Suksesi i violinistes shqiptare në Britaninë e Madhe

J L

Irena Luto

 

Diçka si hyrje për Alda Dizdarin

Violinistja Alda Dizdari, një prej artisteve më të talentuara dhe të spikatura të brezit të saj, ka hedhur në treg këtë muaj (tetor 2020) në Britaninë e Madhe versionin audio të librit të saj të “Kiss me Again (Më puth prapë”) – Kujtime me Elgarin në vende të pazakonshme”.

Libri është i shkruar në Anglisht, dy vjet më parë dhe është i mbështetur në eksperiencën dhe mënyrën se si Artistja e ka përjetuar krijimtarinë e kompozitorit britanik Eduard Elgar, veçanërisht një prej veprave të tij më të pak të njohura dhe shumë të bukura, Koncertin për Violinë dhe Orkestër. Alda e sjell këtë koncert para publikut në Shqipëri dhe Rumani ku realiteti nuk është edhe aq romantik sa vepra dhe ndjesia e muzikantes.

Gjatë muajve të karantinës Alda realizoi variantin audio të këtij libri që shoqërohet me CD-në e koncertit për Violinë të Elgarit. Alda është ndër ata artistë që ka arritur të krijojë edhe të botojë në këtë periudhë mjaft të vështirë, për botën e artit. Ky botim është i pari i këtij lloji për një artist shqiptar. Frymëzimi për këtë libër është Koncerti për Violinë, me të cilën artistja takohet rastësisht. Por ajo që pason këtë takim rastësor me veprën e kompozitorit të saj të preferuar, kthehet në një moment që do t”i ndryshojë jetën profesionale dhe private.

Alda në libër bën një udhëtim në kohë në Shqipërinë e adoleshencës së saj, Rumaninë ku u rrit dhe edukua si edhe në peizazhe të fragmentuara të jetës së Elgarit. Herë si heroinë e Kunderës tek romani “Padija” e herë si një gazetare e rafinuar që përmbledh momente kyçe të tranzicionit në Shqipëri e Rumani, Alda i sjell lexuesit një libër sa unik aq edhe esencial për t’u lexuar.

“Kiss me Again”, është mbi të gjitha një histori dashurie mes interpretuesit, kompozitorit dhe veprës. Një udhëtim prapa, por me këmbët në të tashmen që e afrojnë lexuesin tek burimi i krijimtarisë dhe pastaj ëmbël e katapultojnë në duart dhe shpirtin e interpretuesit që e ngjall veprën sa herë e ekzekuton atë me mjeshtri në skenë.

“Më puth prapë” është jo vetëm një libër që pasuron krijimtarinë e këtij zhanri në botë, por edhe ndër të paktët (ndoshta edhe të parët) që i ofron lexuesit shqiptar një takim privat edhe intim me muzikantin përpara se të ngjitet në skenë. Atje ku do të shohë edhe ndjejë për së gjalli përgatitjen monumentale që bën interpretuesi para një koncerti. Që nga orët e gjata të ushtrimit, deri tek provat e detaje të tjera të lidhura me zgjedhjen veshjeve dhe vetë skenën. Është një libër që ofron si pa kuptuar këshilla mbi metodoligjinë dhe pedagogjinë e të luajturit muzikë klasike. Një libër i sinqertë, plot ndjenjë, kuriozitetete, intimitet, sa autobiografik aq edhe lirik, i shkruar plot modesti e sharm.

KOMENTI I BOTUESIT TË CD/Audio Book: (Mellos Records)

Alda dhe Elgar – Një histori dashurie. Është një regjistrim i ri unik i Koncertit për Violinë të Elgarit i realizuar në Pllakë Gramafoni (Vynil), SACD dhe me një edicion special që i bashkëngjit muzikës një Libër Audio (i lexuar nga interpretuesja). Alda sjell në këtë libër eksperiencën e saj me veprën duke na marr me vete në një udhëtim në Europën Lindore dhe Rusi, ku ngjiti në skenë Elgarin më pak të njohur atje. Udhëtimi i Alda Dizdarit, si një vajzë e rritur në një prej vendeve më të mbyllura dhe të errëta të Europës, që arrin në majat e botës së muzikës klasike përmes violinës dhe talentit të saj, është mbi të gjitha një histori vajze guximtare. Alda është një muzikante brillante, prania e së cilës në Londër, ku jeton dhe punon prej më shumë se një dekade, ka qënë mjaft e ndjekur dhe e vlerësuar. Botime serioze si Gramaphone, Sunday Times, dhe programe të kulturës në BBC 3 dhe BBC 4 i kanë kushtuar një vend të veçantë artistes. Udhëtimi i Alda Dizdarit me Elgarin në vitin 2018 filloi me Shqipërinë dhe Rumaninë. Vendlindjen dhe vendin ku ajo zhvilloi studimet e saj për muzikë. Interpretimi i Elgarit në këto vende e frymëzoi artisten të shkruajë “Kiss me again – Kujtime me Elgarin në vende të pazakonshme”. Koncerti për Violinë i Eduard Elgarit është regjistruar në Moskë në 2019 me Orchestren Musica Viva dhe nën drejtimin e dirigjentit Aleksandër Walker. Kompania Mellos Records e ka nxjerr në shitje këtë Koncert në variantin më modern në CD dhe Pllakë gramafoni, që jo vetëm e sjell në standardin më të lartë për kohën, por edhe në një formë që i përshtatet tingullit nostalgjik të së shkuarës dhe veprës së kompozitorit. Libri në Audio e komplenton në mënyrë absolute muzikën duke e bërë të përkryer këtë punë madhështore të ekzekutuar me mjeshtri dhe dashuri. Ky botim është ndër dhuratat më të bukura dhe klasike që do t’i bënit këtë vjeshtë bibliotekës së tuaj dhe të miqve.

 

KRITIKA PËR LIBRIN (Paperback) : Julian Heylock, The Strad (2019)

Udhëtimet janë një trend i kohës, por për Aldën ky ishte një udhëtim në drejtim të kundërt. Asaj i duhej të kthehej prapa në vitet kur interpretoi Koncertin për Violinë të Eduard Elgarit, në Shqipëri dhe Rumani midis 2015s dhe 2017s. Alda nuk është vetëm një violiniste mjaft e talentuar, por ajo ka edhe një veti të lindur e për ta patur zili në mënyrën se si i përzgjedh dhe prezanton kujtimet e saj. Një mjeshtri për të hedhur dritë mbi ngjarje dhe momente të rëndësishme, të cilat i sjell përmes një proze të lirë që i flet lexuesit. Alda Dizdari lindi në Shqipërinë e viteve 1980, nga ku Britania e largët shihej si një ishull i mbuluar nga shirat dhe mjegulla dhe ku fëmijët vuanin si në romanet e Dickensit. Kur Alda u rikthye në Shqipëri në 2015n, pa që vendi akoma përballej me vështirësi. Nga vëzhgimet e saj depërtuese, tingulli i fortë dhe i mprehtë i orkestrës, qe tingulli i një vendi që nuk kishte kohë ta shijonte veten, sepse ishte shumë i lodhur duke luftuar për të mbijetuar. Koncerti në Shqipëri ishte i pari në serinë e koncerteve, të cilat kulmojnë në Sibiu të Rumanisë, ku Alda performon me një orkestër të mrekullueshme, nën batonin e një dirigjenti mospërfillës, që i drejton provat pa pikë interesi. Mbrëmjen e shfaqjes Alda është e vendosur që të japë më të mirën e saj dhe si për magji edhe pjesëtarët e orkestrës kanë të njëjtin disponim. Solisti dhe orkestra duket sikur bëhen një trup i vetëm dhe pavarësisht rolit jo të mirë që luan dirigjenti, ajo mbërmje ishte një sukses i madh. Njerëzit qëndruan gjatë më këmbë duke duartrokitur. Siç shprehet edhe Alda në libër “Pa ndihmën e përkthyesit, ne zbërthyem vetë kuptimin e muzikës, pa ndihmë, pa drejtim. Kjo është një histori tepër emocionuese e sjell me shumë sinqeritet dhe pa doreza, që thekson edhe një herë fuqinë dhe forcën e muzikës për të kapërcyer situata të vështira dhe kushte sfiduese.

 

THE SUNDAY TIMES – Noel Malcom

Kur bie në dashuri me një pjesë muzikore, ndodh një gjë shumë e bukur që e shoqëron këtë ndjenjë. Ndryshe kur bie në dashuri me një person, në rastin e muzikës, ti mezi pret ta ndash atë me të tjerë, nuk ndihesh posesiv. Dhe kjo ndodhi me Alda Dizdarin, një violiniste e talentuar dhe mahnistëse nga Shqipëria që jeton në Londër. Kjo histori dashurie e ka pushtuar jetën e saj për disa vite dhe ky është pasioni për Koncertin për Violinë të Eduard Elgarit. Disa vite më pare Alda blen në Londër një Compact Disc ku ishte i përjetësuar regjistrimi i të parit Koncerti për Violinë të Elgarit, me solist violinistin Albert Sammons dhe dirigjentin Henri Wood. Disa orë pas kësaj rastësie të pazakontë Alda gjen në një tjetër librari manualesh të përdorura edhe partiturën e këtij koncerti që kishte përdorur dirigjentit Henri Wood, Ky ishte fillimi I një momenti, që do t’i hapë artistes rrugë të reja në jetën profesionale dhe do ta ndryshojë atë përgjithmonë. Ky libër është një gur i çmuar që nuk e krahasoj dot me tjetër libër. Ai sjell njëherësh tre gjëra: Tregon për koncertin nga këndvështrimi i një solisti; sjell eksperiencën e një muzikanti që performon në vende të ndryshme të botës ku takohet me orkestra e dirigjentë nga më të ndryshmit; si edhe eksploron ndjenjat artistes për vendet kur është rritur dhe edukuar, si Shqipëria dhe Rumania.

 

Kush është?

Alda Dizdari ka lindur në Tiranë në një familje muzikantësh. Babai I saj është kompozitori Limos Dizdari kurse nëna e saj është pianiste. Studimet i nisi në Liceun “Jordan Misja” në Tiranë dhe i përfundoi në Bukuresht, ku kreu edhe studimet e larta për Violinë në Universitetin e Bukureshtit. Masterin e kreu në SHBA dhe më pas u specializua në Londër ku jeton edhe punon si Violiniste Soliste.

 

Share This Article
2 Comments
  • Un e putha ate vetem njiher ne endrat e mia
    dhe ajo qe pasoj,ishte e paimagjinueshme !

    Nji Etje Shkretetire ,

    nji endje pafund ,
    buze te ćara ,
    nete te tera pagjume ,

    shoqeruar nga ajo heshtje zhgenjyese .
    Nganjiher , degjohej jashte dritares nji Melodi ,instrumenti ,qe me zgjonte e bente te besoja
    per nji cast,
    se ajo eshte ktu, pran ,me Ditarin e saj ne dore ,

    se ai pasion jeton –
    Muzike – Letersi
    nji kombinim i Flakt , i rrezikshem 😉

    Sukse Violinistes se talentuar .

    Nji titull intrigues ,
    qe tingellon si ajo Puthje ne ate Pasion,
    Tingellon si nji Melodi qe te lehteson dhimbjen
    e ti merr frym per nji moment i qete .

    Limoz Dizdari ishte nji Kompozitore i shquar ,
    Alda e ka genetike mesa duket,jovetem muziken.
    Ja , meqe ktu ,pak guxojne te shkruajn ,komentojne
    mbi Literaturen,
    (shumica fshihen pas Monitoreve,e lexojne vjedhurazi, sepse i terheq me shume Tema – Politike .) Literatura ne kohe Kolere,eshte pothuaj e shtrire me masken e tubin e Oxigjenit qe e mban ne jete.

    Suksese Autores se Romanit me kte titull pasionant .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *