Amerika dhe rendi i sotëm botëror, një libër i dobishëm për këdo

Ornela

Prof. Asoc. Dr. Eva Tafili (Hyskaj)

Libri Amerika dhe rendi i sotëm botëror, botim i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave, shkruar nga Prof. Fatos Tarifa dhe Prof. Ksenofon Krisafi, vjen në duart e lexuesit shqiptar në një kohë kur bota jonë—kjo botë e globalizuar përtej çdo imagjinate deri 30 ose 20 vite më parë, por edhe e polarizuar e plot konflikte si rrallëherë më parë në historinë e njerëzimit—përballet me shumë dilema serioze dhe me një krizë të re ekzistenciale. Nga zgjidhjet që do u jepen këtyre dilemave dhe kësaj krize do të varen jo vetëm fatet e fuqive të mëdha të globit, por edhe vetë e ardhmja e tij.

Në kushtet e sotme, kur për afro një shekull—por sidomos gjatë dekadave të fundit—jemi mësuar të jetojmë në një botë, të cilën Amerika “e krijoi” për ne dhe të cilën kjo fuqi e madhe e ka drejtuar nga përtej Atlantikut me një vizion global emancipues, studimet mbi rolin e Amerikës në rendin e sotëm botëror, mbi sjelljen dhe marrëdhëniet e saj me fuqitë e tjera të mëdha apo të mesme të globit dhe mbi perspektivën e këtyre marrëdhënieve marrin një rëndësi të dorës së parë.

Prof. Asoc. Dr. Eva Tafili (Hyskaj)

Studime të kësaj natyre, siç është e kuptueshme, dominojnë sot disiplinën e marrëdhënieve ndërkombëtare, atë të institucioneve dhe të së drejtës ndërkombëtare, si dhe studimet në fushën e gjeopolitikës e të gjeoekonomisë, në Perëndim dhe në Lindje. Fatmirësisht, studime të tilla nuk kanë munguar krejtësisht edhe në vendin tonë, edhe pse numri i studiuesve shqiptarë në këto fusha është shumë i kufizuar dhe kontributet e tyre janë më së shumti modeste. Ndërkohë, studimet e profesorëve dhe diplomatëve tanë të njohur Fatos Tarifa dhe Ksenofon Krisafi, anëtarë të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave, janë jo vetëm një përjashtim, por edhe një shembull i shkëlqyer në këtë drejtim.

Në vitin 2007 Tarifa botoi në Shtetet e Bashkuara librin e tij Europe Adrift on the Wine-Dark Sea, të cilin Lord Anthony Giddens e ka vlerësuar si një vepër që ofron një “analizë të shkëlqyer dhe perceptive” mbi marrëdhëniet transatlantike dhe të ardhmen e Bashkimit Europian. Po atë vit, Tarifa botoi në Tiranë librin Saga e dy kontinenteve: A po ndahen Europa dhe Amerika nga njëra-tjetra? Pas tij erdhën në radhë një sërë vëllimesh të tjerë nga i njëjti autor, siç janë Amerikanofobia dhe antiamerikanizmi europian (2008), Europa e pabashkuar (2009), Fati i një shekulli: Hegjemonia amerikane, dilemat e Europës dhe sfidat e Azisë Lindore (2010), Letters to America (2011), Pamundësia e projektit europian (2013), Përplasje qytetërimesh? (2013), Një botë e mbarsur për shekullin e 21-të (2014), si dhe Dinamika e modernitetit pluralizues (2014). Ndërkohë, një varg artikujsh të botuar nga Tarifa në revista të njohura në Shtetet e Bashkuara, si “Facing Tomorrow’s Global Challenges” (2006), “Who’s the Sick Man of Europe?” (2007), “The Dynamics of Pluralizing Modernity and the Challenges of Future Global Politics and U.S. Leadership” (2010), “Immigration and Identity Politics” (2013), “Post-Modern Utopia: Europe’s Global Leadership in a Post-American World” (2014), “Failure of Multiculturalism? (2016) etj., e kanë afirmuar atë, siç ka vënë në dukje politologu amerikan Raymond Rosenfeld, si “një studiues që shquhet për një intuitë dhe talent të veçantë në parashikimin e prirjeve të zhvillimit global dhe në analizën e ngjarjeve ndërkombëtare”. Miqësia dhe shkëmbimet e Tarifës me disa nga mjeshtrit më të mëdhenj të teorisë sociale dhe të gjeopolitikës në kohën tonë, si Anthony Giddens, Immanuel Wallerstein, Zbigniew Brzezinski, Amitai Etzioni, Adam Przeworski, Claus Offe etj., e dëshmojnë më së miri këtë.

Profesor Krisafi, nga ana e tij, është autor i një sërë vëllimesh, çdonjërin prej të cilëve mund ta quaja unik në llojin e vet. Ndër ta dëshiroj të përmend librat: Në kërkim të arit (2009), Diplomaci pas lufte (2009), Për tokën dhe detin e Shqipërisë (2014), Organizimi politik në trojet shqiptare (2014), E drejta e organizatave ndërkombëtare (2015), Lufta e Kosovës në labirintet diplomatike (2018) dhe Në Gjenevë për Kosovën (2018).

Në këtë kohë pandemie globale të shkaktuar nga Covid-19, Tarifa dhe Krisafi vijnë tani së bashku me një vëllim për lexuesin e interesuar shqiptar, i cili, jo vetëm shquhet për përmbajtjen e tij të pasur, por edhe është—për nga forma e shtjellimit të ideve dhe e analizave të tij—një risi në literaturën tonë akademike. Ky vëllim nuk është një monografi, si ato që kanë botuar veçmas këta dy autorë të njohur deri më sot. Ky vëllim është një përmbledhje e tetë dialogëve që ata kanë zhvilluar mes tyre në formën e një bashkëbisedimi të gjatë në verën e vitit 2020 mbi vendin dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në rendin e sotëm botëror. Ata janë botuar fillimisht, thuajse çdo ditë, për afro dy javë me radhë, në gazetën Dita dhe janë pritur me shumë interes nga publiku i gjerë.

Interesimi që zgjoi në radhët e publikut të informuar ky bashkëbisedim i gjatë duket se ka shërbyer si një motiv që Tarifa dhe Krisafi ta redaktonin, ta zgjeronin dhe ta botonin atë në formën e një libri, siç i jepet sot lexuesit.

Bashkëbisedimi, ose dialogu mes njerëzve eruditë dhe studiuesve në shkencat shoqërore nuk është një dukuri e panjohur. Nga sa unë mund të kujtoj, një bashkëbisedim të tillë kanë zhvilluar në fillim të viteve 1990 filozofi i shquar gjerman Jürgen Habermas dhe publicisti i njohur polak Adam Michnik. Bashkëbisedimi i tyre u botua në atë kohë në revistën New Left Review. Një tjetër rast është bashkëbisedimi mes intelektualit të njohur amerikan Francis Fukuyama dhe filozofit mediatik francez Bernard-Henri Lévy, i cili pa dritën e botimit në vitin 2006, në revistën prestigjoze The American Interest. Bashkëbisedimi mes Tarifës dhe Krisafit, sidoqoftë, për shkak edhe të subjektit të tij, më sjell ndër mend një tjetër bashkëbisedim të njohur, atë mes dy prej vëzhguesve dhe analistëve më të shquar të politikës së jashtme amerikane dhe të gjeopolitikës globale, Zbigniew Brzezinski dhe Brent Scowcroft, botuar në formë libri në vitin 2008, nën titullin Amerika dhe bota (America and the World: Conversations on the Future of American Foreign Policy).

Libri Amerika dhe rendi i sotëm botëror, që Tarifa dhe Krisafi i ofrojnë sot publikut shqiptar, instinktivisht më shtyn ta krahasoj atë me librin e sipërpërmendur të Brzezinski-t dhe Scowcroft-it për ngjashmëritë që shoh mes tyre.

Ngjashmëria e parë ka të bëjë me subjektin e librit—Amerika dhe rendi botëror—si dhe me formën mjaft interesante të parashtrimit e të argumentimit të ideve në formën e një bashkëbisedimi, apo të një dialogu mes autorëve.

Ngjashmëria e dytë lidhet me atë çfarë këta autorë përfaqësojnë përkatësisht në vendet e tyre dhe për publikun e këtyre vendeve. I ndjeri Zbigniew Brzezisnki, i cili u nda nga jeta tre vite më parë, shërbeu si Këshilltar për Çështjet e Sigurisë Kombëtare në administratën e Presidentit Jimmy Carter; Brent Scowcroft, i cili gjithashtu u nda nga jeta në gusht të këtij viti, ka shërbyer si Këshilltar për Çështjet e Sigurisë Kombëtare në administratën e Presidentit Gerald Ford dhe në atë të Presidentit George H. W. Bush. Nga një pozicion i tillë shumë i rëndësishëm, Brzezinski dhe Scowcroft kanë mundur jo vetëm të vëzhgojnë e të analizojnë mjeshtërisht—dhe për një kohë të gjatë—gjendjen e rendit botëror të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore, si dhe pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, por edhe të informojnë e të këshillojnë politikën e jashtme amerikane në nivelet më të larta të saj.

Në kushte krejt të tjera dhe në një vend të vogël, si Shqipëria, Tarifa dhe Krisafi i kanë shërbyer vendit të tyre si dy ambasadorë ndër më të rëndësishmit dhe ndër më të shquarit—Tarifa në Mbretërinë e Hollandës dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe në Shtetet e Bashkuara Meksikane, në Republikën Dominikane dhe në Republikën e Panamasë, ndërsa Krisafi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe në rolin e këshilltarit diplomatik të kryeministrit të Shqipërisë. Nga këto pozita, si njëri dhe tjetri jo vetëm kanë përfaqësuar interesat e vendit të tyre në kryeqytete të rëndësishëm të botës demokratike dhe në organizata të rëndësishme ndërkombëtare, por edhe kanë mundur të këshillojnë qeverinë shqiptare lidhur me politikën e saj të jashtme dhe marrëdhëniet e saj me shoqërinë ndërkombëtare. Përvoja e tyre diplomatike shumë e pasur, e shoqëruar nga një përvojë akademike shumë e gjatë dhe po aq e pasur në fushën e marrëdhënieve, të institucioneve dhe të së drejtës ndërkombëtare, reflektohen më së miri në këtë vëllim. Në fakt, zor se mund të gjenden në Shqipëri dy autorë që do të mund të ofronin një analizë kaq të informuar dhe kaq brilante mbi vendin dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në rendin e sotëm botëror si Tarifa dhe Krisafi.

Unë ndihem veçanërisht e nderuar që m’u dha rasti ta lexoj në dorëshkrim dhe të shkruaj parathëniem e këtij libri, shkruar nga dy prej diplomatëve më të njohur dhe ekspertëve më të mirë të marrëdhënieve e të politikës ndërkombëtare, të cilët janë njëherësh profesorë dhe intelektualë publikë nga më të respektuarit në vendit tonë dhe, për fatin tim të mirë, edhe miq dhe kolegë të mi. Uroj që lexuesit ta gjejnë këtë bashkëbisedim mes tyre po aq informues, interesant e të dobishëm sa edhe autorja e këtyre radhëve.

 

“Donald Trump ishte një përjashtim thuajse nga e gjithë tradita amerikane e marrëdhënieve me shoqërinë ndërkombëtare, madje jo një revizionist, por një deviacionist. Parimi xheksonian i tij “America First” rezultoi të ishte një parim izolacionist—“America Alone”. Një politikë tillë i ftohu marrëdhëniet e Amerikës me aleatët e saj tradicionalë europianë dhe me vendet aleatë të saj në Azinë Juglindore, e largoi fuqinë më të madhe të globit nga një varg traktatesh e marrëveshjesh ndërkombëtare, si dhe e dobësoi rolin dhe prestigjin e Shteteve të Bashkuara në botë, në një kohë kur lidershipi global amerikan është më i nevojshëm se kurrë.

Për fat të mirë, z. Trump qëndroi në krye të administratës amerikane vetëm katër vite dhe, pavarësisht dëmit që shkaktoi politika e tij e jashtme gjatë asaj periudhe në marrëdhëniet e Amerikës me botën, rikthimi në Shtëpinë e Bardhë i z. Biden, këtë herë si President i Shteteve të Bashkuara, ofron garancinë se politika e jashtme e këtij vendi do të rikthehet në kursin e saj normal, siç edhe është shprehur në mëse një rast vetë Joe Biden. Vetëm pak ditë pas konfirmimit të fitores së tij në zgjedhjet presidenciale, z. Biden i siguroi publikun amerikan dhe liderët e vendeve aleatë se Amerika është sërish “gati që ta udhëheqë botën e jo të tërhiqet prej saj”, “e gatshme që të konfrontohet me kundërshtarët e saj, e jo të ndahet nga aleatët e saj”.

Në këtë vëllim, i cili është frut i bashkëpunimit tonë, nga këndvështrime komplementare, si studiues dhe diplomatë, ne përpiqemi të shpjegojmë strategjinë e Shteteve të Bashkuara për t’u zhvilluar si një fuqi e madhe globale dhe për të krijuar një rend të ri botëror, të cilin Amerika vazhdon ta dominojë dhe ta drejtojë”.

Fatos Tarifa / Ksenofon Krisafi

(nga Parathënia e librit).

 

 

Share This Article
3 Comments
  • ”.Amerika ndertoi nji bote.per ne”,Amerika gjithmone eshte perpjekur qe boten ta kete “per vehte”ose t’ia neneshtroje, interesave te veta!

  • Mos me sillni zorret ne fyt .Ky liber eshte nje plagjature e librit te Robert Kagan ” Bota qe krijoi Amerika” !!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *