Të mërkurën rinis gara për licencat e reja në shëndetësi. Sikundër ishte deklaruar edhe më herët, provimet e shtetit për lejet e reja profesionale për mjekët, farmacistët, stomatologët, infermierët, mami, logopedët, si dhe teknikët e imazherisë dhe ata të laboratorit do të zhvillohen përgjatë gjithë muajit janar.
Të parët që do të zhvillojnë testin e licencës janë mjekët e rinj. Për këtë profil provimet do të zhvillohen për dy ditë me radhë, përkatësisht në datat 13 dhe 14 janar, ndërkohë që do të garojnë 184 kandidatë. Me tej po në datën 14 janar dhe 15 janar testimet do të vijojnë për licencat e reja në profilet logopedi dhe mami, ku konkurojnë 201 kandidatë. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar listën e 385 kandidatëve që garojnë javës së ardhëshme për lejen e ushtrimit të profesionit në këto tre specialitete, ku për secilin prej tyre është përcaktuar data dhe ora specifike se kur duhet të paraqiten për të kryer provimin.
Testimet do të vijojnë më tej në datat 18-22 janar, ku do të zhvillohen provimet për lejet e reja të ushtrimit të profesionit të stomatologut, farmacistit, fizioterapistit dhe teknikut të imazherisë dhe laboratorit. Ndërsa të fundit që do të përmbyllin provimet e shtetit për licencat e reja janë infermierët. Për shkak të numrit të madh të kandidatëve, në këtë profil testimet do të vijojnë për pesë ditë me radhë, përkatësisht në datat 25-29 janar.
“Provimi i shtetit do të zhvillohet në godinën e Qendrës së Shërbimeve Arsimore. Në lidhje me orarin e pjesëmarrjes në provim, ju bëjmë me dije se oraret janë të përcaktuara për çdo kandidat dhe nuk do të ketë ndryshime orari përtej planifikimit të publikuar”, bën me dije Qendra e Shërbimeve të Arsimit.
Gjatë pjesëmarrjes në provim, kandidati duhet të ketë parasysh dhe të zbatojë rregullat e përcaktuara. Kështu, duhet të paraqiteni pranë QSHA-së 30 minuta përpara orarit të publikuar për zhvillimin e testimit, teksa duhet të jeni detyrimisht të pajisur me këto dokumente: “Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë, dokumenti origjinal) dhe kopje të tyre, si dhe faturën origjinale me vulën përkatëse, të pagesës së tarifës së provimit për llogari të QSHA, të kryer në një bankë të nivelit të dytë bazuar në herën e pjesëmarrjes, si dhe mjetet mbrojtëse ndaj Covid-19”. Kandidatët, të cilët nuk paraqesin këto dokumente, nuk mund të marrin pjesë në provimin e shtetit.
Në ndihmë të bluzave të bardha që do testohen në këtë sezon, ekspertët e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit kanë detajuar edhe fondin e mijëra pyetjeve nga të cilat do të përzgjidhen edhe pyetjet që do të jenë pjesë e tezës së provimit të licencës. Në këto kushte, çdo kandidat mund të orientohet rreth përmbajtjes që do të ketë testi i licencës, duke u njohur me fondin e detajuar të pyetjeve që gjendet në faqen online të QSHA-së.
Për shkak të situatës së krijuar në vend nga Covid-19, edhe për këtë sezon testimi i informatizuar do të zhvillohet duke ndjekur me kujdes protokollet e higjienës dhe distancimit fizik të rekomanduara nga dikasteri i Shëndetësisë. QSHA është udhëzuar tashmë për ofrimin e sigurisë maksimale dhe kushteve të përshtatshme higjeno-sanitare, duke ofruar pastrim dhe dezinfektim të ambienteve të provimit me solucione dezinfektuese të miratuara, përpara dhe pas çdo seance provimi, pastrim dhe dezinfektim të pajisjeve fizike të ambienteve të provimit, si: kompjuterët, pajisjet elektronike, karriget, tavolinat, etj, vendosje të solucioneve dezinfektuese në hyrje të çdo ambienti provimi, respektim të distancës 1,5-2 metër ndërmjet kandidatëve gjatë gjithë proceseve të zhvillimit të provimit, mundësinë e kryerjes së provimit në kabina të veçanta për secilin kandidat, duke respektuar distancën fizike nga njëri- tjetri, si dhe pajisjen me mjetet e duhura mbrojtëse si maska dhe doreza plastike, të stafit të institucionit dhe personave të jashtëm, të përfshirë në proceset e zhvillimit të provimit.
