Mesazhet e Turqisë për Shqipërinë në vitin 1988

Ornela

Xhevdet Shehu

 Gjithçka po botojmë në vijim është shkëputur nga libri me titull “Marrëdhëniet Shqiptaro – Turke” shkruar nga Bilal Shimshir, akademik, historian, diplomat, ish ambasador i Republikës të Turqisë në RPS të Shqipërisë në vitet 1985-1988.

Në këtë pjesë të kujtimeve dhe analizës së zotit Shimshir, po botojmë vizitën 5-ditore në Turqi të nënkryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Rita Marko. Ishtë nga vizitat shumë të pakta që Tirana zyrtare bënte në atë kohë në kushtet e mbylljes totale. Për më tepër, kjo vizitë ishte e nivelit të lartë, bëhej në Turqi, e cila nuk kishte të bënte me vendet lindore të ish-kampit socialist, dhe si e tillë iu kushtua shumë rëndësi si në Tiranë dhe në Ankara. Ishte një shenjë e hapjes së Shqipërisë me Perëndimin. Kjo vizitë ishte dëshmi e marrëdhënieve të mira që ne kemi patur me Turqinë gjatë shekullit të kaluar. Dëshmi tjetër e këtyre marrëdhënieve ishte dhe vizita e Kryeministrit Edi Rama në Ankara para pak ditësh dhe marrëveshjet që u arritën.

Sipas një burimi të besueshëm nga ambasada jonë në Ankara në atë kohë, mesojmë edhe disa të dhëna të tjera që nuk u thanë publikisht në jehonën që pati kjo vizitë.

Delegacioni u prit nga Kryeministri Turgut Ozal në rezidencën e Tij private, ku edhe banonte. Gjatë bisedës zyrtare, ndërmjet tjerave, Turgut Ozal theksoi tre çështje: gatishmërinë e Turqisë për ti dhënë Shqipërisë – kredi, borxhe ekonomike; – investime për zhvillimin e madh të turizmit; – ndërmjetësim politik për hapjen e marrëdhënieve të Shqipërisë me Perëndimin.

Në përgjigje Rita Marko e siguroi kryeministrin Ozall se do të vinte në dijeni presidentin Ramiz Alia për tërë bisedën që zhvilluan, dhe veçanërisht për tre çështjet parimore që u shtruan konkretisht: kreditë; turizmin; ndërmjetësimin politik.

Gjatë vizitës të delegacionit në Izmir, prefekti Nevzat Ajaz pyeti, nëpërmjet zyrtarit Berhan Ekinci, nëse Rita Marko ishte dakord që në darkën zyrtare që Ai do të shtronte për nder të delegacionit shqiptar të ishte i pranishëm edhe komandanti turk, me gradë gjeneral, i trupave të NATO në atë rajon, me arsyetimin se bashkëshortja e gjeneralit ishte me origjinë shqiptare.

Përgjigjia e R. Markos ishte pozitive, dhe ashtu ndodhi. Bashkëshortja e gjeneralit ishte një zonjë rreth të pesëdhjetave e cila me pamjen elegante, sjelljen e hijshme, dhe fjalët e saj të mençura i bënte nder racës shqiptare në Turqi.

Ambasadori Bilal Shimshir nuk ishte i pranishëm gjatë vizitës të delegacionit shqiptar në Turqi, ngaqë zoti Shimshir ishte në ditët e fundit të madatit të tij si ambasador i Turqisë në Shqipëri. Gjatë vizitës në fjalë ishte i pranishëm ambasadori i ri, i sapo emëruar nga pala turke, të cilin zyrtarët turq ia prezantuan delegacionit shqiptar.

Ndonjë vit më vonë, unë kam qenë pjesë e një delegacioni gazetarësh nga Shqipëria në Turqi dhe kam ndjerë jehonën e kësaj vizite të Rita Markos në Turqi, ashtu si dhe kam përjetuar ndjenjat tejet miqësore të autoritetve më të larta zyrtare turke ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ndaj dhe rrëfimi i zotit Shimshir më duket shumë i sinqertë.

VIZITA NË TURQI E RITA MARKOS, ZËVENDËSKRYETAR I PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR TË SHQIPËRISË

(22-27 MARS 1988)

Bilal Shimshir

Një delegacion parlamentar turk i kryesuar nga Nexhmetin Karaduman (Necmettin Karaduman), kryetar i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, kishte zhvilluar një vizitë zyrtare në Shqipëri në marsin e vitit 1987. Tani një delegacion parlamentar shqiptar do të vizitonte Turqinë. Në nëntor të vitit 1987 në Turqi u bënë zgjedhjet e parakohshme dhe në vend të Karadumanit u zgjodh Jëlldërëm Akbullut  (Yıldırım Akbulut).

Njoftova zyrtarisht Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë për qeverinë e re, dhe për zgjedhjen e kryetarit të ri të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë. Shqiptarët njoftuan se dëshironin të dërgonin sa më shpejt një delegacion parlamentar në Turqi. Më 29 dhjetor njoftova Ankaranë:

 

“… Duket se Petro Dode, kryetar i Kuvendit Popullor të Shqipërisë, dëshiron t’i kthejë pa humbur kohë vizitën Zotit Nexhmedin Karaduman, i cili erdhi në Shqipëri në mars të vitit 1987. Më tha privatisht se do të mund ta vizitonte Turqinë brënda dhjetorit. Kur u bënë zgjedhjet e përgjithshme në vendin tonë, filloi të merakosej nëse Zoti Karaduman do të rizgjidhej përsëri kryetar. Kur e mësoi se nuk u zgjodh, më pyeti se kush ishte kryetari i ri. Këto pyetje bëhen nga padurimi për të vizituar Turqinë, dhe dëshira e tij që kryetari i ri të përsërisë ftesën… Pres udhëzime.” 

 

Me këtë radiogram filluan përgatitjet për vizitën në Turqi të delegacionit shqiptar të kryesuar nga Rita Marko. Kujtova Ankaranë për këtë vizitë dhe fillova të mobilizoj të interesuarit. Në fillim më erdhi një përgjigje paraprake. Ndërsa po përgatitej programi i takimeve me përfaqësuesit e shteteve të ndryshme për kryetarin e ri të sapozgjedhur, e kishin njoftuar kryesinë e parlamentit të përfshinte në program edhe delegacionin e Kuvendit Popullor të Shqipërisë.

Këtë çështje ma hapën pas një jave, gjatë një vizite, edhe në  Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë. U transmetova informacionin që kisha marrë nga Ankaraja. U thashë se kryetari sapo është zgjedhur, po i përgatitin programin e takimeve me të huajt dhe e kemi shënuar vizitën e delegacionit shqiptar. Desha t’u thoja të kishin durim, por përsëri ata ishin të paduruar.

Më 23 shkurt më erdhën informacione konkrete nga Ankaraja. Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë ftonte në Turqi kryetarin e Kuvendit Popullor, bashkëshorten e tij dhe një delegacion. Propozonte datat 14-19 dhe 21-26 mars. Në varësi të linjave ajrore, këto data mund të lëviznin nga një ditë. Do të ishte një vizitë gjashtëditore. Ftesën e Zotit Akbullut ia njoftuam më 25 shkurt, me notë, Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Më 8 mars më thirrën në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Më njoftuan se ishte vendosur që delegacioni parlamentar shqiptar do të vizitonte Turqinë më  21-26 mars 1988 dhe nuk do të kryesohej nga Petro Dode, por nga Rita Marko, zëvendëskryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Që të mos çuditeshin në Ankara, dërgova menjëherë një radiogram shpjegues ku theksoja:

 

             “Rita Marko është zëvendësi i parë i presidentit Ramiz Alia.  Është personi i dytë në hiearkinë shtetërore shqiptare. Kryetari i Kuvendit Popullor të Shqipërisë, i cili mblidhet dy herë në vit ose nuk mblidhet fare për një vit, është vetëm formalisht si kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë. Në këtë aspekt, caktimi i Rita Markos si kryetar i delegacionit parlamentar shqiptar është një vendim i goditur, dhe tregon se shqiptarët i kushtojnë rëndësi të madhe kësaj vizite.”

 

Pastaj dërgova një radiogram tjetër, ku e lija në vlerësimin e Ankarasë pritjen e Rita Markos nga presidenti Kenan Evren. U kujtoja se Ramiz Alia e kishte pritur Karadumanin dhe kishte shtruar drekë për të.

Mendova se mund të më kërkonin nga Ankaraja se “Kush është Rita Marko?, prandaj vendosa t’i njoftoj unë para se të më pyesin. Nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë kërkova jetëshkrimin e Rita Markos. Asnjë përgjigje. Ishte sekret! Por dihet se në raste vizitash të tilla shkëmbehen biografitë e mysafirëve, dhe të mikpritësve. Në Ankara do të presim një mysafir shqiptar shumë të rëndësishëm. Por biografinë e tij na e fshehin sikur të ishte sekret shtetëror. Në këtë regjim policor shqiptarët kanë një koncept të tillë për sekretin sa nuk ta pret mendja. Ky koncept me ngjallte shumë shqetësime dhe më pengonte në punë. Vizitoja disa kryetarë të komiteteve ekzekutive.

Pyesja për diçka, më përgjigjeshin “Nuk e dimë, pyesni në Ministrinë e Jashtme”. Sikur ti pyesja si e kishin emrin, mund të më përgjigjeshin “Nuk e di, pyesni në Ministrinë e Jashtme. Si të thonë ata, ashtu e kam.”  Edhe këtë herë pyesja në Ministrinë e Jashtme, por ata nuk e nxirrnin “sekretin”.  Më vinte të shkulja flokët. Më në fund mblodha diçka, dhe informova Ankaranë.

Rita Marko kishte lindur në Korçë në vitin 1920. Në 1942 kishte hyrë në Partinë Komuniste të Shqipërisë, në 1948 në kongresin e parë të partisë ishte zgjedhur anëtar i Komitetit Qendror. Më 1954 ishte zgjedhur anëtar i Byrosë Politike. Ishte një ndër anëtarët më të vjetër të Byrosë, më shumë edhe se Ramiz Alia. Në vitin 1966 ishte zgjedhur zëvendëskryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe kishte qenë dhjetë vjet në atë detyrë. Edhe kur Ramiz Alia u zgjodh president, përsëri Marko mbajti të njëjtin funksion. Edhe në vitin 1988 ishte në këtë detyrë. Me fjalë të tjera, Rita Marko në atë kohë ishte udhëheqësi numër dy në Shqipëri. Ishte personi i dytë menjëherë pas presidentit Alia.

Më 12 mars dërgova një radiogram në Ankara. Njoftova se në mëngjesin e 15 marsit do të takoja Rita Markon dhe do t’i merrja mendimin për projektprogramin e vizitës, të cilin do t’ia përcillja nëse do të ma dërgonin nga Ankaraja. Pas dy ditësh më erdhi projektprogrami. Në të parashikoheshin këto veprimtari :

Dita e parë: Vizitë te kryetari i Parlamentit, Akbullut, pastaj te i ngarkuari me detyrën e Ministrit të Punëve të Jashtme, Mehmet Yazar (atë ditë ministri i Punëve të Jashtme Mesut Jëllmaz do të ishte në Aman), dhe darkë zyrtare e shtruar nga Akbullut.

Dita e dytë: Në mëngjes homazhe në Maozelumin e Ataturkut, Pasdite parashikohen pritje të delegacionit nga kryeministri dhe presidenti, të cilat do të konfirmohen më vonë. Në darkë pritje e ambasadorit shqiptar në Ankara. Pas pritjes delegacioni me avion të posaçëm do të shkojë në Izmir, ku do të sistemohet në hotelin Byjyk Efes.

Dita e tretë: Vizita në vende historike dhe turistike të Izmirit. Dreka do të jetë e lirë. Pasdite do të vazhdojnë vizitat. Prefekti i Izmirit Nevzat Ajaz do të japë një darkë zyrtare.

Dita e katërt: Delegacioni nga Izmiri do të kthehet në Stamboll. Ku do të sistemohet në Hotelin Sheraton. Dreka e lirë. Pasditë do të shkohet në Kapallë Çarshë, ndërsa në mbrëmje prefekti i Stambollit Xhahit Bajar do të organizojë një darkë zyrtare.

Dita e pestë: Vizita në pallatin Dollmabahçe, në Muzeun e Shën Sofisë, dhe në xhaminë Sulltan Ahmet. Dreka  në restorantin Konia në Topkapë.  Pas drekës, vizitë në Top Kapë, dhe shëtitje me anije. Darka e lirë.

Dita e gjashtë dhe e fundit: Largimi nga Turqia.

 

Në mëngjesin e 15 marsit mora projektprogramin dhe shkova te Rita Marko. I dhurova disa materiale njohëse për Turqinë, disqe muzikorë dhe broshura. E informova shkurtimisht  për programin e vizitës. I theksova se po të  kishte dëshira të veçanta për programin, do të njoftoja menjëherë Ankaranë. Mbeti  i kënaqur, dhe më falenderoi.

Rita Marko më foli gjatë për miqësinë turko-shqiptare. Më tha se programin e vizitës ta vlerësojë mikpritësi. Vetëm se, duke theksuar se do të çonte në Turqi përshëndetjet dhe urimet më të mira të liderit Ramiz Alia, më la të kuptoj se priste të takohej me presidentin Kenan Evren. Edhe më parë i kisha shkruar Ankarasë që i ftuari ynë të pritej nga presidenti. I shkrova përsëri.

I nisa disa radiograme personale këshilltarit Berhan Ekinci që ishte referent për Shqipërinë në Ministrinë tonë. Krahas atyre që kisha theksuar në radiograme, i përcolla edhe disa të dhëna plotësuese. Për shembull, e njoftova se Rita Marko ishte vjehrri i Nasho Bakallit, sekretar i parë në Ambasadën shqiptare në Ankara, dhashë disa këshilla për dhuratat etj. Përpiqesha që të ftuarit e nivelit të lartë të ngeleshin të kënaqur, dhe që vizita të  ishte e suksesshme.

Përgatitjet po shkonin mirë. Por pati probleme me programin e udhëtimit, se si Rita Marko do të shkonte në Ankara. Ministria e Punëve të Jashtme e  Shqipërisë na njoftoi zyrtarisht se delegacioni më 22 mars 1988, ditën e martë, nga Tirana do të shkonte me avion në Zyrih, se atje do të kalonte natën dhe të nesërmen do të udhëtonte në linjën Zyrih-Ankara me avionin e Sëissair-it me numër  fluturimi SR-322 dhe do të mbërrinte në Ankara në orën 15:40 me orën lokale.  Këtë njoftim ia përcollëm Ankarasë dhe mbështetur në të u përgatit edhe programi. Domethënë vizita do të fillonte në pasditen e 22 marsit, por nuk dihej se kur do të përfundonte. Pyeta zyrtarisht se kur mendohej që delegacioni  të largohej nga Turqia. Nuk mora përgjigje.

Data e nisjes po afrohej. Më vinin radiograme urgjente njëri pas tjetrit.  Ankaraja më pyeste për të hartuar programin përfundimtar. Në mbrëmjen e 15 marsit na erdhi një radiogram urgjent. Më kërkonin se kur do të nisej Rita Marko, kur do të mbërrinte, dhe kur do të largohej nga Turqia. Atë natë nuk më zuri gjumi. U shqetësova shumë.

Në mëngjesin e 16 marsit puna e parë që bëra ishte të pyesja Ministrinë e Jashtme. Në cilën ditë, në cilën orë… Nuk  merrnim asnjë përgjigje. Kalojnë orët.  Asnjë përgjigje nga miqtë tanë shqiptarë. Nga dreka i dërgova radiogram Ankarasë. Theksova se pres përgjigje nga shqiptarët dhe do të njoftoja menjëherë sapo ta merrja.

U stresova, më dhimbte stomaku dhe më merreshin mendtë. Erdhi doktori, më tha se më ishte acaruar gastriti dhe iku. Në mbrëmje do të shtroja një darkë për delegacionin e Rita Markos dhe kisha frikë se mos më binte të fikët në prani të të ftuarve. Deri në mbrëmje nuk mundëm të merrnim përgjigje nga Ministria e Jashtme.

Në mbrëmje Rita Marko erdhi në darkën që shtruam në Ambasadë. Bashkë me të ishin edhe të gjithë anëtarët e delegacionit dhe shefi i protokollit Kostaq Çifligu. Në delegacion ishte përfshirë edhe ambasadori  Petraq Pojani, i cili dinte gjuhë të huaja dhe ishte një farë këshilltari për Rita Markon. Edhe ai ka ardhur në darkë. I vështroj, të gjithë janë të qetë dhe në qejf. Njerëz pa probleme, mendoj. Hanë, pijnë, bëjnë shaka. “Sonte këtu ne filluam vizitën në Turqi, sepse kjo Ambasadë është territor turk”, më thotë Rita Marko.  Ndërsa unë mendoj të mësoj se kur do të shkojnë në Ankara që të mund të njoftoj Ministrinë. Shifranti është i gatshëm, Ndoshta këtë natë do të mund t’i dërgoj një radiogram. Por nga të ftuarit nuk nxjerr dot asnjë fjalë. Sillen dhe hiqen pjatat, pihet kafe, por kur ngrinin dolli me konjak më tregojnë sekretin: Do të udhëtojnë më 22 mars dhe do të mbërrijnë në Ankara në orën 15.40, dhe do të kthehen më 27 mars duke u nisur nga Ankaraja në orën 16.40. Lajm fort i bukur. “Jeni të sigurtë, se mos e keni gabim?” matem të them.  “Është e vërtetë?”, i kthehem Petraq Pojanit,  i cili merret vesh se do të jetë udhërrëfyesi i delegacionit dhe që e di shumë mirë punën e avionit.  Edhe ai  ma  konfirmon këtë informacion të vyer. Ndërsa ne vazhdojmë bisedën në sallon, shifranti dërgon urgjentisht radiogramin në Ankara. Më në fund shpëtova. Edhe unë gjithë qejf  ngre një dolli:  “Gëzuar!”

Të nesërmen u ndesha me një surprizë krejt të re. Më erdhi një mesazh urgjent nga Burhan Ekinci, shef i sektorit për Evropën Lindore në Ministri.

 

            Urgjent, 18 mars (16.45). Nga Ministria e Punëve të Jashtme për Ambasadën në Tiranë

 

“I nderuari Ambasador Bilal Şimşir, 

             Sipas informacioneve të marra pak më parë nga Sëissair, më 22 mars  avioni me numër fluturimi SR-320 në Ankara nuk do të mbërrijë më 15.40,  por në 17.20. Kjo  për  faktin se avioni pasi të niset nga Zyrihu do të ndalojë në Tiranë për të marrë delegacionin. Ndërsa më parë ishte njoftuar se më 21 mars  delegacioni do të shkonte në Zyrih ku do të kalonte natën. Për të trajtuar diferencën prej dy orësh në ndryshimin e programit, ju lutem të kontaktoni me të interesuarit dhe të na njoftoni. 

            Me konsideratë, Berhan Ekinci”

 

E rilexoj dhe nuk mund ta besoj. Pra miqtë tanë shqiptarë na kishin dhënë informacion të gabuar. Dhe ne duke i konsideruar të sakta i transmetuam në Ministri dhe pa dashje kemi mashtruar Ankaranë. Shqiptarët paskan bërë diçka të paimagjinueshme. Kanë devijuar avionin e linjës Zyrih-Ankara, dhe e kanë detyruar të ulet në Tiranë.

Kush e di se si janë marrë vesh me zviceranët. Domethënë delegacioni i Rita Markos paska hequr dorë nga shkuarja në fillim në Zyrih dhe për të fluturuar më pas drejt Ankarasë. Paskan vendosur t’i hipin avionit në Tiranë dhe pastaj direkt në Ankara. Me të vërtetë për t’u hequr kapelen!

Por askush nuk e kishte parë të arsyeshme të njoftonte në kohë ndryshimin e orës së mbërritjes së avionit në Ankara. Përkundrazi, këtë ndryshim  na e fshihnin si të ishte sekret shtetëror. Në këtë regjim të mbyllur ka një konceptim të paimagjinueshëm për sekretin. E ruajnë kaq shumë sekretin sa na fshehin edhe orën e mbërritjes në Ankara, e cila na duhet për të përgatitur programin. Ministria jonë këtë ndryshim e mëson nga Sëissair, dhe na pyet nëse është e vërtetë. Mbrëmë Rita Marko ishte i ftuar në Ambasadën tonë. U ulëm në një tryezë.  Ndodhej edhe shefi i protokollit. Nuk na thanë asnjë fjalë për  këtë ndryshim. Nuk është turp kjo që kanë bërë? Hajde të themi se mbrëmë nuk  dinin gjë për këtë ndryshim, por kur e mësuan nuk mund të na njoftonin? Një veprim i pakuptueshëm. Për shkak të veprimeve foshnjarake të shqiptarëve, në çdo vizitë na dalin probleme. Edhe çështja më e thjeshtë ndërlikohet dhe bëhet lëmsh.

Sapo mora mesazhin e Berhan Ekinci vrapova te shefi i protokollit Kostaq Çifligu. E pyeta nëse ishte i vërtetë ndryshimi i orarit. Bëlbëzoi diçka dhe nuk deshi të nxjerrë sekretin. I them se sot duhet të njoftoj Ankaranë. A është i vërtetë ndryshimi i orarit?  “Më duhet të bisedoj me delegacionin”, ma ktheu. Pra, do të pyesë nëse duhet të na mbajnë sekret faktin se avioni zviceran do të ndalojë në Tiranë, do të marrë delegacionin e Rita Markos dhe do ta dërgojë në Ankara dhe si pasojë do të ndryshojë ora e mbërritjes në Ankara. U ktheva duarbosh në Ambasadë dhe  dërgova një mesazh paraprak duke pritur përgjigjen përfundimtare nga protokolli shqiptar.

Kaluan orët, erdhi mbrëmja. Vetëm në orën 19.00 protokolli njoftoi konfirmoi informacionin që kishim marrë një ditë më parë nga Sëissair.  Po, avioni zviceran do të mbërrijë në  Ankara më 22 mars në orën 17.20.  Njoftimin ia transmetova menjëherë Ankarasë.

(Vijon)

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *