Presidenti Bujar Nishani i kërkon klasës politike të mbajë të gjallë dialogun dhe të gjejë konsensusin që kërkohet nga Brukseli si një ndër rekoemnadimet kryesore, plotësimi i të cilit do të çojë vendin tonë drejt vendimit të shumë pritur, marrjen e statusit kandidat.
Në qëndrimin e tij të parë zyrtar pas refuzimit të statusit nga Këshilli i Ministrave të Jashtëm të vendeve të Bashkimit Europian, kreu i shtetit shqiptar Bujar Nishani i kujton klasës politike, por dhe gjithë shoqërisë shqiptare se përparimi arrihet vetëm përmes pajtimit e jo konflikteve.
“Shoqëria shqiptare po vihet, edhe një herë, në provë.Ajo duhet të tregojë se ka aftësinë dhe pjekurinë e mjaftueshme për të mos i shfaqur dallimet e saj për hir të realizimit të objektivave të përbashkëta.Ne duhet të kemi parasysh se mund të përparojmë mbi bazën e pajtimeve dhe jo të konflikteve. Mbetem i bindur se klasa politike do t`ia dalë të mbajë të gjallë dialogun dhe të gjejë konsensusin, kur ai kërkohet”.
Presidenti Nishani në deklaratën e tij përcjell mesazhe bashkimi dhe kohezioni, ndërsa i kërkon shoqërisë civile dhe medias të bëhen zëdhënës të fuqishëm të ëndrrës evropiane të shqiptarëve.
“Të gjithë aktorët e skenës shoqërore, politike dhe shtetërore, do t`ia dalin të bëhen bashkë, të gjejnë kohezionin e domosdoshëm, kur bëhet fjalë për rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian. Të vetëdijshëm se në Bashkimin Evropian shkohet me meritë, bazuar në performancën tonë, do të bashkëpunojmë edhe më ngushtë me miqtë dhe partnerët tanë Evropianë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët kanë demonstruar gjithmonë zemërgjerësi dhe mirëbesim ndaj Shqipërisë, që nga fillimi i proceseve demokratike. Ndihma dhe mbështetja e tyre janë jetike për materializimin e përgjegjësive tona. Udhëtimi ynë evropian vazhdon. Më shumë përgjegjësi kërkohet dhe më të mëdha mbeten sfidat para nesh”.
Në deklaratën e Presidentit Nishani vihen re dy linja paralele ku mbështetet qëndrimi i i numrit një të shtetit. Nga njëra ana klasa politike për të cilën nevojiten ende mesazhe për bashkëpunim dhe nga ana tjeter qytetarët shqiptarë, të cilit siç thekson Nishani kanë mbështetur pa dilemën më të vogël, reformat e nevojshme, shpeshherë mbushur me sfida dhe sakrifica të dhimbshme, me bindjen e palëkundur se integrimi evropian nuk ka alternativë.
“Ata na kanë motivuar neve politikanëve, edhe në momente ngërçi, duke na orientuar drejt, që të ngrihemi mbi interesat e ngushta politike dhe duke na mësuar se interesat tona shtetërore dhe kombëtare duhet të përcaktojnë detyrimet tona, dhe jo e kundërta.Për këto arsye dhe mjaft të tjera presidenti deklaron se qytetarët shqiptarë meritojnë një jetë me standarde evropiane. Shoqëria shqiptare -thekson kreu i shtetit- duhet të tregojë se ka aftësinë dhe pjekurinë e mjaftueshme për të mos i shfaqur dallimet e saj për hir të realizimit të objektivave të përbashkëta”.

President mos u bej hipokrit me mesazhe bajate. Prova me e madhe eshte per ty. Nese do vazhdosh te mbash ne krye te drejtesise nje bande te korruptuarish as per 2 dekada nuk na qas Europa ne gjirin e saj, keshtu qe fillo te levizesh nga pak ne te vetmin drejtim ku calon procesi. Nese nuk te dhimbset vetja, beje te pakten per hir te femijeve te tu dhe te mite. Ata nuk e meritojne kete padrejtesi.