Nëpërmjet projektbuxhetit të 2014-ës, Ministria e Arsimit garanton pagat dhe kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore për rreth 38 953 punonjës të arsimit e sportit. Gjatë raportimit të bërë në Komisionin e Edukimit, titullarja e këtij institucioni, Lindita Nikolla ka sqaruar në Komision se këta punonjës do të përfitojnë nga sistemi progresiv i taksimit të ardhurave personale. Sipas këtij sistemi taksimi, një mësues do të kursejë çdo muaj mbi 1200 lekë, ose rreth 13.440 lekë në vit. Gjithashtu buxheti 2014-s parashikon edhe një rritje në fondin e pagave, në masën 4 për qind krahasuar me një vit më parë, çka lejon indeksimin e pagave me normën e inflacionit apo edhe një rritje modeste të tyre. Sipas detajimeve të bëra në projektbuxhet për arsimin sqarohet se për arsimin universitar do të shkojnë rreth 85 për qind e fondeve të buxhetit. Këto para do të përdoren për rikonstruksionin e 150 shkollave, ku 105 janë në rrezik shembjeje. Pjesa e mbetur do të shkojnë për arsimin e mesëm dhe atë të lartë. Fondi për transportin do të jetë rreth 600 milionë lekë në vit, fondet për bursat do të kapin shifrën e 410 milionë lekëve, 110 shkolla do të pajisen me tabletë. Para Komisionit janë detajuar ndryshimet konkrete që do të bëhen në arsim gjatë vitit që vjen.
