E kam planin se si do të bëhem Kryeministër. Hashim Thaçi e ka dëgjuar me korrektësi idenë time dhe do të ulemi sërish për të biseduar. Nëse marrëveshja ndërmjet AAK-së dhe PDK-së e përfshin postin e Presidentit, ne do ta shqyrtojmë atë. Procesi gjyqësor në Hagë, që zgjati më shumë se shtatë vjet, ka lënë shenja tek unë, por nuk është pengesë në rrugën time në politike. Ramush Haradinaj flet për gazetën “Express” në Kosovë.
Ish-kryeministri Ramush Haradinaj po shfaqet i kursyer, teksa po e elaboron skenarin për të udhëhequr një koalicion mes PDK-së dhe AAK-së. Ai e ka të qartë se rikonfigurimi i pushtetit që mund të ndodhë gjatë javëve të ardhshme mund të përfshijë edhe ndërrimin e Presidentes aktuale, pavarësisht se këtë e elaboron kujdesshëm. Nëse Haradinaj gjen gjuhë të përbashkët me Hashim Thaçin, ky i fundit mund ta marrë postin e Presidentit duke e larguar Atifete Jahjagën. Por, kreu i AAK-së lë të kuptohet se me postin e shefit të shtetit duhet të merret lideri i PDK-së.
Këtë punë dy aktorët politikë e kanë diskutuar të mërkurën e kaluar gjatë një darke.
“Në rast se ka implikim që unë për me marrë udhëheqjen e Qeverisë, atëherë duhet bërë edhe ndërhyrje të tjera institucionale sikur rasti i institucionit të Presidentit, atëherë duhet shqyrtuar edhe mundësia nëse bëhet, si bëhet dhe çfarë vjen”, shprehet Haradinaj.
“E kam marrë punën që më takon dhe funksionet e mia në Aleancë. Por, po ashtu konkret jam ofruar për të marrë udhëheqjen e qeverisë së vendit. Nëse është e mundshme që nga dita e sotme ose nesër. Por, jo me humbë ditë, jo me humbë kohë”, thotë Haradinaj për Express.
