Nga Bashkim Koçi
Ishte muaji shtator i viti 1967. Instituti i Lartë Bujqësor, atë mot të largët, priste numrin më të lartë të studentëve, ndoshta më i madhi në historinë e tij, nga të cilët, më shumë se 300, do të studionin në fakultetin e Agronomisë. Nuk di pse, por mesa mbaj mend, atëhere ishte mbajtur një kongres partie, i cili kishte marrë vendime për t’i dhënë përparësi bujqësisë e që, përgatitja e spëcialistëve me arsim të lartë, mbetej gjëja e parë që duhej t’i paraprinte këtij zhvillimi të vrullshëm. Të gjithë rrethet e vendit kishin nga një numur të caktuar studentësh, një pjesë e të cilëve vinin nga shkollat e mesme bujqësore nga i gjithë vendi, por pjesa tjetër ishin gjimnazistë e që në shimicë nuk kishin ardhur aty me qejf të madh. Madje një numur jo i vogël, si puna ime, të cilët kishin prirje për drejtime të tjera, fjalavjen letërsi, matematikë, dramaturgji apo artet në tërësi, kishin ardhur aty si “me dajak”, pa ua përfillur dëshirat apo ëndërrat që kishin planifikuar përpara se të dilnin në jetë. Pra fakultetet e Institutin e Lartë Bujqësor, atë të agronomisë, të veterinarisë, të ekonomisë agare apo të inxhinierit të pyjeve, nuk i përfillnin, nëmos ndjeheshin të fyer kur u afrohej një fakultet i tillë. Në këtë mospërfillje zinte vend dhe ndikonte edhe diçka tjetër, fakti që sapo të diplomoheshe, vendi ku do të shërbeje ishte fshati, ishin fushat, pyjet, stallat e blegtorisë, shkurt do të vishje çizmet për të mos u bërë me baltë, do të mbyteshe nga era e bajgave apo do të ngjitëshe në pyje, aty ku zhurmonin sharrat e mbarështoheshin pyjet.
Njëri nga ata, i cili nuk dinte ku binte Instituti i Lartë Bujqësor, që romanin “Tokat e çara” të Shohollovit, për të cilin shkrimtari i madh në vitin 1965 iu akordua çmimin Nobel, e kishte lexuar jo për “t’u shtruar”e përgatitur për specialist bujqësie, por për të shijuar letërsi, ishte gjimnazisti i qytetit të Krujës, Mehmet Loci. Ai nuk e kishte kundërshtuar vendimin që ishte marë nga kompetentët, por fillimin e studimeve e nisi si “i varur”, me mendjen për të gjetur teren për të mundësur që diku në ato mjedise, ku gdhihej e ngrysej “me bujqësi”, do të flitej edhe për letërsi, për shkrimtarë e artistë, për krijime e vepra arti. Mehmet Loci, tani pas më shumë se gjysmë shekulli, kujton se nuk kishte ngelur pa gjë në kërkim të miqve që ishin të sojit të tij. Dhe njëri nga ata na paskësh qënë pedagugu i tij, Prof. Mentor Përmeti (1920-2015). Me profesorin ai ishte zbrazur i tëri dhe ia kishte zbuluar fushën për çka i qante zemra, por pa anashkaluar një pyetje që i duhej t’ja drejtonte vetes. A kam të drejtë unë, fshatari nga periferia e Fushë-Krujës, të përbuz bujqësinë, ndërsa një profesor si ky, si Mentor Përmeti, i arsimuar në universitn prestigjioz të Sofjes, në Bullgari, një njeri erudit, i cili në fushën e letërsisë, aty ku më duket vetja “i pari”, qënkërka profesor më vete, e ndërkoh shërben si askush tjetër në bujqësi? Nga ajo ditë Mehmet Locit iu duk sikur dikush i bëri magji për t’u lidhur e për të mos iu ndarë për të gjithë jëtën punëve me “të mallkuarën” bujqësi. Por nga Prof. Mentor Përmeti i mbeti në mendje një këshillë, të cilën ai kishte mësuar ta kishte thënë Pjetër Bogdani: Ku lulëzojnë shkencëtarët, letrarët dhe dija, aty lulëzon e mira.
Në jetën studentore Mehmet Loci u përfshi në veprimtari që zhvilloheshin jashtë auditoreve dhe, meqë ishte tip rrebel, nuk mungoi të ish pjesë e ngjarjeve nga ku çfaqeshin shenja se brenda tij vlonte diçka e re. Në ata vite studentore Mehmet Loci nuk dha vetëm provime për t’u përgatitur si specialist i lartë i bujqësisë, por edhe për t’u formuar, për t’u kujdesur e krijuar kushtet për të qenë i përgatitur për jetën. Sepse kjo e fundit është një pritje ndërmjet një sprove duke qëndruar vigjilent të një tjetër pritje. Dhe koha e tregoi që atij, i gjithë mosbesimi që e mbërtheu kur ende nuk e kish hedhur hapin e parë për të përvetësuar specialitetin e “bujkut me shkollë”, iu kthye në forcë këmbënguljeje, në njeri me karakter të fortë e që të gjitha këto do të bënin që fitorja, nga çdo pikpamje, do të vinte tek ai.
Bujqësia nuk është kafshatë që kapërcehet lehtë. Eshtë ndoshta sektori më i vështirë ku njeriu mund të shpalosë aftësitë menaxhuese e drejtuese që disponon brenda vetese, e që mund të ngjitet deri në majë, por edhe mund të rrezohet për të mos u ngritur kurrë. Specialisti Mehmet Loci iu fut kësaj prove sapo përfundoi studimet, duke marë një përgjegjësi jo të vogël, detyrën e K/agronomit në kooperativën e Borizanës të rrethit të bKrujës. Ishin vitet 1971-1972 kur Borizana ishte një ekonomi me probleme goxha të komplikuara për t’ju dhënë drejtimin e duhur. Por Mehmet Loci ia doli dhe vërtetoi atë që njeriu, kur ia di anën punës, është i aftë të bëjë çudira, që edhe vet nuk është i aftë të imagjinojë. Ndërkohë ai nuk rreshti të ndiqte ëndrrën, atë të letërsisë. Kish filluar të shkruante, duke u çfaqur shpesh në organet e shtypit qëndror e atij lokal për trajtimin e problemeve që lidheshin me bujqësinë. U bë aq i pranueshëm ky zë sa një ditë ai u bë pjesë e redaksisë të gazetës së mirënjohr “Kastrioti” të rrethit të Krujës. Sigurisht, fjala e specialistit të bujqësisë, propogandimi i saj nëpërmjet gazetës, nxori dhe hodhi dritë edhe tek aftësitë e këtij specialisti të ri për t’u bërë pjesë e elitës të gazetarisë. Në muajin prill të vitit 1977, fiks tre vjet pas një “shtrimi” në gazetën “Kastrioti”, Mehmet Loci kapi një majë tjetër, të bëhej gazetar i gazetës më të madhe të kohës, të “Zërit të popullit”. Nuk se ai aty ai solli “frymën e bazës”, siç thuhej rëndom në ata vite, por realisht ai u çfaq si gazetar i problemeve të mëdha, delikate dhe që diktonin t’u bijë në kokë ca gjërave, të cilat të fusnin në konflikt me njerëz me peshë, madje që mund bëheshe objkt goditjeje me pasaoja të pa riparueshme. Mbahet mend se në shkrimet që mbanin firmën e gazetarit Mehmet Loci nuk gjeje vetëm “kodin agroteknik” të bujqësisë, por edhe “fshikëllima” që u binin pa droje në kokë çdo kuadri apo specialisti që bëhej pengesë për përparimin e punëve. Ai ishte bërë shembull i gazetarit guximtar, të atij soji që merrte përsipër ta përdorte gazetën për t’i hapur udhë progresit.
Ka njerëz që i “kursejnë” aftësitë e tyre organizuese e drejtuese jo se nuk duan, por nuk u krijohet mundësia për t’u çfaqur ata që janë. Ndoshta Mehmet Loci përbën shembullin më të mirë për të ilustruar karakterin e intelektualit që heq “rripin e sigurimit” dhe vendos për t’u ndeshur me problemin, për t’u gjendur aty ku burrëria çfaqet në trajtën e mençurisë dhe të besimit teksa merr vendime të guximshme. Në shtator të vitit 1981, pra pas katër vjet punë si gazetar i “Zërit të Popullit”, Mehmet Loci u emëruar sekretar i Komitetit të Partisë në rrethin e Krujës, punë që, në një çast, vetëm në një çast, ai mori vendimin për ta braktisur detyrën e sekretarit për t’ju përgjigjur një kërkese emergjente e cila shtrohej në formë thirrjeje: të shpëtojë kooperativën e Niklës nga falimnetimi!
Kooperativa e Niklës ishte katandisur mos më keq. Kishte krijuar borxhe të mëdha në shtet dhe në një farë mënyre ishte në “pikën e vdekjes”, gjë që pasqyrohej te vlera e ditë së punës në vetëm 0.4 lekë. Nuk ka gjë më të zorshme e njëkohësisht më të vlefshme se të jesh i aftë të vendosësh për diçka. Por Mehmet Loci e kapërceu atë “të zorshmen” dhe një ditë, vetëm me dëshirën e tij, u gjend kryetar i kokperativës në Nikël. Ishte muaji shtator i vitit 1985. Sigurisht, njëriu kur merr një vendim duhet të dijë edhe se çfarë pasojash do të ketë nëse nuk u del për zot asj për çka ka premtuar. Por Mehmet Loci kishte vendosur të ishte dikush dhe jo diçka. Dhe ja. Vetëm për 2-3 vjet Nikla, të cilën e tregonin me gisht për degradimin fatal ku kishte mbritur, të kthehej në një ndër ekonomitë më të përparuara të vendit. Ajo, siç ka shënuar në një dokument vlerësues për Mehmet Locin ministrja e bujqësisë të atyre viteve, Themie Thomai, “Nikla në ata vite u bë e vetmja kooperativë në Shqipëri që të gjithë prodhimin e grurit e shiste për farë elitë dhe u transformua në një institut i dytë për prodhimin foragjer”. Ishte po Mehmet Loci që, jo nga pozicioni disidentit partiak apo politik, por si një specialist me kulturë të gjerë, të denonconte në sy të drejtuesve të lartë të shtetit se parrulla “Lufta për bukën është luftë për socializëm po na lë pa bukë e pa socializëm.” Edhe treguesi tjetër që kooperativa arriti të ngrinte vlerën e ditës së punës në 15 lek, tregoi se Mehmet Loci kishte ecur vetëm përpara me besimin se çdo gjë mund të arrihej vetëm me këmbëngulje.
Natyra e Mehemt Locit është e një njeriu optimist. Vështirësitë që i dolën gjatë rrugëtimit për të kryer detyra të tjera të ndryshme, të karakterit politik apo shtetror, e motivuan për të bërë më të mirën e jo që ta shkurajonin. Pas Niklës ai u caktua të mbulonte disa detyra ku “padukshmëria” e punës ishte gjëja më normale. Sigurisht, ai nuk ish i prirur për të kërkuar lavdinë, por vet formimi i tij e nxiste të ish gjithmonë në kërkim të së mirës. Disa fuksione të larta si sekretar i Komitetit të Partisë të rrethit të Matit (1989-1990), sekretar i Parë i Komitetit të Partisë të rrethit të Tiranës (1990-1991), kryetar i PSSH të rrethit të Tiranës (1991-1996), deputet i Kuvendit Popullor (1992-1996) dhe Drejtor i Trajtimit të Deputetëve (1997-2006) pranë Kuvendit të Shqipërisë, kanë qenë pozicione nga më delikatet për Mehmet Locin. Jo për shkak të mungesës të aftësive apo gatishmërisë për të mbajtur peshën e punëve që duhet t’u bënte ballë, por sepse në këta vite vendi u përfshi nga proceset demokratike e që në periudha të veçanta, siç e dimë të gjithë, u përjetuan çastet nga më të errëtat në historinë e vendit. Dhe e vërteta është se ky njeri, edhe pse u gjend i rrethuar nga zjarre që mund të të digjnin, u çfaq po me atë forcë karakteri, po me atë natyrë fisnike e të paqme që e kishte dhe e ka pronë të tijin gjatë gjithë jetës.
Mehmet Loci, ashtu si të gjithë njerëzia, nuk mund të shmagë moshën, por me forcë e vullnet, duke patur si aleat punën, nuk ka patur kohë që të plaket. Eshtë ndoshta një ndër specialistët më në zë, më të suksesshëmit të sërës së tij, duke marrë përsipër ca “çmëndurira” pa të cilat nuk do të kishte guxuar të priste litarin për të vepruar me mendjen e tij të lirë. Aty, në periferi të Fushë-Krujës, në pronat e trashëguara na gjyshi, ai ka ngritur një kompleks serash moderne prej 15 mijë metra katror, të projektuara në Izrael. Aty kultivohen vetëm perime dhe i gjithë prodhimi është i kontratuar për eksport. Eshtë një nga investimet më seriozë e më fitimprurëse në atë zonë dhe, edhe për këtë gjë, më duhet të them që, veç përfitimeve ekonomike, ky investim është një fakt tjetër që hedh dritë dhe lartëson punën në vite të intelektualit Mehmet Loci.
Kam dëgjuar se në betejën e lumit me shkëmbin, fiton lumi: jo për shkak të forcës, por për shkak të këmbënguljes. Besoj se edhe Mehmet Loci u rezistoi dallgëve të një jete të tërë suksesshëm sepse u bë të ishte kembëngulës. Rezultati: asnjë betejë e humbur.

Te lumte, Bashkim. Shoku im i vjeter, Mehmet Loci i meriton fjalet me te mira, gje qe e ka treguar ne gjithe jeten e tij aktive.