Enada ose një stiliste luksi

redaktor

Një raft që përshkon tejetej në gjatësi atelierin është i mbushur me copa të llojeve të ndryshme.  Përballë tij, një raft dollap ku janë të vendosura një e nga një fustane dhe në qendër, kryelartë disa kolltukë të kuq. Ndodhemi në atelienë e Enada At’Nikollës. Gjendesh tamam mes ngjyrash. Enada na pret. Është e veshur me një gjysmëpeliçe ngjyrë gri dhe çizme me lëkurë krokodili. E fillojmë bisedën në sallon, por e pamundur të vazhdojmë qetësisht. Klientët hyjnë e dalin dhe i kërkojnë herë pas here një mendim. U zhvendosëm në zyrën e saj për të vazhduar intervistën tonë me të ftuarën e “Ditës”.   Enada At’Nikolla është prej 18 vjetësh ndër stilistet më të njohura në vend. Shpesh për të thonë që është e “kripur” në çmime. Enada e pranon duke shtuar se “nuk njoh asgjë të mirë që është e lirë”. Përveç profesionit, ajo ka ndërtuar paralelisht edhe familjen. Është nënë e një vajze tetë vjeçe dhe e një djali 3 vjeç. I duket e habitshme se si janë rritur aq shumë, duke pranuar edhe faktin që nuk ka parametrat e një nëne klasike. Nga ana tjetër jemi në një periudhë festash. E kush më mirë se Enada do të na jepte disa këshilla për të fushës së saj për raste festive tonat.

Është periudhë e ngarkuar pune kjo kohë?

Jo, në fakt është një periudhë më e qetë se gjithë periudhat e tjera të vitit pasi po punoj vetëm në atelie, me klientë. Pavarësisht se ka festa, për mua quhet kohë e qetë. Në Krishtlindje dhe Vit të Ri unë vetë dua të iki me pushime. Shumica e klientëve të mi udhëtojnë tani.

Si ju rezulton 2013-a?

at nikolla okPër mua ka qenë viti pozitiv. Mund të kishte qenë edhe më i mirë. Ndoshta jo të gjithë janë në kushte të mira ekonomike dhe kjo thellë-thellë duhet të jetë reflektuar edhe tek unë. Nuk e di se çfarë mund të prisja më tepër dhe nuk i di humbjet që kam pasur. Por nuk e di se çfarë do të kishte ndodhur nëse nuk do të kishte krizë. Gjithsesi, realizova të gjitha projektet që kisha. Dhe sot pavarësisht se jam në punë dhe po punoj, quhem më pushime.

Diçka po mendoni për atë që doni të bëni vitin e ardhshëm…?

Unë kam gjithmonë një plan. Kam dëshirë të bëj dy koleksione, pranverë-verë dhe vjeshtë-dimër. Por kam kërkesa që më vijnë nga klientët direkt dhe më duhet të impenjohem edhe me ta dhe asnjëherë nuk më del koha. Dua për vitin që vjen t’i jap pak nerv realizimit të koleksioneve.

Sa kohë harxhoni këtu në atelier?

Shpesh do doja ta zgjasja ditën. Kam qejf të punoj. Çdo gjë nga ato modelet unike më thërret, më kërkon, po edhe më jep mundësinë që të krijoj gjithë kohës. Nëse do të bëja gjëra seri, do të bezdisesha. Qëndroj në atelier deri nga ora 18.00. Si fillim dua të shkoj eneda 2njëherë në shtëpi e më pas të dal, por ndonjëherë detyrohem dhe shkoj te thonjtë, parukieria. Keq të të ftojnë dhe keq mos të të ftojnë. Ndonjëherë qahesh për një gjë që të tjerëve u mungon. E më pas kupton se, tek e fundit më pëlqen kjo jetë kështu, pak e rëndë. E ndiej herë pas here që më vjedh jetën. Jo gjithmonë ke dëshirë të ndjekësh këtë ritëm që në njëfarë mënyrë ta caktojnë. Them ndonjëherë: sikur të mos kisha fëmijët unë nuk do të kisha ikur dot në shtëpi. Shyqyr që janë ata! Nuk di të them nga më buron frymëzimi. Ndoshta të gjithë elementet që bëjnë jetën time më ngacmojnë dhe më japin shtytje për të punuar. Çdo ditë dua të bëj një gjë të re.

Pra, edhe të lodh jeta që bën?

Po edhe jam lodhur, jam lodhur shpesh. Do të doja ndonjëherë që të dilja kot, të takoja njerëz kot, të pija një birrë kot, jo patjetër të jem në këtë status. Por unë nuk kam dalë nga karakteri dhe jam rritur bashkë me jetën dhe me punën time.

Ju ka bërë femër të pavarur ekonomikisht kjo punë?

Po, më bën të jem të jem femër e pavarur, por në kushte të tjera do të tregohesha pak më e kujdesshme në shpenzime. Kjo gjë që kam ndërtuar për vete është bërë dita ditës. Unë nuk linda sot dhe as fillova që të punoj sot. Kam që 19 vjeç që punoj. Tani jam bërë 37 vjeçe. Mund të kisha bërë edhe më shumë lekë me punën që kam bërë. Çdo sfilatë e realizuar kërkon edhe shumë lekë. Unë kësaj pune aq sa më ka dhënë edhe i kam dhënë, shpesh edhe më shumë. Mund të kisha qenë edhe më e pasur.

Familja

Ndonjëherë harroj fare që jam mama

Nga ana tjetër Enada ju jeni edhe nënë, çfarë moshe kanë fëmijët tuaj?

Kentra, vajza është tetë vjeç dhe Haroldi bën 3 vjeç në janar.

Si rriten ata përballë syve tuaj?

Rriten dhe ndonjëherë më habisin. Kur shkoj në shtëpi më presin. Janë fëmijët e mi them dhe them: të jenë rritur kaq! Me duken të mëdhenj ose më duken sikur dinë të flasin dhe kuptojnë më shumë. Mundohem t’i kuptoj. Ndonjëherë harroj fare që jam mama, pasi unë nuk i kam parametrat klasikë të një mamaje. Miqtë e mi më thonë herë pas herë: Enada se si na duket që ke dy fëmijë. Kjo vjen sepse unë nuk ua sjell shpeshherë në biseda, i ruaj dhe i mbaj për veten time. Nuk jam mamaja që flet gjithë kohës për fëmijët, jo se ruhem nga fanatizmi, po jeta është e tillë që secili ka ardhur të më takojë për një punë dhe jo patjetër duhet të dëgjoj edhe një refren për fëmijët.

 Duket sikur është e shkëputur jeta juaj brenda mureve të shtëpisë nga ajo jashtë saj?

Jo, unë nuk e ndjej ashtu. Por çdo ditë që shkoj në shtëpi, fëmijët duken ndryshe edhe nuk më besohet.

Vajza është e rritur, është e përfshirë ajo në punët tuaja, ju ndjek?

Po po, i shikon të gjitha. Ndonjëherë ka sy shumë fin, ndaj them që më duket e madhe. Nuk është fëmijë tipik, i përkëdhelur. Shikon, ndjek, kupton mirë.

I zgjedh vetë veshjet?

I zgjedh vetë. Tani, në njëfarë mënyrë edhe prezenca ime ka ndikuar. I pëlqen edhe asaj të miksojë gjëra. E shoh kombinimin që bën dhe them: më ngjan.

Përgjithësisht i pëlqen të luajë. Nëse i thua do të shkojmë në një kënd lojërash apo në një vend ku bëhen fustane, do të zgjidhte këndin e lojërave. Jeton fëmijërinë e vet.

Si bashkëshorte dhe si nënë që jeni, keni ndonjë marrëdhënie të veçantë me kuzhinën?

Gati-gati e kam bojkotuar këtë pjesë. Ndonjëherë për Vit të Ri kujtohem dhe nëse do të jem jashtë, nuk kujtohem fare. Po nëse gatuaj, nuk gatuaj dhe aq keq. Nuk jam njeri tipik i gatimit. Më shumë më pëlqen të shijoj.

 Po bashkëshorti juaj, mos jua kompenson ai këtë pjesë?

Jo jo, as ai. Jeta që bëjmë na detyron shpesh që të hamë jashtë.

Duket sikur bëni jetë impenjative dhe mes ngjyrash e njerëzish, ju ndodh të mërziteni?

E kam jetën të mbushur dhe nuk është se zhytem në mërzi. Jeta ime është normale, është një jetë që ka arsye. Kam arsye për të qenë dhe në shtëpi dhe jashtë shtëpisë. Kam shumë arsye për të mos qenë e mërzitur, por edhe arsye të tjera për të qenë e mërzitur. Shpesh i injoroj mërzitjet. Nuk më kanë vënë përfund për shembull. Po edhe qaj shpesh. Madje të qarën e quaj gjë shumë të mirë. Një njeri kur qan, tekefundit po nxjerr diçka, dhe bën mirë se nuk e mban për vete. Njerëzit që qajnë, për mua, janë edhe më të shëndetshëm. E shoh të qarën si bizhu (qesh).

Për ju thonë që jeni stiliste e shtrenjtë…

Duhet të jem. Nuk njoh ndonjë mall të mirë që të jetë i lirë. Nëse do të isha e lirë, do isha gënjeshtare. Preferoj të jem e shtrenjtë dhe e mirë. Kam bërë veshje me lloj-lloj çmimesh. Meqë kam edhe një klientelë dhe meqë nuk me tepron koha për t’u marrë me diçka tjetër, sepse do të isha marrë. Vit pas viti, kam ardhur në këtë drejtim. Tani e kam të pamundur të të propozoj diçka që nuk është e mirë.

 

Ju keni në një lidhje të gjatë bashkëshorte, sa kohë u bë?

Sa të doni! Jam fejuar 20, jam martuar 27, tani mbusha 38, llogariteni vetë.

Si ka qenë jeta bashkëshortore?

Sigurisht, të gjitha gjerat i ka pasur brenda saj. Por një gjë ka rëndësi, nuk kemi rënë në kriza të mëdha. Na thërret kjo mënyrë jete. Është një marrëdhënie që është shtruar kështu që në fillim, ka marrë këto nota dhe ka ardhur në këtë formë vetvetiu.

Çfarë ju kujtohet nga njohja juaj?

Jemi njohur në një sfilatë në Marikaj të Tiranës, në 1995-n. Ai ishte i ftuar, unë isha modele. Ishte në shoqërinë e miqve të tij biznesmenë, pasi edhe ai këtë profesion ka. Aty nisi gjithçka. Siç e kanë djemtë me njëri-tjetrin, hajde gjeje, kush më rri fiks dhe Gimi tha: Më rri fiks, kjo (për mua). Pastaj, sigurisht, ndodhën ngacmimet gjatë mbrëmjes (qesh).

Këshillat

“Besoj. Kam gjithmonë një kryq me vete, nëpër koleksione nuk mungon asnjëherë një detaj i tillë, shumë shpesh ka qene dhe i ndjeshëm”.

Festat e Enadës dhe veshjet që sugjeron për të gjithë

Çfarë ju përcjell atmosfera e festave të fundvitit?

Më pëlqen shumë bora. Për mua krishtlindja lidhet gjithmonë më rënien e borës. Do kisha dashur shumë që të binte borë në ditët e festave në Tiranë. Ndërsa për sa i përket zbukurimeve, edhe i vë edhe nuk i vë re.

I festoni krishtlindjet?

Unë jam ortodokse, i festoj dhe e quaj si festën më të rëndësishme.

Çfarë marrëdhënie keni me fenë?

Ndihem mirë. Kam gjithmonë një kryq me vete, nëpër koleksione nuk mungon asnjëherë një detaj i tillë, shumë shpesh ka qenë dhe i ndjeshëm. Besoj.

I kemi përballë dhe nuk mundemi të mos ju kërkojmë disa sugjerime në lidhje me veshjet e festave që kemi para. Çfarë u sugjeroni lexuesve tanë?

Nuk kam qenë asnjëherë e mirë për këtë gjë dhe sa herë që më pyesin them: Pse çfarë jam unë, parashikuese horoskopi? Por po sugjeroj. Do të kisha preferuar që femrat të zgjidhnin fustan, jo i gjatë dhe jo i shkurtër fare, por aty si brenda rregullave. Nga ana tjetër jo detyrimisht të ngushtë se nuk e di, më japin siklet edhe kur ia shoh njerëzve veshur. Të jetë femërorë normalisht. Do të më pëlqenin materialet e kadifes, një stil që rëndon pak. Mendoj të shoqërohet me një xhep. Do i kisha shumë qejf edhe me ndonjë ngjyrë të hapur. Materialet e tylta do t’i doja në një ngjyrë të përbërë, jo një ngjyrë të mirëpërcaktuar mbi të cilën është punuar pak më shumë kur është krijuar. Çizmen e sugjeroj të gjatë gati si getë, të ishte me ndonjë takë jo shumë të lartë. Shumë bukur do të ngjante. Pastaj do të më pëlqente edhe me geta të trasha dhe me këpucë. Mirë do ishte të shoqërohej me një peliçe.

Share This Article
6 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *