Të kam thënë…
Të kam thënë-moj flutur,
po ti nuk përgjigjesh:
“Mos ju afro flakës,
në s’do që të digjesh!”
Të kam thënë-moj flutur,
po ti më mërzitesh:
“Mos iu afro dallgës,
në s’do që të mbytesh!”
Të kam thënë sërish,
po ti s’dorëzohesh:
“Mos iu afro dritës,
në s’do të verbohesh!”
Të kam thënë-moj flutur,
po dhe ti më thua:
“Dhe flakën-dhe dallgën,
dhe dritën e dua!”
Dhe flakën-dhe dallgën,
dhe dritën e dua,
nuk e njohu frikën,
kush u dashurua!
Korrik, 2005
Pa titull
Kujtoj me mall një dashuri që pata,
e gdhendur në zjarr porsi shpata,
kujtoj me mall një zjarr-një dashuri,
në zjarr u gdhend dhe po aty u shkri!
Gusht, 2004
Pa titull
I këndove-Esenin-Shaganesë,
dhe s’doje veç saj një tjetër nuse,
ti më habit-i dashur-për besë,
unë do kisha vdekur për një ruse…
Stamboll, 25.01.2005
Si do të rrosh ti pa mua?!
Më fal njëqind vjet-i thashë Zotit,
përpara se të nis të madhin gjumë,
njëqind vjet-por jo për veten time,
t’i dhuroj tek njerëzit që dua më shumë.
Dhe Zoti-si Zot i vërtetë,
menjëherë njëqind vite m’i fali,
mua mëndja më shkoi menjëherë,
t’i falja te vajza-te djali.
Po dot nuk ua fala të gjithë,
edhe pse s’kisha pengesa,
ndaj pjesën tjetër që mbeti,
e ndava tek nipi dhe mbesa.
Kur të njëqind i dhurova,
më foli ajo që kam grua,
më tha me sy të përlotur:
“Ca vite dhe unë i dua!”
Eh-moj e dashur-i thashë,
të të fal me qindra unë dua,
po në një botë kaq të egër,
si do jetosh ti pa mua?!
Prill, 2016
Pa titull
Për syrin e verbuar je drita,
për veshin e shurdhër kambanë,
për helmin dhe dhimbjen je prita,
për gazin një det i paanë.
Për zemrën time je roje,
rri pret shigjetat me majë,
se vetëm për vete më doje,
ma ngule shigjetën pastaj!
Tiranë, 2005

I madh Poet, Arben Duka! Respekte, shendet!
DREJTËSIA
Në ç’kohë jetuam e po jetojmë,
si nuk pamë asnjëherë drejtësi,
na mashtruan e na mashtrojnë,
politikanët e vjetër dhe soj i ri.
Zhvatën sa deshën këta makutë,
pa pikë turpi e plot babëzi,
veç gënjeshtra, dënim një mut,
drejtësia e shpresuar një utopi!
E kanë fajin njerëzit apo sistemi?
Sorrollatje në këtë rreth vicioz,
rëndësi ka kush do jetë ”mbreti”,
ky sharlatan kaq ambicioz.
Faji gjithmonë ngelet jetim,
shpresa tashmë nuk ka vlerë,
deshëm lirinë demokracinë,
morrëm thjesht një mut mender!
Komunizmi na la bujqësinë,
demokracia na la veç një pras,
nga diktatura në diktaturë,
prodhuam vetëm shokë Taras.
Sytë i patëm ne nga Europa,
por ajo na doli kurvë plakë,
ngelëm 30 vite në tranzicion,
përpara s’bëmë asnjë hap.
Shpresa na ngeli te Amerika,
kjo lidere botërore e demokracive,
që tërë kohës na përmend peshqit,
por mbështet diktatorët e partive.
E vërteta vonon por nuk harron,
demokracia amerikane një fasadë,
zgjedhjet e fundit një dalje boje,
teori manipulimi, o sa gallatë!
Ndërkombëtarët na i varën shpresat,
te struktura e re e quajtur SPAK,
që ashtu si OFL, është fiasko e madhe,
peshqit e mëdhenj s’guxon t’i kapë.
E ç’të bëjmë në këtë xhungël?
Kemi tërë kohës në semafor,
mirë pa punë edhe të varfër,
por nuk kemi as ujë 24 orë!
Popullin e vodhën dhe e lodhën,
ia nxorrën jashtë qumështin e nënës,
parajsa demokratike porsi ferr,
duket sikur po vete në të s’ëmës!