Konkurimi për kuotat e reja të pranimeve në ciklin e dytë të studimeve “Master” jo vetëm në Universitetin e Tiranës, por edhe institucionet e tjera të arsimit të lartë do të zhvillohen përgjatë muajit shtator dhe tetor. Edhe për garën e këtij viti, konkurimi do të zhvillohet me anë të dosjes, ndërkohë që mesatarja e studimeve të ciklit të parë, si dhe ngjashmëria e degës do të jenë kriteret vendimtare në përzgjedhjen e fituesve të rinj që do të pranohen në këto programe përgjatë 2020-s. Fakultetet kanë zbardhur tashmë edhe prioritet shtesë që do të zbatohen për përzgjedhjen e fituesve të rinj që do të mund të ndjekin programet e “Masterit profesional” dhe “Masterit shkencor” për vitin e ri akademik 2020-2021.
Afatet e konkurimit
Sipas vendimit të marrë nga Senati Akademik i Universitetit të Tiranës, aplikimet në programet e studimit të ciklit të dytë me kohë të plotë, për të gjitha kategoritë e kandidatëve do të bëhen pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore të secilit fakultet, përkatësisht deri më datën 11 tetor.
Kandidati duhet të paraqitet personalisht ose nëpërmjet personit të autorizuar prej tij dhe të dorëzojë dokumentacionin e përcaktuar për aplikim, të cilin e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit. Pas mbylljes së aplikimeve, komisionet në nivel institucioni do të vlerësojnë kandidatët që plotësojnë kushtet për të ndjekur këto programe studimi.
Shpallja e aplikantëve fitues të ndarë sipas programeve të studimit përkatës, të renditur sipas rendit zbritës të pikëve të grumbulluara nga secili prej tyre, në përputhje me kuotat e pranimeve, të miratuara do të bëhet zyrtarisht në datën 22 tetor. Ndërsa procedurat e ankimimit për të pakënaqurit do mund të bëhen brenda tre ditëve kalendarike nga data e shpalljes së rezultateve. Më pas do të nisë edhe procesi i regjistrimit të kandidatëve në programet e studimit ku janë shpallur fitues. Ky proces do të bëhet deri në datën 6 nëntor.
Kush duhet të aplikojë?
Ekspertët e arsimit të lartë bëjnë me dije se kanë të drejtë të aplikojnë për programet e ciklit të dytë, kandidatët që plotësojnë këto kushte: “Kanë përfunduar me sukses studimet dhe janë pajisur me diplomën përkatëse të vlefshme në Republikën e Shqipërisë në një program të ciklit të parë, i cili rezulton i licencuar në momentin e regjistrimit të studentit, dhe akredituar në momentin e diplomimit të studentit, si dhe kandidatët që janë diplomuar jashtë vendit në një program studimi të ciklit të parë, të akredituar. Në rast pranimi kandidati është i detyruar të kryejë njësimin e diplomës pranë QSHA-së brenda afateve të përcaktuara”.
Dokumentet që duhen për konkurim
Çdo kandidat në afatet e konfirmuara duhet të dorëzojë dosjen me dokumentet e përcaktuara. Mbi bazën e këtyre dokumenteve do të bëhet edhe renditja e fituesve. Konkretisht në dosjen e aplikimit duhet të përfshini Diplomë, ose fotokopje të saj të njësuar me origjinalin, të ciklit të parë të studimeve të përfunduar në Republikën e Shqipërisë. Diplomës së ciklit të parë të studimeve të përfunduar jashtë vendit, të shoqëruar me fotokopje të diplomës të njësuar me origjinalin, ose, në mungesë të saj, të një dokumenti tjetër zyrtar mbi bazën e të cilit është kryer njësimi në Republikën e Shqipërisë, të lëshuar në vendin ku ka kryer studimet që i lejon regjistrimin dhe vazhdimin e studimeve universitare në vendin përkatës.
Pjesë e dokumenteve duhet të bëni edhe Diplomën e Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave ose fotokopje të tyre të njësuar me origjinalin, e konfirmuar nga institucioni përkatës arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar (DRAP/ZVAP). Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara hyrjes në fuqi të vendimit nr. 876, datë 3.11.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për disa ndryshime në vendimin nr. 78, datë 8.2.2006 të Këshillit të Ministrave “Për krijimin e Maturës Shtetërore dhe pranimet në shkollat e larta publike”, i ndryshuar”, paraqesin Dëftesën e Pjekurisë (origjinal ose fotokopje të saj, të njësuar me origjinalin, të konfirmuar nga institucioni përkatës arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar (DRAP/ZVAP).
Në qoftë se kandidatët nuk posedojnë dëftesë pjekurie të shkollës së mesme, duhet të paraqesin dublikatë të dëftesës së pjekurisë, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme ku ka përfunduar shkollën dhe të konfirmuar nga institucioni përkatës arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar (DRAP/ZVAP), ose dokumentin e lëshuar nga Arkivi i Shtetit së bashku me listën e notave.
Dokumente të tjera që duhet të përfshini në dosje janë edhe: Formulari i aplikimit, sipas formatit të përcaktuar, fotokopjen e dokumentit të identifikimit (kartë identiteti, letërnjoftim ose pasaportë), si dhe dy fotografi personale.
Kuotat për Universitetin e Tiranës
Në të dy nivelet e ciklit të dytë të Universitetit të Tiranës për vitin e ri akademik do të pranohen në total 6134 studentë të rinj, prej të cilëve 3597 do të ndjekin programet e “Masterit shkencor”, si dhe 2537 kandidatë do të ndjekin programet e “Masterit profesional”. Ndarjen e plotë të kuotave për secilën kategori e gjeni të detajuar në tabelën bashkangjitur shkrimit.
Somarjo :
Kanë të drejtë të aplikojnë për programet e ciklit të dytë, kandidatët që plotësojnë këto kushte: “Kanë përfunduar me sukses studimet dhe janë pajisur me diplomën përkatëse të vlefshme në Republikën e Shqipërisë në një program të ciklit të parë, i cili rezulton i licencuar në momentin e regjistrimit të studentit, dhe akredituar në momentin e diplomimit të studentit, si dhe kandidatët që janë diplomuar jashtë vendit në një program studimi të ciklit të parë, të akredituar
NDARJA E KUOTAVE PËR PROGRAMET “MASTER SHEKNCOR”:
- Kuotat e pranimit për kandidatët studentë brenda vendit 3145
- Kuotat e pranimit për kandidatët studentë nga trojet shqiptare 296
- Kuotat e pranimit për kandidatët studentë shtetas të huaj 61
- Kuotat e pranimit për kandidatët studentë nga kategoritë e veçanta me statusin e personit me aftësi të kufizuar, me statusin e jetimit, si dhe kandidatët romë dhe egjiptianë 168
- Kuotat e pranimit për kandidatët që aplikojnë për transferim studimesh 109
- Kuotat e pranimit për kandidatët që aplikojnë për program të dytë studimi 178.
NDARJA E KUOTAVE PËR PROGRAMET “MASTER PROFESIONAL”:
- Kuotat e pranimit për kandidatët studentë brenda vendit 2080
- Kuotat e pranimit për kandidatët studentë nga trojet shqiptare 174
- Kuotat e pranimit për kandidatët studentë shtetas të huaj 29
- Kuotat e pranimit për kandidatët studentë nga kategoritë e veçanta me statusin e personit me aftësi të kufizuar, me statusin e jetimit, si dhe kandidatët romë dhe egjiptianë 109
- Kuotat e pranimit për kandidatët që aplikojnë për transferim studimesh 41
- Kuotat e pranimit për kandidatët për një program të dytë studimi 104
AFATET E KONKURIMIT DHE REGJISTRIMIT NW PROGRAMET E MASTERIT PWR 2020-N

