A zgjedh qytetari apo zgjedh prapë kryetari?

redaktor

Shënim i Kryeredaktorit

E enjtja është e mbushur me emisione politikë. Nuk janë pak, mjerë veshët dhe sytë e atyre që i ndjekin. Mbrëmë: Koalicionet e mundshme të 25 prillit dhe Opinioni i Venecias.

Dy fjalë  për secilën.

E para, në Kushtetutën e re pas ndryshimeve të korrikut, nuk ekziston më fjala KOALICION. E kanë hequr. Nuk do ketë koalicione në këto zgjedhje. Do shohim më vonë që nuk do ketë regjistrim koalicionesh nga KQZ në këto zgjedhje. Ndryshe zgjedhjet do jenë antikushtetuese, ose të atakueshme në një Gjykatë të mëvonshme Kushtetuese.

Më poshtë dy faksimile: Versioni i vjetër kushtetues me të cilin janë bërë zgjedhjet e mëparshme dhe poshtë tij versioni i miratuar nga Kuvendi në Korrik me të cilin do votohet në 25 prill:

Kushtetuta para ndryshimeve të korrikut 2020

 

Kushtetuta pas ndryshimeve të 2020. Fjala koalicionet është zhdukur

Për këtë shkak, marifetçinjtë e përhershëm po flasin tani për lista me “parti udhëheqëse”. Djalli fshihet në detaje. Pse-ja e heqjes së koalicioneve nga Kushtetuta fsheh fuqizimin e mekanizmave ligjorë, për ta përfituar dhe ndarë partitë “e mëdha” edhe votën refuzuese të qytetarëve ndaj tyre.

E dyta, rrekja për të zbërthyer kodet e gjuhëdrunjve të Venecias është humbje kohe. Nuk është kjo qasje, përgjigja e shqetësimeve të qytetarit votues në 25 prill. Venecia apo emra të tjerë që ende shtangin dhe hutojnë për fat të keq opinionin publik, nuk ka si t’u përgjigjet pyetjeve që kanë vërtetë rëndësi. E që duhet të ishin udhëheqëse të debateve televizive në Tiranë për 25 prillin:

A ndryshoi diçka në thelb gjithë zurnaja e fundit, gjithë kjo zhurmë dhe gjithë kjo energji e shpenzuar politike? Me këtë arnim të ri të Kushtetutës a ka më shumë vlerë se zgjedhjet e shkuara vota e qytetarit? A zgjedh qytetari apo zgjedh prapë Kryetari? A ka shans me këto ndryshime të shpëtojmë nga të stër-dështuarit e këtyre 30 viteve? Nëse dua të votoj kundër sistemit, kundër gjithë klasës politike, a mundem? A më është dhënë kjo fuqi që ma njeh në teori demokracia?

Jo. Ndryshimet kushtetuese të realizuara me marrëveshjen PS-PD të vitit 2008, të cilat u dhanë kryetarëve të partive të drejtën për të zgjedhur deputetët nuk u korrigjuan. Pasojat e atentatit më të madh që kjo klasë politike i ka bërë demokracisë e vetë themeleve të shtetit mbetën në fuqi.

Kryetarët e partive do vazhdojnë të kenë të drejtën e monarkut për të hartuar listat e deputetëve. Arsyeja kryesore që për 12 vitet e fundit pengon në mënyrë fatale lindjen e një klase të re politike mbeti e njëjta. Dhunimi kushtetues që ka krijuar këtë negativitet dhe këtë përfaqësim të nivelit të ulët dhe mediokër të politikës do jetë ende aty edhe në 25 prill.

 

(më gjerësisht, mund të lexoni sot në versionin print të gazetës DITA)

 

——

©Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

 

Share This Article