Na qenkësh një lloj sporti i quajtur ‘bubashizëm”; jo një disiplinë sportive klasike, por një lloj pasioni, një aventurë shëtitëse, hipur në një makinë të vjetër, një antikuar me katër rrota aktive e një rezervë, që në ish-Jugosllavi, i thonë ‘Buba’ (nga serbishtja); në Itali i thonë Magolino; ‘Beetle’ i thonë në anglisht; e ‘Kafer’ në gjermanisht. Konkretisht është një Wolksvagen Kafer, që i ka fillimet në fund të viteve `30. Breshka u themi ne në shqip; dhe tek këto lloj makinash, na faniten pamjet e motorit që zjen si tenxhere me presion nga nxehtësia, teksa i ngjitet ndonjë maloreje. Shpjegimet na i jep Labinot Ahmeti, një tetovar rreth të tridhjetave, i cili, së bashku me dy miq të tij, muaj më parë realizuan një udhëtim sportivo-aventuresk prej 5 mijë kilometrash, duke u nisur nga Tetova me destinacion qytetin Chamonix në Francë. Labinoti është laborant dentar, por në ambjentin ku punon e ka një amalgamë sendesh, ku bien në sy xhinglat-minglat e profesionit, librat me shumicë e pajisjet alpine. Më shumë se gjysma e ditës së tij, është në mal, duke e ngjitur majave e kreshpave të Sharrit, një ritual i pakushtëzuar nga asnjë lloj rrethane stinore, që ai, si një racion lumturie, ia dhuron vetes pa kursim.
“Alpinizmi është një stil jete. Sa sheh ndonjë majë, ndjenjën me të qënurit aty nuk e ndërron me asgjë. Jam munduar t`i praktikoj të gjitha metodat nga pak, vetëm por edhe me familje. Por natyrisht më të shumta janë ato më shoqërinë. Jetojmë në një qytet rëzë Sharrit, ku ka shumë lokalitete alpinistike dhe shumë maja dhe natyrisht kurdo – kurdo, një ditë do të ngjitesh lart, dikush më vonë e dikush më herët”, sqaron Labinoti, pasi të tregon se në disa raste, udhëtimet në mal, qoftë dhe në mot të rënduar, i bën familjarisht, me bashkëshorten e një djalë të vogël që ka. Të thotë se ka deri më tani ka ngjitur maja si ato në Europë, Breighthorn 4165 metra e Matterhorn 4477 metra. Si dhe më të lartën Mont Blanc 4810 metra. Atje ka vizituar dhe një qytet të afërt, pikërisht Chamonix-in, një qytet të mrekullueshëm francez siç e quan ai, të cilin vendosi ta rivizitojë, duke shkuar atje me një ‘Buba’, së bashku me miqtë: Haki Bexheti, mekanik me profesion dhe motorist me hobi; Ahmed Ahmedi bojaxhi me profesion dhe ‘bubash’ me hobi. ‘Buba’ e tyre, prodhim i viteve `70, ka një motor 1.2 me fuqi 45 kuaj fuqi. Pa llogaritur këto të dhëna, po ta vëresh nga afër atë karakatinë, edhe mushka të ngjan si Mercedez, por ja këtu qëndron e bukura e aventurës së tyre. Ideja për ta ndërmarrë udhëtimin e tyre, edhe remarkian (nëse në këtë rast ka një paralele me “Tre shokët” dhe Citroenin e tyre), ka lindur teksa Labinoti u ka rrëfyer miqve për vendet ku ka shkelur gjatë rrugëtimeve të tij alpinistike. Dhe të ekzaltuar nga adrenalina e udhëtimit, i janë dhënë ëndrrës me aq vrull e pasion për ta bërë realitet, duke nisur që me një gjysëm restaurim teknik e mekanik të makinës, përfshirë dhe një bojatisje, e duke përfunduar me gjetjen e ca valixheve të vjetra e të merimangosura druri nëpër hatllat e shtëpive, trashëgim prej gjyshërve e stërgjyshëve që rrugëtonin me to duke i mbajtur në shpinë, e që të shpluhrosura, mbushur tumbllaz me rroba e pajime, i janë ngarkuar ‘Bubës’ së brishtë e të lodhur, si ndonjë gomari, gomarisht të urtë e të nënshtruar që të ngjall mëshirë. Sipas Labinotit, edhe pse në dukje një rrangallë, e aq më tepër me tregues fuqie të ulët, ‘Buba’ ja del në udhëtime të gjata, pavarësisht llojit të rrugës apo klimës, pasi dhe ftohjen e ka me ajër e jo me ujë. Udhëtimi i tyre u konsiderua dhe ngjarje për qytetin, pasi treshja aventuriere, u ndihmua financiarisht dhe nga Komuna e Tetovës e nga organizatorët e Fest-Film International Tetova. Rrëfen Labinoti: “Udhëtimi zgjati 10 ditë të plota. Nga Tetova, kemi kaluar në Beograd, Zagreb, Ljubljanë, Trieste, Venedik, Gorgonzola, Bergamo, Milano, Leçe, Komo, Bernë, Freiburg Courmayeur e Chamonix. Përpos ca netëve tek një mik në Bergamo, netët e tjera i kemi kaluar nën qiell të hapur me tendë. Ushqimin e përgatisnim vetë gjatë rrugës. Surpizat? Oh, shumë! Sepse ky udhëtim, është suprizë në vetëvete e pa surpriza nuk ka kuptim. Më e madhja dhe më e këndshmja, ka qenë sapo kemi kaluar kufirin e Maqedonisë dhe jemi futur në Serbi. Aty, një zyrtar kufiri serb, na bëri një pritje të ngrohtë dhe të shkëlqyer, nga befasia e asaj ç`ka pa dhe krejt i habitur nga rrugëtimi ynë i saponisur. Kjo lloj surprize na ka ndjekur pothuajse gjatë gjithë rrugës prej mijra kilometrash, ku njerëz të ndryshëm na përshëndesnin e na jepnin vullnet që të vazhdojmë. Edhe pse me shumë vështirësi, asgjë e pakëndshme nuk na gjeti, ndërsa një shi që na shoqëroi nga Milano deri në Chamonix, ishte diçka fantastike në atë udhëtim. Ishte pikërisht një natë plot me shi e pak e ftohtë kur arritëm në Chamonix. Ditën tjetër takuam kryebashkiakun e qytetit, të cilit i dhuruam dhe një pllakë me logon e Komunës së Tetovës. Duhet të them se udhëtimi ynë pati dhe ushtrim sportesh, kryesisht ngjitje alpinistike të shkurtëra, që ia shtuan variacionet e kënaqsinë udhëtimit, si në shkuarje ashtu dhe në kthim”. E pyes Labinotin se ku qëndron përfitimi shpirtëror i një udhëtimi të tillë e më thotë: “Ky lloj udhëtimi i ka të gjitha: të shplodh psiqikisht, të takon me shumë njerëz, me shumë lloje kulturash; edhe të kalit, të mëson të bësh durim. Thjesht: të bësh një rrugëtim të tillë, kur kthehesh, kthehesh thjesht dikush tjetër”.
Dhe Labinoti është ndër ata që zjen së brendshmi për të mos u kalbur me një vend. “Kafja” e tij janë malet, natyra, udhëtimet. Ndonëse vetë jeton si specie e rrallë, i vjen keq që, sidomos alpinizmi tek shqiptarët e Maqedonisë, është i patrajtuar, siç thotë ai, është jetim, s`ka kush e mbron; dhe ndonjë individ me ambicie për alpinizëm, nuk mund të bëjë ndonjë arritje të madhe, veçse individuale e shumë të kufizuar. E ka patur ëndërr t`i bashkangjitet dhe grupit shqiptar që u ngjit në Himalaje për 100 – vjetorin e Pavarsisë, por rrudh buzët, pasi kërkesës së tij, bashkëatdhëtarët e Shqipnisë, nuk i janë përgjigjur pozitivisht. E megjithatë, ai beson se një ditë do ja bëjë fora çatisë së botës, duke patur lejtmotiv ndihmën e fëmijëve në nevojë. Më pas rendit objektivat e së ardhmes: Ngjitje në Aconkagua me moton “Mos hudh plehra!”, si dhe udhëtimet e tjera me ‘Buba’, drejt Mekës për Haxhillëk dhe në Cross Africa. / E.H

Bukur, shume bukur! Nje video nga udhetimi i tyre duke filluar nga Tetova simpatike do ta shikoja me shume kenaqesi. Te tille si Labinoti e shoket e tij jane specie e rralle mes shqiptareve. Ndoshta hallet, varferia. Ndoshta edhe kultura e pamjafueshme. Mire do ishte qe specialistet e Min. se Turizmit ta lexonin intervisten e te takonin me keto personazhe per te shkembyer ide.