Protagonistët e asaj nate në vitin 1992, kur avioni i ish-kryeministrit Aleksandër Meksi doli nga pista në Rinas, kanë folur thuajse të gjithë.
Ata janë dakord që nuk ishte një atentat, por pista kishte probleme.
I fundit ka folur Genc Ruli, ish-ministër i Financave, i cili këmbënguli që të ktheheshin në Tiranë atë mbrëmje.
“Të gjithë jemi vënë në dijeni që në nisje se gjatë zbritjes në aeroportin e Rinasit do të përballeshim me mungesën e dritave. Për këtë na njoftuan përpara se të niseshim nga Roma. Por të them të vërtetën, besuam se e gjitha kjo histori ishte një nga ato skuzimet apo pretekstet e vazhdueshme që drejtoria që administronte aeroportin, i jepte vazhdimisht,” tha Ruli për Panoramën.
Megjithatë, Ruli thotë se një ditë përpara incidentit të tyre ishte shënuar një rast kur avioni i kompanisë Lufthansa kishte rrezikuar jetën e pasagjerëve, pasi në pistë kishte dalë një lopë.
Por përse nxitoi Ruli që të ktheheshin atë natë?
“Kishte faktikisht një urgjencë që më shtyu të këmbëngulja të nisemi atë natë nga Roma në Tiranë dhe të rrezikonim të gjithë jetët tona në Rinas. Ne duhej të vinim në Tiranë pasi ishte vizita e Gensherit, një personalitet i cili vinte për herë të parë në Shqipëri”.
“Sigurisht duhet të pranojmë se ishte një këmbëngulje naive dhe kokëfortë, por ashtu ishin ato kohëra,” thotë Ruli, duke theksuar se nuk ka asnjë mundësi që të ishte një komplot i qëllimshëm.
