Në fillimet e antifashizmit shqiptar…

Ornela

Nga Prof. Dr. Proletar HASANI

Në verën e vitit 1943, kur aleatët amerikanë të Koalicionit të Madh Antifashist Botëror, ndërmorën Operacionin në Itali, ata çliruan edhe të burgosurit antifashistë në burgjet e fashiste në ishujt e Italisë. Midis të liruarve ishte edhe një ish-kadet shqiptar i Akademisë Ushtarake të Artilerisë dhe Xhenios të Torinos, në prag të Betimit Ushtarak dhe të diplomimit oficer. Pas lirimit, ish-kadeti shqiptar u fut në shërbim të aleatëve amerikanë dhe u dërgua në bazën e misionarëve aleatë britanikë me emrin e koduar “Panorama” (Seaëiev), të ngritur në një shpellë, në gadishullin e Karaburunit, pranë fshatit Dukat të Vlorës. Ish-kadeti shqiptar qe Ismail Karapici, i cili shërbeu si informator për aleatët amerikanë dhe ata të Brigadës së Pestë të Ushtrisë NÇ shqiptare, që vepronte në këtë qark. Por, Karapici u qëllua dhe u vra një ditë marsi të vitit 1944, ndërsa ishte nisur për një detyrë të fshehtë.

Për I. Karapicin, jetën, shkollimin dhe shërbimet e tij kanë shkruar disa autorë, si kryetari i misionit aleat britanik “Panorama” (Seavieë) në Shqipëri, majori Entoni Kuajle (Antony Quajle), shqiptaro-amerikani Peter Lukas (Peter Lucas), studjuesi i historisë, italiani Pjero Kroçiani (Piero Crociani), si dhe autori i këtij shkrimi. Shërbimet e I. Karapicit për Luftën Antifashiste NC shqiptare dhe rënia e tij, ishin të njohura, por atij nuk i u dha titulli Dëshmor i Atdheut, për afro shtatëdhjetepesë vjet, ndonëse ai e kishte merituar atë! Pas një kërkese këmbëngulëse të Institutit të Studimeve të Historisë Ushtarake shqiptare, anëtarët e të cilit kanë studjuar dhe bërë publike të dhënat për jetën dhe shërbimet e këtij ushtaraku antifashist shqiptar, gjatë Luftës Antifashiste NÇ të popullit shqiptar, I u dha përpara disa ditëve, titulli Dëshmor i Atdheu, të cilin ai e ka merituar.

***

Mu në prag të pushtimit të Shqipërisë, në Itali do të ndodhte një ngjarje që kishte për protagonistë disa studentë shqiptarë, të cilët studjonin në një akademi ushtarake italiane! Ngjarja e bujshme lidhej, më së shumti, me një plan të disa kadetëve shqiptarë, në prag të Betimit ushtarak dhe titullimit oficer, të Akademisë Ushtarake të Xhenios dhe Artilerisë, në qytetin e Torinos. Këta studentë kishin bërë plan për të eleminuar në një atentat vetë kreun fashist të shtetit italian, Benito Musolinin, që e shihnin si ideator të planit për pushtimin e Shqipërisë. Ngjarja, tronditi qytetin e Torinos dhe Italinë, kurse jehona e saj arriti deri në Shqipërinë e pushtuar.

Sipas studjuesit të historisë ushtarake italiane, Dr. Pjero Krociani (Piero Crociani), kjo ngjarje i kishte fillimet një muaj përpara pushtimit të Shqipërisë, mars të vitit 1939. Ky autor ka shkruar se, ngjarja e rrallë lidhej me emrin e njerit prej kandidatëve për oficerë të Akademisë Ushtarake të Artilerisë dhe Xhenios, me qendër në qytetin e Torinos, të djaloshit Ismail Karapici dhe disa bashkatdhetarëve të tij, mu në prag të betimit dhe titullimit oficer, sic ishte tradita.

Ismail Karapici, së bashku me disa kadetë të tjerë, gjithashtu shqiptarë, u mblodhën në mënyrë të fshehtë, duke shfrtëzuar çastin kur, në një kishë të Torinos po celebrohej një meshë, në të cilën nuk merrnin pjesë studentët shqiptarë të besimit muslyman dhe ortodoks. Grupi i kadetëve shqiptarë, të mbledhur në një rreth të ngushtë, hodhën dhe diskutuan idenë e një komploti, që ishte sa i guximshëm aq dhe i rrezikshëm. Studentët e mësipërm, duke parandjerë pushtimin e Shqipërisë nga trupat ushtarake fashiste, menduan dhe vendosën të kryenin një atentat kundër vetë kreut fashist të Italisë, Benito Musolini. Ata do ta qëllonin kreun fashist me armë zjarri, për ta ekzektuar si përgjegjësi kryesor për idenë dhe planin e pushtimit të atdheut të tyre, Shqipërisë! Komploti favorizohej, sepse përkonte me planin që B. Musolini kishte për të kryer një vizitë në qytetin e Torinos, në muajin maj 1939. Sipas një tradite dhe rregulli të hershëm, kadetët që do të diplomoheshin dhe titulloheshin oficerë në akademitë ushtarake të Italisë, ku studionin, duhej të bënin Betimin Ushtarak i cili, për vitin 1939, ishte përcaktuar më datën 29 maj të këtij viti. Pikërisht në këtë datë u vendos që të kryhej atentati. Madje, organizatorët e komplotit përzgjodhën dhe vendosën edhe ekzekutuesin e atentatit! Por, i përzgjedhuri shpejt u pendua dhe rolin e atentatorit e mori përsipër vetë kadeti I. Karapici!

Pushtimi fashist i Shqipërisë nga trupat ushtarake fashiste italiane, e gjeti I. Karapicin në vendlindjen e tij Tiranë, ku ai e përpunoi planin e atentatit. Pas kthimit në Itali ky plan kishte pësuar ndryshime në mënyrën e kryerjes. Por, megjithë përpunimet dhe ndryshimet, plani i atentatit dështoi pasi ishte zbuluar. Madje, të dhënat e para për këtë atentat, sic ka shkruar P. Kroçiani, kishin rrjedhur pikërisht nga Tirana, gjë që kishte vënë në lëvizje Karabinierinë dhe Shërbimin e Fshehtë Italian. Kjo e fundit kishte të dhëna se edhe në ceremoninë e Betimit të studentëve ushtarakë shqiptarë do të kishte kundërshtime, deri në refuzimin e tij. Këto kndërshtime do të kulmonin me rastin e togerit shqiptar Shahin Osman Toçi, i cili gjendej në Romë për një kualifikim afatmesëm ushtarak. Ai i kishte nxitur haptazi oficerët e rinj shqiptarë të akademisë ushtarake që të refuzonin bërjen e Betimit në gjuhën italiane dhe përpara autoriteteve dhe flamurit me emblemat fashiste! Paskësaj, togeri shqiptar u gjend, sipas deklaratës së policisë italiane, “…i vetëvrarë,…në një çast emocional”,  në banesën ku po qëndronte, në rrugën Tevere,  në Romë!Ndërkohë vijonin me ngulm hetimet për të zbuluar autorët e atentatit të mësipërm. Ndërsa ky i fundit, sipas planit, vizitoi qytetin e Torinos, nën masa të forta sigurie. Ndërkaq, me studentët e Akademisë Ushtarake të këtij qyteti ishte organizuar një udhëtim në Tripoli, më tej një festë në Modena dhe, në përfundim ata u dërguan në Romë, ku do të kryhej Betimin Ushtarak.

Gjatë majit gusht të po atij viti, rrethi i hetimeve për autorët e atentatit, në tentativë, u ngushtua ndjeshëm duke bërë të mundur zbardhjen e planit të atentatit. Në qendër të hetimeve, si “strumbullar”, si nismëtar, ideator dhe ekzektor i tij, u identifikua student ushtarak shqiptar për oficer i Akademisë Ushtarake të Artilerisë dhe Xhenios, të Torinos, Ismail Karapici, i cili e pranoi aktin! Në përfundim, më datën 21 tetor të vitit 1939, Komisioni për Dëbimet i Ministrisë së Brendëshme, në Tiranë, lajmëronte se për ngjarjen e Torinos në Itali, ishin dhënë gjashtëmbëdhjetë dënime me dëbim nga Italia. Katërmbëdhjetë prej stdentëve shqiptarë të Akademisë Ushtarake të Torinos. Sipas brimeve italiane të asaj kohe, për pesë studentë shqiptarë të tjerë u dhanë dënime me burgim, më i rëndi i të cilëve, me gjashtë vite burgim, iu dha Ismail Karapicit! Ndërkohë, një student shqiptar u dënua me katër vite, pesë stdentë të tjerë me nga tre vite dhe, më në fund, edhe tre student me nga dy vite burgim. Kësisoj, atentati i projektuar nga ana e disa studentëve ushtarakë te Akademisë Ushtarake të Torinos, kundër kreut të fashizmit italian B. Musolini, kishte dështuar dhe atentatoret ishin zbuluar e dënuar. Megjithatë, ky atentat i parealizuar kishte shënuar njëherëshi, fillimin e e kundërshtimit të shqiptarëve kundër pushtimit fashist të atdheut të tyre, Shqipërisë, si dhe fillimet e lëvizjes antifashiste. Kurse atentatorët ishin, në të vërtetë, antifashistët e parë shqiptarë!

***

Ish-Studenti ushtarak Ismail Karapici, u dërgua për të vuajtur dënimin në një nga burgjet ishullore të Italisë. Autori Piter Lukas, ka shkruar se ka identifikuar që I. Karapici i vuajti vitete burgimit në burgun e qytetit jugor italian të Barit, prej nga e liruan forcat aleate ushtarake amerikane, aty nga korriku i vitit 1943. Nga ana tjetër, historian italian P. Kroçiani, që ka treguar interes për personazhin e I. Karapicit, ka shkruar se, kandiati shqiptar për oficer akademist i Akademisë Ushtarake të Torinos, ishte burgosur në burgun e ishujve të Tremitit në Jug të Italisë.

Pas lirimit nga burgimi prej forcave aleate amerikane, I. Karapici u lidh me ta në një bashkëpunim disa mujor, teksa erdhën së bashku dhe u vendosën në bazën “Panorama”,  në një shpellë në gadishullin e Karaburunit, në afërsi të fshatit Dukat të qarkut të Vlorës.  Në literaturën dokumentare angleze dhe amerikane, për I. Karapicin përdoret termi “agjent”, që do të thoshte se ai kishte hyrë në shërbimin e aleatëve në shërbimin informativ të misionit aleat amerikan, për mbledhjen e të dhënave me karakter informativ përmbi forcat ushtarake pushtuese gjermane, në zonën e Vlorës. Këto të dhëna u shërbenin njëkohësisht si oficerëve të misioneve aleate angleze dhe amerikane, edhe atyre të Ushtrisë NÇ shqiptare, veçanërisht për komandën e Brigadës së Pestë Sulmuese, e cila vepronte në këtë zonë. Sipas përshkrimit të majorit A. Kuajle, të misionit britanik, me bazë në bregdetin pranë fshatit Dukat, I. Karapicin, “…e kishte liruar ushtria amerikane dhe ai kishte dalë vullnetar për t’u kthyer në vendlindjen e tij si agjent sekret për amerikanët.” Shumë vite më pas, një autor shqiptaro-amerikan, Piter Lukas, ka shkruar për I. Karapicin se, “Ai u bë agjent i rëndësishëm për OSS (amerikan-P. H) deri sa u vra.”

Në këtë mënyrë, ai ishte vënë jo vetëm në shërbim të misionit aleat amerikan, që vepronte në Shqipëri, që ishin aleatë të forcave shqiptare, të cilat vepronin në kuadrin e Luftës Antifashiste NÇ për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit e përbashkët nazistë gjermanë. Për rrjedhojë ai i shërbente edhe çështjes së çlirimit të vendit të tij. Prandaj shërbimet e I. Karapicit për misionin e OSS amerikane në bazën pranë fshatit  Dukat të Vlorës deri në vrasjen e tij tragjike, duhen parë e vlerësuar si shërbime ndaj vetë Luftës Antifashiste NÇ të popullit shqiptar. Njëherëshi, ai vepronte edhe në dobi të aleatëve anglo-amerikanë, që e mbështetnin luftën antifashiste të popullit shqiptar me armatime, municione, veshmbathje, ushtarakisht dhe politikisht!

Në veprimtarinë informative të I. Karapicit, përfshiheshin mbledhja e informative sekrete me të dhëna mbi numrin e forcave dhe vendvendosjen e trupave ushtarake gjermane  e të bashkëpuntorëve të tyre në zonën e Vlorës; informata përmbi lëvizjet, planet e sulmeve apo të zhvendosjes e manovrimit të forcave të tyre etj. Mënyra e mbledhjes dhe e raportimit të të dhënave vlerësohej nga oficerët e misionit amerikan si mjaft efektive dhe me profesionale. Në lidhje me vërtetësinë e ktij fakti, ka shkruar edhe një prej misionarëve amerikanë në bazën “Panorama” pranë Dukatit, majori Mekadu. Ai shkruante për të me superlative, sipas tij të merituara se, “Nga grupi im i fillimit, pjestari shqiptar provoi se ishte një punonjës me aftësi të jashtzakonshme, me kurajo dhe inteligjencë të madhe.” Këto aftësi të veçanta dhe profesionale të Karapicit, oficeri amerikan i shihte te“…përpikmëria në raportimet e materialeve me informacionet sekrete.” Kurse një tjetër oficer, po i këtij misioni, togeri Nik Kukiç, që e njhte dhe bashkëpunonte ngushtësisht me I. Karapicin, ishte shprehur se, e vlerësonte Ismailin si informatorin kryesor në Shqipëri. Kaq i bindur ishte togeri në këtë vlerësim sa ishte shprehur që,”Karapici kishte një zgjuarsi natyrale që e bënte atë të përshtatej me cilindo. Ne kemi shumë nevojë për njerëz si Ismaili. Unë do të shkoja në fund të botës dhe do të përballoja situata më të vështira me të dhe majorin Tank Mekadu. Ata të dy janë të mëdhenj!”

Por, Ismail Karapici u vra krejt papritmas një mëngjez të muajit mars 1944! Sipas majorit të misionit anglez të bazës pranë fshatit Dukat të Vlorës, ai ishte qëlluar pas shpine dhe trupi i tij ishte zhvendosur nga vendi i vrasjes. Kurse sipas autorit Piter Lukas, Karapici dhe shoqëruesi i tij shqiptar, kishin rënë në një pritë, ndërsa kishin dalë për një mision informativ në terren, ku informatori I. Karapici, megjithëse ishte kundërpërgjigjur me armë mbeti i vrarë. Për shkaqet e vrasjes së Karapicit pati disa analiza që bazoheshin në hipoteza të ndryshme, dhe që argumentoheshin me të dhëna dhe prova joshumë të qarta. Por, vlerësimet për figurën dhe shërbimet e tij në interes të Luftës Antifashiste NÇ të popullit shqiptar dhe të misionit aleat antifashist amerikan në Shqipëri, ishin tejet të larta dhe të motivuara. Në tërë historinë e sjellë në librin e ish-misionarit anglez që ishte vendosur në bazën e quajtur “Panorama”(“Seavieë”) të Karaburunit, në Vlorë, në vitin1944, të aktorit të njohur dhe majorit A. Kuajle, ashtu si dhe në librin e autorit shqiptaro-amerikan Piter Lukas, qartësohen mjaft aspekte lidhur me veprimtarinë e Ismail Karapicit. Por, në to mbeten të paqarta tri çështje shumë të ndjeshme, që lidhen me emrin dhe personalitetin e tij. Këto çështje më shumë se të paqarta, e mjergullojnë figurën, moshën, origjinën, përkatësinë ideollogjike dhe rreshtimin e tij me grupimin luftarak, midis atyre që u ngritën nga forcat politike dhe vepruan në skenën e Luftës Antifashiste NÇ, në Shqipëri, në rrjedhën e Luftës së Dytë Botërore. Për rrjedhojë, gjithkush që i lexon botimet e këtyre autorëve do të mbetej i paqartë lidhur me personazhin e I. Karapicit, i cili shërbente për misionin aleat amerikan, të vendosur në zonën e bregdetit të Dukatit të Vlorës, në Shqipëri. I paqartë në se ai ishte dyzet apo vetëm një i ri njëzetedy-njëzetekatërvjeçar, në ishte tiranas apo vlonjat, një antifashist i zjarrtë apo komunist që prej tridhjetëvjetësh, anëtar i vjetër i Partisë Komuniste Shqiptare, sic kanë shkruar ata…?!

Po cili ishte në të vërtetë Ismail Karapici…?     

Familja e Ismail Karapici ishte një prej degëve të fisit të njohur të Karapicëve, që banojnë prej disa shekujve në Tiranë. Babai i tij, Ymeri me familjen, banonin në rrugën “Ded Gjon Luli” dhe kishte dy fëmijë, vajzën Hamide dhe djalin Ismailin. Familja e Ymer Karapicit nuk ishte në gjendje të mirë ekonomike, prandaj, për ta ndihmuar, jorrallë punonte me të edhe Ismaili i vogël. Sipas të dhënave, motra Hamide, u martua në Tiranë dhe lindi tri vajza, dy prej të cilave pas vitit 1990, emigruan dhe jetojnë në SHBA.

Të vetmet të dhëna që hedhin dritë mbi I. Karapicin janë disa burime dokumentare zyrtare ushtarake shqiptare dhe italiane, përmes të cilave bëhen të njohura disa të dhëna personale, që lidhen pikërisht me këtë personazh. Një dokument i tillë, i vitit 1935, është një listë emërore në gjuhën shqipe, e përpiluar në një prej zyrave të Komandës së Mbrojtjes Kombëtare Shqiptare, në Tiranë. Në atë listë jepeshin emrat e 45 djemve nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, të cilët dërgoheshin me bursa shtetërore, për të ndjekur mësimet në Kolegjin Ushtarak të njohur, me emrin “Nunziatella”, në Napoli të Italisë. Pikërisht në këtë listë, gjendej edhe emri i djaloshit Ismail Karapici, që mbante numrin rendor njëzetedy. Krahas tij, në atë listë ishin edhe emrat e disa djemve të tjerë shqiptarë, të cilët më pas do të bëheshin oficera të njohur të Ushtisë Shqiptare, si Hamit Keçi nga Tirana, Qazim Kapisyzi nga Shkodra, Kadri Hoxha nga Elbasani, Xhemal Punavija e Hasan Fariçi nga Mati, Qemal Juka etj. Në këtë grup nxënësish ushtarakë shqiptarë, që ishte më i madhi i ardhur në këtë kolegj ushtarak për periudhën trevjeçare, 1935-1938, më i madhi në moshë ishte njëzetetrevjeç, kurse më i vogli ishte pikërisht Ismail Karapici nga qyteti i Tiranës, vetëm trembëdhjetvjeçar. Në listën e mësipërme, përkrah emrit të tij jepej edhe datëlindja e tij, 14 dhjetor 1922, me vendlindje qytetin e Tiranës. Këto të dhëna ndrshojnë nga ato që kanë shkruar në librat e tyre, majori A. Kuajle, si dhe P. Lucas se, në vitin 1943, kur Karapici bashkëpunonte me misionin aleat amerikan në Shqipëri, ai ishte në moshën “dyzetvjeçare”! Në lidhje me këtë fakt, A. Kuajle, në një nga faqet e librit të tij e ka përshkruar Karapicin si një”…burrë trupvogël, i shkathët, me sytë e zes sterrë, trim si luan dhe tejet i zgjuar”, atëherë në moshën dyzetvjeçare! Mirëpo, në këtë vit, sipas dokumentit arkivor zyrtar ushtarak shqiptar, Karapici nuk ishte më i madhe se njëzetedy deri njëzetetrevjec. Madje, edhe nëse pranojmë se në vitin 1935, kur shkoi në Kolegjin Ushtarak “Nunziatella,” ai ishte njëzetvjeçar, megjithatë, në vitin 1943, I. Karapici nuk mund të ishte më i madh se njëzetenëntë apo tridhjetvjeçar!

Një tjetër aspekt që vlen të përmendet në këtë shkrim, është edhe ai që ka lidhje me argumentin e origjinës së I. Karapicit, nëse ai ishte vlonjat apo tiranas Më konkretisht, autorët Kuajle dhe Lukas kanë shkruar se ai ishte vlonjat. Por, ndërkaq, duke iu referuar asaj që shkruhej në dokumentin ushtarak shqiptar dhe italian, të përshkruar më herët, Karapici ishte nga qyteti i Tiranës, pra ai ishte tiranas. Ky fakt konfirmohet edhe përmes argumentit se, fisi i Karapicëve, pjesë e të cilit ishte babai dhe familja e Ismailit, është një fis i vjetër dhe i hershëm që jetonte në Tiranë. Diferenca afro dy herë në moshë, mes asaj që përmendin dy autorët e mësipërm dhe asaj që sjellim në librin, Me fytyrë nga Perëndimi, Shtëpia Botuese “Uegen”, Tiranë, Dhjetor 2013, nuk është se luan ndonjë rol me pasoja në historinë e Ismail Karapicit. Por, gjithsesi, mosha ashtu si dhe prejardhja ose origjina e personazheve historikë, janë elementë të rëndësishëm dhe identifikues në jetën dhe veprimtarinë e tyre.

Ndër tri argumentet më thelbësore, është dhe ajo që ka të bëjë me qëndrimin dhe qasjen e Karapicit në raport me fashizmin, Lëvizjen Antifashiste, Ushtrinë Nacionalçlirimtare Shqiptare, Ballin Kombëtar dhe me Aletatët e Mëdhenj Antifashistë. Pyetja është nëse Karapici ishte antifashist apo komunist? Një pyetje të tillë nuk është e lehtë për t’i u përgjigjur sepse, deri më sot nuk ka qenë ende e lehtë për të dhënë një përgjigje sa më bindëse për të dy pjesët e pyetjes.

Për të vërtetuar në se I. Karapici ishte antifashist është një provë e lehtë, nëse kemi parasysh fillimet e veprimtarisë së hershme që lidhet me kohën e pushtimit fashist të Shqipërisë, dhe kundërshtimeve të studentit ushtarak, së bashku me bashkëatdhetarë të tjerë, për të bërë betimin fashist para autoriteteve të Akademisë. Për të ardhur më pas në përpjekjet për të vënë në jetë planin për të hedhur në erë tribunën ku do të mbante një fjalim në qytetin e Torinos vetë kreu i fashizmit, B. Musolini. Duke vijuar me zbulimin e planit, si dhe kapjen, gjykimin dhe burgosjen e tij dhe të bashkëpunëtorëve të tjerë shqiptarë. Pesë vite burg natyrisht e përforcuan dhe formatuan qartë shpirtin antifashist të djaloshit ushtarak shqiptar, që i a kishin pushtuar atdheun pak më parë se një muaj! Për të gjitha këto arsye, kur Aleatët mësynë në Italinë fashiste dhe liruan të burgosurit politikë të Barit, në Itali, gjetën midis tyre një antifashist të vendosur, të gatshëm, për të luftuar pushtuesin e ri nazist të Shqipërisë, duke vepruar pak kohë më pas përkrah misionit ushtarak anglo-amerikan në Shqipëri.

Pjesa më e vështirë e përgjigjes së pyetjes mësipër është ajo në se ishte në të vërtetë Karapici një “komunist” dhe “anëtar i Partisë Komuniste“, siç e ka përcaktuar dhe përshkruar në librin e tij Antoni Kuajle, i cili e kishte njohur atë në bazën e misionit anglo-amerikan, në Dukat të Vlorës. Po kështu e përcakton Karapicin edhe autori shqiptaro-amerikan PiterLukas, në librin e lartpërmendur, i cili e ka ndeshur emrin e I. Karapicit nëpër dokumentet e arkivave amerikane dhe në librat apo kujtimet e ish-misionarëve që vepruan në bazën sekrete të Dukatit gjatë vitit 1944. Majori anglez A. Kuajle, madje, ka shkruar gati-gati pahezitim dhe me bindje të plotë se, Karapici paska qenë “anëtar i Partisë Komuniste për tridhjetëvjet“! Nga ana tjetër, edhe P. Lukasi ka shkruar se, në vitin 1944, informatori shqiptar ishte në moshën dyzetvjeçare dhe “komunist, madje anëtar i Partisë Komuniste që prej tridhjetë vitesh”!!!

 

Përkufizimi i të qenit të Karapicit“komunist“dhe anëtar i Partisë Komuniste prej tridhjetëvitesh”, vështirë të qëndrojë, për një arsye të thjeshtë. Së pari, edhe po të pranohet se Karapici ka qenë komunist, nuk mund të kishte tridhjetë vjet anëtar i Partisë Komuniste pasi ai, sipas tyre, nuk ishte më tepër se dyzetvjeçar, kësisoj i binte që të ishte pranuar qysh në moshën e mitur 10-12 vjeç anëtar i asaj partie! Ndërsa, nga një pikëvështrimi tjetër, po për këtë argument, tashmë dihet se, PKSH ishte krijuar vetëm tri vite më parë, më 1941, kohë kur ai ndodhej në burg, dhe ishte e pamundur që I. Karapici të ishte pranuar dhe jo më të kishte tridhjetë vjet anëtar i kësaj partie!

Për rrjedhojë, është qartazi e kuptueshme që, I. Karapici ishte një antifashist thellësisht i bindur dhe i vendosur në luftën për çlirimin e vendit dhe popullit të tij.  Këtë e dëshmon fakti se ai u vra si i tillë, ndërsa lufta ende vazhdonte, gjë që vërtetonte padyshim se ai ishte dëshmor i kësaj lufte!

 

 

 

                                             

 

 

 

 

 

Share This Article
3 Comments
  • Padyshim nje nga vrasjet e shumta prapashpine ne rajonin e Vlores me urdher te enver hoxhes dhe dushan mugoshes qe i zbatonte kryekrimineli memet shehu dhe tenja e terbacit hisni kapo.

  • E VERTETA VONON POR NUK HARRON THOTE NJE FJALE E URTE FRANCEZE . ENVERI I VRAU TE GJITHE NGA PRAPA PER INTTERESAT E VETA PERSONALE DHE ME URDHER TE SERBEVE VRISTE EDHE NENEN E VET PE TE MAARRE PUSHTETIN .. PYETINI LABET E MEHMETIT SI JA FUS KOT APO THEM REALITETIN

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *