Historia e patreguar e superagjentit Kim Filbi

J L

Nëpër faqet e librit “Tradhëtia e madhe“, shkruar nga lordi konservator anglez Nikolas Bethel

Nesip Kaçi

 

Kim Filbi, një agjent që bënte lojë të dyfishtë, në shtator 1949, para se të largohej nga Londra për Uashington për të zënë postin e përfaqësuesit të shërbimit të fshehtë të Inteligjent Servisit britanik, SIS, të njohur gjithashtu edhe si M16, pati një kontakt me sovjetikët dhe aty u foli atyre rreth çështjes shqiptare, duke përmendur edhe planet afatshkurtëra të zbarkimit në Karaburun. Nuk duhej shumë kohë që kjo copëz informacioni të arrinte në Moskë dhe prej andej t’i dërgohej në Tiranë Sigurimit të shtetit shqiptar.

Kim Filbi arriti në Nju Jork me anijen “Caronia” më 8 tetor 1949, pesë ditë  pas zbarkimit të parë të   djelmoshave shqiptarë në gadishullin e Karaburunit. Më 10 tetor ambasadori britanik Oliver Franks  njoftoi Departamentin e Shtetit se Filbi kishte ardhur në Uashington si “sekretar i parë “ në ambasadë. Ai jetonte me gruan e tij Ajlinin dhe fëmijët  në një shtëpi të madhe në një distrikt modern të Uashingtonit, 5228 Nebraska Avenue dhe shumë shpejt fitoi namin e mikpritësit më të mënçur e më bujar  të kryeqytetit  amerikan. Ai ishte bujar gjithashtu me kolegët e tij anglezë. Ai shkruan: “Sa më shumë vizitorë kisha në Uashington, aq më shumë spiunë fusja në dorë. Ky ishte në fund të fundit qëllimi i jetës sime.“

Detyra e tij e vërtetë ishte përfaqësues i SIS-it britanik në Shtetet e Bashkuara, përgjegjës për lidhjet si me FBI-në të drejtuar nga Edgar Huver (Hoover) dhe me CIA-n, e drejtuar nga admirali Roscoe Hillen- Koetter. Kontakti i tij kryesor me CIA-n mbahej me Xhejms J. Angletonin të Zyrës Strategjike të Operacioneve, dhe të dy burrat hanin drekë së bashku çdo javë në restorantin Harvey. Ne u bëmë miq, shkruan Filbi, megjithëse të dy kishim dhe motive të tjera, duke pasur ndërmend rivalitetin nacional në profesion: “Duke më përpunuar mua plotësisht, ai mund të më mbante të mbërthyer. Nga ana ime unë isha mjaft i kënaqur të isha në atë pozitë.Sa më shumë të rritej haptazi besimi midis nesh, aq më pak do të dyshonte ai në aksionin tim të fshehtë,” shkruan Filbi në “My silent war” f.115. Ai mbante lidhjet e SIS-it dhe me Zyrën e Koordinimit Politik (OPC), të krijuar  në qershor të vitit 1945 për kryerjen e operacioneve antisovjetike. Stafi i OPC punonte në Linkoln Billding. Këta ishin ata agjentë që morën lejën në mars të vitit 1949 për të nisur pjesën amerikane të operacionit shqiptar. Xhim Makargar (MeCargar) ishte përgjegjës për Europën juglindore, prandaj ai u caktua si komandues i planit shqiptar. Përballë Makargarit amerikan, nga ana britanike  qëndronte Kim Filbi, bashkëkomandues i planeve shqiptare. Makargari kujton se Filbi erdhi në Vashington me një barrë famë, veçanërisht midis amerikanëve që kishin dëgjuar për të dhe mezi prisnin ardhjen e tij. Filbi,  nënvizon Makargar, ishte mjeshtër i intrigës, një njeri ndoshta në rrugën për t’u bërë drejtor i tërë shërbimit sekret. Pinte në mënyrë fenomenale por nuk sillej në mënyrë skandaloze as kur pija i binte në kokë. Ai kurrë nuk ishte i pakujdesshëm. Një oficer i sigurimit britanik që ndihmoi për demaskimin e tij e kujton atë si një njeri të qetë e të vendosur, një lloj englezi që amerikanët e pëlqejnë. Kishte një të mbajtur goje, që dukej sikur e kultivonte vetë, sepse e ndihmonte në dhënien në kohë të përgjigjeve të mënçura dhe evitonte bisedat politike kur pinte. Kjo ishte vënë re prej eprorëve të tij britanikë. Ky tipar fliste në favor të tij, sepse e fshihte më tepër rolin e tij si spiun. Njëkohësisht kjo e ndihmonte atë për t’i mashtruar ata. Robert Lou kujton se Filbi ftonte shumë amerikanë  e i zbaviste. Vera dhe uiski derdhej lumë. Atij i mbahej goja dhe kishte një thesar të tërë me anekdota. Makargari  thotë se ai kishte një humor joshës dhe të përzëmërt. Unë e konsideroja atë mik. Me fjalë të tjera kisha rënë brenda. Makargari e kujton ardhjen e Filbit tek ai, menjëherë pas arritjes së lajmeve të rëndësishme për zbarkimet e para në tokën shqiptare.Të njëjtat lajme arritën te Makargari pas një jave nëpërmjet kanaleve amerikane. Të dy komanduesit ranë dakord që ky ishte një ilustrim i kodit dhe i sistemit të komunikimit të shkëlqyer britanik. Ndërkaq Filbi, me një shprehje krejt të pafajshme në fytyrë i ofroi Makargarit vënien në dispozicion të gjitha lehtësitë britanike për transmetimin e mesazheve amerikane për problemet e operacionit shqiptar. Makargari në atë kohë i besonte Filbit  plotësisht.

Një person tjetër amerikan, i lidhur ngushtë me operacionin, kujton  takimin me Filbin në  zyrën e Perkinsit në Broduej dhe ngrënien së bashku një mbrëmje në një restorant  të njohur me prodhime deti në Londër. Diskutuan për operacionin shqiptar. Filbin ia prezantuan, thotë ai, në rrethana të tilla që e tregonin një aleat besnik, një nga të rrethit të ngushtë. Kështu që ai nuk kishte arsye të mbante gojën gjatë diskutimeve për ndërmarrjen e tyre të përbashkët. Ai e vuri re etjen për të pirë të Filbit dhe belbëzimin e tij, por kujton se kjo cilësi e fundit e shtyu të ndjejë për këtë njeri më shumë simpati, se për çdo tjetër. Edhe sot ai tmerrohet nga mendimi se Filbi kishte kaluar një natë të tërë duke diskutuar me një agjent sovjetik një operacion sekret  ku viheshin në rrezik tërë ato jetë njerzish.

Xhorxh Xhellikoe, i biri i admiralit të famshëm britanik dhe fitues i betejës  së Jutlandit, ishte plotësisht i mashtruar prej Filbit. “Unë i doja shumë Kimin dhe Ajlinin, gruan e tij. Më kujtohet se sa shpesh vinin ata në shtëpinë time në Uotrsajd drajv. Më pëlqente të rija me të. Ai kujton takimet e herëpasherëshme  me Filbin në zyrat e SIS-it në ambasadë në Uashington. Ata do të uleshin bashkë për të lexuar telegramet rreth progresit të operacionit, shumica e tyre të ardhur prej shtabeve të SIS-it, por disa prej tyre edhe prej Forin Ofisit. “Kimi ishte njeriu që merrte të gjitha vendimet për operacionin. Unë isha atje thjesht për të realizuar udhëheqjen politike, nga pikëpamja diplomatike. Ai ishte inteligjent, profesionist dhe punëtor i palodhur. Si dreqin gjente kohë të bënte një punë për rusët dhe një për ne, unë s’arrij ta kuptoj.“

Dy komanduesve, Filbit dhe Makargarit, u ishte dhënë një zyrë në godinën e Pentagonit  ku ata mund të diskutonin për operacionin. Atje mund të takonin njerëzit e tyre që merreshin me zbatimin konkret të tij, pa tërhequr vëmendjen e botës, sic mund të ndodhte në zyrat e OPC. Por ajo zyrë nuk përdorej shpesh, me qenëse shumicën e bisedave të tyre i zhvillonin nëpër shtëpi private apo në rrugë. Këtu u mbajt një post mortum për zbarkimet  me anijen  „ Stornie Seas“. U theksua se katër nga njëzet agjentët shqiptarë kishin humbur, se asnjë akt sabotazhi nuk ishte kryer, se përpjekjet për të rekrutuar njerëz në territorin shqiptar kishin dështuar. Më shumë se çdo gjë Londrën dhe Uashingtonin e shqetësonte fakti i raportimeve të bëra në Greqi se autoritetet shqiptare kishin dijeni që përpara mbi zbarkimet dhe se kishin marrë masa speciale pikërisht në kohën e caktuar, në fillim të tetorit për të kapur ata që zbarkonin në territorin shqiptar.

Zhdukja e grupit Lepenica në jug të Vlorës ishte mjaft shqetësuese, sic ishte dhe fakti që shefi i ushtrisë shqiptare Beqir Balluku kishte mobilizuar njerzit e vet për të krehur vendin afër Karaburunit. Robert Lou, që ishte kthyer në Uashington pas negociatave të tij të Romës, thotë: ”Dukej haptazi  se diku kishte shfryrë muhabeti. Tashmë komunistët dinin shumë për njerzit që ne fusnim në territorin e tyre… Kështu që na mbeti të pyesnim veten se deri kur do të vazhdonim  t’i hidhnim njerëzit drejt e në thes. “Atyre nuk u shkonte mendja se Filbi u kish treguar sovjetikëve  gjithcka që dinte për zbarkimet e ardhshme, gjatë kontakteve që kishte pasur me ta në Londër në fund të shtatorit, se i gjithë plani, sic shkruan ai në librin e vet, ishte fund e krye pa vlerë. Lou thotë :“ Tani e kuptoj se unë kam luajtur poker duke pasur një pasqyrë pas kokës.”

Filbi e përshkruan në mënyre të qartë në librin e tij operacionin shqiptar, duke e mbushur atë me referenca mbi gjoja paragjykimet britanike dhe me vërrejtjet e tij personale për ata që morën pjesë në të. Ai e përmend  Visnerin si “njeri që i jepte rëndësi vetes e trashaluq“,liderët shqiptarë- Hasan Dosti si “një ngordhësirë e re” dhe Abaz Kupin si një “ruffian të vjetër”, Xhellikoen, Xhojsin e Lindsein si “ shpirtra gazmore”. Ai pohon se agjentët shqiptarë “askund nuk u pritën krahëhapur”. Po ia le lexuesit,nënvizon Lou, të gjykojë vetë sa ka qënë pjesa që luajti Filbi në dështimin e operacionit.

Tradhëtia e Filbit, sidoqoftë, nuk ishte i vetmi gabim në sigurimin e operacionit. Siç e morën me mend agjenturat perëndimore, informacioni duhet të kishte  rrjedhur edhe prej komunitetit shqiptar në Romë, ku ambasada shqiptare ishte tepër aktive, si dhe prej Athinës.

Ishte prezent gjithashtu dhe dimensioni italian. Edhe pse e humbi luftën Italia ruante interesat e saj në Shqipëri, në një zonë të influencës tradicionale italiane prandaj ndihej e fyer për mënyrën se si Shtetet e Bashkuara dhe Brirania shfrytëzonin territorin e saj si bazë për operacione subversive pa i kërkuar leje. Në të njëjtën kohë ishte mjaft e fortë partia komuniste italiane, që i dukej normale të ndihmonte  me informata një ambasadë komuniste, që të dështonte një plan i tillë. Gjithashtu dy agjentët britanikë Litëmi dhe Berkli, kur u nisën prej Otrantos me anijen “ Stormi Seas” më 2 tetor 1949 për të hedhur në Karaburun 9 diversantë shqiptarë, dyshuan fort se ishin vëzhguar prej agjentëve italianë me teleskop nga maja e farit.

Megjithëse operacioni shqiptar ecte me dështime OPC-ja dhe CIA vendosën ta shpejtojnë ritmin e tij dhe në fund të marsit 1951 prej batalionit shqiptar të Veshtërhofir  u dërguan 13 rekrutë të rinj në shkollat stërvitore, më 8 qershor 27 të tjerë. Pjesa ushtarake e operacionit filloi  në tetor 1949 kur grupet e para të armatosura të agjentëve të stërvitura prej anglezëve zunë të zbarkonin në territorin shqiptar. Ai përfundoi në ditët e fundit të vitit 1953,kur dështimi i një operacioni të rëndësishëm, i mbështetur prej amerikanëve u demaskua publikisht. Operacioni shqiptar ishte projektuar prej zyrtarëve amerikanë dhe britanikë në një mbledhje të përbashkët në Uashington dhe pastaj ishte aprovuar prej drejtuesve të qeverive, nënvizon në librin e tij „Tradhëtia e madhe”,lordi Nikolas Bethel. Ky përbënte një akt politik të menduar mirë për ta shkëputur Shqipërinë nga orbita sovjetike, për t’i dhënë fund rregjimit komunist të ashpër të Enver Hoxhës dhe t’i hapte rrugë një rregjimi të butë e më pak antiperëndimor. Operacioni i spiunazhit anglo-amerikan kundër rregjimit komunist në Shqipëri ishte ndërtuar e zbatuar bashkë me krerët e emigracionit politik shqiptar, përfaqësues të organizatave të Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, pa lënë mënjanë dhe ish mbretin Zog.

Dy agjentë të sovjetikëve në spiunazhin britanik, Burges dhe Donald Maklin për të cilët kishin nisur dyshimet, u njoftuan nga Filbi se për pak kohë do të arrestoheshin. Ata më 25 maj 1951, pak para mesnate, morën anijen e linjës  së natës prej Sauthemptonit dhe shpejt kaluan në territorin e padronëve të tyre rusë. Disa ditë më vonë Kim Filbi u thirr në Londër dhe pas disa javësh iu nënshtrua një “gjyqi të brendshëm”, të mbyllur  para gjyqtarit  Helenus Milmo, për të sqaruar aspektet më të fshehta të veprimtarisë së tij mbi bazën e provave të përpiluara nga një prej drejtuesve kryesorë të M15, Dik Uajt (White). Uajti dhe oficerët e tjerë të spiunazhit britanik ishin të bindur për  fajësinë e Filbit. Lëkundjet e tij dramatike politike, duke filluar nga majtizmi ekstrem në universitetin e Kembrixhit, tek aktiviteti gazetaresk profrankist dhe anëtarësia në organizatat pronaziste, zor se futeshin në një kuadër normal.Po bëhej e qartë gjithashtu se projekte të ndryshme ku kishte marrë pjesë edhe Filbi, kishin përfunduar të tërë me disfatë. I dyshimtë ishte dështimi i operacionit shqiptar, CIA në atë kohë dyshonte shumë tek ai. Drejtori i CIA-s Valter Bedel Smith kërkonte zëvëndësimin e tij, largimin e tij. Raporti i gjyqtarit  Milmos arrinte në përfundimin se Filbi ndoshta ishte fajtor, por në të nuk jepej asnjë provë. Milmo i gjeti si të pakënaqshme e jo të plota spjegimet që jepte Filbi, por nuk kishte qënë në gjëndje ta thyente atë. Kjo e bëri bosin e spiunazhit britanik (SIS) Stjuart Menzies të bënte një zgjedhje të vështirë. Hë për hë Menzies vendosi ta tërhiqte Filbin nga shërbimi sekret. Por në vetë SIS-in mendimi i përgjithshëm ishte se Filbi ishte sakrifikuar në altarin e xhelozise amerikane dhe të intolerancës makartiste. Ai qëndroi pastaj për dy vjet në shtëpinë e vet në Rikmansuorth në Hertfordshir me gruan dhe katër fëmijët e vet në kushte të dukshme mizerabël e poshtëruese.

Njerëzit e SIS-it pohonin se e kishin të vështirë të kuptonin se përse CIA dhe SIS vendosnin megjithatë  në mes të vitit 1951 të vazhdonin operacionin  „sekret shqiptar“ i cili për afro dy vjet, në fillim bashkë me Xhin Makargarin dhe pastaj me Gracian Jacevicin, ishte komanduar prej Filbit.

Megjithëkëtë më 23 korrik u hodhën përsëri në Shqipëri me parashutë 16 veta për luftë guerile të ndarë në katër grupe, nga katër veta secili grup. Një grup do të qëndronte në Athinë. Fidai Voli, Xhemal Riza, Kasëm Shehu dhe Muhamet Hoxha i  desantuan pranë Gjirokastrës, Nuredin Lusha,Dilaver Kucuqi, Kalem Xhabexhiu dhe Rifat Zyberi, pranë Kavajës, Hamit Toshi, Dedë Hila, Rustem Azisi dhe Azis  Azizaj pranë Shkodrës. Ata duhet të rekrutonin nga katër njerëz dhe të krijonin qëndrat e rezistencës, para se të terhiqeshin  në Greqi ose në Jugosllavi. Ky desantim ishte një fatkeqësi dhe dështim i plotë. Të katër njerëzit e grupit të Kavajës u kapën në një shtëpi, policia i vuri zjarr shtëpisë dhe ata u dogjën të gjithë.

Grupi i Shkodrës u shpartallua sapo të katër diversantëve u prekën këmbët në tokë. Kasëm Shehu dhe Muhamet Hoxha u kapën pranë Gjirokastrës, pasi u vranë dy anëtarët e tjerë të grupit. Kjo gjë ndodhi një muaj pasi e kishin thirrur Filbin në Londër dhe ishte mjaft e vështirë për të kuptuar vendin e parashutimit të 12 njerëzve, kur ende Filbit i vazhdonte procesi hetimor për besnikërinë e tij. Kasëm Shehun dhe Muhamet Hoxhën i nxorrën në gjyq në kinemanë „17 Nëntori“ në Tiranë bashkë me Selim Dacin dhe Iljaz Toptani, të kapur nëntorin e kaluar në hedhjet e para me parashutë. Vangjel Dhimo i Asfalisë greke dhe Seit  Bylykbashi, u dënuan të dy me vdekje, Selim Daci dhe Iljaz Toptani u dënuan me burgim të përjetshëm, Kasëm Shehu dhe Muhamet Hoxha u dënuan me nga njëzet vjet burg secili.

Më 15 tetor spiunazhi amerikan hodhi dhe pesë njerëz të tjerë pranë malit të Bllates në krahinën e Dibrës. Hysen Salku, Hysen Bajrami, Ramazan Dalipi, Hajrulla Terpeza dhe Haki Abdullahu. Drejtuesi i grupit Salku ra në tokë keq dhe theu të dy këmbët.Salkun e mbajtën në krahë 200 metra drejt  një vendi të fshehtë në pyll. Sa zbardhi dita ata u sulmuan  nga një ushtri e tërë të pajisur me automatikë dhe mortaja. Dukej se ata kishin qënë në pritje për ardhjen tonë,kujton Ramazan Dalipi. Salku dhe Bajrami u vranë, Dalipi dhe Terpeza u tërhoqën dhe pas një jave arritën në Kërçovë, Jugosllavi. Dukej në thelb se operacioni ishte i dështuar. Filbi , burimi i tyre kryesor, nuk punonte më në zemër të operacionit, por ai lidhej ende  me të, jo direkt, por nëpërmjet  miqve të tij të SIS-it, që e simpatizonin atë dhe që besonin se ai nuk ishte trajtuar drejt. Me sa dukej ai ishte i zoti të shfytëzonte këto takime për të mbledhur copëza informacioni rreth operacionit sekret të drejtuar më parë prej tij. Natyrisht, gjatë gjithë kësaj kohe ai mbante lidhje me padronët e tij sovjetikë, që bashkëpunonin ngushtë me shërbimet sekrete shqiptare për të depërtuar në qëndrat e emigracionit.Nga fundi i vitit 1951 sigurimi shqiptar njihte nga afër çdo shqiptar të përfshirë në operacion, ata kishin familje në Shqipëri, atyre u bëhej presion për të zbuluar fakte  mjaft të rëndësishme. Deri në kohën sa Filbi u hoq nga detyra, komunistët i kishin marrë të gjitha masat dhe kishin gjetur agjentë të tjerë për ta zëvendësuar atë.

Kim Filbi jetoi deri në vitin 1963 diku i harruar. Në atë vit çau e iku në Moskë, ku jetoi duke qenë kolonel i shërbimit sekret sovjetik.

Gjithashtu, duhet shtuar se katër nga diversantët e pregatitur prej amerikanëve ishin kapur të gjallë në Shqipëri, dy në nëntor 1950 dhe dy në korrik 1951. Ata i kishin treguar policisë shqiptare gjithçka që dinin për operacionin. Gjatë procesit gjyqësor ata kishin dhënë emrat e të gjithë diversantëve të stërvitur në shkollën “sekrete” si dhe të atyre që ende po stërviteshin. Mund të merret me mënd se komunistët kishin edhe burime të tjera infomacioni, se ata dinin më shumë gjëra se sa kishin publikuar.

Kapitullin e nëntë dhe të parafundit autori i këtij libri lordi Nikolas Bethel e titullon: Shansi i madh i fundit. Ai nënvizon se nga fundi i tetorit 1951 disa prej oficerëve amerikanë e britanikë, drejtues të operacionit u mblodhën në Romë për të diskutuar mbi gabimet e bëra në të kaluarën dhe mundësitë për të ardhmen. Megjithëse drejtuesit britanikë të operacionit hoqën dorë si palë në operacion, CIA nuk u dekurajua.Në një kohë që shumica e agjentëve të dërguar në Shqipëri kishin përfunduar keq, CIA kishte vënë re suksesin e shkëlqyer të Hamit Matjanit, një diversant i aftë për të hyrë në Shqipëri kur të donte, ai kishte bërë  nga Greqia 12 sulme të befasishme në territorin shqiptar, bashkë me dy ose tre shokë. Spiunazhi amerikan konfirmoi përshtypjen se ishte pjekur momenti për një përpjekje serioze. Mbreti Zog zgjodhi njerëzit që do të shkonin me Hamit Matjanin për misionin vendimtar dhe ata ishin: Zenel Shehu, Halil Branica dhe Haxhi Gjyle. Mbreti Zog i dha secilit prej tyre nga një qeskë me flori. Të tre burrat shkuan në Athinë, u prezantuan me Hamit Matjanin dhe me dy njerëz të tjerë që do t’i shoqëronin, Xhelo Tresovën dhe Tahir Prençin. Prençi do të ishte radisti i grupit. Më 27 prill ata fluturuan prej Athine në Kastoria (Kostur), pranë kufirit shqiptar. Të nesërmen oficerët grekë i shoqëruan ata deri te kufiri dhe i vrojtuan kur kaluan matanë. Pasi arritën shëndoshë e mirë në krahinën e Matit, Haxhi Gjyle dhe Xhelo Tresova u kthyen për në Greqi, duke lënë Shehun dhe Prençin në gjirin e grupit antikomunist të rekrutuar prej Hamit Matjanit një vit më parë. Gjatë gjithë verës së vitit 1952 përfaqësuesit e OPC në Greqi ishin të kënaqur për kontaktet e vazhdueshme me agjentët e tyre në terren. Prençi i pregatitur mirë në mors dhe si shifrant, raportonte se po shtonin radhët, madje se kishin rekrutuar dhe tre vetë të Sigurimit, që ishin të gatshëm të shkonin në Greqi për t’u instruktuar dhe stërvitur për veprimtari antikomuniste. Halil Branica u shërua dhe në 4 gusht pilotët polakë e hodhën atë me parashutë në Shqipëri, në kohën dhe vendin e dhënë nga Prençi nëpërmjet një mesazhi. Sasira të konsiderueshme pajimesh u hodhën me kërkesën e Prençit: monedha ari, automatikë, municione, radioaparate, dylbi, fanella leshi, kapele, pantallona etj. Spiunazhi amerkan ishte tepër i frymëzuar për lajmet që vinin nga agjentët. Ata tregonin se bazat e rezistetncës po ngriheshin dhe pajiseshin në rregull. Ndërkohë në shtabet e spiunazhit  amerikan në Athinë vijonin të vinin raporte optimiste prej Shehut, Branicës dhe Prençit nga Shqipëria e mesme. Disa ditë më parë Ajzenhaueri ishte bërë president i SHBA, Xhon Foster Dallesi sekretar i shtetit të tij dhe Alen Dallesi  drejtor i CIA-s, ishte momenti që të shkallëzohej më tepër prej CIA-s sipërmarrja shqiptare. Mesazhet e dërguara  prej Shehut dhe Branicës po bëheshin  përherë e më tepër entuziastë. Dukej që pozita e tyre si oficerë besnikë të oborrit të mbretit Zog, kishte ndryshuar balancën e forcave. Si CIA dhe mbreti Zog ishin entusiazmuar nga mundësitë për sukses, u dukej se kishin shanse reale për ta shkulur sistemin komunist të Enver Hoxhës prej Shqipërie. Rjeti i bazave të tyre po zgjerohej. Tani kishim të bënim me një bërthamë të oficerëve të ushtrisë dhe të policisë të gatshme për t’u ngritur kundër regjimit komunist. Pajimet e hedhura me parashuta ishin shpërndarë dhe së shpejti pritej të hynin në punë. Ajo që kërkohet tani, thoshin ata në mesazhe, është prania e Hamit Matjanit, për t’u dhënë atyre orientimet e duhura. Tani bazat e tyre ishin mjaft të sigurta, ndaj Matjani le të hidhet me parashutë. Pas kësaj Hamit Matjani u pajis mirë dhe i thanë të bëhej gati për rrugë. Ranë dakord që hedhjen e Matjanit ta bënin në ditën e 1 Majit, kur Sigurimi të ishte i zënë me festën. Hamit Matjani, Naum Sula dhe Gani Malushi u hodhën fare bukur me parashutë në një vend të paracaktuar në krahinën e Matit. Mesazhe të tjerë optimiste arrinin nga terreni deri tek shtabi i CIA-s në Athinë. Por edhe pse muajt kalonin asnjë plan i përcaktuar më parë nuk tregonte ndonjë shenjë materializimi në praktikë. Në vitin 1953 deri në fund të tij, seria e mesazheve të koduara për nga autenticiteti kishin filluar të ndiheshin false.

Goditja ndodhi në natën e vitit të ri kur radio Tirana shpalli se të gjithë njerzit e stërvitur me kujdes për pjesën më vitale të operacionit: Matjani, Shehu, Branica, Sula, Malushi dhe disa dhjetra miq vendas të tyre, ishin në duart e Sigurimit e po i priste gjyqi. Faktet që dolën gjatë procesit të madh gjyqësor të prillit 1954 në Tiranë zbulonin një katastrofë të plotë për spiunazhin anglo- amerikan, nuk kish më keq, shkruan në fund të librit të tij lordi Bethel. Prej tyre u mor vesh se Shehu ishte kapur sapo kishte arritur në Mat dy vjet më parë. Radisti Tahir Prençi ishte zhdukur, ose ishte vrarë, ose (sic besonin shumë shqiptarë) ishte futur në shërbim të kauzës komuniste. Sigurimi shqiptar për 18 muaj rrjesht kishte trilluar e transmetuar mesazhe me radio, (Radio-loja) mbi bazën e të cilave merreshin vendimet amerikane. Ata kishin qëruar gjithë rrjetin e agjentëve. Hamit Matjani ishte hedhur drejt e në duart e tyre prej aeroplanit amerikan. Sigurimi e kishte bërë shkëlqyeshëm punën e vet, jo vetëm për operacionin Shehu-Matjani, por edhe për pesë vjet intriga antishqiptare. Forma legale e gjyqit ishte groteske por faktet e tij bazë janë konfirmuar prej shqiptarëve që kanë mbetur gjallë dhe, sipas mendimit të autorit , lordit Bethel, janë të përpikta. Më 12 prill 1954 kur mbreti Zog dhe familja e tij ishin ulur dhe dëgjonin rreth radios në vilën e tyre në Aleksandri (Egjipt), gjyqtari në Tiranë shpalli se të akuzuarit provohen se janë fajtorë dhe dha vendimin: Shehu, Branica, Sula dhe Malushi u dënuan me pushkatim, Hamit Matjani me varje.

Në parathënien e paanshme, që i ka bërë librit të lordit Bethel “Tradhëtia e madhe”, zoti F. Zanaj shkruan se autorit, iu desh të rrëmonte për afro tre vjet në kujtesën dhe shpirtrat e trazuar të njerëzve, në dokumente të ruajtura për 35 vjet si “tepër sekret” për të na dhënë një pamje plot larmi të operacionit. Publiku shqiptar para se të njihej me librin e këtij autori perëndimor është njohur me tregime, novela, skica, filma dokumentarë e artistikë të autorëve shqiptarë që e prekin këtë operacion. Në ato krijime ka edhe njëanshmëri e pasaktësi. Kundër kësaj njëanshmërie në vlerësimin e kësaj ngjarjeje historike përpiqet të ngrihet lordi Bethel në librin e tij. Mirëpo të ngrihesh kundër njëanshmëris së njerës palë, nuk do të thotë se automatikisht ke zbuluar të vërtetën e pastër. Jeta provon, nënvizon zoti F.Zanaj, se drejt saj tentojnë të tëra palët “sipas interesave të tyre”. Me gjithë përpjekjet për të arrirur tek e vërteta, një lloj njëanshmërie nuk i shpëton dot dhe autori i këtij libri mbi operacionin e spiunazhit anglo-amerikan kundër  regjimit komunist shqiptar në vitet 1949-1953. Zoti F. Zanaj, në parathënien e tij shkruan se lordi Bethel gjithë këtë operacion e interpreton nga prizmi i interesave të vendeve perëndimore. Në këtë libër të lordit Bethel flitet për vrasje diversantësh dhe për shuma parash të harxhuara nga spiunazhi perëndimor, por nuk flitet asnjë fjalë për vrasjet në radhët e njerëzve të ndershëm në Shqipëri, për djegiet, sabotimet e krimet e kryera prej diversantëve shqiptarë. Për ne shqiptarët ky ishte vazhdim i tragjedisë së vëllavrasjes. Në këtë llogjikë faktori njerëzor shqiptar përfillej pak, qoftë ai i vënë në shërbim të Perëndimit, qoftë ai i palës tjetër.

Zoti Zanaj nënvizon gjithashtu, në parathënien e tij se, autorit i shpëtojnë mjaft gjykime e vlerësime subjektive për zhvillimet politike të Shqipërisë gjatë Luftës Nacionalclirimtare dhe pas saj. Ai harron të spjegojë ose nuk dëshiron të kuptojë ndikimin e veçorive të regjimit politik shqiptar të atyre viteve në dështimin e operacionit, Shqipëria nuk banohet nga popull sllav, Shqipërinë nuk e çliruan trupat sovjetike, siç ndodhi me të gjitha vendet e tjera të Europës Lindore. Shqipërinë e çliruan nga pushtuesit fashistë italianë dhe nazistët gjermanë partizanët shqiptarë, madje ata i ndoqën hitlerianët deri ne Vishegrad dhe një segment përfaqësues i ushtrisë Nacionalçlirimtare shqiptare mori pjesë më 9 maj 1945 në Berlin në festimet e fitores së Luftës së Dytë Botërore.

Share This Article
5 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *