Ministria e Brendshme greke ka vendosur të shtyjë deri në datën 31 mars të vitit 2021, afatin e lejeve të qëndrimit që skadonin në datën 31 korrik të 2020-ës dhe lejet që skadonin ose do të skadojnë nga 1 gushti-31 marsi i 2021-shit do të shtyhen edhe për 8 muaj të tjerë nga dita e skadencës së tyre.
Ky vendim u jep një frymëmarrje lehtësuese mijëra emigrantëve që jetojnë në vend, shumica e tyre shqiptarë, të cilët rrezikonin të mos rinovonin lejet e qëndrimit, pasi qendrat e decentralizuara të Ministrisë së Brendshme ishin të mbyllura për shkak të pandemisë Covid-19.
Përsa i përket punonjësve sezonalë, të interesuarit duhet të zbatojnë me rigorozitet afatet e tyre të qëndrimit në vend dhe nëse nuk do të kryejnë rinovimin e kontratës së punës me punëdhënësin që i ka kontraktuar, pranë rajoneve të policisë në zonat që punojnë për shtyrje të tremujori që mundëson ky program, duhet të largohen nga vendi brenda afateve.
Në të kundërt rrezikojnë gjoba dhe penalitete të rënda, të cilat arrijnë deri në 1200 euro gjobë për këdo shkel afatin e qëndrimit në zonën Shengen.
Po ashtu, edhe përfaqësitë diplomatike shqiptare në Greqi kanë hapur sportelet e tyre dhe u mundësojnë emigrantëve shërbim edhe me dy turne, me qëllim pajisjen sa më të shpejtë të tyre me pasaporta dhe karta identiteti.
o.j/dita
