Ju kujtohen kartolinat masive që na vinin në shtëpi për festat e fundvitit. Dikur ishin mbretëresha të urimit. Ishin mënyra e vetme për të përcjellë mesazhet e përzemërta të festave të dhjetorit. Turra-vrapi ndalte në kinkaleritë që ofronin kartolina nga më të ndryshmet që nga peizazhet e natyrës të shoqëruara me borë, pamjet e qyteteve apo kostumeve kombëtare e deri tek kombinatet që tregonin madhështinë e sistemit të kohës. Të shkruarit e urimit ishte një kënaqësi më vete. Madje, kishte dhe vargje të krijuara posaçërisht për kartolinë. Sot, me një të prekur të tastierës dhe ja ku u bë urimi. Por sot, koha e mbretërimit të kartolinave duket se ka perënduar. “Kurorën” e kanë marrë e-mail-et apo mesazhet telefonike, të cilat e çojnë urimin më shpejt madje në orën kulminante të ndërrimit të viteve. Edhe nëpër librari apo kioska ku ofrohen kartolinat, shitjet kanë rënë. “Nuk është si në kohën tonë kur ne dërgonim shumë kartolina. Tani jo, nuk para dërgojnë. Kartolinat më tepër i blejnë turistët të grupmoshës 50 e lart. Rinia nuk i blen”, thotë një shitëse kinkalerie. Edhe ata që dikur shkëmbenin vetëm kartolina, janë bërë fansa të mënyrës teknologjike të të uruarit. Megjithatë, kartolinat nuk kanë pushuar ende së ekzistuari. Madje në librari të veçanta, ato gëzojnë madhështinë e fronit të dikurshëm. “Këto kartolinat i kam blerë për njerëzit më të dashur”, thotë një blerës. Zakonisht i blej për njerëzit e familjes….i blej për motrën se është mënyrë më e veçantë”, thotë një tjetër. Pavarësisht nga shkëlqimi dhe rënia e kartolinave, diçka mbetet e njëjtë që nga kohët e lavdishme e deri në ditët e venitjes: Për shumë njerëz kartolinat mbeten etaloni i matjes së vlerësimit. Ata që marrin mundimin të të çojnë një kartolinë, janë njerëz që të vlerësojnë vërtet.
Por, ka edhe nga ato “specie” në zhdukje që vazhdojnë të përdorim kartolinat. Në kemi rënë në gjurmët e njërës prej tyre. Ajo është modele, jeton dhe punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lola Luma, nuk harron asnjëherë që miqve dhe të afërmeve të saj në Shqipëri t’i sjell kartolina urime. Këtë e gjë e bën prej një dekade. Çdo fillim dhjetori ajo i drejtohet dyqaneve që janë të mbushura plotë me kartolina dhe zgjedh disa prej tyre. Vitet e fundit ka praktikuar një tjetër tendencë. Ka printuar kartolina me fotografitë veta. Për sa i përket marrëdhënies së saj me kartolinat dhe dërgimit të mesazheve nëpërmjet teknologjisë, ajo trego: “Gjatë sezonit të fundvitit marrim shumë tag kartolina virtuale nga Facebook apo rrjete të ndryshme interneti, por vetëm pak nga ato të letrës. Jo të gjithë njerëzit i njohim personalisht apo profesionalisht. Kemi shumë “miq” që i njohim nga rrjeti social dhe një kartolinë virtuale mjafton për t’i uruar festen. E kur vjen puna për njerëzit që na lidhin interesa të tjera apo kemi një lidhje më të afërt me ta, një kartolinë letre shpreh falenderim, mirënjohje dhe dashuri rreth këtij personi që ka qenë pjesë e jetës tonë këtë vit. Pra, me pak fjalë është një vlerësim dhe jo çdokush duhet ta ketë të njëjtin privilegj, siç ndodh me kartolinat virtuale.
E pyesim Lolën se përse pëlqen të dërgoi ende kartolina…
“Dërgoi se disa njerëz dua të falënderoj vërtetë dhe të tregohem mirënjohëse që jam pjesë e jetës së tyre apo e miqësisë së tyre. Këtë gjë nuk mund ta bëjë nëpërmjet mesazheve apo e-mail-eve. Dua t’u shkruaj një kartolinë me dorën time. Dua të zgjedh për secilin prej tyre një pamje domethënëse që e di që ata e kanë përzemër. Pra, gjithmonë është më mirë një gjë e personalizuar. Dhe më besoni, ia kam marrë frytet kësaj tradite që e ruaj prej shumë kohësh. Jam e bindur që miqtë dhe të afërmit e mi ndihem më të vlerësuar kur në dorën e tyre bie një kartolinë e shkruar nga unë. Jam dakord që gjërat të ndryshojnë, por disa tradita dua që të mesin ashtu, siç kanë lindur. Dua të ndiej fërkimin e letrës në dorën time”.
