Pandemia: Opozita, Qeveria dhe Fusha e Betejës

Ornela

Pajtim Bello

Që Pandemia do të jetë shtyllë kryesore e fushatës zgjedhore për çdo force politike, kjo dihet dhe është normale. Por është e rëndësishme të shohim se si forcat politike i qasen problemit dhe këtu bëhet fjalë kryesisht për forcat kryesore të binomit pozitë-opozitë. Forma dhe qëllimi i qasjes ndaj ushtrimit prezanton kapacitetin, përgjegjshmërinë dhe në tërësi profilin e forcës politike në vlerësimin dhe përballimin e ngjarjeve të mëdha siç është kjo pandemi. Dhe dihet se sjellja ndaj ngjarjeve të mëdha është dhunti politiko qeverisëse. Opozita deri tani iu ka ofruar qytetarëve për konsum puro politikë në vend të politikave konkrete profesionale dhe veprimit aktiv në fushë betejë. Ndoshta, si refleks i traditës opozitare, u orientua keq që në nisje dhe zgjodhi sensin kundërvënës e kritik ndaj  çdo mase të ekspozuar nga Qeveria, pa bërë asnjë vlerësim ndaj tyre. Një sjellje e tillë natyrshëm i futi përpjekjet e Opozitës në korsinë e gabuar; e prezantoi atë si ndjellëse dhe krijuese të panikut.

Në shfaqjen e parë të virusit sistemi shëndetësor, i pafuqishëm dhe i papërgatitur për një betejë frontale, kërkonte mbështetje prej qeverisë, prej opozitës dhe çdokujt, përfshi edhe qytetarët. Masat e prezantuara nga qeveria, veç së tjerash, le të themi se synonin të blenin kohën për të minimizuar humbjet dhe për tu përgatitur për një betejë të fortë, ajo çfarë po ngjet tani. Opozita sulmoi ashpër çdo masë të marrë prej qeverisë, shpalli dështimin e qeverisë dhe falimentimin e sistemit shëndetësor. Taktikisht opozita gaboi sepse kur populli është hedhur në një betejë për jetë a vdekje ka nevojë për kurajo dhe thirrje për qëndresë. Me këtë sjellje Ajo/Opozita deklaroi se fronti i luftës u ça, ushtria jonë u thye, armiku na pushtoi!.. Ky parashikim ogurzi, duket dëshirë e opozitës, nënkupton një situatë të rëndë e jashtë kontrollit dhe, larg o zot, vdekje masive!…

Për fatin tonë të mirë kjo nuk ndodhi dhe nuk kishte si të ndodhte. Në përballimin e valës së parë masat e qeverisë rezultuan të suksesshme dhe si të thuash u ndamë paq nga ajo që prisnim apo që edhe e pamë të ndodhte në disa vende të tjera. Dhe ja ku erdhi edhe vala e dytë, më e egër se e para; ashtu siç kishte parashikuar Komisioni e ekspertëve dhe Ministria e Shëndetësisë. Pandemia është më e egër por edhe neve tashmë nuk jemi më Ata të parët. Falë masave të qeverisë dhe mirëkuptimit të qytetarëve,  kemi ndryshuar shumë. Kemi një sistem shëndetësor cilësisht më të përgatitur, fleksibël dhe i përshtatshëm në proces, me një shumfish kapacitetesh dhe aparaturash, me një staf lartësisht më të përgatitur se sa në fillim të betejës si edhe me një tjetër kulturë mbrojtje e përballimi nga ne qytetarët.

Kur gjithësisht jemi të angazhuar në një betejë të ashpër, opozita nuk ka ndërruar as mendjen dhe as qëllimin. Zhargoni i daljeve të saj në publik është panik ndjellës…, sjellja e sajë është të qëmtojë dhe sajojë “fakte” për t’iu kundërvënë qeverisë…, të intimidojë specialistët që i janë përkushtuar shpëtimit të jetëve të qytetarëve duke rrezikuar veten dhe familjet e tyre…, të hedhë tullumbace premtimesh e gjoja “rekomandimesh” nga komitetet që i ka ngritur.., të lëshojë akuza ndaj institucioneve dhe të shigjetojë specialistë të veçantë (herë i shan dhe herë i mburr); e gjithë kjo, thënë troç, të krijojë një stuhi dizinformative dhe gjendje pasigurie, pa dhënë asnjë kontribut konkret; kur mund dhe duhet ta bëjë këtë.

Duket qartazi se anija e opozitës kërkon një det të trazuar ku ajo si anijet pirate të zerë pritë dhe të godasë në ije, për vdekje, anijen e qeverisë. Kështu ka menduar ajo dhe me një kokëfortësi tipike nuk ndërron as mëndje dhe as qëndrim. Opozita ka mbledhur një numër specialistësh, që nuk iu mungon aftësia, në komitete si institucione në hije dhe ua kundërvë specialistëve që janë në vijën e parë të frontit. Përse këta specialistë të mos veshin bluzën e bardhë dhe të rreshtohen në frontin e betejës përkrah kolegeve dhe shokëve të vet pët të shpëtuar jetë qytetarësh?! Një jetë më shumë e shpëtuar vlen pakrahasimisht ndaj mijëra e mijëra daljeve publike. Opinioni do të vlerësonte pa masë këtë akt të opozitës dhe specialistëve, nëse kjo do të ndodhte, do ta duartrokiste edhe pse është kohë kolere. Besoj se kështu do të mblidhte më shumë pikë elektorale dhe të merituara. Nëse qëndron në pritje të gabimeve të qeverisë dhe ta silurojë atë, kjo është rruga e sigurtë për ta humbur betejën. Opozita ka zgjedhur pozicionin komod të vrojtojë, të kritikojë, të shpifi e të fabrikojë ngjarje dhe të amplifikojë gabimet që pa diskutim edhe do të ketë. Ajo ka angazhuar një numër mediash vetëm e vetëm të të amplifikojnë vështirësitë ku hasin strukturat dhe sistemi i shëndetësisë; shkurt strategjia e krijimit të shëmtimit dhe panikut!…

Përkundrazi  qeveria, institucionet e saj kanë zgjedhur të mos i shmangen detyrës, të rrinë në vijën e parë të frontit, njëkohësisht të udhëheqin e luftojnë, pa u druajtur se rrezikojnë jetën e tyre siç edhe jo rrallë herë ka ndodhur. Opozita duhet të kuptojë se qytetarët bëjnë vlerësimin në vartësi të asaj se çfarë secili jep në vijën e parë të frontit për të mundur armikun dhe jo se çfarë secili bën për të mundur njeri tjetrin!.. Lufta e nisur do të jetë e gjatë dhe ka kohë e vend për reflektuar dhe rindërtuar taktikat dhe strategjinë.

Share This Article
1 Comment
  • Falë masave të qeverisë (per koncesionet apo per PPP-rat e ka fjalen?)… dhe mirëkuptimit të qytetarëve (ku e konstatoi ky mirekuptimin?!), kemi ndryshuar shumë (ne vend numro si krici) . Kemi një sistem shëndetësor cilësisht më të përgatitur, fleksibël dhe i përshtatshëm në proces, me një shumfish kapacitetesh (e pa morfun ky fallof apo ja mbeshtjell si kau mushkes?) dhe aparaturash (mjeket i kane kthyer syte nga autoklavat shkruhet ke kopertina) , me një staf lartësisht më të përgatitur se sa në fillim të betejës (po pra staf ) si edhe me një tjetër kulturë mbrojtje e përballimi nga ne qytetarët (dokra patetike me bisht)…. e bla bla bla

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *