ALKO, një projekt i mundshëm bashkimi Shqipëri-Kosovë, ka shkaktuar reagime kundërshtuese në nivel evropian. Reagime, që përmblidhen në një pikë te vetme, ide e papranueshme. Ndonëse nuk shpjegohet arsyeja e refuzimit kategorik, pretendohet se, kuptohet mjaft mirë nga pala shqiptare, mos tentimi i kësaj ideje. Por, a mund të konsiderohet e papranueshme ideja e një bashkimi (pavarësisht formës), teksa vetë BE ka në gjirin e saj Unione dhe bashkime të ndryshme mes vendeve anëtare ? Si është pozicionuar BE përballë projekteve të njëjta në Serbi dhe Greqi ?
Deklaratat e kreut të qeverisë shqiptare mbi alternativat e bashkimit Kosovë-Shqipëri, nuk janë mirëpritur në nivel evropian. Reagimet, që kanë ardhur nga Unioni apo nga eurodeputetë të ndryshëm në lidhje me një bashkim të mundshëm Shqipëri-Kosovë, janë tërësisht refuzuese.
Reagimet, që shoqëruan seancën e djeshme mbi projekt-rezolutën e Shqipërisë në Komisionin e Jashtëm të PE-se, shkuan në të njëjtin drejtim, papranueshmëri. Madje, edhe seanca e sotme e votimit, u hap me një pyetje ironike nga një eurodeputet, i cili kërkonte të dinte “nëse Shqipëria dhe Kosova bashkohen, Rezoluta që do të votohet për Shqipërinë, a do të aplikohet dhe në Kosovë ?!”.
Edhe reagimi sugjerues i kreut të Komisionit të Jashtëm, Elmar Brok, i PPE-së, që gjithsesi lë hapësirë për interpretim nga terreni sarkastik, në atë ironik, pa anashkaluar sigurisht edhe terrenin e logjikshëm konstruktiv, shkonte drejt formulimit të një amendamenti, i cili mund të specifikonte thjesht që “kjo Rezolutë aplikohet vetëm për Shqipërinë”.
Pa përmendur, shpejtësinë dhe mprehtësinë e reagimeve, që vijnë nga Unioni sa herë bëhet fjalë për ndonjë deklaratë nga terreni shqiptar, në ndryshim të ndjeshëm nga deklaratat e vazhdueshme të fqinjëve mbi hapësira të pretenduara shqiptare, vëmendje tërheqin nga njëra anë, jo vetëm pranueshmëria e bashkimeve brenda një kombi të ndarë (Gjermani), por edhe ekzistenca e formave të ndryshme të bashkimeve brenda kombeve jo të njëjta. Bashkime, apo Mini-Unione, që funksionojnë në forma të përkryera brenda vetë Unionit.
BENELUX, apo bashkimi mes Belgjikës, Holandës dhe Luksemburgut, është një Union brenda Unionit. Një strukturë bashkëpunimi perfekte midis tre vendeve, që i shërbeu si shembull edhe vetë Unionit në filimet e tij. Me një bashkëpunim të lartë ekonomik, struktura unifikuese ka shtrirë zgjerimin në nivele politike, në fushën e drejtësisë, punëve të brendshme, sigurisë, etj. Një bashkim, që ka mundësuar maksimalizimin e vullnetit politik të tre vendeve, në politikat e Unionit.
Asambleja Baltike, një tjetër Mini-Union brenda Unionit. Një bashkim mes tre vendeve, që ka ndihmuar jo vetëm në harmonizimin e objektivave të përbashkët rajonal të Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë, por falë këtij bashkëpunimi të ngushtë u mundësua edhe integrimi i suksesshëm si në BE, por edhe në NATO. Ai jo vetëm funksionon në mënyrë perfekte brenda BE-së, por ndihmon edhe në përforcimin e prioriteteve dhe objektivave të BE-së në këtë rajon, në fusha të ndryshme, si ajo e sigurisë, politikës, energjisë, etj.
Këshilli Nordik, është gjithashtu një tjetër lloj bashkimi mes vendeve nordike. I sendërtuar nën një trup ndër-parlamentar në rajonin nordik, Këshilli është formuar në vitin 1952 mes Danimarkës, Finlandës, Islandës, Norvegjisë, Suedisë si edhe ishujve pjesë përbërëse e tyre. Nën një synim të përbashkët për të rritur rolin bashkëpunues në rajon dhe jashtë tij, ky bashkim gjithashtu shfaqet si tejet funksional.
ALKO (Albania-Kosovo)
Ndër dy opsionet e hedhura, opsioni i parë “bashkim në familjen evropiane”, krijon një hapësirë interpretimi, që mund të vijojë nga një integrim i përbashkët, drejt një bashkimi në formën e një Mini-Unioni brenda Unionit. Modelet janë tashmë brenda vetë Bashkimit Evropian (BENELUX, Asambleja Baltike, Këshilli Nordik) dhe janë ekspozuar si thellësisht funksionale dhe në përforcim të plotë të prioriteteve dhe objektivave evropianë.
ALKO, një emërtim hipotetik dhe opsioni i supozuar teorikisht, shfaqet nga njëra anë jo vetëm si i domosdoshëm, në kuptimin e një bashkimi natyral brenda një kombi të ndarë, por ekspozohet edhe si i nevojshëm në përforcimin e objektivave integrues evropianë, në referim tashmë edhe të modeleve ekzistuese.
Nëse i referohemi logjikës së mësipërme, kundërshtimet në nivel evropian, nuk gjejnë terren argumentues, se pse ideja shfaqet e papranueshme.
Nëse, kundërshtimi evropian, bazohet në prishjen e një harmonie të interesave rajonalë, apo vendeve të ndryshme të rajonit, ai shfaqet në papajtueshmëri të plotë me qëndrimet e BE-së përballë situatave analoge.
Nuk duhet harruar se, krijimi i Unionit Serbi-Mali i Zi (2003), është konsideruar gjerësisht si sukses i padiskutueshëm i Politikës së Jashtme për Javier Solanën, Përfaqësuesin e Politikës së Jashtme të Përbashkët të Unionit. Dëshira e madhe e BE-së, që ky Union të funksiononte, shtrihej edhe në ofertat për rrugën e përbashkët integruese në Bashkimin Evropian, duke sugjeruar se, ndarja nuk është aspak një opsion integrues. Bashkimi Evropian, ishte gjithashtu një nga forcat kryesore të jashtme, që promovonte si krijimin, por edhe vazhdimin e funksionimit të Unionit të përbashkët Serbi-Mali i Zi.
Pa shkuar në shembuj më të hershëm të historisë evropiane, përballë çështjeve me karakter të njëjtë, po përmendim vetëm projektin ENOSIS, Unioni i Qipros greke me Greqinë. Një projekt, që ka gjetur mbështetje të gjerë në nivel evropian, pavarësisht mos realizimit të tij.
Nëse, qëndrimet e dyzuara përballë vendeve të rajonit, mbi të njëjtat çështje, lexohen nën pozicionimet e ndryshme në favor të interesave kombëtare diplomatike, eksperienca funksionale e Mini-Unioneve në BE, duhet të paktën të shmang frikën dhe tensionin, duke vlerësuar mundësinë e një thellimi të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ky vlerësim të paktën teorikisht, duhet konsideruar si një investim mbi stabilitetin dhe qëndrueshmërinë afatgjate rajonale, në promovim të padiskutueshëm të vlerave integruese evropiane.
Paralelisht me pengesat, që hasen nga përmendja teorike e opsioneve në parim, skicimi i ideve mbi një bashkëpunim të thelluar, mes një kombi, pavarësisht formës, nevojitet të shkojë edhe drejt logjikës së brendshme kombëtare, pra dëshirës popullore dhe iniciativës politike. Pavarësisht formës konkrete, që presupozon skicimi në parim, federativ, konfederativ, union i lirë, apo një model bashkimi, që mund të jetë i veçantë në formë dhe përmbajtje, vëmendja shkon drejt faktorëve thelbësorë, që bëjnë që kjo iniciativë të jetë e suksesshme. Ndonëse bëhet fjalë për një komb të ndarë, nuk duhen nënvlerësuar elementë si nevojshmëria e dyanshme për bashkëpunim, siguri se, nuk do të ketë predominim të njërës palë mbi tjetrën, vullnet për gjithëpërfshirje në interes të të gjithë palëve si edhe dëshirë për të ndarë pushtetin në koalicione të gjëra drejtuese apo bashkëpunuese, nëpërmjet konsensusit./im.ta/
