Gjermania dhe Franca janë shfaqur sërish në krye të iniciativës politike, për një thellim të mëtejshëm të Eurozonës. Thellim, që do të çojë gradualisht në një ndarje të shteteve të Unionit në dy kategori, shtete të “klasit të parë” dhe shtete të “klasit të dytë”. Ministrat e Ekonomisë së Francës dhe Gjermanisë kanë dalë dje, me një artikull-opinion, ku rihedhin idenë e një Eurozone me bashkëpunim të përforcuar, nëpërmjet një rishikimi të arkitekturës institucionale të BE-së. Por, çfarë parashikon ky projekt politik, dhe si janë të pozicionuar shtetet e Unionit ndaj kësaj iniciative ?
Reflektimi, që solli gradualisht kriza ekonomike dhe pasojat e saj në disa prej vendeve të Unionit, përforcoi idenë politike tashmë të mbështetur nga Berlini, për një integrim më të thellë politik dhe ekonomik. Pra, një projektim me frymëzim federal. Por, një thellim, i cili nuk do të kryhet mbi BE-28, por vetëm me vendet e Eurozonës (19 shtete). Ky projekt synon një përforcim politik dhe ekonomik të Eurozonës, thellim të politikave fiskale dhe buxhetore, duke krijuar mundësinë për një rol më të madh kontrollues dhe stabilizues. Sigurisht duke nënkuptuar edhe lëshime të tjera të kompetencave kombëtare drejt atyre evropiane.
Kjo ide do të kërkojë edhe skicimin e një arkitekture institucionale. Pra, nëse dy ministrat flasin për krijimin e një grupimi të Eurozonës në Parlamentin Evropian, idetë e propozuara në kohë kanë përfshirë, krijimin e një dhome të dytë në PE, që mund të funksionojë si Senat ose në formën e një nën/Komisioni. Projekti parashikon gjithashtu edhe krijimin e postit të një Komisioneri të Euros, i cili jo vetëm do të përfaqësojë këtë eurozonë të fortë, të fokusuar mbi politikat fiskale, rritjen ekonomike, investimet dhe zhvillimin e punësimit, por propozimet shkojnë dhe në dhënien e kompetencave më të larta, si e drejta e vetos ndaj buxheteve kombëtare.
Evropa e “klasit të dytë”
Por, çdo të ndodhë me vendet e tjera, që nuk janë pjesë e Eurozonës?
Projekti franko-gjerman teksa konfirmon se, një Eurozonë e fortë do të jetë bërthama e një Unioni të thelluar, përqendrimi për shtetet e tjera jashtë Eurozonës duket se, do të fokusohet tek Tregu i Përbashkët, si instrument thelbësor i integrimit të BE-së. Pra, propozohet një hap përpara drejt një tregu të brendshëm të integruar në mënyrë më të kënaqshme, me një përqasje të fokusuar në sektorë kyçë, si energjia dhe ekonomia dixhitale.
Duket se, insistimi dhe rëndësia, që po kushtohet ndaj Tregut të Përbashkët, ofrohet si një platformë e rëndësishme ndaj pretendimeve britanike, për një vëmendje të lartë ndaj kësaj politike. Por, nuk duhet anashkaluar fakti, se Britania e Madhe, në këto momente po kërkon rishikim të interesave të saj në Union, reformim të Unionit, si edhe rishikim të mundshëm të traktateve. Mirëpo, ndonëse vëmendja britanike ka një interes të veçantë ndaj politikave të Tregut të Përbashkët, ajo është shfaqur vazhdimisht në kundërshtim të hapur, të skemës federale që propozon de facto një ndarje të Unionit, në dy grupe, ku grupi i vendeve të dyta do të jetë viktimë e vendimmarrjeve të grupit të klasit të parë, pasi është i përjashtuar nga procesi i vendimmarrjes.
Argumenti britanik ndaj kësaj ideje, ka ekspozuar rrezikshmërinë e legjitimitetit dhe funksionimit demokratik të Unionit. Kundërshtimet në kohë, të kreut të qeverisë britanike Kamerun, janë drejtuar si ndaj zhvlerësimit të fuqisë britanike në Union, por edhe të zhvlerësimit të fuqisë së eurodeputetëve britanikë në PE, nëpërmjet krijimit të një grupimi të zonës Euro në Parlament, apo një mini Parlamenti brenda Parlamentit të madh.
Përveç Britanisë së Madhe, të pakënaqur janë shprehur ndaj kësaj ideje edhe vendet e ish-kampit lindor. Këto vende së bashku me Britaninë e Madhe, Danimarkën dhe Suedinë, janë përpjekur të ushtrojnë presion politik, duke hedhur idenë e krijimit të një grupimi kundër balancues, ku mund të aderojnë të gjithë vendet, jo pjesë e Eurozonës. Qëllimi do të jetë balancimi i pushteteve dhe i presionit mbi politikat vendimmarrëse të grupimit të parë, me konture federale.
Ballkani Perëndimor
Në rast se, projektimi i një Unioni me tendenca federale i kategorizuar në dy grupe, do të mund të realizohet, pavarësisht presioneve refuzuese, zgjerimi mund të ketë nuanca lehtësuese. Kriteret mund të thjeshtëzohen për t’u bërë pjesë e Evropës së “klasit të dytë”. Gjithsesi hamendësimet ngelen të një niveli hipotetik. Këto hamendësime përfshijnë si një zgjerim më të përshpejtuar ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe një përqasje më afruese të Unionit, ndaj vendeve të partneritetit lindor.
Përplasja e idesë federale me politikat e zgjerimit, është shprehur herët nga Parisi, duke argumentuar një mosfunksionim të një Unioni të zgjeruar:
“Nuk mund të bëhet një monedhë e përbashkët pa papërputhshmëri ekonomike dhe integrim ekonomik. Është e pamundur. Përkundrazi, nuk mundet që dikush të mbrojë çështjen e federalizmit dhe në të njëjtën kohë të kërkojë edhe zgjerimin e Evropës. Është e pamundur. Ka një kontradiktë. Ne jemi 27. Natyrisht që do të hapemi ndaj Ballkanit. Do të bëhemi 32, 33, 34. Imagjinoj se askush nuk mendon se federalizmi, integrimi total, është i mundshëm me 33,34,35 vende…..(…) “ A mund të kemi të njëjtat rregulla për të 27-të? Jo, absolutisht, jo…(…) . Në fund, qartësisht, do të ketë dy marshe evropiane: një marsh drejt një integrimi më të lartë në Eurozonë dhe një marsh, që është më shumë konfederal në Bashkimin Evropian.”
(Nikola Sarkozi- i ftuar në Universitetin e Strasburgut, 2011)
Domosdoshmëria për një thellim të integrimit politik dhe ekonomik të Unionit është e pakontestueshme. Në rast se Britania, nuk do të ishte një kundërshtuese e fortë e projektit federal, ndoshta aksi Paris-Berlin do të kishte avancuar, në projektin tashmë të skicuar. Nevojshmëria për një thellim politik, i shërben qëndrueshmërisë dhe fuqizimit të monedhës së përbashkët. Analistët ekonomikë insistojnë mbi faktin se fuqia e euros, nuk mund të jetë e tillë, për sa kohë si Dollari edhe Jeni kanë përfaqësime politike të strukturuara mjaft qartë: qeveri, buxhet qendror, kapacitet për të marrë hua dhe për të rritur taksat. Një frymëmarrje ekonomike vlerësohet se, do të sillte kontributet e saj në një platformë më të gjerë, në nivel evropian.
Pavarësisht se, projektimi federal, ka renditur një sërë interesash kombëtarë të vendeve të ndryshme anëtare në përplasje, ato janë të tilla dhe aktualisht. Politikat kryesore të Unionit njohin një pjesëmarrje dhe solidaritet të fragmentarizuar. Shtetet marrin pjesë në politikat ku interesat e tyre kombëtare theksohen dhe refuzojnë të bëhen pjesë e politikave, që i shikojnë jo në favor të interesave të tyre të brendshme. Vetë pjesëmarrja në Eurozonë (19 shtete) është konfirmuese e kësaj logjike.
Gjithsesi, momenti që dy Ministrat e Ekonomisë të Berlinit dhe Parisit kanë rihedhur idenë e një Unioni në dy grupime, nuk është i rastësishëm. Britania e Madhe po kërkon rishikim të interesave të saj në Union. Berlini ka shprehur predispozitën, se do të jetë bashkëpunues në rishikim të interesave të ndjeshme britanike. Ndoshta ky mund të jetë edhe momenti ideal, ku rishikimi dhe rimodelimi i interesave të palëve, mund të hasë në një pikë përbashkimi, ndërmjet një shpërndarje të lehtë të influencave mes një grupimi të Eurozonës me tendenca federale, të përqendruar në aksin Berlin-Paris dhe një grupimi me fokus të lartë në thellimin e politikave integruese të tregut të brendshëm të përbashkët, të kryesuar nga Britania e Madhe. Unioni nuk dëshiron aspak daljen e Britanisë nga BE, por as Kamerun nuk kërkon një dalje të Britanisë nga Unioni. Presionet janë në vazhdën e logjikës së një ripozicionimi më të favorshëm të interesave specifikë. Është momenti që edhe Unioni duket se do ta shfrytëzojë këtë hapësirë shkëmbimesh, drejt avancimit të një opsioni federal, ku Britania e Madhe me peshën e saj, është shfaqur si një nga pengesat reale./im.ta/