Në opozitë duket sikur janë “emëruar” disa deputetë që të jenë radikalë dhe kritikë dhe të tjerët sehirxhinj në betejën kundër pushtetit dhe Familjes. Berisha, i cili e ka kapur këtë fenomen, duket se i ka lëshuar në shpinë Familjen dhe ushtarët e tij në drejtësi për t’i gjobitur dhe denigruar këta deputetë dhe për t’i bërë dele e zezë e tufës opozitare, çka nënkupton një lloj respekti për pjesën tjetër që nuk flet, biles ndonjëherë tallet nëpër kafene me këta që denoncojnë.
Duke mos qenë një ekip, duke mos qenë një zë, dhe duke mos rimarrë të gjithë me radhë të njëjtën akuzë që ngre një koleg i tyre, opozitarët zyrtarë në fakt po krijojnë një precedent të rrezikshëm në debatin politik në Shqipëri, po prodhojnë racën e deputetëve të gjobitur për shkak të fjalës së tyre në parlament. Nëse 50 deputetë të opozitës do të dilnin të gjithë në një zë njëri pas tjetrit t’i kërkonin Berishës kush i ka transferuar 1.3 miliard dollarët jashtë, ku i ka gjetur Argita dhe Shkëlzeni aq shumë të ardhura zyrtare, pa llogaritur ato nën dorë, nëse do t’i përmendnin orë e minutë gjyqtarëve dhe Sali Berishës se një ditë do të ndëshkoheshin për këtë që po bëjnë, nëse do të injoronin gjuhën kërcënuese të Berishës dhe t’ia kthenin atij me të njëjtën monedhë, jo Gjin Gjoni, por as sekretarja e gjykatës nuk do guxonte të protokollonte kërkesë padie kundër deputetëve të opozitës për fjalën e lirë.
Duke qenë si të klasifikuar në deputetë që flasin dhe sulmojnë dhe deputetë që ulin kokën e dëgjojnë, opozitarët në të vërtetë më shumë se sa po dëmtojnë buxhetin personal të ndonjë deputeti, po bëjnë një dëm më të madh pasi po lejojnë që Sali Berisha të ngjallë frikë. Duhet të prodhojmë një klimë që Gjinëve dhe Gjonëve, që lirojnë trafikantë droge dhe kërkojnë të rregullojnë biografinë duke dënuar deputetë dhe gazetarë kritikë, të mos u shkojë mendja të firmosin një vendim të tillë.
Online nga adresa: gazetatema.net
