Dosja e gjyqit të Kadri Hazbiut
“U përpoq të dënoheshin me ulje në detyrë por ata u pushkatuan. Ja arriti që në hetime e gjyq, të mos dilte emri i tij si kryetar i grupit të vënë në shërbim të agjenturave të huaja”
(Vijon nga numri i kaluar)
Në seancën e tetë të gjyqit ndaj Kadri Hazbiut, vazhdojnë deponimet e Ali Çenos, ish-kreut të grupit të sigurimit të Mehmet Shehut. Pasi pranon përfshirjen e tij në ‘grupin armiqësor të kryesuar nga Mehmet Shehu, vënë në shërbim të agjensive të huaja’, Çeno rrëfen rolin e Mehmetit, Kadriut, Feçorit, Fiqretit e Llambi Peçinit në këtë aktivitet, deri tek roli i sejcilit në fejesën e djalit të Mehmetit me vajzën e familjes së deklasuar të Turdinjve, që ‘bëhej në zbatim të detyrave të vëna nga agjenturat e huaja’…..
(Vazhdojnë deponimet e Ali Çenos)
Ali Çeno:- Harrova të thosha se në vitin 1975, në mos gabohem, kur u bë një mbledhje në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, kur po shkarkohej kasta ushtarake, unë isha nja 2-3 dit me lejë se kisha qenë i sëmurë. Më thërret tradhtari Mehmet Shehu dhe më thotë hajde në zyrë tek unë. Edhe shkoj në darkë, se mbledhja u bë në darkë dhe më thotë që: Ali, unë do të bëj shkarkimin e kastës, prandaj ti me grupin merrni masa të brendshme të shoqërimit rreth përbrenda ministrisë. Ndërsa Kadriun, kam ngarkuar Kadriun, që të marrë masa të përgjithshme jashtë territorit të ministrisë dhe këtu ai ka dërguar Feçor Shehun e Çerçiz Xhelon, dhe aty ishte Gani Kodra. Duke ikur për në shtëpi, Mehmet Shehu më thotë: Ali, shiko se ç’janë këta ujqër. Prandaj, kjo t’u vlejë për herë tjetër. Dhe u kthyem. Sejcili shkoi në shtëpi të vet.
Sipas bisedave që kam bërë me njerëz të ndryshëm, si me Peçi Kallucin, Adem Nelën dhe vetë tradhëtarin Mehmet Shehu, me mburrje fliste “për aktet heroike”, “për heroizmat”, për torturat që kishin bërë këta në kohën e Koçi Xoxes. Që këta kishin vrarë e kishin prerë njerëz pa gjyq. Tregonte Peçi Kalluci, që i nxirrnin prapa kazermave dhe me urdhër të Kadri Hazbiut e Llambi Peçinit, i merrnin dhe i pushkatonin. Bile, merrnin njerëz të pafajshëm, duke u mburrur, për ti torturuar, më falni, ju varnin kazmë tek organet gjenitale derisa atyre u binte të fikët. Tregonte edhe një rast tjetër që duke marrë në hetim një person, ai u hodh nga dritarja dhe ra i vdekur në tokë…
Tradhtari Mehmet Shehu dhe armikja Fiqret Shehu, si bashkëpunëtorë të ngushtë që kanë vepruar vazhdimisht që gjatë Luftës Nacionalçlirimtare si armiq, atyre Partia u kishte besuar vende të nderuara partie e shtetërore, por me gjithë atë, ata vinin dorë mbi pasurinë socialiste duke vjedhur e duke bërë harxhe të mëdha si brenda vendit, ashtu edhe jashtë shtetit, siç ishte rasti i Skënderit, apo raste të tjera. Ata dhe fëmijët e tyre influenconin dhe villnin vrer duke i ushqyer me ideologjinë borgjezo-revizioniste, për ti nxitur ata që të vishnin modat perëndimore. I nxisnin ata që të kryenin akte vagabondazhi dhe të shkonin me femra të degjeneruara dhe me biografi të keqe, siç ishte rasti i Skënderit dhe të kryenin akte të rrugaçërisë duke bërë skandale në rrugët e Tiranës, duke thyer pjata e gota në restorante e duke thënë se ne jemi fëmijët e Mehmet Shehut.
Për këtë desha të theksoj se këta persona, siç është armiku Mehmet Shehu e Fiqret Shehu, Kadri Hazbiu e Feçor Shehu, janë njerëzit tipikë të zbutjes së luftës së klasave dhe të shuarjes së plotë të saj. Unë i kam raportuar disa herë armikut Kadri Hazbiu për këta akte që kryenin këta fëmijët e Mehmet Shehut, për të marrë masa si ministër i Punëve të Brendshme që ishte dhe për të informuar Partinë dhe Komitetin Qendror, por ky nuk e çante kokën fare dhe më thoshte mua: Shko ti Ali, i thuaj më mirë!. Megjithëse unë i kisha raportuar disa herë Mehmet Shehut për këto probleme, dhe ai më konsideronte mua si njeri thashethemexhi, derisa arrinte të më thoshte ti i survejon fëmijët e mi. Armiku Feçor Shehu përgënjeshtron gjërat dhe kërkon të shfajësohet, dhe t’ua hedhë fajin të tjerëve, duke thënë se për fejesën, për marrëdhëniet që kishte Skënder Shehu me Irena Papën, e cila ishte një femër tepër imorale dhe me biografi të keqe. Ai tha se për këtë fejesë, është interesuar Aliu… Përkundrazi……
Kryetari:- Ai tha, e di Aliu që unë kam kundërshtuar tha….
Aliu:- Është e drejtë, ndodh e kundërta. Unë duke dëgjuar dhe nga populli gjithë ato biseda, i kam thënë një rast Milto Kostaqit, mjeku, që nuk bëjmë mirë të mos e informojmë tradhtarin Mehmet Shehu. Në një rast unë i kam shkuar në zyrë, kur ishte Ministër i Mbrojtjes, dhe i kam thënë për marrëdhëniet intime që kishte Skënderi me këtë femër duke i thënë gjithë karakteristikat negative që kishte kjo femër. Ai më tha do marr Feçorin ti them të më bëjë biografinë e kësaj vajze. Edhe pas disa ditësh, ka ardhur Feçori në Durrës me një pliko në dorë. Unë po prisja pranë, tek vendi i shërbimit ku rrija gjithmonë. Më tha, i kam sjellë biografinë e Irena Papës. Unë i thashë tekstualisht kështu. Ky, edhe në ballafaqim i ka kundërshtuar këto, sepse nuk i interesojnë këtij këto gjëra. I kam thënë që a i ke vënë të gjitha në letër ç’ka kjo femër dhe në biografi dhe për sa i përket çështjes së imoralitetit. Ai më tha, jo more Ali, ç’ta vendosim këtë, ç’tja vëmë të gjitha këto, pse ta shqetësojmë, ai tha ka 500 halle, 500 probleme qeveria ka në kokë. Unë i kam vënë disa gjëra.!. Do na ngatërrosh, i thashë, sepse unë ja kam thënë të gjitha. Pasi iku Feçor Shehu, më thirri Mehmet Shehu dhe më tha ti je intrigant, ti je shpifarak, ti kërkon që të prishësh fejesën që kërkon të bëjë Skënderi me Irenën, ti po bëhesh shkaktar që po i prish atij avenirin. I thashë, nuk jam unë, por janë faktet, dhe është fakt, që ajo është femër imorale. Për mua, i thashë, le të fejohet. Në atë kohë unë shkova në Drejtorinë e Dytë dhe kërkova që të largohem fare nga grupi, të iki nga grupi i shoqërimit, sepse nuk duroja dot, sepse më kërcënonte gjithmonë derisa më tha që unë të pushkatoj, të hedh trutë në erë, të çoj aty ku të mos shohësh qiell me sy. Edhe mori letrën e ma hodhi turinjve. Ja ç’më ka sjellë sigurimi mua. Në përgjithësi, unë këto gjëra kisha……..
Kryetari:- Mirë. Lidhur me këtë ti i pandehur Ali Çeno. Pas demaskimit të Beqir Ballukut e pas kësaj, ke folur në hetuesi lidhur me një rast që është takuar Mehmet Shehu në shtëpi, i ka vajtur Hito Çako e Petrit Dume…..
Aliu:- Po!
Kryetari:- Është e vërtetë!?
Aliu:- Po, është e vërtetë. Problemi qëndron kështu. Pasi u godit Beqir Balluku, Hito Çako ishte bërë zëvendësministër së bashku me Petrit Dumen. Unë, duke ndenjur aty, Hito Çako ka ardhur dhe më tha do shkoj të takoj një çikë Mehmetin, se më ka zënë malli. Ne ishim kthyer nga pushimet, se di ku kishim qenë. I thashë, ke ndonjë punë. Mehmeti po bënte xhiro dhe e kishte bezdi që kur bënte xhiro, ti ndërhynte njeri. U largua dhe u kthye prapë. Jo, jo, do shkoj ta takoj pastaj, tha, prandaj i thuaj. Hito Çako shkoi e u takua me Mehmet Shehun në oborr. Unë isha jashtë oborrit të shtëpisë. Ka ndenjur me orë të tëra duke biseduar. Ndërsa në Durrës, Hito Çako, vinte vazhdimisht, pothuajse për ditë, dhe i raportonte, domethënë, pasi u bë zëvendësministër, për ato detyra që i kishte ngarkuar…
Kryetari:- Po. Po në qytetin ‘Stalin’ ka ndodhur një gjë lidhur me telefonat atje, që ke treguar, të lidhur me Mehmet Shehun?
Aliu:- Po. Për sa i përket në qytetin ‘Stalin’, unë harrova të thosha, sepse armiku Mehmet Shehu, fill pas demaskimit e shpartallimit të kastës ushtarake, atij i hyri një frikë shumë e madhe. Ai na kontrollonte dhe na jepte detyra, për ta siguruar deri sa të arrinte deri aty sa ndërronte dhe makinat, dike marrë nga një anë ‘Volvën’, nga një anë ‘Pezhonë’, duke ndërruar itinerarin e rrugës. Për të shkuar në Elbasan, nuk shkonte nga Krraba, por shkonte nga Ndroqi. Arriti deri aty sa të shtonte dhe rojet, dhe kjo është bërë me dijeninë e Kadri Hazbiut e Feçor Shehut, si rojet, oficerë dhe ushtarë të Gardës. Arriti deri aty sa në katin e dytë ku flinte Mehmet Shehu, se kishte bërë kurrë ndonjë herë këtë, ai vendosi roje oficer. Tha, që unë këtu dua roje oficer. Ai e kishte bezdi që në shtëpinë e pritjes të kishte ndonjë udhëheqës tjetër. Ndërsa Kadri Hazbiun ai e pranonte me kënaqësinë më të madhe. Dhe tipik, është rasti, që kur ndodhej roja në katin e dytë, kur kishte udhëheqës të tjerë, ai jepte urdhër që ta hiqnim rojën. Ndërsa, kur ishte bashkë me Kadri Hazbinë, roja nuk hiqej. Ndërsa për atë që më thatë juve, në telefon, për sa i përket problemit të telefonave, atij i kishte hyrë mania dhe frika se mua më përgjojnë nëpër telefona. Kjo është bërë problem edhe në Ministrinë e Brendshme. Edhe në qytetin ‘Stalin’, kur kemi shkuar, në nëntor më duket, të vitit 1981, unë kisha dërguar një oficer, si zakonisht, se e kishim problem çështjen e telefonave, sepse gjithnjë do nxirrte pretekst pse telefonat nuk punojnë. Duke ndenjur të dy, Fiqreti dhe Mehmet Shehu në hyrje, telefoni, si duket ka qenë aty afër, rrinte në një komo të vogël, ai e ka lëvizur me krahë, dhe ishte hapur ajo doreza. PÇ e Beratit merr në telefon aty dhe thotë mbylleni telefonin se është i hapur. Në këtë kohë i them asaj punëtores që shko i thuaj Mehmet Shehut sepse receptori është i hapur dhe ta mbyllë. Në atë kohë më ka thirrur mua dhe filloi të më thotë që kush e ka lënë telefonin hapur, ky telefon është i Ministrisë së Brendshme, mua, domethënë, më kanë dëgjuar gjithë bisedat që kam bërë me Fiqretin. I thashë se ky telefon nuk është i Ministrisë së Brendshme, por është telefon inter urban që bisedohet me rrethet. Siç duket, i thashë, ju e keni lëvizur me krahë… Por ai ishte tepër i shqetësuar për këtë problem. Në Ministrinë e Brendshme nuk ishte vetëm Kadri Hazbiu e Feçor Shehu , por Ministria e Brendshme ka njerëz të shëndoshë të Partisë, nuk ishin të gjithë armiq. Aty armik ishte Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu, po të tjerët nuk ishin armiq. Prandaj, ai kishte maninë se mos e kishin dëgjuar këtë bisedë. Të nesërmen ky kishte vendosur që të shkonte për të bërë gjueti. Gjuetinë e anuloj sepse ishte gjoja kohë e keqe, që ai nuk e linte kurrë gjuetinë, jo kohë e keqe të ishte, por…. Ne e merrnim në krahë, Kadri Hazbiu e ka parë vetë. Na ka përdor si skllevër ne oficerët e ushtarët e Gardës kur shkonim për gjueti. Kur vinte dita e shtunë, për ne, ishte dita më e zezë, sepse Mehmet Shehu na fuste në vend të zagarëve për të çuar derrat, për ti vrarë si Mehmet Shehu, ashtu dhe Kadri Hazbiu. Kadri Hazbiu ka qenë vetë prezent kur Mehmet Shehu qëllonte me pushkë, kur ishte koha e derrit, dhe që unë i trembja derrat për t’ia shpënë Mehmet Shehut që ta vriste, atje me vrap, dhe unë u shtriva në mes të rrugës. Ishte rrugë me kalldrëm, kur ishim nga këneta e Vivarit dhe mora e vura një gur që të shpëtoja kokën. Kadri Hazbiu, në atë kohë, qeshte e zbardhte dhëmbët. Ja, pra, e lidh këtë fakt me faktin që këta, që gjatë kohës që kanë qenë në Ministrinë e Brendshme, në Sigurimin e Ushtrisë, që kanë bërë krime dhe kanë torturuar njerëz… Ashtu na kanë trajtuar edhe ne personelin e shërbimit…
Për sa i përket çështjes së daljes jashtë shtetit, kam dalë 4-5 herë, kam sjellë sende si veshmbathje, televizor, magnetofon, kam sjellë 2-3 kuverta, dy batanije, nja dy ora dore për burra, duke i futur nëpër arkat e shtëpisë. Kam sjellë sende jashtë rregullave ligjore, rregullave në fuqi. Këto i kishim të miratuara dhe nga familja. Çdo person që shkonte me këto shërbime në këtë mënyrë veprohej. Krijoheshin arka të posaçme. Këtë e kam mësuar fillimisht nga Gani Kodra kur shkova për herë të parë, e kam mësuar nga Fejzo Bijo, nga Milto Kostaqi, Se3rvet Backa, etj. Bile dhe ish-oficeri i Kadri Hazbiut, të njëjtën gjë ka bërë edhe ai, ka sjellë materiale jashtë kontrollit doganor. Ai ka sjellë frigoriferë, lavatriçe, televizorë, etj….
Gjyqtari:- Kam një pyetje unë.
Kryetari:- Urdhëro!
Gjyqtari:- Ju thoni i pandehur Ali, se natën e 17 dhjetorit, i pandehuri Kadri Hazbiu nxori një pako jashtë nga shtëpia e Mehmet Shehut. A ju kujtohet, këtë pako e pruri nga jashtë, apo e nxori vetëm nga brenda jashtë, si e mbani mend ju?
Aliu:- Unë e mbaj mend dhe e theksova që kur hyri, ai nuk kishte gjë nëpër duar, ndërsa kur doli, ai doli me një çantë apo me një si dosje. Dua të theksoj se Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Ziçishti e Nesti Nase, kanë pasur korrespodencë private. Çoheshin e vinin dorazi, pa i sekretuar me dosje të mëdha. Më kujtohet se Kadri Hazbiu në shtëpi, por ai në ballafaqim kur unë i thashë këto, ai sikur mundet, sikur ka pasur libra. Më ka dhënë një pako armiku Mehmet Shehu, të ambalazhuar të lidhur dhe më tha do të shkosh t’ia shpiesh Kadri Hazbiut. Mbaje me kujdes para duarve, dhe çoja Kadriut, sepse atë unë e kam marrë në telefon. Unë kështu veprova, mora pakon, dhe sipas porosisë që më dha ai, ja çova Kadri Hazbiut. I ra ziles ushtari, doli e shoqja, thirri Kadriun dhe i thashë Kadriut ke këtë pako nga Mehmet Shehu. Ka libra për ushtrinë dhe dokumente të ndryshme…..
Gjyqtar Muharremi:- Rreth vitit ’80-’81, armiku Mehmet Shehu në Durrës ka mbajtur një kasafortë…..
Aliu:- Po, një kasafortë të vogël. Jo në vitin ’80-’81, por vazhdimisht sa kam qenë unë atje ai ka pasur një si kasafortë të vogël me nja 30 me 40 cm dhe nja 15- 30 cm mund të ishte e lartë, bojë gri, me çelës automatik dhe me dorezë sipër….
Muharremi:- Deri në ç’kohë e ka mbajtur?
Aliu:- Deri në vitin 1981. E mbante me vete, nuk ja dorëzonte njeriu.
Muharremi:- Di gjë, e ke parë?
Aliu:- Nuk di gjë, nuk kam parë, sepse ai këtë nuk ja dorëzonte absolutisht asnjë njeriu…
Kryetari:- Urdhëro shoku prokuror.
Prokurori:- Në vitin 1973 ke ardhur në grupin e shoqërimit si shoqërues. Të foli gjë Mehmet Shehu për njerëzit e tij më të afërt, cilët ishin njerëzit më të afërt të grupit të tij?
Aliu:- Unë e thashë që bashkëpunëtorë të ngushtë….
Kryetari:- Prezantimi?
Aliu:- Po prezantimi. Ka qenë Kadri Hazbiu, Llambi Peçini dhe Gani Kodra. (Vijon nesër)
Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi
NESËR DO TË LEXONI:
-Deponimet e Ali Çenos lidhur me ‘aktivitetin armiqësor, në bashkëpunim të Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut e Llambi Peçinit.
-Dëshmitë e të akuzuarve lidhur me disa vrasje të mistershme në garnizonin ushtarak të Gjirokastrës.
-Roli i të akuzuarve lidhur me zbatimin e detyrës së zbulimeve të huaja për fejesën e djalit të Mehmet Shehut me Silva Turdiun, vajzë e një familje të deklasuar.
SOM 1
“Peçi Kalluci e Adem Nela më kanë folur për torturat që kishin bërë këta në kohën e Koçi Xoxes. Që kishin vrarë e kishin prerë njerëz pa gjyq. Tregonte Peçi Kalluci, që i nxirrnin prapa kazermave dhe me urdhër të Kadri Hazbiut e Llambi Peçinit, i merrnin dhe i pushkatonin. Bile, merrnin njerëz të pafajshëm, duke u mburrur, për ti torturuar, më falni, ju varnin kazmë tek organet gjenitale derisa atyre u binte të fikët. Tregonte edhe një rast tjetër që duke marrë në hetim një person, ai u hodh nga dritarja dhe ra i vdekur në tokë…”
SOM 2
“Megjithëse unë i kisha raportuar disa herë Mehmet Shehut për këto probleme, dhe ai më konsideronte mua si njeri thashethemexhi, derisa arrinte të më thoshte ti i survejon fëmijët e mi. Armiku Feçor Shehu përgënjeshtron gjërat dhe kërkon të shfajësohet, dhe t’ua hedhë fajin të tjerëve, duke thënë se për fejesën, për marrëdhëniet që kishte Skënder Shehu me Irena Papën, e cila ishte një femër tepër imorale dhe me biografi të keqe. Ai tha se për këtë fejesë, është interesuar Aliu… Përkundrazi”
SOM 3
“Ne e merrnim në krahë Mehmetin, Kadri Hazbiu e ka parë vetë. Na ka përdor si skllevër ne oficerët e ushtarët e Gardës kur shkonim për gjueti. Kur vinte dita e shtunë, për ne, ishte dita më e zezë, sepse Mehmet Shehu na fuste në vend të zagarëve për të çuar derrat, për ti vrarë si ai, ashtu dhe Kadri Hazbiu. Kadri Hazbiu ka qenë vetë prezent kur Mehmet Shehu qëllonte me pushkë, kur ishte koha e derrit, dhe që unë i trembja derrat për t’ia shpënë Mehmet Shehut që ti vriste, atje me vrap, dhe unë u shtriva në mes të rrugës”

perse sja coni te birit memetit keto fakteseai thot e vrare enver hoxha babai skaqen armiki popullit shqiptar cojani bashkimshehut te bej libra
Shikojeni te verteten http://www.youtube.com/watch?v=WCQjZtU-iww
Po po i kane bere ato qe thote Aliu,(genjen per gjuetine e derrave pasi ato i bente enveri) te pakten torturat dhe vrasjet ndaj shqiptareve, ashtu shkuan edhe ato, bile me keq se i torturuan per muaj e vite me rralle.
mehmeti e te tjere si ai,kriminele te popullit te vet, me keta lloj perversesh,jane siguruar mrojtur ,sunduar e prej tyre kane mbaruar
fatkeqsia e ketij kombi jane,por kjo fatkeqsi akoma na mban peng