nga zemra dhe gjatë dimrit mori një grip, që ia rëndoi së tepërmi sëmundjen dhe më 29 qershor 1892, ndroi jetë.

Varrimi i Pashko Vasës në Bejrut u bë madhështor me pjesëmarrjen e popullit të Bejrutit, familjarëve dhe të afërmve të tij, morën pjesë edhe bashkatdhetarët e shquar Ismail Qemali dhe Filip Shiroka. Një rrugë e gjatë e Bejrutit mori emrin e tij, në tri vende karakteristike u vunë pllaka përkujtimore kushtuar kujtimit të tij. Pashko Vasa-Vaso Pashë Shkodrani, hyri në „Enciklopedinë Arabe“ si një figurë e një burri shteti të Libanit dhe si dijetar e patriot shqiptar. Populli libanez edhe sot e kësaj dite ruan një kujtim të mirë për figurën e tij.

Përpjekjet e Pashko Vasës, si dhe të gjithë patriotëve të shquar të Rilindjes Kombëtare, si të Abdyl, Naim dhe Sami Frashërit, Naum Veqilharxhi e Zef Jubanit, Jani Vretos e Konstandin Kristoforidhit, Jeronim De Radës, Koto Hoxhit, Hasan Tahsinit, Zija Prishtinës, e dhjetra patriorëve e luftëtarëve të tjerë, nuk shkuan kot. Ato u bënë burim frymëzimi dhe mobilizimi për brezat pasardhës në luftën për liri, pavarësi dhe përparim.

Në kuadrin e përkujtimit të 100vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit eshtrat e Pashko Vasës u sollën në Atdhe. Më 16 qershor 1978 nëpërmjet Kapshticës, Bilishtit dhe Korçës, eshtrat e tij u përçollën me nderim e respekt nga mijëra vetë për në Tiranë, ku popullili kryeqytetit, punëtorë dhe veteranë, njerëz të kulturës dhe të shkençës, shkrimtarë dhe artistë, ushtarakë dhe nxënës e studentë, qindra e qindra vetë ishin radhitur në sheshin para Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit të Tiranës, ku ishte vendosur arkivoli me eshtrat e tij,mbështjellë me flamurin kombëtar, rrethuar nga roje nderi e kurora të shumta me lule.
Më 25 qershor 1978, populli i rrethit të Shkodrës, varrosi me respekt të madh, eshtrat e patriotit të shquar në varrezat e dëshmorëve të periudhës para Luftës Antifashiste Naçionalçlirimtare në Shkodër. Eshtrat e patriotit të madh tani prehen në tokën amtare.

Share This Article
3 Comments
  • Rrespekt për këtë shqiptarë të madh.
    Vargjet e tij profetike që jan aktuale edhe sot,duhet te vendosen në të gjitha hyrjet e Shkollave.
    Feja e shqyptarit asht shqyptaria.

  • Sa here qe une degjoj te recitohen vargjet “Mori Shqypni…”, pra (O moj Shqiperi…) , te shkruara 140 vite me pare nga djali i Mehill Vasa , mu me rredhin lotet . Atdheu eshte si nena per cdo burre : Eshte ajo qe eshte , dhe ashtu si eshte duhet dashur dhe nderuar pa asnje medyshje apo kushtezim .
    ::::::::::::::::
    Nderkohe une kujtoj fjalet e gjyshit tim , vdekur me 1936 , (kusheri me Sotir Peci. Gjyshi pati thene :” fillimisht duhet te bejme Shqiperine , pastaj shtepine! ” ; ndersa me pas ai thoshte se “tani qe beme Shqiperine duhet te bejme edhe shqipetarin e vertete!”
    :::::::::::::::::::
    Faleminderit per kete shkrimin , o vella Nesip Kaci !
    :::::::::::::::::::
    PYETJE :
    1= A eshte koha qe ne shqiptaret te kemi te mire-organizuara , per nderin e gjithe kombit tone :
    Varrezat e Deshmoreve dhe Patrioteve te para luftes se II-te Boterore ?
    2= Mire qe shkruhet emri i vertete Pashko Vasa , por une dua te pyes se perse eshte shkruar ketu edhe emri i dyte Vaso Pashe ?!
    Vasa –> eshte shkruar Vaso , ndersa Pashko –> Pashe ?
    Valle kjo ka qene deshire e ketij patrioti qe kur ky ishte gjalle , apo ka qene vetet Pashe , (pra ka patur titullin Pasha) , dhe keshtu thirrej kur ishte koha e turqizimit , sepse nje fjale popullore thote : Turku na i ndroj DINE dhe IMANE , (por dhe vend-varrimin) , e shqipetareve te vertete ? !
    Pashko Mehill Vasa na ka bere thirrjen-amanet , qe te gjithe te ndjehemi dhe te veprojme cdo dite si vellezer te vertete shqipetare , pra si Kastriote !
    Pa cdo dite , sejcili nga ne duhet te aktualizoje kete thirrje . Edhe une mendoj si ju , se kjo eshte e vetmja rruge per kombin tone me qenesi dhe fytyresi Europjane .

  • Si shkodran, asnjehere nuk kam pase rastin te lexoj nje shkrim me te mire e me te plote per patriotin e madh, Pashko Vase Shkdranin. Te falenderoj, i nderuar Nesip Kaci, duke te urur shendet te mire e jete te gezuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *