Prof. Dr. Ksenofon Krisafi
Pjesa I
Ka kohë që kam dashur të shkruaj për veprimtarinë intelektuale dhe personalitetin e Fatos Tarifës, njërit prej kolegëve dhe miqve të mi më të veçantë, me të cilin kemi rrugëtuar së bashku në jetë për më shumë se katër dekada, të lidhur nga një miqësi dhe një bashkëpunim i ngushtë. Njohja jonë e ka zanafillën në qytetin tim të lindjes, në Gjirokastër, qyteti prej nga e ka origjinën edhe familja e tij dhe ku ai jetoi për disa vite si fëmijë. Më pas zbuluam edhe një lidhje farefisnore, e cila do u shtohej rrethanave që e kanë forcuar miqësinë tonë shumëvjeçare.
Për të qenë tërësisht i sinqertë me veten dhe me lexuesin, nuk këmbëngul dhe as shpreh siguri të plotë se mendimet e mia në këtë shkrim mund t’i kenë shpëtuar krejtësisht subjektivitetit. Pavarësisht kësaj, sidoqoftë, vlerësimi për veprën teorike të Fatos Tarifës—një vepër sa voluminoze, aq dhe cilësore, që shtrihet në disa disiplina dhe fusha studimore, si sociologjia, shkenca politike, studimet kulturore, marrëdhëniet ndërkombëtare, gjeopolitika etj.—bazohet në një njohje shumë të mirë dhe në vlerësime objektive të vlerave të saj.
Nuk e fsheh se, një ndër motivet që më shtynë t’i shkruaj këto radhë është fakti që ne, shqiptarët, ende nuk jemi mësuar (për të mos thënë se nuk duam) që t’i çmojmë njerëzit tanë të ditur, në cilëndo fushë të kreativitetit e të veprimtarisë shoqërore, ndërkohë që këtë nuk ngurrojnë ta bëjnë të huajt për ne.
I tillë është edhe rasti i sociologut dhe diplomatit tonë të shquar, mikut tim të vyer, Fatos Tarifa. Në parathënien e njërit prej librave të Tarifës, Raymond Rosenfeld, profesor i shkencës politike në Eastern Michigan University, ka shkruar, veç të tjerash, se: “Në nivel personal, Fatos Tarifa reflekton elementët më të rafinuar të elegancës, të sofistikimit, të freskisë, të gjerësisë së interesave dhe të sharmit europiano-lindor. Në nivel profesional, ai është jashtëzakonisht i informuar në dy disiplina—sociologji dhe shkencën politike—dhe stimulon një shkallë të lartë interesimi për një diapazon të gjerë çështjesh. Nëse përdor një fjalë, e cila në Amerikë përdoret gjithnjë e më shumë me nostalgji për një kohë të humbur në jetën akademike dhe letrare të këtij vendi, Tarifa është një intelektual, një intelektual i vërtetë. Ai është, mbi të gjitha, një njeri, i cili vazhdimisht gjykon duke diferencuar (për Kantin ky është testi i një njeriu kozmopolit), çka, me fjalë të tjera, do të thotë njeri i zgjuar”.
Këto fjalë rezonojnë me vlerësimin që i bën Fatos Tarifës një tjetër personalitet shkencor në Amerikë. Ajo është Judith Blau, profesore e sociologjisë në University of North Carolina (Chapel Hill), universiteti ku Tarifa ka fituar gradën PhD. Blau shkruan: “Fatos Tarifa u ka sjellë gjithnjë kënaqësi dhe gëzim atyre prej nesh që kanë pasur privilegjin ta njohin atë qysh në ditët e para kur ai u vendos në Shtetet e Bashkuara. Gjithnjë njeriu më i sjellshëm, një studjues i pasionuar dhe një autor i shkëlqyer, që më shokon dhe më sjell në vete”.
Unë përpiqem të shtjelloj më gjerë dhe të argumentoj në këtë shkrim pikërisht atë çfarë Prof. Rosenfeld dhe Prof. Blau thonë nga përtej Atlantikut për kolegun dhe mikun e tyre dhe timin Fatos Tarifa.
Dy librat më të rinj
Rreth shtatë muaj më parë, në një orë të vonët, më erdhi një zile telefoni nga Fatosi. Donte të dinte nga unë se në ç’vit kishin ardhur në Tiranë autobusët e parë Viberti, të cilët u përdorën kryesisht në linjat urbane Tirana e Re-Stacioni i trenit dhe Kombinat-Sheshi “Skënderbej”. Më tha se po i jepte dorën e fundit një libri që i kushtohej Tiranës së viteve 1960-1970 dhe i kujtohej që, në një nga bisedat tona, shumë kohë më parë, kur kishte rënë fjala për ata autobuzë, i kisha thënë se ata ishin pjesë e dëmshpërblimeve italiane. Pas nënshkrimit të marrëveshjes shqiptaro-italiane në qershorin e vitit 1957 “Për zbatimin e Traktatit të Paqes me Italinë”, Italia filloi përmbushjen e detyrimeve që buronin nga dëmet e shkaktuara prej saj në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, një subjekt ky, të cilin unë e kam trajtuar gjerësisht në librin Diplomaci pas lufte (2009).
Vetëm pak kohë pas asaj bisede telefonike, kur vala e pandemisë Covid-19 kishte rënë disi, në një nga takimet tona të zakonshme Fatosi na dhuroi mua, Moikomit, Pëllumbit, Edit, Ilirit, Takut dhe Besnikut librin e tij të fundit në atë kohë, Koha e shkurtër e lirisë në diktaturë: Tirana për nostalgjikët e saj. E shfletova menjëherë, i befasuar nga koha e shkurtër që i ishte dashur për ta përfunduar së shkruari. Në shtëpi u ula dhe nuk e lëshova nga dora deri sa e lexova të tërin.
Koha e shkurtër e lirisë në diktaturë ngjan me një fotografi panoramike dhe një projektim të Tiranës së adoleshencës dhe rinisë së një brezi të caktuar, i cili ka konservuar në memorje për gati gjysmë shekulli qytetin e vet të dashur të asaj kohe, bashkë me ëndërrat e një të ardhmeje më të mirë e më të bukur.
Ky libër u shkrua gjatë periudhës së karantinimit për shkak të pandemisë globale shkaktuar nga Covid-19, periudhë gjatë së cilës autori, si shumica e njerëzve në Shqipëri dhe në shumë vende të botës, u detyrua të mbyllej në apartamentin e tij në qendër të Tiranës. Duke e parë atë nga ballkoni, me një sy ndryshe nga më parë, në optikën e një pamjeje gati apokaliptike, të çuditshme, thuajse të zbrazuar, autorit duket se iu zgjuan kujtime mbi ngjarje e personazhe të periudhës së fëmijërisë e të rinisë së tij, si dhe mjaft nostalgji e mbresa të një kohe, e cila, për disa breza përfaqëson një periudhë jete të paneglizhueshme e me kontribute të caktuara për individë të ndryshëm.
Këto “meditime ballkoni” sui generis janë bërë tashmë pjesë e një biblioteke të tërë veprash të shkruara nga Fatos Tarifa, në të cilat lëvizin, veprojnë e ndërveprojnë një galeri e tërë personazhesh njerëzorë. Ato janë produkt i cilësive dhe vlerave të tij intelektuale, i formimit të tij kulturor të pazakontë, i aftësive të spikatura profesionale, i talentit krijues dhe i punës së tij kërkimore të palodhshme përgjatë më shumë se katër dekadave.
Një tjetër vëllim i ri është ai që iu shtua kësaj biblioteke javët e fundit. Ai titullohet Scripta manent. Edhe ky libër është publikuar nga Onufri, botuesi i veprave të Tarifës gjatë dekadës së fundit. Ai përmban një lëndë tepër të larmishme e interesante, ide dhe analiza të rëndësishme teorike mbi realitetin shqiptar dhe mbi zhvillimevet ndërkombëtare, si dhe rekomandime e propozime me shumë vlerë.
Pa synuar të bëj analizën e përmbajtjes së tij, dua të sjell në vëmendjen e lexuesit se, në këtë vëllim, ai do të gjejë ide mjaft interesante dhe origjinale për një sërë çështjesh teorike e praktike me rëndësi të veçantë. Ato kanë të bëjnë me zhvillimin e arsimit të lartë e të shkencës në vendin tonë, me politikën dhe politikanët shqiptarë, me rolin publik të intelektualëve, me realitetet trishtuese gati paradoksale në këtë vend etj. Tarifa është optimist dhe i bindur se Shqipëria ka jo pak njerëz të mençur, të ditur, të aftë, vizionarë e të përkushtuar që do ta çojnë përpara zhvillimin e saj.
Një prej subjekteve kryesorë që trajtohen në këtë vëllim është politika e jashtme e shtetit shqiptar dhe diplomacia e tij, një fushë kjo, të cilën Tarifa e njeh mjaft mirë, si nga pikëpamja teorike, ashtu dhe ajo profesionale e praktike, sepse ka qenë për shumë vite me radhë pjesë e shërbimit diplomatik të Republikës sonë, duke dëshmuar jo vetëm tiparet e një vëzhguesi të vëmendshëm dhe të një studiuesi të zellshëm, por edhe aftësitë e një diplomati të kultivuar e të talentuar, me arritje të shënuara, për çka do të flas në vijim.
Pjesa e fundit e vëllimit Scripta manent i kushtohet historisë kombëtare, studimit dhe vlerësimit të saj. Këtë subjekt, Tarifa e ka trajtuar nisur nga një qasje realiste dhe emancipuese, duke vënë në fokusin e kritikës së tij të mprehtë dhe shumë mirë të argumentuar eksponentë të politikës shqiptare, pa kursyer as vetë kryeministrin Rama për disa pikëpamje e veprime eksesive përsa i përket rivlerësimit të ngjarjeve e të figurave historike të kombit tone, fsheur pas një fasade false modernizmi. Objekt i kritikës së Tarifës është edhe vet Akademia e Shkencave dhe disa historianë për përpjekjet e tyre për të deformuar ose zhvlerësuar historinë moderne të popullit shqiptar.
Një arsimim dhe një përvojë akademike e shkëlqyer
Si të gjithë shqiptarët e brezit të vet, Fatos Tarifa është produkt i sistemit universitar shqiptar të viteve 1970. Rezultatet dhe aftësitë e tij të spikatura si student bënë që të emërohej kërkues shkencor dhe pedagog në Fakultetin e Shkencave Politike e Juridike të Universitetit të Tiranës fill pas përfundimit të studimeve, ku edhe mori gradën e doktorit të shkencave. Në vitin 1991, ai u bë themeluesi dhe dekani i parë i Fakultetit të Filozofisë dhe Sociologjisë (sot Fakulteti i Shkencave Sociale) në Universitetin e Tiranës.
Arsimimi i Tarifës nuk përfundoi në Tiranë. Ishte ndër studiuesit e parë studiues shqiptarë i cili në vitin 1992 fitoi një grant Fulbright dhe, menjëherë pasi tij, mori një arsimim pasuniversitar të shkëlqyer në njërin prej universiteteve më të mirë në botë, në University of North Carolina në Chapel Hill (SHBA), ku edhe fitoi gradat akademike MA dhe PhD, Duke filluar nga mesi i viteve 1990, për afro 13 vite, ka mbajtur një sërë pozicionesh akademikë në disa universitete amerikanë, si University of North Carolina (Chapel Hill), Campbell University, Webster University, Eastern Michigan University, si dhe në Institute of Social Studies në Hagë. Ai u kthye në Shqipëri në vitin 2008. Deri një vit më parë, Tarifa ishte Rektor i Universitetit të Nju Jorkut të Tiranës, ndërsa aktualisht është profesor i sociologjisë dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Europian të Tiranës, ku edhe ka dhënë mësim për disa vite me radhë pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara.
Për reputacionin që gëzon në botën akademike, Prof. Tarifa është të ftuar të flasë si një “keynote speaker”, ose si një “guest lecturer” në shumë universitete prestigjiozë anembanë botës, si në Harvard University, Duke University, Brown University, Tufts University, New York University, University of California (Berkeley), University of Hawaii (Manoa), American University, University of North Carolina (Greensboro), University of Toronto, Unversity of Ottawa, York University, University of Guelf, Chinese University of Hong Kong, University of Essex, University of Salford, University of Amsterdam, University of Helsinki, University of Uppsala, Mid-Sweeden University, University of Malaya, University of Casablanca etj. Ai i ka kumtuar rezultatet e studimeve të tij në më shumë se 50 kongrese e konferenca ndërkombëtare, të mbajtuara kryesisht në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të ndryshëm të Bashkimit Europian.
Profesor Tarifa është një ndër anëtarët themelues të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave (nga viti 2011) dhe ka qenë një ndër presidentët e zgjedhur të saj. Tarifa është, gjithashtu, anëtar i Shoqatës Sociologjike Amerikane (nga viti 1992) dhe anëtar i Akademisë së Shkencës Politike në New York (nga viti 1995). Studimet e Prof. Tarifës dhe reputacioni që ky studiues shqiptar ka në botën akademike perëndimore kanë bërë që atë ta ftojnë të jetë anëtar i bordeve editorialë të disa revistave akademike ndërkombëtare, prej të cilave përmendim revistat Social Forces (Oxford Univerity Press) dhe Journal of Applied Social Science (Sage).
Një krimtari shumë e pasur dhe kontribute të çmuara
Prof. Tarifa është një shembull tipik i atyre studiuesve, të cilët, si akademikë dhe intelektualë publikë shquhen për kontribute të jashtëzakonshme në dobi të shoqërisë. Ai është autor i më shumë se 50 librave, prej të cilëve 12 janë botuar jashtë vendit. Ata janë, përgjithësisht, studimeve origjinalë dhe kanë vlera të spikatura teorike. Prej tyre mund të përmendim tituj të tillë, si: Open-Ended History (1998), Culture, Ideology, and Society (2001), The Quest for Legitimacy and the Withering Away of Utopia (2001), The Breakdown of State Socialism and the Emerging Post-Socialist Order (2001), Social Problems of Transition (2003), Europe Adrift on the Wine-Dark Sea (2007), Saga e dy kontinenteve (2007), Vengeance is Mine: Justice Albanian Style (2008), Amerikanofobia dhe anti-amerikanizmi europian (2008), Europa e pabashkuar (2009), Fati i një shekulli (2010), Pamundësia e Projektit Europian (2013), Shkencat e Shoqërisë (me parathënie nga Anthony Giddens, 2013), Hakmarrja është imja: Morfologjia sociale dhe gramatika morale e gjakmarrjes (2014), Dinamika e modernitetit pluralizues (2014), Politika si gramatikë dhe metaforë (2014), Imagjinata sociologjike dhe bota jonë sociale (2014), Shkenca sociale si teori dhe praktikë (2016) etj.
Prof. Tarifa është, gjithashtu, autor i më shumë se 100 artikujve studimorë, shumica e të cilëve të botuar në revista
akademike me faktor impakti e të indeksuara në Shtetet e Bashkuara dhe në Europë. Ndër ta mund të përmendim artikujt: “Linking Economic Hardship to Families’ Lives and Children’s Psychological Well Being” (1993), “Overcoming the Past” (1995), “War versus Ghosts” (1996), “Neither ‘Bourgeois’ nor ‘Communist’ Science” (1996), “The Language Paradigm in Contemporary Social Theory” (1997), “Marx est mort! Where Have All the ‘New Philosophers’ Gone?” (1997), “Legitimation Crisis of State Socialism” (1998), “Vulnerable Democracies” (1998), “Facing Tomorrow’s Global Challenges” (2006), “Applying Sociology to the Construction of a Democratic Public Sphere in Albania” (2006), “Who’s the Sick Man of Europe?” (2007), “The End of Balkan History” (2007), “Balkan Societies of ‘Social Men’” (2007), “Of Mice, Men, and Mountains” (2007), “The Poverty of the ‘New Philosophy’” (2008), “Of Time, Honor, and Memory” (2008), “The Dynamics of Pluralizing Modernity and the Challenges to Future Global Politics and U.S. Leadership” (2010), “The Habermasean (De)Reconstruction of Marx’s Paradigm” (2011), “The Values of Science and Democratic Culture” (2011), “Conflict and Rights in Vengeance-Ridden Societies” (2012), “Immigration and Identity Politics” (2013), “Social Science Research and the Social Policy Making Process” (2013), “Post-Modern Utopia” (2014), “Public Understanding of Science and Participatory Democracy” (2014), “Theory, Imagination, and Practice” (2014), “Failure of Multiculturalism?” (2016) etj.

Një ndër studiuesit shqiptarë më interesantë në Perëndim
Fatos Tarifa është, pa dyshim, sociologu shqiptar më i mirë, më produktiv dhe më i njohur brenda e jashtë vendit. Unë shpresoj që ky pohim të mos krijojë ndonjë keqkuptim në radhët e kolegëve shqiptarë të shkencave shoqërore. I siguroj ata se, duke mos pasur unë vetë formimin e duhur në këto shkenca dhe, pra, as autoritetin për të bërë një vlerësim të tillë, gjej mbështetje për pikëpamjen time në vlerësimet që kanë bërë për të disa nga sociologët më të shquar në kohën tonë.
Është me rëndësi dhe mjaft domethënës fakti që librat dhe artikujt e Prof. Tarifës janë lexuar, vlerësuar dhe cituar nga mijëra studiues dhe studentë doktorantë në të gjithë botën. Dy shembuj janë vërtet kuptimplotë. Anthony Giddens, sociologu më i njohur dhe më i cituar në ditët tona, në librin e tij Turbulent and Mighty Continent: What Future for Europe (2014), citon librin e Tarifës Europe Adrift on the Wine-Dark Sea duke e vlerësuar si një vepër që ofron një “analizë të shkëlqyer dhe perceptive” mbi marrëdhëniet transatlantike dhe të ardhmen e Bashkimit Europian.
Nga ana e tij, James Robinson, profesor i shkencës politike në Harvard University, e ka cilësuar librin e Tarifës Vengeance is Mine: Justice Albanian Style si “një libër absolutisht mahnitës”. Po për këtë libër, studiuesi italian Andrea Pieroni është shprehur se “kjo është vërtet hera e parë që diçka e arsyeshme është shkruar për këtë subjekt”.
Vlerësime shumë pozitive janë bërë veçanërisht për librin e Prof. Tarifës Shkencat e shoqërisë nga disa prej sociologëve amerikanë dhe anglezë më të njohur në kohën tonë. Disa prej këtyre vlerësimeve janë: “Ky libër është me shumë vlerë, si për shkencat sociale në përgjithësi, ashtu dhe për sociologjinë në veçanti. Profesor Tarifa ka mundur të realizojë një vepër të vërtetë encikplopedike në një vëllim” (Anthony Giddens); “Profesor Tarifa ka mbledhur së bashku një konstelacion yjesh nga radhët e sociolgëve më të shquar në botë për të trajtuar çështje qendrore në sociologji, të cilat e shtyjnë këtë disiplinë në disa drejtime krejt unike” (George Ritzer, University of Maryland); “Me këtë vëllim, Fatos Tarifa rigjallëron kuptimin që sociologjia duhet të ketë për veten dhe vizionin e saj për të ardhmen” (Michael Kennedy, Brown University); “Rëndësia thuajse unike e këtij vëllimi qëndron në fokusin e saj sistematik në kufijtë e sociologjisë me disiplina të tjera të rëndësishme. Një antologji mahnitëse” (Göran Therborn, University of Camridge); “Një libër i mrekullueshëm, i cili është e sigurt se do të shërbejë si një referencë e rëndësishme në sociologji dhe në shkencat e tjera shoqërore për një kohë të gjatë” (Lisa Keister, Duke University); “Një vëllim i shkëlqyer, që sjell një kontribut të paçmuar për çështje madhore të shkencës sociale” (Gerhard Delanty, University of Sussex).
Prof. Jay Weinstein, sociology, miku dhe kolegu i ngushtë i tij e ka cilësuar prof. Tarifën si “themeluesin e vërtetë të sociologjisë shqiptare, që e solli këtë disiplinë në Shqipëri” dhe si “një ndër kampionët më luajalë dhe më efektivë të sociologjisë”. “Tarifa”, ka shkruar ai, “është një provë e gjallë e asaj krijimtarie të jashtëzakonshme që buron prej intuitës sociologjike”. Jo shumë kohë më parë, Prof. Michael Burawoy (University of California, Berkeley), në atë kohë President i Shoqatës Sociologjike Ndërkombëtare, shprehej se “Fatos Tarifa nuk ka humbur asgjë nga energjia, imagjinata dhe ambicja e tij per sociologjinë shqiptare”.
Duke lexuar vlerësime të tilla, unë e kuptoj pse Barbara Heyns, profesoreshë e sociologjisë në New York Univerisity, duke e cilësuar Fatos Tarifën si “the father of Albanian sociology”, është shprehur për të me kë to fjalë: “Fatos Tarifa është një ndër studjuesit më interesantë dhe më kreativë në kohën tonë. Ai ka një sens shumë të forte bindës për probleme të rëndësishme teorike dhe empirike si dhe imagjinatën sociologjike për t’i trajtuar ato në një mënyrë të re dhe kreative. Unë nuk kam dyshuar asnjëherë se komuniteti ndërkombëtar i shkencave sociale një ditë do ta njohë Fatos Tarifën si një influencë shumë të rëndësishme. Unë besoj se ai do të krijojë studime cilat do të mbahen mend dhe do të përbëjnë një kontribut jetëgjatë në historinë e ideve”.
_____
Vijon nesër. Autori është President i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave dhe Dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin Medhetar të Shqipërisë
